Faleminderit
Avni Bilalli: Emin Fazlija - pinjoll i një familje atdhetare që brez pas brezi ishte në mbrojtje të Shqipërisë Etnike
E marte, 24.07.2012, 06:02 PM
EMIN FAZLIJA - PINJOLL I NJE FAMILJE ATDHETARE QE BREZ PAS BREZI ISHTE NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE
Të shkruhet
apo të flitet për veprimtarinë mbi pesëdhjetëvjeçare, atdhetare të përsonaliteteve
të shquara, që me bëmat e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në faqet e
lavdishme të Historisë sonë Kombëtare në periudhat më të vështira nëpër të cilat
po kalonte pjesa e kombit, që pa të drejtë e me dhunë u aneksua nga Serbia e
Jugosllavia titiste pas viti 1945, jo vetëm që është nder, por është njëkohësisht
edhe punë me përgjejgësi të lartë, jo vetëm para individit apo familjes për të cilin
shkruhet apo flitet, por edhe para publikut të gjërë dhe para vet historisë. Duke
dashur që me vetëdije t'i shmangem një praktike të gjertanishme, të cilën e
aplikojnë pjesa dërmuese e autorëve dhe studijuesëve të ndryshëm d.m.th. "që
të shkruhet apo që të mbahen fjalime për jetën dhe veprimtarinë e një personaliteti
të caktuar, vetëm pas shkuarjes së atij
apo asaj në botën e amshueshme ", unë kam zgjedhur një formë disi tjetër,
pra ta studioj dhe të shkruaj për veprimtarinë patriotike të një luftëtari të dalluar
të Shqipërisë Etnike, i cili fatbardhësisht është në mesin tonë.
Qëllimi
im i të vepruarit në këtë mënyrë, është që ai dhe bashkëveprimtarët e tij, të kanë
mundësinë që për të gjallë të tyre, t'i miratojnë apo kontestojnë ato që shkruhen,
thuhen apo komentohen për punën dhe angazhimin atdhetar. Fjalën e kam për një burrë
të Shalës së Bajgorës, i quajtur Emin Fazlija alias Emil Kastrioti, cili si
edhe i gjithë trungu i tij familjar, brez pas brezi u vunë në shërbim dhe
Mbrojtje të Shqipërisë Etnike dhe ribashkimit të Tokave Arbërore, të ndara e te
okupuara nga fqinjët serb, malazez,maqedon e grek.
Emin
Haradin Fazlija alias Emil Kastrioti u lind më 24. 09.1937 në fshatin Vidishiq
të Shalës së Bajgorës. Prindërit Haradini dhe Mihanja e lindur Murtezi nga
Lushta e Mitrovicës, përveç Eminit lindën edhe Selmanin. Ata nuk patën jetë të gjatë
bashkëshortore, ngase Haradini ishte luftëtar aktiv në çdo cep të atdheut të robëruar,
që nga Bihori, Sjenica, Tregu i Ri, Kolashini, Llapi, Gollaku, Karadaku,
Drenica, Dukagjini etj. gjer në momentin kur në shkurt të vitit 1947,
shpirtshituri një bashkëfshatar i Vidishiqit, të cilit i premtohet një vendpune
nëse do të tregonte se ku po strehohej Haradini e zbulon vendstrehimin e tij
duke iu thënë organeve të OZN-ës se : " I vëllai i vogël i Haradinit,
Bislimi ka shkuar përherë në tregun e Mitrovicës, ndërsa kohëve të fundit po
shkon në Vushtërri, ku unë dyshoj, se ai mban kontakte me të vëllain, i cili
besoj se strehohet te miqtë e tyre në Novosellë të Begut afër Vushtërrisë, ku e
kanë fejuar motrën, sepse ata janë edhe ekonomikisht shumë të fortë, pra te
Rizah, Rifat e Ferat Jetullah Bunjaku - Krasniqi ". Organet e OZN-ës dhe
UDB-es e rrethojnë shtëpinë e Bunjakëve dhe kërkojnë dorëzimin e Haradinit,
sepse kishin informacione të sigurta nga një bashkëfshatar i tij (duke ua thënë
me emër e mbiemër). Pasi që Rizah Bunjakut me vëllzër nuk i mbetet asnjë shtegdalje,
ofrohet te gypi që e kishin vendosur për frymëmarrje në Bunkerin e rregulluar nën
dhomën, ku do vinte nuse e motra e Haradinit, i tregon se janë të rrethuar dhe
i shpjegon se si kishte ardhur gjerë tek zbulimi i vendstrehimit të tij dhe i
shprehin gatishmëri për ta bërë vdekjen bashkë, nëse ai nuk do të dorëzohet dhe
e sigurojnë se ata nuk kishin treguar te organet e OZN-ës asgjë për të. Mirëpo
Haradini iu thotë miqëve se . "ai nuk do ta vë në rrezik këtë familje
bujare e fisnike për asnjë çmim dhe se është i gatshëm të vetdorëzohet me të vetmin
kusht ,,që t'mos e rrahin para anëtarëve të kësaj familje të ndershme". Udhëheqësi
i operacionit ia jep fjalën se nuk do t'i ndodh një gjë e tillë nëse vetdorëzohet.
Por fatkeqësisht ata nuk e mbajnë fjalën dhe menjëherë pasi Haradini i dorëzon
armët, ata e lidhin mbi një trinë të vendosur në një sajë, e cila tërhiqej nga
kuajt e një serbi të një fshati aty afër. Pas arrestimit pa mbajtur gjyq fare e
ekzekutojnë dhe trupin e tij e masakrojnë në mënyrën ma barbare.
Emini në moshën
dhjetë vjeçare mbetet pa të atin e nën përkujdesjen
e së ëmës Mihanes, gjyshit Kahrimanit, axhallarëve dhe farefisit të tij, të cilët
mundoheshin që ai me të vëllain mos ta ndjenin mungesën e babait. Megjithatë kur
Haradini ishte pranë familjes, ishte i dashur për të gjithë, përveç detyrave
atdhetare, me tërë qenien përkujdesej për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tij
të cilët i donte shumë.
Shtëpia e
tyre ishte çerdhe e nacionalistëve dhe derë e hapur e shumë luftëtarëve nga të gjitha
viset Etnike Shqiptare. Aty bisedohej për të gjitha çështjet politiko-ushtarake
që kishin të bënin me Kombin tonë që gjakosej nga armiqtë shekullor serbo-sllav.
Në këtë frymë atdhetare edukohej edhe i riu Emin Fazlija. Ai ishte djalë i shëndoshë,
i zgjuar, i dashur, i sinqertë, i shkathët dhe kurreshtar i madh për të mësuar
shumë gjëra të reja. Duke i vërejtur këto virtyte të larta tek ai, gjyshi
Kahrimani e axhallarët e mbanin afër edhe kur në Odën e tyre vinin patirotë që luftonin
e kishin luftuar së bashku me babain e tij. Kështu Emini rritej dhe burrërohej
në mesin e atdhetarëve që përpiqeshin të riorganizoheshin për çlirimin dhe
ribashkimin e Kombit Shqiptar në një shtet të lirë e demokratik.
Dëshirë e flaktë e këtij të riu ishte që të shkollohej për të zënë sa më shumë dituri. Shkollën fillore e kreu në Bare. Gjimnazin e Ultë në Mitrovicë, ndërsa Shkollën e Gazetarisë në Sarajevë në vitin 1955. Akademinë Tregtare (dy vite) e mbaroi në Dubrovnik. Pas vuajtjes së denimit (1966) vazhdoi studimet me korrospodencë në Univerzitetin e Zagrebit në Fakultetin Juridik, ku me sukses e përfundon Shkallën e parë. Emin Fazlija është i martuar dhe baba i dy fëmijëve Dritës dhe Agronit. I vëllai Selmani ka 2 vajza dhe 3 djemë.
Veprimtaria patriotike e politike e Emin Fazliut
• -alias Zekë Kosovës (1952 - 26.08.1960)
• -alias Arben Kosovës (1970 - 1977)
• -alias Emil Kastriotit (1970 - 1999)
Të gjithë
ata që i lexojnë këto pseudonime të Emin Fazliut, iu lind pashmangshëm pyetja: "Çfarë e shtyri këtë njeri që të kishte
gjithë këto pseudonime?! "
Përgjigja
më e thjeshtë dhe kuptimplote do të ishte: "Po zonja dhe zotërinj, pikërisht
aktiviteti luftarak e politik i kësaj familje të nderuar të Shalës së Bajgorës,
e cila u bë gurrë e pashterrëshme e luftëtarëve
trima që brez pas brezi, sakrifikonin çdo gjë për liri dhe ribashkim, ishte një
arsye më shumë për Eminin për të vepruar i "maskuar" pas pseudonimeve
të sipërshenuara.
Pra edhe
veprimtarinë atdhetare të tij mund ta klasifikojmë në tri peridhat kohore kur
edhe janë shfrytëzuar këta emra të trilluar për të mos i rënë në gjurmë aktivitetit
antikomunist të Zekë Kosovës.
Emin
Fazlija alias Zekë Kosova e kishte kuptuar, se lufta e armatosur frontale apo
guerile kundër regjimit serbo-jugosllav të instaluar me dhunë dhe shtetrrethim
në vitin 1945, me represalje e vrasje kundër popullit shqiptar, jashtë kufinjëve
të Shqipërisë londineze ishte e pamundur. Ai e dinte se duheshin përzgjedhur
metoda tjera veprimi. Kështu që krahas shkollimit, ai filloi aktivitetin
politik kundër propagandës komuniste që mundohej me demagogji ta reklamonte vëllazërim-bashkimin
e bararazinë e popujve jugosllav dhe të justifikohej për riokupimin e shqiptarëve
dhe tokave të tyre, si alternativën e vetme. Duke ua mohuar këtyre të fundit të
drejtën për vetëvendosje dhe bashkimin me shtetin amë Shqipërinë.
Veprimtarinë
atdhetare ilegale Zekë Kosova e filloi qysh në moshën e hershme të rinisë. Ajo është
e bujshme e gjithanshme dhe e pastër si kristalet e Trepçës, por gjithnjë në shërbim
të çlirimit dhe të ribashkimit të popullit shqiptar në Shqipërinë e Lirë,
Demokratike e të Përparuar në bazë të Principeve të Demokracisë Properëndimore.
Meqenëse kishte fituar njohuri të shumta
për të gjitha krimet dhe gjenocidin serbo-jugosllav kundër shqiptarëve në
Shalë të Bajgorës në Mitrovicë dhe në të gjitha territoret shqiptare në periudhat e ndryshme historike,ai kishte
mjaft fakte e dëshmi mbi dhunën që ky regjim kishte ushtruar edhe në familjen e
tij. Masakrimin e babait dhe shumë të afërmëve, Zeka Kosova e kishte përjetuar
shumë rëndë në thellësinë të shpirtit të dëlirë e të padjallëzuar. Pas
varrosjes së Haradinit në familjen e Kahrimanit vjen për ngushëllime edhe një bashkëfshatar
i tyre Murseli, i cili edhe pse ishte prezent në Odë Emini, dëshironte të dinte
diç më shumë për mëmyrën e vdekjes së të ndjerit. Por Kahrimini i jep shenjë duke
u kollitur dhe ai menjëherë e ndëpret pyetjen. Kahrimani i derjtohet nipit me këto
fjalë : „Shko te nëna jäte, se ndoshta ka nevojë për ndihmën tënde,,. Emini
vepron siç i tha gjyshi del përjashtë, por ndalet te dera për të përgjuar bisedën
që pro zhvillohej në Odë në mes të Kahrimanit dhe Murselit. Pasi e kupton për
vrasjen makabre të Haradinit, ai shkon te e ëma, e cila ishte duke i pjekur bukët
në oxhak dhe tregon bisendën që kishte përgjuar te dera dhe tenton të bie në zjarr,
duke thënë se : „nuk donte më të jetonte
pa të atin“. Mirëpo e ëma e tij që e dinte për vdejkjen e burrit e ndalon
Eminin dhe e ngushëllon duke e këshilluar se ai duhej të rritej e të bëhej
atdhetar më i zoti se babai i vet dhe t‘i luftonte gjakpirësit okupator. Në këtë
moment Emin Fazlija bindet nga e ëma se „vetëm i gjallë mund t’i shërbente
popullit dhe t‘u kundërvihej pushtuesëve.
Prandaj
nuk mund të rrinte duarkryq e të pajtohej me këtë pushtues gjakpirës që i
kamufluar me parollat e lirisë, barazisë e vëllazërim-bashkimit, terrorizonte
shqiptarët: që nga inskenimi i ngatërresave ndëretnike, rrahjet, plagosjet,
montime të proceseve gjyqësore politike e gjerë tek vrasjet mistike të kohës,
ku viktimave iu humbeshin edhe eshtrat e nuk u dihej vendvarrimi. Kriminelët
serbo-malazez të sjellur si kolon nga regjimet e më parshme jugosllave i kishin duart e lira
t'i keqtrajtonin shqiptarët pa kurrfarë shkasi, pa dallim moshe a gjinie,
gjendje fizike a psikike, në çdo kohë, në çdo vend dhe me çfarëdo mjetesh, duke
filluar nga ato psikike e gjër tek likuidimet fizike. Për këto veprime kriminelët
shpërbleheshin nga shteti serbo-jugosllav. Aleksandër Rankoviqi, kryeshef i
Sigurimit Sekret Shterëror i Armatës (në serb. shkurt. OZNA) dhe i Administratës
e Sigurimit të Mbrendshëm Shtetëror (e njohur në serb. shkurt. UDBA) dhe Ministër
Federativ i Punëve të Mbrëndshme të RSFJ -ës, ishte urdhërdhënësi, ndihmësi dhe
përkrahësi më besnik i politikës për shkatërrimin e qenies shqiptare, ishte
gjakpirës i pangopshëm, shovenist i pashpirt që zbatonte në praktikë planet famëkeqe
të një gjenocidi të organizuar nga organet e shtetit "socialit". Ishte
një antishqiptar i përbetuar dhe përpiqej në çdo moment kur i ipej rasti t'i
zbatonte idetë e Garashaninit, Çubrilloviqit, Andriçit dhe të secilit grupim
kriminal- paramilitarë, çetniko-partizan që ishte i gatshëm t'i keqtrajtonte e deportonte shqiptarët nga
trojet e tyre autoktone; t'i shpërngulte me dhunë për në Turqi dhe vende tjera;
t'ua rrëmbente pasurinë e tundshme dhe të patundshme dhe në to në emër të reformave
agrare të vendoste kolon të rinjë serbo-malazez nga vise të ndryshme të monstrumit
"Jugosllavi", për të ndërruar strukturën etnike shqiptare. Organizoheshin
aksione me pretekst se: "shqiptarët posedonin armë, të cilat paraqitnin
rrezik që ata të organizoheshin në kryengritje
të armatosur për t'u shkëputur nga Serbia- Jugosllavia". Ose aksioni për "Mbledhjen
e të dhjetave apo tepricave", ku shqiptarëve u mirreshin me dhunë pa
kurrfarë kompenzimi material (financiar) çdo kokërr drithi, mielli, bymeti,
kafshët, veshmbathjet, shtresat e shtratit, paja e nusërisë e gjësende me vlerë
dhe iu ipeshin serbo -malazezëve ose dërgoheshin për në Serbi. Veprime të ngjajshme
të pushtetit vazhdonin në pjesë të ndryshme nëpër vendbanimet shqiptare. Këto krime gjenocidale
e çnjerërore, nxitën dhe zgjuan kurreshtjen e Zekë Kosovës për të ndërmarrë diç
çfarë ishte në mundësinë e tij, për ta ndryshuar këtë gjendje të mjerueshme për
të demaskuar dhe luftuar këtë përbindshësh të tmerrshëm dhe bashkëpuntorët
shqipfolës, të cilët të verbuar pas posteve e gradave u vunë kundër interesave
të Shenjta Kombëtare.
Emin
Fazlija, ishte inciatori e themelusi kryesor i Organizatës së parë ilegale
antikomuniste së bashku me Gjon Maletën dhe disa moshatarë, jo vetem nga
farefisi dhe fshati i tij Vidishiq, por edhe nga fshatrat tjera të Shalës së Bajgorës.
Organizatën e parë të rinisë antikomuniste e themeluan më 6 gusht 1952 në vendin
e quajtur " Kisha e Murit " në Vidishiq dhe e pagëzuan me emrin:
"VOTRA KOSOVARE NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE“- VKNDSH. Themeluesit e kësaj
Organizate politike të rinisë antikomuniste e hartuan një "Program politik",
"Parimet themelore" dhe disa "Urdhëra" apo detyra me
shkrim, të gjitha të bazuara dhe huazuara nga Programi i Lëvizjes Nacional
Demokratike Shqiptare si dhe Parimet Themelore të "Besës Kombëtare" të
themeluar në shtator 1943 në Pejë, nga luftëtari dhe patrioti Prof. Ymer
Berisha (shih, Emin Fazlija "E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë
Etnike fq. 235-236). Kryetar u zgjodh Zekë Kosova, Nënkryetar Gjon Maleta dhe
arkëtar Murtolli. Strukturimin e anëtarëve e bën në treshe, për të mos rënë në sy
të agjentëve jugosllav, pastaj në Nëndegë dhe Degë, duke synuar që ta shëndërronin
në Lëvizje mbarëkombëtare. Aktivitetin e filluan me shtypjen e pamfletëve,
parullave ( KOSOVA ASHT SHQIPNI ! RRNOFT BASHKIMI I KOMBIT! POSHT JUGOSLLAVIJA !
POSHT SERBIJA! RRNOFT FLAMURI I KUQ E ZI
ME SHQIPONJEN DYKRENARE NË MES), kremtimin e Ditës së Flamurit 28 Nëntorit
(që ishte e ndaluar gjerë në vitin 1974). Për ata shqipfolës që kishin
informacione të sigurta se ishin bashkëpuntorë të fshehtë të regjimit sllavokomunist
(informator) për t'i demaskuar para opinionit publik i shkruanin në muret e shtëpisë
këtë parullë : "Shpallje - E shes shtëpinë dhe pasuninë, sepse po shkoj përgjithmonë
me rrnue (për të jetuar v. e aut.) në Serbi mbasi këtu nuk më ka mbet vend se u
zbulova si bashkëpuntor i UDB-ës ", ( UDB në shqip d.m .th. Sigurimi i
Brenshëm Shtetëror).
Ndër
aksionet më të rëndsishëme mund ta përmendim ate të vendosjes së Flamurit Kombëtar
në vagonin e trenit që qarkullonte në relacionin Shkup - Beograd. Kjo ndodhi në
mes të datave 23/24 SHTATOR 1953, kur Emin Fazlija - Zekë Kosova, Ragip S. Sadiku
- Gjon Maleta dhe Muharrem Hyseni -Hamalli, të cilët e vendosin Flamurin Kombëtar
Shqiptar në vagonin e fundit duke e lidhur shtizën me tel të fortë. Më 24. shtator
në mëgjes treni arrin në Stacionin kryesor të Beogradit me Flamurin Kuq e Zi. Ndësa
shtypi i Serbisë shkruante ndër të tjera, se: " kjo është vepër e ballistëve
të Enver Hoxhës... ", ndërsa UDB -a u tmerrua fare nga një veprim i tillë,
sepse nuk kishte kurrfarë informacioni për autorët e mundshëm. Anëtarët e Votrës
Kosovare Nacional Demokratike Shqiptare fitonin përditë e më shumë besim në vetvete
dhe motivim më të madh për ta zgjëruar aktivitein dhe rrejtin e anëtarëve.
Meqenëse
Podguri - Istogu me rrethinë ishin dëshmuar për luftëra të pakompromis kundër
okupatorëve serbo-malazez dhe çerdhe e ngrohtë për atdhetarët e kauzës kombëtare,
Bislim Fazliu pas peripetive të shumta dhe keqtrajtimit nga organet e UDB-ës,
vendoset atje dhe shumë shpejt bie në kontakt me pinjollët e famijeve
nacionaliste dhe vendosin që bashkarisht ta vazhdojnë aktivitetin për çlirim e
Ribashkim Kombëtar të të gjitha Viseve Etnike që kishin mbetur jashtë kufinjëve
të mëmës Shqipëri. Kështuqë më 22.05. 1954 në Bellopojë të Istogut u themelua
Dega e "Votrës" ku merrnin pjesë Zekë Kosova, Bislim Fazliu (axha i
Zekës), Ibrahim Metaj, Malë Bardheci, Osman, Niman, e Xheladin Igrishtaj, Ramë Bareli
dhe Musa Fejzaj. Ata u informauan me aktivitetin e gjëratëhershëm me Programin,
Parimet themelore dhe Detyrat e Votrës Kosovare. Aty u zgjodh kryesia si vijon :
1. Kryetar - Ibrahim Metaj, 2. Nënkryetar- Bislim Fazliu dhe 3. Arkëtar- Niman
Igrishtaj.
Falë angazhimit
të madh dhe sakrificave të anëtarëve "Votra", për një kohë të shkurtër
shtriu aktivitein e saj në Prishtinë, Prizeren, Gjilan, Kaçanik, Shkup, Tetovë e
gjerë në Zagreb.
UDB-ja
jugosllave me ndihmën e shqipfolësve shpirtshitur në Qershor të vitit 1960
arrinë ta zbuloi aktivitein ilegal të 47 veprimtarëve, prej të cilëve 4 gjatë kryerjes
së shëbimit të detyruar ushtarak në Zagreb. Shërbimi Sekret i Ushtarisë jugosllave
i quajtur KOS, i bie në gjurmë aktivitetit të anëtarëve të "Votrës" dhe
i arreston : Emin Fazliun alias Zekë Kosovën, të cilin Gjykata Ushtarake e
Zagrebit e shpall fajtor dhe e denoi duke u bazuar në Nenin 117 alineja 1 e LPJ
e lidhur me Nenet 100 e 101 alinea 1, të cilësuar si "veprimtari armiqësore
kundër popullit e shtetit jugosllav...", me Aktvendimin nr. IK 21/1960 të datës 25.02.1961, me 8 vjet burg të rëndë. Bashkëveprimtarët
e tij, Baki Dullovin nga Biçeci i Kaçanikut, me 2 vjet e 6 muaj; Mehmet Rrahim
Trepçën "Xexeli" nga Vidishiqi (kushëriri i afërm i Eminit) me 2 vjet
dhe Ilmi Ajvazin nga Kopërnica e Dardanës, me 9 muaj.
Ndërsa në
proçeset gjyqësore që u mbajtën në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, Gjilanit,
Prizerenit e Shkupit anëtarët e "Votrës" u denuan me 170 vite burgim
të rëndë.
Emini e
vuajti denimin 6 vite burg të rëndë në burgun famëkeq të Lepogllavës. Nga
vuajtja e mëtejme e denimit prej 2 vitesh
u lirua më 13 korrik 1966 në bazë të Ligjit për amnisti, që e bëri J.B. Tito,
pas rënies së A. Rankoviqit nga pushteti, këtij gjakpirësi antishqiptar.
Emin
Fazlija pas vujatjes së denimit kthehet në vendlindje, ku përpiqet të gjej punë.
Për shkak se kishte vuajtur denimin për veprimtari politike "kundër
rregullimit shtetëror socialist dhe bashkim-vëllazërimit", atij nuk i ipej
asnjë vend pune edhe nga ato më të rëndat. Kështu, ai u detyrua zemërthyer të largohej
nga familja, vendlindja, farefisi dhe Kosova për të gjetur një punë për të fituar
dhe mbijetuar.
Arben
Kosova - ishte pseudonimi i dytë, i Eminit gjatë zhvillimit të veprimtarisë politike
atdhetare, pas largimit siç u cek më sipër, pa dëshirën e tij nga Kosova në vitin
1967 dhe vendosjen në qytete të ndryshme të Kroacisë si, në: Zagreb ku punonte
dhe studionte Drejtësinë; në Dubrovnik, ku studijoi Akademinë Tregtare e në qytete
tjera. Pseudonimin Zekë Kosova nuk mund ta përdorte më tutje, ngase ishte zbuluar kur u denua. Atje bie në kontakt
e njihet me luftëtarin dhe patriotin e LNDSH Hamid Emini- Brunçaj, e më pas
edhe me shumë atdhetarë tjerë në Itali e Gjermani, të cilët për shkaqe të ngjajshme
ishin detyruar të kërkonin "strehë e shpëtim" në shtete të ndryshme të
perëndimit. Megjithate kontaktet ishin të vazhdueshme edhe me aktivistët e "Votrës" në Mitrovicë dhe aty ku ishin themeluar Degët
e saj.
Pasi që u muar vesh se ishin themleuar edhe organizata tjera me parime dhe qëllime te njejta ose te ngjashme, pra ribërjen e Shqipërisë Etnike, duke u bazuar në Parimin " Bashkimi bën fuqinë ", pëfaqësuesit e tyre pajtohen që të shkrihen në në Lëvizje gjithshqiptare për t’i arritur më lehtë synimet e veta. Në Kanunoren e "Votres" në Nenin 9 të Parimeve Themelore ndër të tjera parashihet që : " Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri " dhe " Pa Shqipëri nu ka as Kosovë as Çamëri !", kjo ishte edhe motoja e të gjitha organizatave ilegale politike që vepronin në territoret e pushtuara shqiptare, andaj erdhi gjerë tek pajtimi i të gjitha organizatave për të vepruar bashkarisht për realizimin e synimeve të përbashkëta.
Për këtë arsye
paralajmëruan pjesëmarrjen në Kuvend:
1. Organizata Nacional Demokratike
Shqiptare - ONDSH (4 përfaqësues);
2. Votra Kosovare Nacional Demokratike
Shqiptare - VKNDSH ( 3 përfaqësues );
3. Grupi Demokratik Shqiptar i Kosovës - GSHDK
( 4 përfaqësues );
4. Grupi Shqiptar Kombëtar i Maqedonisë-GSHKM
(3 përfaqësues );
5. Grupi Demokrat Indipendent Kosovar - GDIK
( 2 përfaqësues );
6. Grupi Veteranët e Luftës Shqiptare dhe Rezistencës Malësore - GVLSHRM ( 2 përfaqësues
);
7. Shoqnia Demokratike Shqiptare " Ismail
Qemaili " - SHDSHIM (2 përfaqsues ),
të cilat
më 16 gusht 1972 në Vushtërri organizuan Kuvendin e Bashkimit nga ku edhe u
lind " BESËLIDHJA KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE - B.K.D.SH. Sipas Proçesverbalit në Kuvend ishin prezent 120
të deleguar.
"Votrën"
në këtë Kuvend historik e përfaqësonte Muharrem Hyseni "Hamalli", ku
në aktin e themelimit figuron edhe nënshkrimi i tij. Emin Fazlija alias Arben
Kosova u zgjodh Përfaqësues Fuqiplotë për Mërgatë, pasi që tani më ishte i
vendosur në Gjermani. Ai kishte marrë për detyrë të kontaktonte të gjithë patriotët
shqiptarë që kishin si moto të veten parullën : "Atdheu mbi të gjitha"
dhe i kishin mbetur besnik duke vepruar në pjesë të ndryshme të rruzullit tokësor,
për ta shporrur njëherë e përgjithmonë diktaturën komuniste nga Trojet
Shqiptare. Këtë detyrë Eimini e kreu me
përkushtim të madh ku arriti edhe suksese të lakmueshme. Kontaktoi
personalitetet më besnike nacionaliste, të cilët pakursyer asgjë nga vehtja e
tyre, përpiqeshin ta demaskonin regjimin etatist diktatorial të Enver Hoxhës i
ndërtuar në bazë të diktateve serbo-ruso-sllave, si dhe të demaskonin
parullat e vëllazërim - bashkimit e
barazisë nacionale të popujve jugosllav pas të cilave fshiheshin nacional-shovinizmi
serbomadh, i cili shqiptarët i trajtonte si irridenitist, seperatist dhe
element destabilizues dhe armiqë të sistemit shtetëror socialist të Jugosllavisë.
Mbajti letërkëmbim me shumë revista shqiptare në shumë shtete të botës.
Në Kuvenidin
e Vushtrrisë pas diskutimeve të shumta e të gjithanshme u arrit pajtimi që të aprovohet
Programi politko-strategjik i veprimit
me emrin "KANUNORJA". Në të janë përfshirë: një historik i
shkurtër i themelimit të Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare- BKDSH,
Parimet Themelore të Lëvizjes (14 Nene); Programi i BKDSH (18 Nene) ku janë përfshirë
dhe strukturuar çështjet politike, ekonomike, të edukimit e arsimimit, politika
sociale, mbrojtja e ambientit dhe rrethit shoqëror, Programi i rregullores së mbrëndshme
dhe Dispozitat përfundimtare. Ky Program u ndryshua u plotësua dhe u aprovua në
formën e prerë dhe hyri në fuqi në Kongresin e 7- të që mbajt më 3 e 4 mars 1994
në Tiranë. Kanunorja përmban Statutin e Lëvizjes BKDSH me gjithsejt 31 Nene, në
të cilat në mëyrë të kjartë shihet srtuktura e fushëveprimit dhe obligimet që i
marrin përsipër anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare. Në Kanunore gjejmë edhe një vështrim
të autorit Emin Fazlija mbi jetën dhe veprimtarinë politike e luftarake të Prof.
Ymer Berishës dhe bashkëveprimtarëve të tij besnik që ideal e kishin çlirimin e
tokave të pushtuara shqiptare dhe ribashkimin në një shtet në Shqiprinë Etnike
e Demokratike.
Emin
Fazlija alias Arben Kosova, gjatë vuajtjes së denimit në Lepogllavë u njoh dhe
krijoi miqësi me disa peronalitete të shquara
krote që edhe ata ishin të denuar politikisht. Ajo miqësi i ndihmoi Eminit për t'iu shpëtuar "kthetrave" të udbashëve,
të cilët e përcillnin pandërprerë dhe hap pas hapi veprimtarinë e tij politike
edhe pas vuajtjes së denimit.
Një mik
kroat pasi takohet me Eminin dhe bisedojnë shkurtimisht për gjërat e përditshme
në liri, ata i bien në sy një Spiuni të Sigurimit Sekret Republikan të Kroacisë
(si duket ai kishte qenë në përcjellje të Eminit, v. e aut.). Pasi që ata dy
ndahen, spiuni e ndalë atë kroatin, të cilin e njihte dhe e pyet se, "çka
të lidh ty me atë idiotin që fole pak më parë (me Eminin v. ime A. B.) ? ".
Ai i tregon se kanë qenë në vuajtje të denimit bashkë në burgun e Lepogllavës
dhe e di se,: "është njeri i ndershëm dhe shumë i mirë dhe nuk ka të bëjë asgjë me kurrfarë kriminaliteti, pra nuk ka
vrarë njeri, nuk është vjedhës, por punon, studion dhe angazhohet për çështjen
e vet kombëtare ". Kur bindet punëtori i sigurimit se miku i Emin Fazliut,
vërtetë ka përshtypje të mirë dhe e çmon lartë mikun e tij shqiptar, i
drejtohet me këto fjalë : " Po e shoh se me të vërtetë po e don atë njeri
për të cilin ne kemi dosje edhe më të trasha se sa ato në bazë të të cilave është
denuar dhe jemi vetëm duke pritur urdhërin nga Beogradi për ta arrestuar, e se
a do të mbijetoj është një pikëpyetje e madhe! Andaj nëse ma jep fjalën se nuk
më zbuloni mua për këtë që ua them, do ta zbuloi një fshehtësi shtetërore. Pasi
ai sigurohet se kjo do mbetet një bisedë në mes tyre, ai i tregon atij që „ ai
shqiptari duhet sa ma parë të ikë nga Kroacia, se është në rrezik të madh ". Miku i Eminit me të dëgjuar ato nga spiuni i
sigurimit, kthehet shpejt te ai ( Emini ), dhe i tregon gjithë ate që kishte dëgjuar
për të. Pra Emin Fazlija alias Arben Kosova, duhej patjetër ta siguronte një pasaportë
udhëtimi që të shëptonte nga arrestimi i cili mund t'i ndodhte në çdo moment
dhe pasojat do të ishin të paparashikueshme.
Mirëpo për
një pasaportë falso kroate me emër dhe mbiemër shqiptari, duhej të paguheshin 100.
000 dinarë të atëhershëm. Kjo ishte një shumë e madhe për Eminin, sepse ai
fitonte me punën që bënte në një Shtypshkronjë afër 68. 000 dinarë në muaj. Familja
shumë e nderuar Kaçinari, që kishte katër byrektore, dy në Çernomerc (Zagreb),
një në Karllovc dhe një në Mynih të Gjermanisë, ishte shpetimtarja e Eminit, i cili pasi ua tregon rastin Kaçinarëve,
ata ia dhënë shumën e nevojshme, dhe ai e paguan pasaportën dhe në vend të emrit
të vërtetë e jep emrin : Emil Kastrioti. Më 8 mars 1970 largohet nga Zagrebi
duke mos u diktuar nga organet e UDB-ës. Që nga ajo kohë e gjer në vitin 1978
kur del publikisht me pseudonimin Emil Kastrioti, ai e përdorë edhe pseudonimin
Arben Kosova. Organet e UDB-ës jugosllave e kërkonin gjithëandej ku mendonin se
mund ta gjenin, por fatbardhësisht nuk mund t'i binin në gjurmë, sepse Emin
Fazlija alias Zekë Kosova ishte "zhdukur"në drejtim të panjohur. Pasi
që Emini arrin në Gjermani, ku edhe e bashkëshortja e tij kishte gjetur punë,
ia kthen borxhin familjes Kaçinari, të cilës i është shumë mirënjohës për mundësinë
që ia dhanë për t'u larguar nga Kroacia dhe për të shpetuar nga burgosja e sërishme.
Kjo familje e nderuar shqiptare u ka ndihmuar sidomos studentëve shqiptarë që kanë
studijuar në Zagreb.
UDB-ja
jugosllave nëpërmjet bashkëpunëtorëve të vet informohej se në Gjermani ishin të
" njohur "dy antijugosllavë që organizonin tubime, protesta e
demonstrata, i shkruanin peticione OKB-ës, Organizatave për mbrojtjen e Lirive
të njeriut (AI), burrështetasve në Europë e SHBA, por asnjëri prej tyre nuk
ishte Emin Fazlija apo Zekë Kosova, këta ishin pa dosje në UDB.
Emin
Fazlija me bashkëveprimtarët e tij kërkonin mbrojtjen e lirive dhe të drejtave
të shqiptarëve, duke e demaskuar politikën titiste, e cila organizonte procese
politike kundër intelektualëve shqiptarë, i izolonte dhe burgoste me shumë vite
bugrim, vetëm e vetëm se ishin shqiptarë dhe kërkonin lirinë e plotë, të drejtën
e vetëvendosjes dhe të drejtën e bashkimit me shtetin amë Shqipërinë. Njëkohesisht,
Arben Kosova kritikonte bashkë me të mërguarit tjerë shqiptarë që ishin të detyruar
të lëshonin Shqipërinë sepse nuk pajtoheshin me idetë komuniste dhe regjimin e
Enver Hoxhës i cili pa gjyqe vriste intelektualët më të shquar, të cilët kishin
mbaruar Univerzitetet në Perëndim dhe të gjithë ata që kërkonin të bashkoheshin
me Kosovë e Çamëri. Regjmi diktatorial i Enver Hoxhës internonte familjet e
intelektualëve të cilët i kishte burgosur për "veprimtari kundër shtetit
dhe popullit ...", demaskonte me fakte të vërtetuara bashkëpunimin e
ngushtë të Sigurimit Shtetëror Shqiptar dhe UDB-es jugosllave për atentatet që ata
bënin kundër veprimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët punonin për Bashkim
Kombëtar.
Emin
Fazlija alias Arben Kosova, pas largimit të „detyruyr“ nga Kroacia, tani u
detyrua të bëhet edhe alias Emil Kastrioti. Për një kohë relativisht të shkurtër
të qëndrimit në Gjermani vuri kontakte me bashkëatdhetarë nga të gjitha trevat
shqiptare, që jetonin, punonin dhe vepronin, jo vetëm në Gjermani por edhe në Belgjikë
(me Vehbi Ibrahimin ), në Norvegji e më pas në Suedi (me Hysen Çamin - Mega Sulin), në Suedi ( me Ibrahim
Metajn ), në Turqi, në Austri, në SHBA, në Australi e gjetkë, por që punonin kundër regjimeve diktatoriale në Shqipëri
dhe në Jugosllavi.
Kontakte me personatiltete të rëndësishme dhe korrespondenca me revista të ndryshme në Mërgatë
Gjatë vuajtjes
së denimit, por edhe më pas, Emin Fazlija merret aktivisht me krijimtari
letrare në fusha të ndryshme duke shkruar poezi, novela, satira, pjesë teatrale
e romane „në gjuhën ezopiane„ thot Emin Fazlija. Në fillim shkruan në gjuhën
kroate, për shkak të rrethanave të burgut, ndërsa pas lirimit nga burgu shkroi
në gjuhën shqipe e gjermane. Ka shkruar romanin „Agroni“, përmbledhje poezishë të
titulluar „ Në vend të përmendores“, dy
poema „Dolores“ dhe „Për një grusht oriz“. Ka botuar " Kanunoren e Lëvizjes
Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare " në vitin 2008 në Prishtinë dhe
monografinë "Hamid Emin- Brunçaj - Doktori i Maleve të Lira të Drenicës
Dardane" në vitin 2009 në Prishtinë. Është shumë me rëndësi të thuhet me këtë
rast se, Emini ka mbi 30 vepra të shkruara në gjini të ndryshme letrare si: poezi,
novela, romane, monografi e drama, por akoma të pa botuara e që ruhen në Arkivin
e BKDSH. Në Arkivin personal dhe të Bëslidhjes Kombëtare gjenden me mijëra
dokumente e letërkëmbime me peronalitetet më të shquara të kohës, siç janë: Abaz
Ermenji, Prof. Luan Gashi, Prof. Dr. Isuf Luzaj, Dr. Halim Begeja, Prof. Ernest
Koliqi, Dr. Athanas Gegaj, Ndue Pjetër Gjonmarkaj, Nikollë Gjonmarkaj, Dr. Nuri
Dino, Dr. Rakip Frashëri, Dr. Selhaudin Velaj, Dr. Pjetër…, Dr. Fuad Miftia, Dr.
Rexhep Mitrovica, Lec Shllaku, Isa Elez Ndreu, Prof. Prenk Gruda, Bilall
Xhaferi, Bardhok Doda, Mark Caraj, Vehbi Ibrahimi, Rasim Zenelaj, Hysen Tërpeza,
Mons. Zef Proshi, Idriz Lamaj, Hajredin Bytyqi e shumë të tjerë.
Arben
Kosova ishte në kontakt të vazhdueshëm me Redaksi të ndryshme të Mërgatës dhe
bashkëpunoi ngusht me : "Diellin",
Federatën Panshqiptare "Vatra" në SHBA, "Shejzat" e
Prof. Koliqit, "Koha jonë" e Lec Shllakut dhe Isa Elez Ndreut,"
"Flamuri" te Partisë Agrare "Balli Kombëtar", "Qindresa
Shqiptare" të Komitetit Kombëtar "Shqipnija e Lirë", "Besa"-
Organ i Grupit Demokrat të Qazim Prodanit nga Stambolli, "Mbrojtja Kombëtare"-
botim i Organizatës "Balli Kombëtar" - frakcioni i Prof. Dr. Isuf
Luzaj-t, "Lidhja e Prizerenit" - Organ i Organizatës "Lidhja e
Prizerenit në Mërgim", "Shqiptari i Lirë" - Organ i Komitetit
Shqipëria e Lirë e Dr. Rexhep Krasniqit, "Përpjekja Kosovare", "Krahu
i Shqiponjës" - Organ i Lidhjes Çame në Mërgim, "Ushtima e Mërgimtarit"
të Hysen Çamit nga Suedia, "Zëri i Rinisë Shqiptare në Mërgim" të botuar
në Australi nga Bujar Risilia si dhe me Redaksitë e shtypit të Arbëreshëve të Italisë,
"Zajrri", "Zgjimi", "Katundi ynë", "Lidhja"
etj. Të gjitha këto kontakte me personalitete eminente të shkencës, të kulturës,
të politikës që jetonin në shumë shtete dhe disa kontinente, që ishin ndesh me
kultura e tradita të ndryshme, dhe kishin përfituar nga to, por edhe kishin
afirmuar me krenari kulturën tonë atje ku jetonin dhe vepronin, i kishin ndihmuar
Emil Kastriotit të formohej si peronalitet i gjithanshëm. Karakteri i tij i
fort, syçeltësia, vendosmëria, drejtësia, humaniteti dhe trimëria i ndihmuan që
të organizonte dhe udhëhiqte së bashku me bashkëveprimtarët e tij më besnik mbi
50 demonstrata antijugosllave, në gjithë Europën. Të organizonte dhe udhëhiqte
mbi 30 mbledhje vjetore të BKDSH. Më 17 qershor 1977 u arrit Marrëveshja në Bruksel
për bashkimin e katër Organizatave që vepronin në shtetet perëndimore. Për
shkak të ndikimit të agjenturave të Beogradit e Shkupit dhe ndikimit që ato
kishin në aktivitetin e „Lidhjes së Vardarit“ dhe Degës së „Lidhjes së Prizerenit“
në Francë, dështoi Marrëveshtja e
Brukselit. Besnik kësaj Marrëveshjeje i mbeti Vehbi Ibrahimi Kryetar dhe anëtarësia
e Shoqënisë Demokratike Shqiptare „Ismail Qemali“ dhe Besëlidhja Kombëtare
Demokratike Shqiptare të cilat bashkëvepruan ngusht në afirmimin e çështjes
kombëtare në Gjermani, Belgjikë, Suedi, Danimarkë, Norvegji, Francë etj. Orgnizojnë
krijimin e Frontit për Ribashkimin e Shqiperisë Etnike duke e pagëzuar me
emrin „Mbrojtja e Shqipërisë Etnike ".
Më 26 e 27
Nëntor 1977, Emin Fazlija me Vehbi Ibrahimi dhe shumë veprimtarë tjerë organizojnë
mbajtjen e Kongresit të Parë të Organizatës Kosovare Nacional Demokratike Shqiptare
- O.K.R.N.D.SH. i cili i zhvilloi punimet në Donzdorf të Gjermanisë me sukses të
plotë sipas parashikimeve. Por as UDB-ëja nuk qëndronte duarkryq, bile kishin
arritur që edhe në mesin e aktivistve të O.K.R.N.D.SH. të futnin bashkëpuntorët
e tyre shqiptarë. Kështuqë pasi që tërhoqën „Lidhja e Vardarit“ dhe Dega e „Lidhjes
së Prizrenit“ në Francë, u mor vendim i përbashkët i Shoqnisë Demokratike dhe
Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare të vazhdohet aktiviteti kombëtar me
emrin e Besëlidhja Kombëtar Demokratike Shqiptare, Kryetar u zgjodh njëzëri
Emin Fazlija e Nënkryetar Vehbi Ibrahimi, BKDSH e kishte edhe organin e vet ku
botoi mbi 54 numra të „Besa Shqiptare“ dhe 6 numra të revistës „Shqipnija
Etnike“, ndërsa u përjashtuan nga radhët e saj të gjithë anëtarët që me qëndrimet
e tyre përpiqeshin ta përçanin anëtarësinë dhe u dëshmua se ata për intersa të tyre
pësonale punonin për UDB-ën dhe Sigurimitn Shqiptar. Ndër detyrat kryesore të këtyre
shpirtshiturve ishin që të shpifnin kundër nacionalistëve të dëshmuar shqiptarë;
të paraqiteshin si patriot të flakt kundër regjimit jugosllav për të fituar
besimin e pjesës dërmuse të aktivistve shqiptarë; të përcillnin sa më shumë informata
te urdhërdhënsësit e vetë; të pranonin insrtuksionet e reja prej tyre,
nacionalistët e vërtetë të çështjes kombëtare t'i shpallnin për bashkëpuntorë të
UDB-ës, me qëllim që t'i përçanin ata në mes veti; të futnin pasiguri dhe të mbanin
situaten e tensionuar, por gjithnjë në dobi të "punës" së tyre. Spiunët
e UDB-ës dhe Sigurimit Shqiptar bashkëpunonin edhe në organizimin e atentateve
kundër aktivistëve të Organizatave patriotike Shqiptare siç janë: Rasim Zenelaj shqiptar, me gjak të pastër
shqiptari, veprimtar i palodhshëm i cili
u plagos në një atentat të organizuar më 14. 05.1981 në Frankfurt të Gjermanisë,
pra, kundër tij dhe gjithë forcave
nacionaliste shqiptare. Ky atentat u
krye nga UDB-ëja dhe bashkëpunëtorët e saj shqiptarë. Në atentatin e ngjajshëm
në Bruksel të Belgjikës, më 10. 10.1981 vritet bashkëpunëtori më besnik dhe Nënkryetari i Besëlidhjes Kombëtare
Demokratike Shqiptare Vehbi Ibrahimi. Megjithate Besëlidhja qëndroi e fortë dhe
shtoheshin radhët e saj me ushtarë të Shqipërisë Etnike që ishin të gatshëm për
çdo sakrificë gjer në flijim për Bashkim Kombëtar.
Viktima të
atentateve janë edhe tre martirët që u vranë me 17.01.1982 Jusuf e Bardhosh Gërvalla
e Kadri Zeka. Disa të vetquajtur „ lider“ të ideologjisë marksiste-leniniste e
shfrytëzuan shumë keq vrasjen e tyre për interesa përsonale, ndërsa Besëlidhja
ka vlerësuar vrasjen e tyre në mënyrë të drejtë dhe pa falsifikime. Pra, ata
ishin dhe mbeten martirë të kombit shqiptar si Vehbi Ibrahimi, Enver Hadri etj.
Emin
Fazlija alias Emil Kastrioti ka qenë anëtar i rregullt i shoqatës ndërkombëtare
për të drejtat e njeriut – International Gesellschaft für Menschenrrechte, me
seli në Frankfurt të Gjermanisë si dhe anëtar i kryesisë së “Europeische
Konferenz für Menschenrrechte und Selbstbestimmung – Konferenca Europiane për të
Drejtat e Njeriut dhe Vetëvendosje“.
Pas rënjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, Kryetari i Komitetit Qendrot i Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare, bëri kërkesën me shkrim në Ministrisinë e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për ta regjistruar BKDSH si parti politike. Kërkesa u pranua dhe me Dekretin nr. 4/1 të datës 4 mars 1992 regjistrohet dhe fillon aktivitetin e saj duke themeluar për një kohë të shkurtër 18 Degë. Emin Fazlija e organizoi dhe udhëhoqi Kongresin e shtatë të BKDSH që u mbajt më 3 dhe 4 mars 1994. Në Kongres u themelua Komiteti Kombëtar i cili përfshinte tri komitete drejtuese: Komitetin e Shqipërisë, Komitetin e Kosovës dhe Komitetin e Mërgatës. Secili nga këto komitete kishte deleguar nga 35 anëtarë. Kryetar i Komitetit Kombëtar u zgjodh njëzëri dhe pa asnjë votë kundër Emin Fazlija alias Emil Kastrioti. Mandati i të cilit u vazhdua edhe nga Asambleja e BKDSH. Besëlidja aktivitein mëtë dendur e ka zhvilluar në Gjermani ku kishte 15 nëndegë dhe 75 Aktiva.
Tentimet e UDB-ës për likudimin fizik të Emil Kastriotit
UDB-ja
jugosllave pas shtatë vitesh të qëndrimit dhe veprimtarisë politike të Emin
Fazliut alias Emil Kastriotit në Gjermani arrin që me ndihmën e disa shqiptarëve
të mjerë të zbuloi se „Emin Fazlija alias Zekë Kosova ishte Arben Kosova dhe
Emil Kastrioti. Kjo ndodhë në një demonstratë të organizuar nga Besëlidhja Kombëtare
në Shtutgart më 10 qershor 1978, në 100 vjetorin e Lidhjes së Prizerenit ku
konferncieri e prezanton Emin Fazliun me ermin e trilluar Emil Kastrioti. Në këtë
demonstratë Emili mban një fjalim të gjatë ku dhe kritikon politikën e dhunës që
ushtrohej mbi inteketualët, studentë e puntorë shqiptarë, si në Kosovë dhe
viset tjera shqiptare nën regjimin jugosllav.
Pasi që UDB-ëja
e zbuloi identitetin e Emin Fazliut angazhoi njerëzit e vet që me çdo kusht ta
likuidonin fizikisht këtë armik të përbetuar të sistemit socialist dhe
ideologjisë komuniste. Misnistri i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë Lluka
Banoviq i bën kërkesë Organeve përgjejgëse gjermane per ekstradimin e Emil Kastriotit,
sepse ai ishte një „terrorist e irredentist i rrezikshëm që po punonte për rrëzimin
e sistemit socialist e prishjen e vëllazërim-bashkimit në mes popujve jugosllavë…“.
Mirëpo gjermanët kishin njohuri të mjaftueshme se „ patriotët kroatë vriteshin
nga UDB-eja…“ dhe tanimë ishte e sigurt se një gjë e tillë mund t’iu ndodhte
edhe shqiptarëve. Pas kërkesës për ekstradim Emin Fazlija paraqet kërkesë për
strehim politik, të cilën organet gjermane ia pranojnë dhe i sigurojnë mbrojtje
të afërt fizike ngase ishin shumë mirë të njohur me veprimtarinë e tij politike
dhe rrezikun që i kanosej nga UDB-ëja dhe bashkëpuntorët e saj.
Në Kongresin
e parë të O.K.R.N.D.SH. të mbajtur më 27 nëntor 1977 një agjent serb i UDB-ës
tenton të bëjë atentat në Emil Kastriotin, por fatbardhësisht e zbulojnë dy
bashkëveprimtarë trima të ciklët vehen në ndjekje të tij dhe ai iu shpëton duke
ikur me shpejtësi nga vendi ingjarjes.
Tentimatentati
i dytë ndodh më 26 mars 1978 në Bruksel të Belgjikës.
Gjithashtu
në një demonstratë që e organizuan më 23 maj 1981, në mbështetje të studentëve
të Univerzitetit të Prishtinës dhe kundër dhunës jugosllave që ushtrohej mbi
studentët dhe popullatën shqiptare që kërkonte status dhe të drejta të barabarta
me kombet tjera të Jugosllavisë, një serb tenton ta vrasë nga kati i katërt i një ndërtese, por policia
gjermane e hesht rastin sikundër edhe më 19 shtator 1998, kur një komandos
special me origjinë serbe gjendet i „vdekur“. Në rrobat e tij policia gjermane
gjen një bllok me emrat e mbiemrat, adrersat e 120 veprimtarëve politikë të organizatave
shqiptare, të gjitha të dhënat e Emin Fazlisë me fëmijë dhe bashkëshorten,
hartat orientuese dhe një revole me shurdhues dhe municion të bollshëm.
Përpjekjet
e UDB-ës dhe bashkëpuntorëve të saj në mesin e të cilëve kishte fatkeqësisht
edhe shqiptarë, për likudimin fizik të Emil Kastriotit dhe bashkëvprimtarëve të
tij ishin të vazhdueshme. Ai ia doli t’u shpëtoi atentateve kundër tij, falë zgjuarësisë,
trimërisë dhe ndihmës së pakursyer të nacionalistëve tjerë që vepronin pa u
trembur fare nga rreziqet me të cilat ballafaqoheshin, sepse ishin të bindur se
puna që po bënin për lirinë dhe ribashkimin e kombit dhe territoreve shqiptare ishte e shenjtë.
Udbashët
shqiptarë të cilët zbulohen nga bashkëpuntorja e tyre serbe e cila kreu atentat
kundër atdhetarit të pamposhtur Rasim Zenelajt, Zorica Aleksiq, e cila u
arrestua nga policia sekrete gjermane në aeroplanin e JAT-it. U arrestua
gjithashtu Isa Dautovski nga Batinci i Shkupit, ndërsa Enver Gashi dhe Salih
Salihu kishin arritur të iknin në Francë. Isa Dautovski u përpoq ta tradhëtoi
dhe t’i bëjë kurthën Emil Kastriotit por fatbardhësisht nuk ia arriti qëllimit.
UDB-ëja kishte zgjedhur dy bashkëpuntorët e saj, Musa Batallin dhe Faruk Mehmetin për ta vrarë Emil Kastriotin. Por ata në momentin e fundit pendohen die nuk e kryejnë vrasjen por paraqiten në policinë gjermane dhe tregojnë se me çfarë detyre dhe nga kush ishin dërguar në Gjermani.
Përkrahja dhe ndihma dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Emin
Fazlija është angazhuar së bashku me anëtarësinë e gjërë të BKDSH-ës që të japin
gjithë atë që kërkon atdheu për ta fituar Lirinë dhe Pavarësinë e gjersa të arrihet
Bashkimi i mirëfilltë kombëtar. Më 25 gusht 1995 është përfshirë në Këshillin
Ushtarak të Republikës së Kosovës me seli në Gjermani. Aty ka kryer detyrën e
Kryetarit të Shërbimit Informativ Ushtarak të Këshillit Kombëtar të Republikës
së Kosovës në mënyrë intensive gjer më 16 maj 1998, ndërsa u tërhoq përshkak të
përçarjeve të brëndshme. Ky Këshill udhëhiqej nga Prof. Dr. Mujë Rugova dhe
gjenerali i UÇK-ës Sali Veseli.
BKDSH ka
ndihmuar UÇK-ën me mjete materiale, financiare dhe ushtarë e kuadro komanduese.
Për të gjitha këto ekzistojnë dokumentet origjinale më Arkivin e BKDSH-ës. Anëtarët
e Besëlidhjes kanë luftuar dhe kanë derdhur gjak për liri në të tri ushtritë tona? UÇK, Ushtria Çlirimtare Kombëtare
dhe UÇPMB. Në altarin e lirisë kanë rënë gjeneral Agim Çelaj, Afrim Krasniqi, (sekretar
i degës së BKDSH), Safet Peci – Komandant “Tigri“ nga dega e Gjermanisë,
gjeneral Tahir Sinani etj.
Pothuaj
se të gjitha procesverbalet e Mbledhjeve, Kongreseve, Protestave,
Demonstratave, Peticionet, Letërkëmbimet, Dokumentet e Financave dhe Dokumente
tjera të ndryshme, në të cilat pasqyrohet aktiviteti politik, ushtarak e
humanitar i BKDSH, janë të sistemuara dhe të arkivuara me përpikëri, në Arkivin
që Emin Fazlija e ka sjellur nga Gjermania në Kosovë.
Emin
Fazlija alias Emil Kastrioti pas çlirimit të Kosovës u kthye në Kosovë ku jeton
si pensionist. Tërë veprimtarinë e tij politike e kombëtare prej vitit 1952 e
gjer në vitin 2010 tani është duke e përmbledhur në Memoaret e tij të cilat është
duke i shkruar.
Unë jam i
vetëdijshëm se nuk kam arritur që tërësi të shkruaj për aktivitetin patriotik e
kombëtar të këtij burri të Shalës së Bajgorës, por mbetem me shpresë se sadopak
kam arritur të zgjoi interesimin te studijuesit tjerë që të hulumtojnë në Arkivin
e BKDSH-ës, ku do të gjejnë material interesant dhe të bollshëm për ushtarët
trima e të palodhshëm që punan pandalshëm e pakursyer asgjë nga vehtja e tyre,
për bërjen e Shqipërisë Etnike.
Emin Fazliut i uroj shëndet e jetë të gjatë dhe ta përjetojmë bashkarisht bërjen realitet të kësaj dëshire të madhe të çdo shqiptari në të gjitha trojet shqiptare dhe atyre në Mërgatë.
Nacionalistet e Shqiperis Etnike Hajriz Demaku e Emin Fazlija
Nga e Djathta Fadil Geci, Avni Bilalli, Ali Daci, Emin Fazlija, Mark Avdyli, Besim Morina dhe Nue Oroshi në njërin nga dhjet Sesionet Shkencore të së Djathtes Shqiptare.
Nue Oroshi dhe Emin Fazlija para pllakave përkujtimore te Profesor Ymer Berishës dhe Marie Shllakut si dhe dëshmorve të Dobërdolit dalur ne Dobërdol te Klines.