E hene, 18.11.2019, 09:30 AM (GMT)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Rrumaduci

E marte, 24.07.2012, 04:54 PM


RRUMADUCI

“…KULTUROFAGËT, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten në plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë… që t’i çqitësh këta nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën po edhe këmbët e trupin…” - Fan NOLI

NGA KALOSH ÇELIKU

Ecën. Ecën Rrumaduci i skuqur si spec arapi me pleqërinë në shpinë dhe brekët nëpër këmbë rrugë e pa rrugë. Skeletin e tij të gjallë - lugat, dikush kur e takon hëpërhë në rrugë, e ka frikë. Ikin burrat e mençur. Ikin gratë azgane nga sytë - këmbët. Asgjë më Rrumaducit s’i ka mbetur në trup, qoftë edhe një arnë “vëllazërim-bashkimi”. Asgjë. Asht e lëkurë. Dikush thotë se, Rrumaduci është libër i mbyllur në të cilin fshihet vdekja. Jo rastësisht, e ka mik shtëpie Doktorziun, shefin e Policisë letrare. Askush deri më sot nuk e hapi atë libër të shohë çka shkruan mes atyre faqeve, apo ta vrasë veten me ndonjë rresht të atij libri në mes të Bit-Pazarit. Shumica e kanë bërë edhe legjendë. Thonë se, në atë libër ka varre. Secili varr në rrasat e gurit ka emër dhe mbiemër. Ecën Rrumaduci, ecën ky libër i mbyllur dorë më dorë i ndërsyer pas porte me urdhër të Doktorziut dhe “vëllezërve” të Njerkës. E kanë frikë këtë libër të gjallët, e kanë frikë të vdekurit. Vetëm Profeti, qe disa vjet këtë libër e ka në dorë dhe e bart me vete në çantën e zezë përqafe. E ka lexuar deri në faqen një qind e njëzet e pesë. Dihet, e pati vështirë për ta hapur atë libër, mes atyre faqeve të gërmoj me shat rrëzë Çukës. Edhe, më vështirë e ka për ta lexuar deri në fund. Frikë ka se, në ndonjë rresht të atij libri do ta vras veten. Dhe, do të vdes para Rrumaducit mes bërllokut pa e shkrepur edhe një plumb. Një ditë ju do të shkoni dhe mbi varr do të derdhni lot, mbani fjalime patetike, ngreni përmendore si dëshmor lufte. Kush i ka faj atij që gjithmonë është marrë me marrëzira?! E ka zhveshur lakuriq Rrumaducin me shokë para syve të lexuesit nëpër libra. Kush do të derdhë lotë për të, kur ai është i keq, aq i keq, sa që me lotët e sojit të Rrumaducit do të lajë bythën. Cili do ta gjuaj xhenazen e tij prapa maleve, do t’ia japë vizën për në Xhenet. Profeti i ka çelësat e Xhenetit. E dini? Jo, nuk e dini. Vetë nuk do të hyjë se ka bërë mëkate. Cilin do ai e dërgon në Xhenet. Ai nuk është hoxhë as prift. Vetë e do Xhenemin, këtë e ka merituar si udhëtar i rreziqeve mes librave në bibliotekë. Përçudi, i pëlqen Xhenemi, se ai e do zjarrin… Flakën… E do dimrin, shtrëngatën, shiun, breshërin, akullin… Marrëzisht e do shëmtinë, varfërinë, Atdheun dhe Lirinë!… Nuk e do bukurinë, madhështinë… Jo, do ta hanë egërsirat! Kuptoni! Egërsirat! Po. Nëse, nuk e hanë Bolla me flokë kulaq mes fushës pjellore që rrezitet në Diell. Sepse, ai vetë, në një faqe të atij libri të rrezikshëm, e kërkon nateditë me pishë e qiri varrin e tij me libra…

Edhe, kush na shet sot moral, patriotizëm të rrejshëm?! Askushi. Rrumaduci, njëri nga anëtarët më besnik të Policisë Letrare me kokën në grazhd deri në vdekje. E shiti veten një asht, dje te Partia Komuniste, e shet sot te Partia Neokomuniste. Rrospia Mashkull me kokën te Partitë Politike Shqiptare e bythën te “vëllezërit” e Njerkës. Rrumaduci, që përderisa Profeti ndiqeshte fshatrave të malësisë së Shkupit, gjoja si i dërguar nga Kosova për të vepruar në Shkup dhe çështjen e shqiptarëve planifikonte ta zgjidhë me luftë, Rrumaduci shëtiste nëpër poste në redaksi duke i spiunuar kolegët e punës në polici e bërë cenzurë librave të shkrimtarëve shqiptar. Redaktor dhe zëvendësredaktor pa asnjëfarë bagazhi letrar, qoftë edhe një libër sa për farë duke i ndërruar vendet e punës sipas nevojës. Rrumaducin dhe sojin e tij unikat “krijues" që turren me të katra pas posteve politike në redaksi, publikisht e pyes: Pse Profeti me dëshirë dhe propozim të Xhaxhit Flokbardhë në atë kohë, nuk arriti të udhëheq revistën për fëmijë?! Përkundër dëshirës madhe të Xhaxhit Flokbardhë, kurrë nuk u realizua përpjekja e atij burri të penës e vizionari të madh të çështjes shqiptare.

E dini, pse?! Shkaku se, Rrumaduci me shokë edhe revistat për fëmijë i mbanin nën kontrollë dhe cenzurë policore. I hurit e i litarit mund t’i udhëhiqte ato revista shkollore, po jo edhe krijuesit e dëshmuar për fëmijë me një bagazh të madh letrar të përndjekur si të dyshimtë nëpër shkollat fillore anembanë Atdheut. Mësuesit e atëhershëm shkrimtar, kur niseshin në rrugë nëpër manifestime kulturore dilnin nga shtëpia si autorë me dy sandëk në duar me libra, e jo si soji i Rrumaducit me duar në xhepa, që tashti para vdekjes u është tekur të bëhen edhe “shkrimtarë”. Rrumaduci do të jetë ai, që për redaktor të revistës për fëmijë në mbledhje të redaksisë do të propozojë djalin e “Babait”, mikun e tij dudum që e mbante për krahu në karrierën e tij letrare. Burri i botës, që gjatë ndryshimeve demokratike bashkë me “Babain” edhe pa lejen e Nënës Parti do të shkojë në Amerikë për pavarsinë e Maqedonisë pa vënë asnjë kusht për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Kryeredaktori i asaj gazete të “vëllazërim-bashkimit”, që në atë kohë edhe me dy gishtat e Rrumaducit e shiti një kat të redaksisë për të mbetur edhe nje mandat ku edhe do të thotë: Unë jam kundër Profetit të vij në redaksi, por ju nëse u ka marrë malli mund t’ua sjellim fotografinë e tij ta varni nëpër zyra. Realitet ky, që Profeti kur të dojë ka pasur mundësi të hyjë në atë redaksi si spiun, po e ka ditur se atje çdo i treti ka qenë spiunë. Arsye, që edhe i ka thënë Inspektorit të atëhershëm të sigurimit:  Çdo të tretin atje e keni spiun. Çka ju duhet edhe një spiun tjetër në atë mes, nëse pajtoheni në atë Çerdhe të spiunëve mund të hyjë vetëm si shkrimtar. Patrioti i vonuar, edhe pse nuk e dinte gjuhën shqipe dhe jepte intervista si shkrimtar maqedonas, ishte më “i mençur” në ushtrimet akrobatike politike të asaj kohe, erdhi pa asnjë libër në xhep edhe përkundër këmbënguljes “patriotike” të Kryeredaktorit, iu hapën dyert krah më krah me dy-tre vende pune në radaksi. Kohë ajo qorre, kur krijuesit e talentuar shqiptar bredhnin rrugëve si të papunë, ose ndiqeshin këmba-këmbës fshatrave të malësisë Shkupit si “nacionalistë dhe irredentistë”. “Armiq të rrezikshëm për shtetin”. Tashti, e shoh edhe pse qenkeni trembur nga krijuesit e “dyshimtë e të rrezikshëm” aq shumë në atë kohë (trembeni edhe sot, po u rrëshqitën këmbët – thyet kokën). Shkaku se, po të ishin atëherë krijuesit e vërtetë në atë redaksi edhe sot e kësaj dite do të ishte gjallë në mesin e shqiptarve e vetmja gazetë tradicionale në gjuhën shqipe me të gjitha revistat letrare për fëmijë e shkencore. Maqedonasit i ruajtën me xhelozi, i kanë edhe sot e kësaj dite të gjitha në numër, nuk u mungon as edhe një faqe. Pse soji juaj trusakatë nuk ruajti asgjë si trashëgim i shqiptarve nga ajo kohë për Ditën e sotshme?!

Policia Letrare dudumët i bëri edhe “shkrimtarë”, që në Ditën e sotshme pa fije turpi të na shesin “mend, moral dhe patriotizëm”. Arsyetimi, është urdhëri nga lartë, i Bashkësisë Republikane të Kulturës në RS të Maqedonisë, që t’i dalin zot vendit të punës qoftë edhe me një paçavure. Falë Zotit, ishin gjysmanalfabetë: Patrioti i vonuar gjuhën shqipe e mësoi në redaksi me ndihmën e Rrumaducit, nuk merrnin vesh nga letësia, nxënësit e tyre nuk e mësonin në atë kohë alfabetin e gjuhës shqipe, nuk dinin shkrim-lexim. Përndryshe, do të na merrnin më qafë. Edhe pse, përditë nënshkruanin akuza denoncimi me shokë për kolegët e tyre si “armiq të shtetit” komunist, dhe pasi i botonin në gazetën e atëhershme të “vëllazërim-bashkinmit” si publikime serike “ekskluzive”, i dërgonin edhe në polici. Emrat e këtyre “patriotëve” shqiptar me nga dy kubure pa fishekë në brez ende “flejnë” nëpër arhivat e policisë jugosllave. Rrumaduci me shokë, që sot i shet popullit shqiptar “moral” dhe “patriotizëm”, dy gurë e dru edhe sot si në atë kohë nuk i lë bashkë për ta futur kokën e bythën me të gjitha metodat policore përsëri si dje në ndonjë parti politike. Rrumaduci. që në mungesë të talentit dhe fakteve merret sot me gratë e hallkut, fëmijët e tyre dhe Muzat poetike të poetëve shqiptar.

Rrumaduci sot para vdekjes është nisur të bisedojë me varret. Rrugës në një kishë i rrëfehet si një Sanço Panço shqiptar për “trimëri”, shpërblimet e premtuara Doktorziut pas Altarit. E kërkon haptas për “flijime atistike” edhe një  çmim shtetëror për merita “patriotike”. Përpiqet ta heq samarin e mëkateve që e ngarkoi vetë në shpinë gjatë kohës të shitjes lirë në Bit - Pazar: një torbë taxhi, ose një ashtë shpërblim. I mori më qafë në atë kohë të rrezikshme shumë kolegë të punës në redaksinë komuniste për një post zëvendësredaktori, redaktori përgjegjës në “gazetën e mjerimit”. Mikun e Profetit dhe kolegun e tij të punës, pasi e përzunë nga puna e detyruan të bëjë vetëvrasje.  Edhe vetëvrasjen e Profetit, moti e kanë paraparë dhe e trumbetojnë me të madhe në popull, e presin ditenatë si fitore në prehër të Njerkës. Karrierë “artistike-kulturore” bëjnë në emër të këtyre viktimave të pafajshme letrare: Kryeredaktorë, zëvendëskryeredaktorë e redaktorë përgjegjës, redaktorë të revisteëave për fëmijë, radaktorë të kulturës e edicionit të botimeve. “Flijime artistike” ideologjike ushtronin në atë kohë si kalemxhi të Vetëshërbimit, që e mbanin me shokë nën kontrollë nateditë letërsinë shqipe. Përmëtepër, bënin edhe politikë “madhore” kadrovike letrare-artistike. “Vëllzërit” në besim ua kishin dhënë edhe sitën, edhe kallmin e gatimit në sofër. Saçin e çerepin ua jepte Nëna Parti Komuniste. Krijuesit e talentuar “nacionalistë dhe irredentistë” nuk kishin vend në këtë redaksi kokë e këmbë me frymë policore të “vëllaazërim-bashkimit”. Vepër “artistike” kjo e duartrokitur nga vëllezërit e Njerkës dhe e arrirë “patriotike”, që më vonë do t’ia shohim sherrin ne si shqiptar, që falë këtyre “patriotëve” shqiptar nuk do t’i mbetet as nam e as nishan gjatë ndryshimeve demokratike. Krah për krahu në sheshin “Makedonija” e hiqnin vallen e “vëllazërim bashkimit” me shami të kuqe përpara popullit shqiptar. Xhaxhi Flokbardhë, poet i posakthyer në atë kohë nga burgu shkaku denoncimeve politike në redaksi i pagëzonte me lloj-lloj nofkash artistike. Kurrë, nuk i thirrte në emër haramët e “vëllazërim-bashkimit”. Rrumaducin, e thirrte si “Sharpllaninac”. Tjetrin palaço me “Honxhobonxho”. Servilin, me “Nanaçi”. Xhaxhi flokbardhë nuk është më gjallë në mesin tonë, po “Sharpllaninci” si këlysh besnik i lindur me zgjebe i Doktorziut ende vazhdon të na ngatërrohet nëpër këmbë, jetojë e bëjë kërdi me shokët partizanë në emër të popullit shqiptar mbi kulturën shqiptare si anëtarë komisioni: i planprogrameve shkollore, teksteve shkollore, lektyrave shkollore, “Makedonska knizhevnost” (Letërsi maqedonase), Enciklopedia maqedonase duke sakatuar deri në palcë pa mëshirë Letërsinë Shqiptare.

Rrumaduci nateditë, përpiqet t’i bëjë me arnime edhe sot dy fjali sakate bashkë t’i hedh në letër, po nuk i pjellë truri as edhe një bajgë. E ka mushkë katundi. Përpiqet të imitoj në shkrime Profetin, vjedhë pasukses stilin e shkrimit, figurat artistike-stilistike. Mendime e fjalë origjinale, herr si në kopësht të babait nga librat e Profetit kokë më kokë në bibliotekë. Duart i mbush plot  me figura artistike, shprehje të vjedhura letrare pa asnjë pikë të derdhur djerse. Trusakati me shokë mendon se, kështu krijohet letërsia duke i arnuar shkrimet e tija teknefese me nga njëqind euro në Shqipëri e Kosovë që në fund i dalin pa mangë, as edhe për një struke. Asgjë nuk ka të veten origjinale ky kalemxhi Oborri i shitur me pak pare te vëllezërit” e Njerkës. Fundekrye vjedhje e hapur letrare në mes të ditës duke e mashtruar veten dhe lexuesin si autor i përjetshëm teknefes e plagjiator: Made in Policia letrare. Punë shkencore i nxjerrë Doktorziut në vlerësimet policore- letrare si kritik i vetëshpallur i “tabanit kombëtar”, të nesërmen t’i bie krahëve: Të lumtë, kështu krijohen vlerat e arrira artisike të shekullit. E meriton çmimin shtetëror “Nënë Tereza” për “humanizëm dhe aktivitet shoqëror”. Edhe pse, ti më tepër hiqesh si shkrimtar “ballistë”, nuk ka lidhje: Hije të ka kësaj radhe ky çmim humanitar shtetëror. Punemadhe, që ti deri më sot nuk ke bërë asgjë humanitare për shoqërinë. Rroftë miku i Kabinetit të “Babait” që e ke anëtar komisioni dje dhe sot për çdo vjet jubilar në ndarjen e çmimeve kulturore të nivelit republikan.

Vitet ikin njëri pas tjetrit plot pordhë e piskamë. Zhurmë patriotike e kulturore. Rrugës nga kemi ecur të gjithë kemi lënë gjurmë të thella gati deri në brez, që nuk i fshin dot asnjë furtunë, asnjë Dimër. Erdhi koha të shkoj me Rrumaducin edhe në mesin e të vdekurve. Natën do të flej mbi varre. Ditën, dua të ha bukë me ta në një sofër! Në Qytetin e tyre veten e ndjej më të sigurt. Sa herë që të më teket mund të dal rrugëve, t’i bërtas hënës, ta shaj terrin, Rrumaducin me shokë… Ju do të thoni, nuk ke asgjë. Jo, kam me qerre sa të hanë edhe qentë. Kam pasuri, bukë, ujë… Nuk i dua këto! Nuk të bëjnë vetëm këto të lumtur! E shoh Rrumaducin këmbadoras të lodhur se si hip kodrës te Guri Zi. Ehu, or Rrumaduc! Larg është Baba Tomori. Larg. Po edhe kaq vite të duhen të ngjitesh në majën e shenjtë, Malin e Perëndive. Tyrben, ku pihet vera, shkruhet poezi. Dhe, bëhet dashuri… Kthehu prapë, në bërllokun e Bit-Pazarit të marrësh edhe pak frymë para vdekjes! Atij mund t’i bëjnë vizitë vetëm haxhilerët. Ti nuk je haxhi, nuk i di rregullat dhe ligjet e Luftës me penë. Doktorziu me vite të tërheq zvarrë pas me zingjirë si këlysh me zgjebe.  Kurrë, nuk u rrite në qen Sharri. Bagëtisë t’i dalësh zot me Bariun hedhur gunën krahëve mes maleve. Nën dardhat gorrice t’ i mjelësh dhentë me kusi. Fatkeqësisht, ti e mjel Dashin me brirë rreth veshëve. Ujkun pasmesnate na e shti në vathë edhe këtë Mot të Madh (2012). Mund të të dënojë Zoti, të të vrasë me breshër, shi, rrufe… Ndodhë, të shtjerë pamëshirë qielli në ty si Rrumaduc me zgjebe. Është rrezik të ngjitesh me gjithë këta qyrra lëvarë rreth gojës e mjekrës në Baba Tomor. Rrezik. Kësulën e zezë - leckë, rrase në kokë se fryen era e Bukoçit në Lëmë, thoshte dikur Nëna ime plakë me kaci në dorë përpara Shtëpisë!...

Papritmas, një degë qarri ia mori kësulën e zezë - leckë dhe ia fërfëlloi në ajër, teposhtë në përrua. Këmbët filluan t’i rrëshqasin kodrës, por ai i rraste thonjtë gjithnjë thellë e më thellë në batak. Ishte lagur e bërë qull, sikur ta kishte harruar dikush si leckë në shi me javë e muaj. Eci me mundime edhe tri metra zvarrë përmes baltës. Mezi merrte frymë, po edhe duart e as këmbët më nuk e mbanin për fije bari si bërllok shqiptar. U rrokullis teposhtë kodrës bythekrye si një Rrumaduc mes lisave.

Ditën e nesërme, kur erdhi në vete Rrumaduci, pa se ishte shtrirë në gropën e një varri të vjetër. Vallë, mos paskam vdekur?! Për t’u vërtetuar, njëherë e luajti gishtin e madh të dorës. Pastaj, njërën dorë. Jo, qenkam ende gjallë. Dikur tjetrën, këmbët… Jo, jo, nuk paskam vdekur ende, o shokë partizanë me pushkën në krah! Ngadalë ngriti kokën, veten e pa si qyqe midis varreve. Këmbadoras u ngrit dhe e shikoi atë varr gjatë, gjatë…

- Më fal, o burrë! Përderisa qëndroja mbi ty kaq gjatë me siguri të ka rënduar trupi im kufomë e gjallë?

- Një ditë qentë do ta përmjerin xhenazen tënde, iu përgjigj varri.

- Po të ishe gjallë, me siguri do të ishe bërë si unë kalemxhi?… Doktor shkence… Politikan… Deputet i popullit… Ministër…

- Ti je i sëmurë! Unë jam me profesion kaçak i maleve. Edhe pas qindra vitesh, unë do të dëshiroja të bëhem prapë kaçak i maleve!...

- Qënke kokëfortë, rri në gropën tënde!

- Është më e sigurtë se biruca jote, në Bit-Pazar… Shpërblimi i “vëllezërve”…

- Ika, nuk mundem të merrem vesh me të vdekurit si ti në këtë kohë qorre.

- Hupu, se t’u ngrita me shpulla! Theje, qafën!

Iku. Iku Rrumaduci i zemruar me të sharat e varrit. Nga frika iu ngatërruan këmbët dhe u përplas për një gur varri. Nëpër dhëmbë tha: - Ky me siguri nuk është si i pari. Është më i vogël. Ndoshta është ndonjë djalosh. E ka zemrën e butë…

- Ti po të ishe gjallë me siguri do të bëheshe gazetar?... Redaktor përgjegjës si unë në redaksi… Kritik letrar… Akademik…

- Mbylle gojën, këlysh me zgjebe! Shuaj! Unë jam hero. Ti je qen me zgjebe me bishtin nën këmbë nëpër Bit-Pazar…

- Më fal!

- Ti do hu shpinës! E di se, familja është e shenjtë?! Vetëm, spiuni prek në familje… Burri trim ka respekt për familjen…

- Edhe ti qenke si gjitoni yt, në rrugën tjetër, - i tha Rrumaduci.

- Nuk e ke mjaftë më taxhinë në grazhd gjatë gjithë këtyre viteve, i bërtiti varri. Ashtin e Doktorziut?!... Shporrmu sysh! Shporrmu, se t’u ngrita me shpulla!

- Iku. Iku prapë Rrumaduci me brekët nëpër këmbë. E, ku të ikë më Rrumaduci me shokët partizanë më larg se nga varret, përveçse në hale?! E shajnë të gjallët, e shajnë të vdekurit. Në cilën gropë do të kapërdiset Rrumaduci me gjithë këto mëkate mbi shpinë? Jo. Rrumaduci s’ka ku të ikë më larg se, në hale. Ai bisedoi edhe me një varr.

Çka i tha ai?!... E dini? Jo, nuk e dini. Ishte im Atë… Nesër, do t’ia dëgjoni krismën te libri im më i ri me publicistikë letrare që pritet këto ditë të dalë në dritë: RRUFJANI…



(Vota: 808 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT