Kulturë
Arif Kutleshi: Intervistë me Dr. Kurt Gostentschnigg
E diele, 08.07.2012, 05:04 PM
INTERVISTË
· Me
Dr. Kurt Gostentschnigg poet, albanolog, përkthyes, ligjërues në Universitetin
e Graz-it, autor i një sërë punimesh dhe i doktoraturës për shqiptarët dhe
albanologjinë, njohës i mirë i shqipes dhe i shqiptarëve, bisedoi Arif Kutleshi
KURT GOSTENTSCHNIGG
SEI!
Auf der Suche nach dem wahren
Glück
mach nicht den Fehler und schau
zurück,
Auch der sorgenvolle Blick nach
vor
öffnet dir wohl kaum ein neues
Tor.
Kannst du denn ändern, was
gestern war,
und ist dir das Morgen heut´
schon klar?
Ein Gedanke, kaum gedacht, schon
fort,
der nächste noch an anderem Ort.
Zu finden des Herzens heimlich´
Reich
ist für dich wohl schwer und
leicht zugleich,
von selbst in die Ewigkeit
versetzt,
wenn allein du lebst im Hier und
Jetzt.
(23. 12. 2004).: Kujtim Rrahmani)
1. Zoti Dr. Gostentschnigg, ju
fillimisht keni studjuar histori në Universitetin e Graz-it. Si u bë që të
interesoheni për Albanologjinë?
GOSTENTSCHNIGG: Gjatë studimeve të mia të Diplomës për degën e historisë
kam ndjekur dy leksione, një për historinë e Shqipërisë si dhe një për fiset
shqiptare dhe kanunin e tyre. Më ka tërhequr dhe zgjodha temën për punën time
të diplomës në lidhje me albanologjinë austro-hungareze. Doktorata ka qenë
vazhdimi, zgjerimi dhe thellimi i kësaj teme në drejtim të marrëdhënieve midis
shkencës dhe politikës.
2. Universiteti i Graz-it dihet
tashmë, vazhdimisht ka qenë një vatër e albanologëve gjermanofolës. Këtu dhanë
mësim e u morën me hulumtime albanologjike disa emra të njohur?
GOSTENTSCHNIGG: Po, si psh. gjuhëtarët Hugo Schuchardt dhe Gustav Meyer -
ky i fundit krahas Norbert Jokl-it, Milan von Šufflay-it, Franz Baron Nopcsa-s
dhe Maximilian Lambertz-it një nga kolosët e Albanologjisë -, arkeologu Arnold
Schober dhe gjeografi Franz Seiner, i cili ishte organizatori dhe përgjegjësi
shkencor për rregjistrimin e parë të popullsisë shqiptare në vitin 1918 gjatë
administratës ushtarake austro-hungareze në Shqipëri.
3. Këtu gjithashtu, para Luftës
së Dytë, i mbaruan studimet edhe disa nga emrat më eminentë të gjuhësisë, të
historisë, e të letërsisë shqiptare, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Lasgush
Poradeci, Krist Maloki…?
GOSTENTSCHNIGG: Po. Unë kam përkthyer që para pesë vjetësh librin e Uran
Asllanit mbi më shumë sesa 350 shqiptarë dhe shqiptare nga të gjitha
vendbanimet shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri, të
cilët kanë studiuar në Austri deri në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe të
cilët pas kthimit të tyre në atdhe kanë kontribuuar në të gjitha fushat e jetës
në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe në zhvillimin e atdheut. Studentët dhe
intelektualët shqiptarë në Grac, ndër aktivitetet e tyre të tjera kulturore,
kanë botuar në vitin 1922 revistën “Minerva”. Gjithçka mbi veprimtarinë e
shumëllojshme të studentëve shqiptarë në Austri mund të lexohet në librin e
Zotit Uran Asllani “Studentët Shqiptarë të Austrisë dhe veprimtaria e
tyre. Tiranë: 2000“ dhe së
shpejti, shpresoj, edhe në gjermanisht, pasi të jetë botuar përkthimi im.
4. Kontakti i parë me gjuhën
shqipe, vështirësitë e para me të cilat ndeshet i huaji kur fillon ta mësojë
shqipen?
GOSTENTSCHNIGG: E kam dëgjuar gjuhën shqipe për herë të parë gjatë
ekskursionit të Institutit të Historisë së Evropës Juglindore të Universitetit
të Gracit në Shqipëri dhe Kosovë në vitin 1989 dhe kam rënë që në çastin e parë
në dashuri me këtë gjuhë të mrekullueshme, e cila deri më sot ka mbetur e
dashura ime. Në verë të vitit 1990 kam filluar të mësoja gjuhën shqipe në
mënyrë autodidakte pa pasur mundësi të pyesja dikë për paqartësitë e metodës.
Vështirësitë nuk i kam ndierë si të tilla, sepse kur je i dashuruar, je
njëkohësisht i verbër për tekat e së dashurës.
5. Sa interferohen këto dy gjuhë
mes vete, dhe ku simbas jush, më shumë?
GOSTENTSCHNIGG: Shqipja dhe gjermanishtja nuk kanë dhe shumë gjëra të
përbashkëta përveç një pjese të fjalorit, sidomos nga fusha e fjalëve të huaja.
Shqipja është, siç dihet, një gjuhë më vete brenda familjes së gjuhëve
indoevropiane (e degës Satem), dhe nga ana gramatikore dhe sintaktore ajo
qëndron më afër gjuhëve romane si italishtja, frëngjishtja dhe spanishtja, gjë
që shpjegohet me ndikimin disaqindvjeçar të latinishtes në kohën romake në
territoret e fiseve ilire, të cilat janë me shumë probabilitet paraardhësit e
shqiptarëve të sotëm, megjithëse kjo tezë nuk mund të vërtetohet ende
plotësisht në bazë të të gjitha të dhënave shkencore të deritanishme. Vetë një
nga albanologët më të shquar shqiptarë, Eqrem Çabej, e ka pohuar këtë fakt në
vitin 1976 në “Studime Gjuhësore III”
(botuar në Prishtinë), faqe 36, duke konkluduar, se mundësitë e një sqarimi në të ardhmen lidhen me mundësitë e pasurimit
të materialit, po edhe me përmirësimin e metodës së punës.
6.Teza e disertacionit tuaj ka
një titull interesant: ´Albanologjia austro-hungareze´? Deri më tashti është
folur e shkruar për një politikë austro-hungareze karshi Shqipërisë, dhe shqiptarëve,
por jo për një ´Albanologji austro-hungareze´. Konsideroj se është me interes
për lexuesit shqiptarë të na thoni diçka më shumë e më gjërë për këtë?
GOSTENTSCHNIGG: Në monarkinë e dyfishtë të Austro-Hungarisë ka pasur
shumë kombe dhe kombësi. Kështu që në albanologjinë austro-hungareze mund të
përfshihen edhe pjesë të albanologjisë gjermanofolëse, të albanologjisë
hungareze, çeke, kroate etj.. Në disertacionin tim (Kurt Gostentschnigg: Zwischen
Wissenschaft und Politik. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918.
Graz 1996. Shqip: K. G.: Midis shkencës dhe politikës.
Albanologjia austro-hungareze 1867-1918.) kam hasur problemin e
kategorizimit në lidhje me disa albanologë të shquar, dhe për ta zgjidhur
problemin unë kam zhvilluar tri kritere për klasifikimin e tyre si pjesëtarë të
albanologjisë austro-hungareze:
së pari Shqipëria dhe shqiptarët duhet të jenë në ndonjë formë pjesë e
veprimtarisë shkencore; së dyti koha e veprimtarisë duhet të bjerë të paktën
pjesërisht në periudhën kohore 1867-1918; së treti lindja në territorin e
Monarkisë austro-hungareze ose përkatësia tek kombet dhe kombësitë e saja duhet
të jetë një fakt. Në rast se kriteri i tretë nuk plotësohet, atëherë vlen ose
anëtarësia në Akademinë e Shkencave të Vjenës ose të Budapestit, ose
veprimtaria si studiues dhe docent në një nga universitetet austro-hungareze,
ose veprimtaria në administratën shtetërore të Austro-Hungarisë.
Kështu unë e kam „përvetësuar“ psh. Johann Georg von Hahn-in, i cili
ishte gjerman, për albanologjinë austro-hungareze, sepse ai i ka shërbyer shumë
vite Austro-Hungarisë si konsull në Ballkan, kohë gjatë së cilës ai i kryente
udhëtimet e tija kryesore hulumtuese në vendbanimet shqiptare. Dmth. sipas
këtij këndvështrimi Hani është edhe i albanologjisë austro-hungareze edhe i
albanologjisë gjermane. Interferenca të tilla të ngjashme ka edhe në rastin e
Franz Miklosich-it (Sloveni-Austri), Gustav Meyer-it (Gjermani-Austri), Wilhelm
Meyer-Lübke-ut (Zvicër-Austri), Maximilian Lambertz-it (Austri-Gjermani), Ludwig
von Thallóczy-it (Hungari-Austri), Josef Konstantin Jire?ek-ut (Çeki-Austri),
Franz Baron Nopcsa-s (Hungari-Austri), Milan von Šufflay-it (Kroaci-Austri)
etj..
Meqë ra fjala: termin „albanologji“ unë e nënkuptoj në kuptimin e saj më
të gjërë, i cili përfshin të gjitha dishiplinat shkencore, që merren me studime
mbi shqiptarët dhe vendbanimet shqiptare. Dmth. unë nuk e përkufizoj
albanologjinë vetëm në gjuhësi dhe letërsi.
7. Austro-Hungaria ishte
monarki, një monarki e dyfishtë, të cilën e fsheh formula ´magjike´ k.u.
k.´(lexo: K dhe K). Po në qasjet e albanologëve ´austro-hungarezë´ karshi
Shqipërisë dhe shqiptarëve, a pati ndonjë formulë, dhe nëse po, atëherë, cila
qe ajo?
GOSTENTSCHNIGG: „k.u.k.“ është shkurtimi për „kaiserlich und königlich“,
dmth. për „perandorake dhe mbretërore“, sepse perandori i Austrisë ishte edhe
mbreti i Hungarisë. Nuk ka asgjë „magjike“ në këtë mes. Po aq pak mund të
flitet për ndonjë „formulë“ të përbashkët dhe të zbatuar me konsekuencë në
qasjet e albanologëve austro-hungarezë karshi Shqipërisë dhe shqiptarëve,
megjithëse kishte përpjekje zyrtare ndërministrore për të hartuar një lloj
programi për penetrimin dhe ndikimin paqësor në rrugë diplomatike, ekonomike
dhe kulturore, në të cilin do të luanin një rol edhe studimet albanologjike,
por të gjitha këto përpjekje të vonuara nuk u realizuan për shkak të
shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Kështu instrumenti më i fortë për
ndikim mbi shqiptarët dhe për të fituar simpatitë e tyre mbeti i ashtuquajturi
„Kultusprotektorat“ i Austro-Hungarisë mbi katolikët e Shqipërisë së Veriut.
8. Akademia e Shkencave e
Austro-Hungarisë dhe kërkimet e hulumtimet shkencore ´shqiptare´?
Ekspeditat hulumtuese para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore për në
Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni përkraheshin nga Akademitë të Shkencave të Vjenës
dhe të Budapestit. Para Luftës së Parë Botërore ato përqendroheshin në radhë të parë në studimin e situatës së
bujqësisë dhe të ekonomisë pyjore, e rrjetit rrugor, e ndërtimit të porteve, e
shfrytëzimit të energjisë ujore dhe e mundësive të tregut dhe të investimeve.
Gjatë administrimit ushtarak 1916-1918, kur imperializmi austro-hungarez në
Shqipëri kishte hyrë në stadin e saj formal (direkt), zhvillohej një eksplorim
i gjerë i vendit në të gjitha fushat e shkencës në bashkëpunim me autoritetet
ushtarake, ku interesat dilnin shpesh mbi karakterin shkencor të eksplorimeve,
si psh. në rastin e ekspeditës gjeologjike, pjesëmarrësit e së cilës duhet të
kërkonin linjit dhe bakër për qëllimin e shfrytëzimit të tyre ushtarak.
9. Mjafton një lexim edhe i
sipërfaqshëm i emrave të cilët u morën me shqiptarët, për të konstatuar
menjëherë, se fjala është për emra eminentë të kohës, siç ishte po e zëmë
Hahn-i, të cilin ju e quani ´babai i Albanologjisë`, pastaj Meyer, Jokl, Boppi,
Baron Nopcsa, Patsch, Steinmetz, Lambertz, Thalloczy, Ippen, Haberlandt,
Seiner, Praschniker, Schober etj. Lista e emrave është e gjatë, mandej këtu
hyjnë edhe të tjerët që kishin ´rrënjë´ jogjermane, siç ishin sllovenët,
danezët, çekët?
GOSTENTSCHNIGG: Përgjigjen e pjesës së dytë të kësaj pyetjeje e kam dhënë
tashmë më sipër (shih pyetjen nr. 6).
Johann Georg von Hahn mund të konsiderohet si
themeluesi i të gjitha dishiplinave të albanologjisë, përveç arkeologjisë. Me
veprën e tij "Albanesische
Studien" (shqip "Studime
shqiptare") ai hodhi bazat e një studimi sistematik në fushat kryesore
të shkencës për Shqipërinë dhe shqiptarët si gjuhësi, histori, etnografi dhe
gjeografi. Në këtë vijë eci edhe gjuhëtari Franz von Miklosich, "Albanische Forschungen" ("Kërkime shqiptare") të të
cilit për leksikun përfaqësojnë një arritje të rëndësishme në zhvillimin e
gjuhësisë shqiptare. Me veprën e Gustav Meyer-it, në sasi e cilësi, mund të
krahasohet vetëm vepra e Norbert Jokl-it. "Etymologisches
Wörterbuch der albanischen Sprache" ("Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe") dhe "Albanesische Studien" ("Studime shqiptare") të
Meyer-it janë edhe sot e kësaj dite vepra standarde të gjuhësisë shqiptare,
edhe pse ato në pika të veçanta nuk janë më aktuale. Atij i njihet merita e përcaktimit
në menyrë të qartë e për herë të parë të shqipes si gjuhë indoevropiane. Gjeniu
i gjuhësisë ndër albanologët, në kuptimin më të qartë, pa dyshim, ishte Norbert
Jokl, vdekja e hershme e të cilit la të pazbuluar disa thesare të gjuhësisë
shqiptare. Si kryevepër e tij, e cila megjithatë përfaqëson vetëm një prej
parapunimeve të tija të shumta për veprën e planifikuar të një etimologjie dhe
gramatike shqiptare, së cilës iu kushtua tërë jeta e tij, konsiderohet
"Linguistisch-kulturhistorischen Untersuchungen aus dem Bereiche des
Albanischen" ("Kërkime
linguistike e kulturo-historike nga fusha e shqipes"), në të cilën ai
kërkonte të bashkonte kërkimet shkencore gjuhësore me metodën e kërkimit
“Wörter und Sachen” ("fjalë dhe sende"). Njohuritë e Jokl-it akoma
edhe sot shërbejnë si burim për gjuhësinë që merret me shqipen. Maximilian
Lambertz nuk mbetet pas Jokl-it dhe Meyer-it për sa i takon prodhimtarisë, por
pikën e tij të rëndësishme e kishte në fushën e folkloristikës. Pas vdekjes së
Jokl-it ai ishte albanologu që kryesonte në hapësirën gjermanofolëse dhe që
dinte të jepte një panoramë integrale të gjuhës, letërsisë dhe kulturës
popullore. Një vend kryesues zë ai në mbledhjen dhe kërkimin e përrallave
shqiptare, për të cilën dëshmojnë "Albanische
Märchen und andere Texte der albanischen Folklore" ("Përralla shqiptare dhe tekste të tjera
të Folklorit shqiptar"). Historiani Ludwig von Thallóczy ka mbetur në
historinë e shkencës për Shqipërinë si nismëtari kryesor i të dyja veprave bazë
të historiografisë shqiptare: nga njëra anë, i përmbledhjes së burimeve për
historinë shqiptare "Acta et
diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia" dhe, nga ana
tjetër, i veprës së përbashkët "Illyrisch-albanische
Forschungen" ("Kërkime
iliro-shqiptare"), ku bashkëpunuan edhe balkanologu i njohur Josef
Konstantin Jire?ek dhe historiani i shquar për Shqipërinë Milan von Šufflay.
Siç ishte Jokl në fushën e gjuhësisë ashtu ishte Šufflay për historinë. Që të
dy paraqesin të njëjtin gjenialitet dhe kanë të njëjtin fat të një vdekjeje të
dhunshme (Jokl u vra nga nazistët, Šufflay nga dy policë serbë). Njohësi më i
mirë i mesjetës shqiptare u nda nga jeta në mes të punës së tij për një
paraqitje të përmbledhur të historisë shqiptare. "Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des
Mittelalters" ("Qytetet dhe
kalatë të Shqipërisë kryesisht në mesjetë") dhe "Serben und Albaner" ("Serbët
dhe shqiptarët") janë ende sot vepra të detyruara për çdo historian, i
cili studion Shqipërinë. Theodor Anton Ippen dhe Franz Baron Nopcsa u shfaqën
si të fundit "kërkues universalë", në kuptimin e Hahn-it, duke
studiuar kryesisht Shqipërinë e Veriut në pikëpamje historike, etnografike e
gjeografike. Edhe sot janë ende me rëndesi studimet e tyre mbi kanunin e
Shqipërisë së Veriut dhe organizimin e fiseve, nga të cilat janë për t'u
përmendur "Das Gewohnheitsrecht der
Hochländer in Albanien" ("E
drejta zakonore e malësorëve në Shqipëri") i Ippen-it dhe "Die Bergstämme Nordalbaniens und ihr
Gewohnheitsrecht" ("Fiset e
malësorëve të Shqipërisë veriore dhe e drejta e tyre zakonore") i
Nopcsa-s. Studimet gjeografiko-gjeologjike e etnografike të Shqipërisë së
Veriut të Nopcsa-s, "Geographie und
Geologie Nordalbaniens" ("Gjeografia
e Gjeologjia e Shqipërisë së Veriut") dhe "Albanien. Trachten, Bauten und Geräte Nordalbaniens" ("Shqipëria. Kostumet, ndërtimet dhe
veglat e Shqipërisë veriore"), mund t'i shërbejnë si bazë madje edhe
shkencës së sotme. Si vepra themelore të etnografisë për Shqipërinë mbahen "Kulturwissenschaftliche Beiträge zur
Volkskunde von Montenegro, Albanien und Serbien" ("Kontributet kulturo-shkencore për Etnografinë e Malit të Zi, të
Shqipërisë dhe të Serbisë") e Arthur Haberlandt-it dhe botimi i të
parit regjistrim të popullsisë shqiptare, i bërë më 1918 nën drejtimin e Franz
Seiner-it. Kërkimi arkeologjik i Shqipërisë, i ndërmarrë vetëm në kapërcim të
shekullit nga Karl Patsch, Camillo Praschniker dhe Arnold Schober, ka hyrë në
historinë e fushës së vetë nëpërmjet zbulimit të vendeve antike në zonën
bregdetare shqiptare, më i njohuri ndër të cilat është padyshim Apollonia.
Rezultatet e gërmimeve janë dokumentuar në "Archäologische
Forschungen in Albanien und Montenegro" ("Kërkimet arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi").
10. Lexuesi i sotëm shqiptar nuk ka
se si të mos entuziazmohet kur lexon libra të mrekullueshme të këtyre korifejve
të albanologjisë të shkruara shumica para një shekulli a më shumë, por në të
njejtën kohë vetvetiu i lind pyetja, ndoshta paradoksale por e logjikshme nga
distanca e sotme: përse kaq shumë? A ishim ne shqiparët atëherë tjetërfare nga
që jemi sot në kohën moderne?
GOSTENTSCHNIGG: Kjo kishte të bënte me zhvillimin e përgjithshëm të
atëhershëm të shkencave dhe me faktin, se në fillim të një fushe shkencore, siç
ishte albanologjia ose studimet shqiptare, gjithmonë prodhimtaria e studiuesve
është më e madhja, sepse ka një boshllëk të gjithanshëm për t’u mbushur. Pas
hedhjes së themeleve zhvillimi i një shkence ecën me ritme më të ngadalta.
Pastaj nuk duhet harruar fakti, se një motiv kryesor për studimet shkencore
është edhe politika, dhe interesat politike të Austro-Hungarisë atëherë për
shkak të arsyeve gjeopolitike dhe të kultusprotektoratit mbi popullsinë
katolike në Shqipërinë e Veriut ishin më të forta sesa sot ato të Austrisë në
rajonin shqiptar.
11. Duket se megjithatë, në
fokus të vëzhgimeve permanente, megjithatë ishte kryesisht Veriu?
GOSTENTSCHNIGG: Po.
12.Ç´pati këtu në Shkodër e në
krejt Veriun kaq ´fascinuese´ për të huajt? Kaq ´ekzotike´? Cila qe ajo forcë
´magnetike´ e cila i tërhoqi kaq shumë? Zor të besohet se një Ippen, Patsch, a
një Nopcsa merrnin udhën e shkrepave shqiptare vetëm për të provuar vlerat morale të
shqiptarëve, a për të takuar ´fëmijët e rritur e të armatosur të
Europës´(Nopcsa)?
GOSTENTSCHNIGG: Interesat gjeopolitike të Austro-Hungarisë përfshinin
gjithë territorin shqiptar, por mundësia e ndikimit në popull ishte më e madhe
në Veriun e Shqipërisë për shkak të kultusprotektoratit të saj mbi katolikët
shqiptarë në këtë zonë. Në lidhje me këtë temë kam botuar një artikull me titullin
„Protektorati
i Kultit austro-hungarez mbi popullsinë katolike të Shqipërisë së Veriut“ në revistën historike shkodrane „Phoenix 15-16
(2000/1-2)“ dhe kam mbajtur gjithashtu një kumtesë me titullin „Kontributi i Austrisë (Austro-Hungarisë) për
Shqipërinë e Veriut në fushën e arsimit“ në konferencën shkencore „Shkodra
në shekuj“ në vitin 2002 në Shkodër. Botimi i kësaj kumtese është ende në
përgatitje e sipër.
Meqë ra fjala, të gjitha kumtesat e mia në Shqipëri që nga viti 1993 i
kam mbajtur gjithnjë në shqip dhe prandaj ato botohen gjithashtu në shqip.
13. Po e shtroj këtë pyetje sepse
kam parasysh jo vetëm udhëpërshkrimet e studimet etnografike, por edhe skicat,
projektet, hartat, madje që nga koha e Ilirisë (Thalloczy) e deri te hartat
interesante etno-demografike të Seiner-it?
GOSTENTSCHNIGG: Hartografia lidhet ngushtë me topografinë dhe gjeografinë
e një vendi. Pastaj rregjistrimi i parë i popullsisë shqiptare u bë më 1918 nga
Franc Seineri në zonat e administratës ushtarake austro-hungareze, gjatë të
cilit përpiloheshin gjithashtu disa harta për interesa ushtarake.
14. Po Instituti Ballkanik? Cili
ishte funksioni i tij?
GOSTENTSCHNIGG: Instituti i
Ballkanit, i subvencionuar nga zyrat shtetërore dhe i themeluar më 1908 në
Sarajevë, ishte qendra e studimeve austro-hungareze për Evropën Juglindore. Një
organizim i gjerë për mbledhjen e materialeve në të gjitha zonat kërkimore, një
aparat modern shkencor dhe tri seri botimi mundësonin një mbledhje
gjithëpërfshirëse materialesh dhe një vlerësim optimal të rezultateve
shkencore, të cilat përdoreshin më tej politikisht, komercialisht dhe
strategjikisht.
15. Protektorati i Kultit? Edhe kjo
një formulë tjetër, që në lexim të parë nuk sugjeron gjithaq. A do të na e
deshifroni pakëz?
GOSTENTSCHNIGG: Ndikimi politik dhe ekonomik i Austro–Hungarisë mbi
popullin shqiptar u vu në veprim me anë të Protektoratit të Kultit, protektorat
të cilin Monarkia e arriti me Paqen e Sitvatorokut më 1615 dhe parashihte
fillimisht mbrojtjen e klerit katolik në Perandorinë Osmane. Në Paqen e
Karlowatz-it, më 1699, u arrit zgjerimi i protektoratit mbi të gjithë të
krishterët nën sundimin turk. Porse vetëm me Marrëveshjen e Beogradit, të vitit
1739, këto të drejta fituan me të vërtetë një zbatim, në të cilin Habsburgëve
iu dha një patentë e posaçme e trashëguar më parë prej Venedikut e që kishte të
bënte me mbrojtjen e të gjithë katolikëve të Europës nën pushtimin turk. Në
Paqen e Sistovit, 1791, kemi një zgjerim të këtij privilegji, duke e lejuar
Austro–Hungarisë të hapte një konsullatë në Shkodër dhe një nënkonsullatë në
Durrës. Në Kongresin e Vjenës, 1815, Monarkisë Austriake iu dha e drejta të
kishte nënkonsullata të tjera, si në Vlorë, Janinë dhe Prevezë.
Konsulli ishte përfaqësuesi i drejtpërdrejtë i politikës së Protektoratit
të Kultit. Ndër detyrat e tij bënin pjesë veprime humaniste, ngritja e nivelit
të formimit, mbështetja e zhvillimit kombëtar dhe ndarja e parave. Vetëm me
diplomatë të tillë si August Král, Theodor Anton Ippen dhe Alfred Rappaport, të
cilët e njihnin mirë Shqipërinë dhe ishin njëkohësisht miq të popullit
shqiptar, u arrit të kryhej një punë e mirë fillestare në vendosjen e bazave të
marrëdhënieve të mira mes Monarkise Danubiane dhe shqiptarëve.
Më 1837 edhe Selia e Shenjtë njohu më së fundi të drejtat e Monarkisë
Dualiste mbi katolikët shqiptarë. Një etapë e rëndësishme në zhvillimin e
Protektoratit të Kultit shënohet në vitin 1855 kur u arrit Konkordati në mes të
Vatikanit dhe Austrisë, i cili parashihte mbështetjen e një "Programi
Veprimi" të Ballplatz-it nga ana e Vatikanit dhe posaçërisht veprimtarinë
e Propaganda Fides. Si rezultat i këtij Konkordati, ardhja e Jezuitëve në
Shqipëri u bë një faktor përcaktues i politkës kulturore të Austro-Hungarisë në
Shqipëri. Prej 240 institucioneve katolike të Protektoratit të Kultit në
Perandorinë Osmane, 220 ishin vetëm në Shqipëri. Hapësira e ndikimit të
Austro-Hungarisë në kuadrin e protektoratit të kultit shtrihej në Shqipëri në
shtatë dioqeza katolike: Shkodër, Lezhë, Durrës, Prizren, Sapë, Pulti-Pulati
dhe Mirdita. Shkodra, si seli ipeshkvnore ishte qendra e katoliçizmit shqiptar.
Urdhërat fetarë që ekzistonin ishin të ndryshëm: jezuitët, françeskanët, Motrat
e Meshirës dhe salezianët etj.
Detyra zyrtare e Protektoratit të Kultit qëndronte në ndërtimin dhe
mbajtjen e kishave, në shkollimin e klerit si dhe mbrojtjen e kongregatave në
Shqipëri. Mjafton të përmendim këtu faktin e dhënë nga Arqipeshkvi i Durrësit,
D'Ambrosio, i cili thotë se dioqeza e tij deri nga mesi i shekullit 19 kishte
vetëm 13 kisha dhe 10 kapela, të cilat ishin drejt shkatërrimit të plotë.
Ndërsa në fund të po këtij shekulli, me ndihmën materiale të Vjenës u ndërtuan
tashmë 22 kisha, 2 oratorë dhe 23 kapela. Por jozyrtarisht kjo ndihmë
shfrytëzohej nga Ministria e Jashtme si ndikim mbi popullsinë katolike të
Shqipërisë së Veriut. Një pasqyrë të interesave të Austro-Hungarisë në Shqipëri
nga fundi i shekullit të XIX e jep politika e subvencionit, e cila në pjesën më
të madhe i shërbente Protektoratit të Kultit për përmbushjen e detyrave
"zyrtare" dhe "jozyrtare".
16. Pra, protektoratet, jo vetëm
sot, por edhe atëherë, aplikoheshin? A mund të heqet një paralele?
GOSTENTSCHNIGG: Sot ushtrohen të ashtuquajtura „protektorate“ nga ana e
organizatave ndërkombëtare, siç janë OKB-ja, BE-ja, OSBE-ja etj., mbi shtete të
vogla me paqëndrueshmëri politike, ekonomike dhe shoqërore ose me konflikte
ndëretnike. Kosova është një shembull i tillë. Një paralele mund të hiqet edhe
me krizën e Shqipërisë në vitin 1997. Atëherë propozimi im në një artikull në
„Südosteuropa-Hefte“ në Mynih qëndronte në atë, se duhet të praktikohet një
protektorat i ngjashëm me atë, i cili zbatohet sot në Kosovë, megjithëse kam
parasysh, se kemi të bëjmë me kontekste të ndryshme, të cilat nuk mund t’i
krahasosh. Por thelbi është i njëjtë: palat kundërshtuese nuk arrijnë dot më
një kompromis pa ndërmjetësim të një pale të tretë dhe presenca ndihmëse dhe
kontrolluese e komunitetit ndërkombëtar është e domosdoshme për një afat të
gjatë për normalizimin e situatës dhe zhvillimin demokratik të vendit nën moton
e „ndihmës për vetëndihmë“. Për shkak të interesave të ndryshme të brendshme
dhe të jashtme u vendos 1997 në Shqipëri për një zgjidhje tjetër, pasojat e
rënda të së cilës ndihen sot në të gjitha sferat e jetës. Siç duket, politika
ndërkombëtare dhe sidomos fuqitë e mëdha preferojnë nganjëherë në bashkëpunim
me pushtetarët vendas „zgjidhje të rreme“, të cilat u shërbejnë më shumë
qarqeve të fshehta financiare dhe kriminale. Për popullin e një vendi ose për
gjithë njerëzimin nuk pyesin shumë.
17. Dihet tashmë se në thelb të
politikës Austro-Hungareze karshi Shqipërisë e shqiptarëve në raportet e
atëhershme gjeo-politike të Evropës –Juglindore (në kuptimin e sotëm të termit)
si të thuash ´kishte zënjë rrënjë´ formula e status quo-s? Nga ana tjetër, siç
mund të vërtetohet nga faktet, për të cilat keni shkruar edhe ju, monarkia e
dyfishte, ndihmonte edhe materialisht, një pjesë të mirë të projekteve e të
ekspeditave hulumtuese ´shqiptare´?
GOSTENTSCHNIGG: Status Quo-ja në Ballkan konsiderohej nga qarqet politike
të Evropës si mundësia më e mirë për ruajtjen e sferave të ndikimit. Megjithatë
fuqitë e mëdha përgatiteshin edhe për rastin më të keq të rënies së Perandorisë
Osmane, duke bërë pakte të fshehta mbi ndarjen e zonave të influencës.
Për sa i përket ndihmës materiale, e cila u është dhënë ekspeditave
hulumtuese të albanologëve, duhet theksuar, se kjo gjë kuptohet nga ana e
interesave strategjike, politike dhe ekonomike të Monarkisë së Dyfishtë në
territoret shqiptare. Ndikimi mbi një popull ushtrohet me lehtë, kur dihen
„levat“, të cilat duhen lëvizur, dmth. kur njihen mendësia, kultura, zakonet
etj. të këtij populli. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka pasur gjithashtu një
interesim vetëm shkencor të albanologëve austro-hungarezë, të cilët ishin të varur
nga subvencionet shtetërore dhe rezultatet e të cilëve shfrytëzoheshin shpesh
pa dijeninë e tyre për qëllime politike, ekonomike, ushtarake dhe strategjike,
siç është ende sot në gjithë botën.
Të gjitha këto fakte dhe tregues të sipërpërmendur
nuk lënë më dyshime, se shkenca është përdorur si instrument i dhunës
strukturore, krahas Protektoratit të Kultit dhe propagandës komerciale për
realizimin e imperializmit të fshehtë (jozyrtar, i tërthortë) ndaj Shqipërisë
e, mes kësaj, tërthorazi për t'i luftuar pansllavizmin dhe imperializmin
italian. Natyrisht, nuk bëhet fjalë për ndonjë program konkret politik për
instrumentalizimin e shkencës, por të paktën për një mbështetje zemërgjerë të
albanologjisë nga ana e ministrive përgjegjëse, në menyrë që ajo në një rast
serioz - si u paraqit në Luftën e Parë Botërore - të ishte e gatshme të vihej
në dispozicion të interesave shtetërore. Ka disa shembuj albanologësh të njohur
austro-hungarezë si Hahn, Ippen, Nopcsa dhe Thallóczy, të cilët punonin edhe
për shkencën edhe për politikën e vendit të tyre.
Një sqarim të shkurtër për termin “dhunë
strukturore” (gjerm. “strukturelle Gewalt”): ky term është pjesë e teorisë
strukturore të imperializmit nga hulumtuesi i paqes dhe i konfliktit Johan
Galtung (shih “Eine strukturelle Theorie
des Imperialismus. In: Imperialismus und strukturelle Gewalt. Frankfurt a. Main
18. Baron Nopcsa dikund përmend
faktin interesant, se malësorët shqiptarë kur pyeteshin se me cilin e nën cilin
shtet jetonin, përgjigjeshin krejt spontanisht: me kend tjetër përveç se me
mbretin, duke aluduar pra në Franz Josefin. Si u bë që mbas vitit 1918, apo
edhe më përpara, interesimi i monarkisë, përkatësisht i Austrisë, për
shqiptarët e Shqipërinë, por edhe për Veriun katolik, përndryshe, siç thamë, të
preferuar, pothuajse brenda natës humbi?
GOSTENTSCHNIGG: Interesimi i Austrisë si shtet humbi, por jo ai i
albanologëve austriakë si shkencëtarë individual. Mjafton të përmendim këtu
vazhdimin e punës së Nopcsa-s, Šufflaj-it, Jokl-it, Lambertz-it etj.. Austria e
vogël si pjesë e mbetur gjermanofolëse nga perandoria e madhe austro-hungareze
ishte e zënë për shumë vjet me problemet e veta në radhë të parë ekonomike, por
edhe politike e shoqërore në kohën midis dy Luftërave Botërore dhe për këtë
arsye ajo nuk mund të ishte më një faktor gjeopolitik në hapësirën e Evropës
Juglindore, ku ajo kishte humbur të gjitha zonat e saja të influencës nga koha
e Monarkisë. Kjo natyrisht kishte efektin e saj negativ mbi angazhimet
albanologjike dhe mbështetjen e tyre financiare nga ana shtetërore.
19. Të kthehemi tek teza juaj e
disertacionit, dhe vështirësitë e ndryshme eventuale në të cilat keni hasur
gjatë punës tuaj disavjeçare?
GOSTENTSCHNIGG: Nuk pata ndonjë problem të veçantë në lidhje me punën
vetë, duke mos marrë parasysh gjërësinë e temes së disertacionit tim, e cila më
është dukur shpesh sikur të mos kishte kufij. Kolegët e mi shqiptarë në Tiranë
ishin tepër të gatshëm të më ndihmonin në çdo gjë, për të cilën kisha nevojë.
Ishte koha e hapjes së Shqipërisë ndaj botës dhe ndër të tjerët edhe
intelektualët dhe shkencëtarët shqiptarë ishin të etur pas kontakteve dhe
shkëmbimeve me kolegët e tyre të huaj. Mësimdhënia me studentët më pëlqen dhe
mbaj ende sot kontakte miqësore me ish-studentët e mi shqiptarë. Nga projekti i
veçantë katërvjeçar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1996-2000),
të cilin e kam drejtuar duke i dhënë mësim një grupi të vogël studentësh elitar
në gjuhën gjermane dhe në lëmin e marrëdhënieve historike shqiptaro-austriake,
kanë dalë dy historiane, të cilat janë të punësuar që nga viti 2000 në projekte
të Institutit të Historisë së Evropës Juglindore në Grac; një historiane, e
cila punon që prej vitit 2000 në Institutin e Folklorit në Tiranë; një
historian, i cili po përgatitet për mbrojtjen e doktoratës në Universitetin e
Tulusit (Toulouse) në Francë dhe i cili më merr herë pas here në telefon dhe më
ka ftuar në ceremoninë e marrjes së titullit doktor; dhe një tjetër
ish-student, i cili punon sot në Nju Jork (New York) në fushën e gastronomisë,
ku njohuria e gjuhës gjermane i hyn shumë në punë në komunikim me turistë
gjermanofolës. Kur e kam vizituar me ish-bashkëshorten time në Amerikë, ai së
bashku me shokët e tij na kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës. Këto frytet e
gjalla të punës sime vërtetojnë, se përkushtimi im disavjeçar, shpesh në kushte
jo aq të lehta në një vend të huaj me probleme të papërshkrueshme, ia vlejti më
së miri.
Vështirësitë e punës sime ishin më shumë të faktorit të jashtëm sesa të
brendshëm. Gjatë gjysmës së dytë të doktoratës sime duhej të punoja si lektor
për gjuhën gjermane dhe kulturën e hapësirës gjermanofolëse (Austri, Gjermani,
Zvicër) në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës
(1993-1995). Prandaj nuk kisha mjaft kohë dhe energji për t’u përqendruar vetëm
në punën e disertacionit. Kështu u detyrova të kthehesha për një vit në Grac
për ta mbaruar disertacionin dhe për të mbrojtur doktoratën në verën e vitit
1996. Gjatë këtij viti isha me asistencë dhe kisha shumë probleme financiare
për t’i përballuar, sepse rroga ime si lektor kishte qenë e vogël dhe kisha për
të paguar qera edhe në Grac edhe në Tiranë. Ndihesha shpesh si i lënë në baltë
edhe nga pala austriake edhe nga pala shqiptare. Dhe kjo gjendje është
fatkeqësisht ende kështu.
E vështirë sigurisht ishte koha e trazirave në gjysmën e parë të vitit
1997 për shkak të rënies së firmave piramidale, ku kam shkuar një herë në punë
mes plumbave dhe ku jam evakuuar së bashku me të huajt e tjerë nga karabinierët
italianë në portin e Durrësit, kur kishte filluar tashmë plaçkitje e hapur e
dyqaneve në Tiranë. Lëri më aventurat e tjera, të cilat i kam përjetuar atëherë
duke shoqëruar një gazetar japonez në drejtim të Vlorës. Dhe koha e Luftës së
Kosovës me fenomenin masiv të refugjatëve ndihej edhe në ambientin e
Universitetit dhe në gjithë kryeqytetin.
Por të gjitha këto përjetime disi të rënda nuk më ndanin dot nga të
dashurat e mia Gjuha Shqipe dhe Albanologjia, në të kundërt: pengesat dhe
sakrificat vetëm e kanë thelluar dashurinë time për ato, sepse gjuha dhe
shkenca lidhen me njerëzit, të cilët më kanë hyrë në zemër.
20. Ju keni hulumtuar edhe në
Tiranë, Shkodër, po në arkivin e Kosovës? Lexuesit kosovar që do të ketë rast
ta ketë në dorë këtë disertacion i bie në sy, siç më ndodhi mua, mungesa e
historianëve kosovarë, dhe e burimeve të Kosovës? A keni ndonjë shpjegim për
këtë? A ndodhi kjo për shkak se ndoshta në të gjitha hulumtimet tuaja për
disertacionin, emri Kosovë, ndoshta nuk lakohet askund?
GOSTENTSCHNIGG: Nëqoftëse e lexoni me vëmendje disertacionin tim, do të
vini re, se emri Kosovë lakohet në shumë vende: tek Johann Georg von Hahn, i
cili ka udhëtuar edhe në Kosovë dhe Maqedoni; tek Milan von Šufflay, i cili ka botuar psh. veprën standarde "Serben
und Albaner" (Serbët dhe Shqiptarët”); tek Theodor
Anton Ippen, i cili ka botuar psh. "Novibazar und Kossowo (Das alte
Rascien)"; tek Maximilian Lambertz, i cili trajton dialektet
gege të Verilindjes duke përfshirë natyrisht ato të Kosovës; tek udhëtimet
hulumtuese para Luftës së Parë dhe gjatë administrimit ushtarak 1916-1918, dhe
kështu shembuj të shumtë me radhë. Si të mos përmendet emri Kosovë në
disertacionin tim, kur në lidhje me rolin e Austro-Hungarisë për pavarësinë e
Shqipërisë flitet për Lidhjen e Prizrenit dhe për kryengritjet e Kosovës kundër
Perandorisë Osmane? Ose kur flitet në një kapitull qendror për çështjen e
etnogjenezës shqiptare, në të cilën përfshihen në mënyrë të vetëkuptueshme të
gjitha vendbanimet shqiptare?
Ndërsa përfaqësimi i vogël i albanologëve kosovarë dhe i burimeve të
Kosovës ka të bëjë me faktin, që unë kisha vetëm një bursë gjashtëmuajore në
dispozicion për studimet e mia të doktoratës në Tiranë në vitet 1992-1993, ku
jam marrë me hulumtimet në Bibliotekën Kombëtare dhe në Institute të ndryshme
si ai i Historisë, i Folklorit, i Arkeologjisë etj.. Në vjeshtë të vitit 1993 u
punësova për dy vjet si lektor për gjuhën gjermane në Fakultetin e Gjuhëve të
Huaja në Tiranë. Nuk kisha as kohë as mundësi financiare për studime
disamuajore nëpër arkivat dhe bibliotekat e Kosovës ose të Maqedonisë.
GOSTENTSCHNIGG: Po. Muajt e ardhshëm do ta përpunoj disertacionin tim dhe
do ta bëj gati për botim në Grac ose në Mynih, ose në Tiranë apo në Prishtinë.
Vendi i botimit varet nga mundësia dhe interesi i palëve të ndryshme.
Por nuk është e lehtë të gjesh një përkthyes të mirë të degës (së
historisë/së albanologjisë), i cili di të përkthejë saktë dhe sipas kuptimit.
Të korrigjosh një përkthim në imtësi është një punë kolosale, për të cilën nuk
do të kem kohë në të ardhmen e afërt, sepse kam detyrime të tjera profesionale.
22. Këto dy vitet e fundit me sa
dimë, ju jeni të angazhuar në proçesin mësimor universitar në Institutin e
Përkthimeve Teorike dhe Aplikative. Bashkë me disa emra të njohur siç janë
profesor Höflechner, e profesor Prunc, ju po përgatisni e po përcillni një grup
studentësh shqiptarë në lëmin e shkencës së përkthimit?
GOSTENTSCHNIGG: Po, është e vërtetë që ne po përgatisim një grup
studentësh shqiptarë së bashku me një student austriak në një kurs të veçantë
trisemestrash në lëmin e didaktikës së translacionit (= shkenca e përkthimit me
shkrim e me gojë), dmth. i mësojmë ata në radhë të parë, se si jepet mësimi i
përkthimit me shkrim e me gojë, dhe në radhë të dytë, se si përkthehet me
shkrim e me gojë sipas metodave të fundit të translacionit. Ky kurs i veçantë
dhe i njëhershëm do të mbarojë në fund të prillit të këtij viti.
23. Bie në sy te këta vijues të
këtij Kursi Universitar prejardhja e tyre regjionale. Jo vetëm që janë
njëqindpërqind nga Shqipëria, por pjesa dërmuese e tyre janë nga Shkodra? A
është ky fakt thjeshtë rastësi, apo përzgjedhja e tyre ka kaluar nëpër një
´filter´ të caktuar? Shtroj këtë pyetje sepse Universiteti i Graz-it
bashkëpunon ngusht me Universitetin e Shkodrës?
GOSTENTSCHNIGG: Në fillim kishin marrë pjesë edhe dy shqiptare të
Kosovës, por ato hoqën dorë më vonë. Është e vërtetë që shumica vjen nga
Shkodra, një fakt i cili ka të bëjë patjetër me bashkëpunimin e ngushtë midis
Universiteteve të Gracit dhe të Shkodrës, veçanërisht në lëmin e gjuhës
gjermane. Pyetjen, nëse janë njoftuar apo jo Universiteti i Prishtinës dhe ai i
Tetovës në rrugë zyrtare për kursin përkthimor shqip-gjermanisht në Grac, duhet
t’ua drejtoni shefave të Instituteve dhe Dekanit të atëhershëm të Universitetit
të Gracit, sepse kjo nuk bie në kompetencën time. Për sa i përket përzgjedhjes
së kandidatëve, nuk ka pasur ndonjë “filter” të caktuar, përkundrazi: në
detyrën time të marrjes së kandidatëve në intervistë dhe në provim me shkrim
unë jam përpjekur për një balancim të paktën brenda Shqipërisë duke njoftuar
edhe Departamentin e Gjermanistikës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në
Universitetin e Tiranës për mundësinë e kandidimit të studentëve, por për shkak
të një keqkuptimi në komunikim me e-mail, konkursi nuk është shpallur në kohën
e duhur, kështu që sot kemi vetëm dy pjesëmarrëse nga Tirana në kurs.
24. Po kosovarët? Pra, studentët
shqiptarë të Kosovës?
GOSTENTSCHNIGG: Unë mendoj, se mosprania e tyre pothuajse e plotë
shpjegohet me faktin, që pjesa dërrmuese nuk studion për gjuhën gjermane, por
për degë të tjera si mjekësi, drejtësi, ekonomi etj., kështu që interesi i tyre
nuk qëndron në lëmin e përkthimit.
25. Në këtë Institut të
Përkthimeve, në këtë vit akademik për herë të parë në historikun e begatshëm të
gjuhëve të huaja të Universitetit të Graz-it, ka filluar studimi i gjuhës
shqipe, si studim i rregullt, kuptohet në bashkëstudim, siç është këtu
rregulli, edhe me dy gjuhë të tjera të cilat mund të zgjedhen simbas dëshirës.
Mbas një semestri, a mund të na i thoni pak fjalë lidhur me këtë ngjarje
kulturore, e cila fatkeqësisht, me sa dimë, ka kaluar pa kurrfarë jehone qoftë
nga Fakulteti, përkatësisht, nga Instituti i Përkthimeve, qoftë nga
institucionet shqiptare universitare, duke përfshirë këtu edhe masmediat e
tyre?
GOSTENTSCHNIGG: Në këtë vit akademik është hapur dega e mirëfilltë e
përkthimit shqip-gjermanisht në Institutin e Shkencës së Translacionit Teorik
dhe Aplikativ, kështu që Universiteti i Gracit është i vetmi në Austri – dhe
ndoshta në gjithë hapësirën gjermanofolëse -, ku mund të studiohet përkthimi
shqip-gjermanisht. Kjo degë e re nuk duhet ngatërruar me Albanistikën si psh.
në Mynih (München) të Gjermanisë, e cila zhvillohet vetëm në lëmin e gjuhësisë
dhe letërsisë pa i kushtuar vëmendje përkthimit. Për fat të keq aktualisht ne
kemi vetëm shumë pak studentë, që e ndjekin këtë degë të re, dhe kemi mbetur
disi të zhgënyer nga pjesëmarrja e dobët, sepse kemi pritur më shumë, sidomos
nga studentët shqiptarë të Kosovës këtu në Grac. Por ndoshta edhe reklama nga
ana zyrtare ka qenë e vonuar, megjithëse është reklamuar edhe në televizion dhe
në radio të Austrisë. Shpresojmë të na vijnë më shumë studentë austriakë dhe
shqiptarë në vjeshtë, sepse ndryshe ekziston rreziku i mbylljes së kësaj dege
të re, para se të ketë filluar vërtet, gjë që do të thoshte mosshfrytëzimi i
një shansi historik për shqipen, i cili nuk do të kthehej më kaq shpejt.
E theksoj edhe një herë: studimi i rregullt i përkthimit shqip-gjermanisht
në Institutin e Shkencës së Translacionit në Grac nuk është identik me studimin
e gjuhës shqipe, pra me ashtuquajturën “Albanistikë” si psh. në Mynih, sepse
qëllimi kryesor i studimit të degës së re “Përkthim Shqip-Gjermanisht” nuk
qëndron në gjuhësi dhe letërsi, por në përkthim shqip-gjermanisht me shkrim e
me gojë. Albanistika e mirëfilltë krahas psh. Anglistikës, Romanistikës etj.
mbetet ende për t’u hapur këtu në Universitetin e Gracit.
26. Përshtypja jonë është, se ky
Institut nuk ka kurrëfarë bashkëpunimi me Katedrat po e zëmë të Letërsisë a të
Gjuhës Shqipe të Filologjikut të Prishtinës, a të Filologji-Historisë të
Tiranës? A mund të na demantoni, dhe nëse jo, atëherë ku qendron shkaku i
mosbashkëpunimit, dhe çka duhet bërë që ky bashkëpunim të jetësohet?
GOSTENTSCHNIGG: Fatkeqësisht – ose për fat – unë nuk jam as shefi i
Institutit të këtushëm as i punësuar me ndonjë detyrë të veçantë në lidhje me
bashkëpunimin ndërinstitucional. Kështu përgjigjen duhet t’ua kërkoni shefave
të katedrave në Grac, Prishtinë, Tiranë etj.. Nëqoftëse kisha unë diçka në
dorë, do të isha i pari për nisma të tilla, për aq sa pala shqiptare do të
tregonte interesim serioz, vullnet, gatishmëri dhe një vizion të qartë dhe
largpamës. Se në kooperime ndërinstitucionale nuk është vend për interesa ose
përfitime personale, por duhet menduar për zhvillimin e kolektivit shoqëror,
anëtar i të cilit jemi ne të gjithë si individë. Një nga të dyja palet duhet të
bëjë hapin e parë, psh. nëpërmjet një letre zyrtare duke propozuar një projekt
të realizueshëm...
GOSTENTSCHNIGG: Kam qenë vetëm një herë në Kosovë në kuadrin e një
ekskursioni universitar në vitin 1989. Fatkeqësisht nuk mbaj kontakte
individuale me ndonjë koleg të fushëveprimit tim në Prishtinë. Kam takuar një
herë Zotin Rexhep Ismajlin në Mynih në vitin 2000, kur kam mbajtur një referat
në Universitetin e atjeshëm mbi qëndrimin tim disavjeçar në Tiranë. Siç kam
treguar më sipër, kontaktet e mia personale me kolegë shqiptarë përqendrohen në
Tiranë dhe Shkodër, por miqtë e mi të parë shqiptarë kanë qenë dhe janë ende
sot disa shqiptarë të Kosovës, të cilët i kam njohur në fillim të viteve ’90 në
Grac.
Nëqoftëse më ftonin me kushte të pranueshme, do të isha natyrisht i
gatshëm – qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore – të jepja kontributin
tim si historian, gjermanist, albanolog ose translator (përkthyes me shkrim e
me gojë) në Universitetin e Prishtinës. Kjo në fakt do të ishte një kënaqësi
dhe përvojë e veçantë për mua, një mundësi e mirëpritur për t’u njohur me
vendin tuaj nga afër dhe jo nga larg në mënyrë indirekte, siç e bëj deri tani
me anë të bisedave me miq shqiptarë nga Kosova dhe nëpërmjet leximit të shtypit
të Kosovës.
28. Gjatë muajve korrik e gusht
Prishtina organizon rregullisht Seminarin tashmë tradicional për Gjuhën,
Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në të cilin frekuentojnë albanologë të huaj
por edhe dashamirës të albanologjisë. Emrin tuaj, nuk kemi pasur rastin
ndonjëherë ta ndeshim. Përse?
GOSTENTSCHNIGG: Përgjigjja është shumë e thjeshtë: ata albanologë dhe
dashamirës të huaj të albanologjisë nuk kanë qëndruar një herë gjashtë vjet me
radhë në Shqipëri ose Kosovë si puna ime, dmth. ata janë ende të etur pas
eksperiencave të tilla. Megjithëse duhet të pranoj, se do të kisha nevojë për
“mësim” në lëmin e letërsisë shqiptare, të cilën e njoh vetëm në përgjithësi,
sepse e kam lënë pas dore për arsye se kisha detyra dhe punë të tjera me i
kryer, sidhe nga ana profesionale dhe nga ana e zhvillimit personal.
29. Si albanolog i një brezi të
ri gjermanofolës, dhe si përcjellës, studjues dhe hulumtues i fenomeneve
shqiptare, a keni ndonjë vizion për Kosovën? Për të ardhmen e saj?
GOSTENTSCHNIGG: Para se kam filluar me shkencat e translacionit në fillim
të vitit 2004, jam marrë shumë me studimin dhe analizimin e zhvillimeve
politike, ekonomike dhe shoqërore në rajonin shqiptar, respektivisht në
Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Nuk jam politikan dhe politika si fushë veprimi
nuk më tërheq, sepse ajo shpërdorohet nga lakmia për pushtet dhe përfitime
personale. Në radhë të parë jam njeri dhe pjesëtar i familjes njerëzore në
planetin tonë Tokë, dhe vetëm në radhë të dytë jam gjithçka tjetër si burrë,
austriak, shkencëtar etj.. Individët, kolektivet, kombet dhe kulturat i
konsideroj si pjesë të kësaj familjeje njerëzore, të cilat duhet të përpiqen
sipas mundësive të tyre për harmoni midis njëra-tjetrës, me qëllim që gjithë
familja të mund të jetojë në paqe dhe të jetë në gjendje t’i zgjidhë
bashkërisht problemet e mëdha dhe të mprehta të planetit tonë, të cilat nuk
mund të zgjidhen më vetëm nga një ose edhe disa kombe, dhe të sigurojë në këtë
mënyrë mbijetesën e llojit njeri në Tokë. Në thellësi të qenies gjithë
njerëzimi është një unitet, në të cilin duhet të zgjohemi në mënyrë koshiente.
Ajo që i bashkon të gjithë individët dhe kombet, është të qenët njeri dhe banor
i Tokës, dhe ajo që i bashkon të gjitha fetë, është të qenët besimtar tek e
vetmja Perëndi.
Për sa i përket çështjes së pazgjidhur të Kosovës, unë mendoj, se të
gjitha faktoret e zgjidhjes së saj duhet ta kenë parasysh këtë fakt të
pamohueshëm të rëndësisë së parë të mbijetesës së gjithë njerëzimit dhe të
unitetit të tij të thellë, një fakt, i cili vlen për të gjitha konfliktet
lokale dhe rajonale në botë. Një parakusht kryesor për paqen e qëndrueshme
midis kombeve është balanca e duhur midis lirisë së individit dhe lirisë së
kolektivit si dhe midis lirisë së njërit kolektiv dhe asaj të tjetrit kolektiv.
Asnjë komb nuk ka të drejtë të sundojë një komb tjetër. Të gjitha kombet duhet
të kuptojnë njëherë për gjithmonë, se janë pjesë të barabarta të së njëjtës
familje njerëzore. Ndryshe nuk do të ketë shpëtim për ne të gjithë si qenie
njerëzore në një afat të gjatë ose bile të mesëm. Secili prej nesh duhet të
japë kontributin e vet maksimal, si individ si kolektiv, duke filluar gjithmonë
tek vetvetja, duke shikuar në të ardhmen, duke i lënë shpirtërat e së kaluarës
të qetë. Ajo që ka ndodhur dje, nuk ndreqet më; ajo që do të ndodhë nesër, nuk
dihet ende. Duke u përqendruar në të sotmen me të gjitha forcat tona, ne e
krijojmë të ardhmen tonë më të mirë. Nuk ka rrugë tjetër.
Pastaj nuk duhet harruar, se pas 10 deri 15 vjetësh gjithë rajoni i
Evropës Juglindore do të jetë pjesë integrale e Bashkimit Evropian, edhe Serbia
dhe Kosova, qoftë e pavarur qoftë e varur. Deri atëherë të dyja kombet duhet të
kenë vetëm pak durim dhe mund t’i tregojnë botës, se dinë t’i shmangen një
konflikti tjetër të panevojshëm dhe se dinë të jetojnë pranë njëri-tjetrit si
dy komshinj të mirë.
Një fjalë në lidhje me gatishmërinë e disa ballkanasve për të ushtruar
dhunë ndaj njëri-tjetrit: e vetmja dhunë, e cila mund të justifikohet, është
ajo e vetëmbrojtjes, kur nuk ka më absolutisht rrugëdalje tjetër, sepse
gjallesa, e cila mbron veten, qëndron më lartë nga ajo, që sulmon për të marrë
jetë. Tradita e gjakmarrjes është mallkimi i popullit shqiptar dhe nuk e lë të
ecë përpara. Vrasja nuk fillon tek sfera fizike, ajo ka zanafillën që në mendje
në formën e urrejtjes. Prandaj populli shqiptar do të fitojë paqen e vërtetë,
pasi ka gjetur paqen në vetvete. Sepse këtu hyn ligji i tërheqjes magnetike ose
i rezonancës: gjithçka është energji, dhe energjia më subtile – përveç
energjisë spirituale – është ajo mentale (mendore). Nëqoftëse të dashuroj, ti
do të fillosh të më dashurosh. Nëqoftëse të urrej, ti do të fillosh të më
urresh. Secili e meriton atë, që e kushtëzon vetë. Këtë të vërtetë thelbësore
duhet ta kuptojnë të gjithë ata, që jetojnë ende në luftë me njëri-tjetrin. Ai,
që ka pak tru në kokë dhe ka zemrën të pastër, do të dijë të zgjedhë drejt në
çdo moment të jetës dhe do të fitojë paqen e vërtetë. Kjo nuk vlen vetëm për
individin, por edhe për kolektivin. Se në fund të fundit: kush është vërtet
“burrë” ose “trim” – ai që vret, apo ai që fal? Cili vendim kërkon më shumë
forcë – vrasja apo falja?
Më lejoni edhe pak fjalë për gjendjen aktuale të Shqipërisë: Një burrë i
mençur dhe zemërbardhë, i cili jetonte në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës,
ka thënë një herë, se do të vijë koha, “kur njeriu do të hajë njeriun”. Dhe kjo
kohë ka ardhur sot në Shqipëri, ku duhet t’u paguash të korruptuarve deri në
palcë miliona Lekë për t’i shpëtuar njerëzit e tu nga vdekja nën thikën e
kirurgut nëpër spitalet e vendit, për t’i shpëtuar njerëzit e tu nga ngordhja
nën gjykimin e padrejtë të gjykatësit nëpër burgjet e vendit, për t’i shpëtuar
njerëzit e tu nga mosarsimimi nën refuzimin abritrar të shefit të katedrës
nëpër universitetet e vendit, dhe kështu me radhë në të gjitha fushat
neuralgjike të jetës. Nëqoftëse vazhdohet në këtë mënyrë, është vetëm çështje
kohe, derisa kjo bombë shoqërore do të shpërthejë. Dhe këtu mban përgjegjësi
edhe përfaqësuesi më i lartë i shtetit edhe njeriu më i thjeshtë i rrugës, pra
të gjithë që marrin pjesë në zinxhirin e korrupsionit dhe që harrojnë, se janë
duke i hapur varr vetes, sepse asnjë veprim personal nuk është pa pasoja
personale. Një bashkëatdhetari im, i cili kishte ardhur për vizitë në Tiranë,
kur pa ca përfaqësues të partive shqiptarë të ulur në hollin e Hotel Rognerit,
më tha se këtu në Shqipëri politikanët dukeshin si mafioza. Iu përgjigjja: “Jo,
nuk është e vërtetë. Këtu në Shqipëri mafiozat duken si politikanë.”
30. Sa dhe si e njihni Kosovën?
Gjuhëtarët letrarët historianët filozofët? Duke u marrë pak si shumë me
Shkodrën e Tiranën, a mos i keni hyrë pak në ´hak´ Prishtinës? Jo vetëm ju
përsonalisht, por edhe kolegët tuaj të Graz-it?
GOSTENTSCHNIGG: Në vitet e fundit kam mbledhur aq shumë material mbi
Kosoven, sa mund të mbushja disa vëllime me këtë. Ndoshta do të vij dita e
botimit të tyre. Përveç pjesëve tashmë të përmendura të disertacionit, të cilat
i referohen Kosovës, unë kam botuar që në vitin 1992 një artikull, ku
paralajmëroj për shpërthimin e “fuçisë së fundit të barutit në Ballkan” me
pasoja të paparashikueshme për gjithë rajonin dhe Evropën, nëqoftëse nuk merren
në kohë masat e duhura në lidhje me zgjidhjen ndërkombëtare të çështjes së
Kosovës në bazë të së drejtës së popujve për vetëvendosje. Në të njëjtin vit
kam botuar në një revistë studentore të Gracit një artikull, ku u përpoqa për
sensibilizimin e shoqërisë austriake në lidhje me problemin e asilantëve
kosovarë, të cilët ishin arratisur për shkak të përndjekjes politike nga
regjimi i Millosheviçit. Një vit para daljes së hapur të UÇK-së kam botuar një
artikull shkencor mbi çështjen e Kosovës në pasqyrën e burimeve shqiptare. Në
vitin 1999 botova në revistën albanologjike “Studime Filologjike” të Tiranës
artikullin shkencor “Rreth historisë së trajtimit të problemit të
etnogjenezës së shqiptarëve”, ku
vendbanimet shqiptare të Kosovës zënë vendin e vet. Dhe në vitin 2001 botova në
Mynih (në revistën “Südost-Europa”) recensionin tim mbi librin e Bardh
Hamzajit, ku ai tregon për dialogun e tij me një nga komandantët të UÇK-së,
Ramush Haradinaj, sot kryeministër i vendit tuaj.
Për sa i përket kolegëve të mi këtu në Grac, nuk mund të thuhet
gjithashtu, se i kanë hyrë në „hak“ Prishtinës, sepse janë marrë mjaft me
Kosovën dhe kanë botuar jo pak në lidhje me Luftën e Kosovës 1998-1999. Lista e
botimeve të Institutit për Historinë e Evropës Juglindore e dëshmon këtë fakt.
Psh. revista „Ost-West-Gegeninformationen“ i ka kushtuar shumë vëmendje
çështjes së Kosovës në fazën e nxehtë të saj.
GOSTENTSCHNIGG: Vitin e kaluar jam marrë me përkthimin nga anglishtja në
shqip të një libri, i cili është një përpilim tekstesh origjinale të mistikut,
joginit dhe filozofit më të rëndësishëm të Indisë dhe të themeluesit të Jogës
Integrale Shri Aurobindo (1872-1950), një sfidë, të cilën e kam mjeshtëruar
vetëm për shkak të studimit dhe praktikës intensive disavjeçare të kësaj Joge.
Ky përkthim i vetëbotuar sivjet me titullin “Shri Aurobindo: Evolucioni i
ardhshëm i njeriut. Jeta hyjnore në Tokë.” (anglisht Sri Aurobindo:
The Future Evolution of Man. The Divine Life upon Earth. Compiled with a Summary and Notes by P.B.
Saint-Hilaire. Twin Lakes: Lotus Press 2003. 148 faqe.) vlen më shumë sesa 1000 disertacione ose 1000 vëllime
poezish dhe është dhurata ime më e shtrenjtë për popullin shqiptar. Studiuesit
e sotëm udhëheqës në fushën e hulumtimit të evolucionit të koshiencës, si psh.
Jean Gebser dhe Ken Wilber, i referohen në veprat e tyre Jogës Integrale të
Shri Aurobindos. Ky vizion gjithpërfshirës, kur pranohet me mendje dhe zemër
dhe kur vihet në praktikë, është ushqim spiritual me efekte konkrete
transformuese në jetë.
Si projekt i ri shkencor mendoj t’i rikthehem temës së disertacionit tim,
dmth. albanologjisë gjermanofolëse duke vazhduar atje, ku e kam lënë. Si hap të
parë do të botoj disertacionin tim mbi albanologjinë austro-hungareze dhe
përkthimin tim të librit të Uran Asllanit mbi studentët shqiptarë në Austri
deri në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë lidhje do të propozoja gjithashtu
përkthimin e veprës kolosale të Jup Kastratit „Historia e Albanologjisë. vëll. I, Tiranë 2000“ në gjuhën gjermane,
një punë, të cilën mund ta bëja me shumë dëshirë, por nisma për këtë duhet të
vinte nga pala shqiptare, në interesin e së cilës do të ishte ky përkthim, psh.
duke e financuar nëpërmjet një fondi të krijuar për mbështetjen e projekteve
albanologjike dhe për përhapjen e tyre jashtë shtetit.
Kur do të vijë koha, do të botoj një revistë dygjuhësh austro-shqiptare
këtu në Grac, e cila do të përqendrohet në çështje globale të gjithë
njerëzimit, duke përfshirë të gjitha fushat e jetës të para nga këndvështrimi
austriak dhe shqiptar. Këto fusha do të jenë psh. albanologjia, letërsia,
shoqëria, ekonomia, historia, filozofia, antropologjia, kozmologjia,
spiritualiteti etj..
Botimit të vëllimit tim të parë poezish (1984-2004) sivjet do t’i vijojë
ndoshta botimi dygjuhësh gjermanisht-shqip me shqipërime të lira në Kosovë ose
në Shqipëri.
GOSTENTSCHNIGG: Shfrytëzoj rastin të apeloj tek të gjithë kolegët e mi
shqiptarë dhe tek studentët shqiptarë kudo qofshin të reklamojnë me anë të
masmediave mundësinë e studimit të lëmit „përkthim shqip-gjermanisht“ në
Universitetin e Gracit.
Ju falemnderit juve, Zotit Kutleshi, për pyetjet tepër interesante dhe
edhe „ngacmuese“, me qëllim që të detyrohesha të reflektoja thellë gjithë
veprimtarinë time të deritanishme dhe të ardhshme në lëmin e albanologjisë dhe
në lidhje me popullin shqiptar, të cilin me këtë rast e përshëndes
përzemërsisht.
33. Zoti Dr. Gostentschnigg, ju
falemnderit që gjetët kohë për këtë bisedë interesante!
* Intervistën e bëmë në gjuhën shqipe.
Burimi: JETA E RE/ VITI LVII /Prishtinë 2005/ fq.155/176.