E shtune, 27.04.2024, 06:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali D. Jasiqi: Mungesa e familjarit shkakton tronditje

E diele, 08.07.2012, 09:47 AM


MUNGESA E FAMILJARIT SHKAKTON TRONDITJE

Bedri  Hysa “Shoka e ylberit”. Botoi N.Sh,”Jeta e re”- Prishtinë 2012

Shkruan Ali D. Jasiqi

Vdekja e ndonjë anëtari të familjes, edhe pse dukuri normale, sepse kush ka lindur edhe do të vdes, lenë gjurma të pashlyera në mendjen e kujtesën e njeriut.  Vdekja është edhe më e rëndë kur vdesin ata të moshës më të re, qoftë fjala për djalë apo vajzë, pa dallim. Sepse mungesa e një anëtari të familjes lenë zbrastësi të pakompenzueshme. Dhe kjo mungesë  reflektohen veçmas te njerëzit e ndjeshëm, çfarë janë poetët. Dhimbjen e tyre ata e shprehin në vargje, qoftë kur është fjala për vdekjen e personit të dashur, apo edhe për ndonjë tragjedi tjetër. Vdekja e fëmijës para prindit është shumë e rëndë për prindërit, të cilët ndjenjat e veta i shpreh në mënyra të ndryshme. Kjo ndjenjë hetohet edhe poezitë e përmbledhjes më të re të Bedri Hysës, me titull “Shoka e ylberit”, i cili vdekjes së bijës i ka kushtuar disa vargje përplot ngrohtësi, që e bëjnë lexuesin ta ndiejë thellë edhe ai vdekjen e Teutës. Atë, pra të bijën, poeti ynë e quan loçka e babit. Madje me këtë titull të ciklit janë përmbledhur poezitë kushtuar vdekjes të së bijës. Në gjashtë poezitë e këtij cikli (nga gjashtë: sa ka e gjithë përmbledhja) me tone elegjiake, autori shpreh ndjenjat më të thella që mund t’i ketë një prind për fëmijën e vet, që nuk është më në mesin e të gjallëve. Ai e përkujton atë si fëmijë, si vajzë që luante me vëllai, pastaj si nuse e bukur dhe më në fund edhe vdekjen e saj të hershme, që i vjen në arkivol nga Lozana e Zvicrës ku jetonte.

Me vajzën e vet poeti është çdo ku dhe kudo,është me kujtimet për te që  nuk mund të pajtohet me realitetin dhe e merr shumë rëndë mungesën fizike , duke u shprehur se:

“Dhëmbje e madhe sillet vërdallë

Qe fëmija prindin ta varros

Dhëmbje më të madhe  a ka vallë

Prindi mbetka kufomë e gjallë

Kahdo të sillem të mbështillem

Si të (m)lidhem “

(Kudo kahdo me ty Teutë)

Të kësaj natyre janë edhe poezitë tjera elegjiake kushtuar Teutës, që për poetin është mbretëreshë.  Poeti e përkujton si fëmijë, si engjëllushë, duke e quajtur edhe e Bukura e Dheut që prindi me dëshirë do ta zëvendësonte atë në arkivol. Dhe atij i duket e padrejtë që fëmija të vdes para prindit “Pse s’e merr prindin në vend të saj“ – pyet poeti në poezinë me të njetin titull. Teuta ishte e re që të shkonte në jetën e amshueshme, duke e lenë babain gjysmë të gjallë, andaj edhe e lut që të zgjohet edhe njëherë dhe ta puthë me afshim fëmijëror prindin e vet të dashur. Është fare e natyrshme sepse prindin nuk mund të pajtohet asnjëherë me faktin se fëmija i tij nuk është më në mesin e të gjallëve. Ajo mbetet në kujtime të paharruara, në kujtime që nganjëherë sjellin edhe lot mallëngjimi, veçmas në vende që paraqesin një kujtim nga jeta, siç është rasti me Shtojin e Ulqinit ku kishin kaluar ditë të bukura, dhe tani poeti e kujton vajzën, ndërsa ia heton lotin në sy. Në poezinë e shkurtër “31 dhjetor 2010” Bedri Hysa e mallkon këtë vit të Zi, siç e quan ai, që e xhindosi dhe ia mori më të shtrenjtën Teutën, të cilën edhe njëherë e lut që të mos shkojë pa të edhe poetin. Edhe në këtë poezi e përsëritet konstatimin se ajo ishte e re për dhe, pra për të vdekur.

Subjekti lirik i poezisë se Bedri Hysës është mjaft i gjerë. Motivi i  vdekjes i së bijës është një nga motivet e shumta të poezisë se Bedri Hysës, i cili me kohë e ka formua stilin e vet, që është të thuash i veçantë dhe dalluese, e ka formuar botën e vet poetike dhe mjeshtërinë e të shprehurit artistik. Vlen të theksohet se edhe në këtë përmbledhje dy mbesin metaforat më karakteristike të kësaj poezi. E ato janë Sharri dhe plisbardhët, si dy simbole të qenies njerëzore në këto treva, për të dëshmuar kështu se derisa mali Sharr identifikohet me trevat në të cilat kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë shqiptarët, identifikohet  me qëndresën  shekullore të tyre në këto troje, identifikohet me lashtësinë, sepse është:

“Dëlir Sharr Ilir

Orë e mirë Sharr i dëlirë mal(l) ilir”

(Poezia e shkurtër “Orë e mirë Sharr Ilir).

Kjo është një nga poezitë e shumta të shkurtra të këtij autori, i cili me dy vargje thotë mjaft. Ato nganjëherë ngjajnë me sentenca, sepse japim porosi gjithmonë me karakter patriotik, përkatësisht atdhetar. Atdheu, po ashtu është një nga temat të cilit i këndon Bedri Hysa jo vetëm në këtë përmbledhje, por edhe në ato të mëparshme. Me Sharrin janë të lidhura shumë ngjarje, shumë ndodhi, që e kanë përcjellë popullin shqiptarë nëpër kohëra dhe rrethana të ndryshme.

“Me Sharrin tim flas kur e kur

Tani mundemi më lirisht

Në gjuhën e bukur lirisht

Më thotë sa tmerre pa valë valë

Por gjithherë ishte vertikal

Isha krenar jam mbijetesë

Me plisbardhët e mi me besë

Erdh e bekuara por bën mjegull”

(Poezia “Eja bashkë ta marrim malin”)

Në realitet Sharri identifikohet me atdheun, në të cilin kanë lind dhe janë rritë Skënderbeun, Nenë Terezen, por edhe Adem Jasharin, trima të dalluar që i  bënë nderë Atdheut. Aty janë zhvillua shumë beteja , janë përlesh shqiptarët me pushtues të ndryshëm, që për qellim kishin zhbërjen e shqiptarëve, përkatësisht përzënien e tyre nga trojet etnike, por që nuk ia arritën qëllimit. Sepse burrat e Atdheut e mbrojtën vendin duke u sakrifikua vetë.

Në këto hapësira jetojnë dhe veprojnë edhe plisbardhët, që në realitet janë shqiptarët.

“Të një gjuhë aq të lashtë vetë mrekullia

Bardh plisibardhë simfonia gjer të detet

Në pa kthim vanë dertet me rrëmetet

Kokë me kokë malet e në valle

Bashkë me trimat zanat shtojzovalle

Të një gjuhë të një fisi një misi plisi”

(Poezia “Nën një kulm”)

Pra plisi i bardhë është simbol i shqiptarisë, më të cilin edhe mburren ata që e mbajnë dhe janë krenar për pastërtinë e tij.

Marrë në përgjithësi poezia e Bedri Hysës është poezi me tone refleksive, poezi në të cilën i këndohet fatit të Atdheut, fatit të shqiptarëve dhe rrugëtimit të tyre nëpër valët e jetës dhe rrebeshet që e kanë përcjellë në këtë rrugëtim. Është poezi që  me metafora të bukura, të zgjedhura me mjeshtri dhe kujdes të duhur shpalosin botën e ndjeshme poetike të autorit të tyre, që është një ndër krijuesit e spikatur të poezisë bashkëkohore shqiptare, emër ky i merituar dhe i çmuar për vlerat e mirëfillta artistike, që i disponon dhe i shpalos në vargjet e veta, në poezitë nganjëherë edhe vetëm me dy vargje, por që janë përmbajtjesore. Dhe këto e bëjnë poezinë e Bedri Hysës që do të lexohet nga adhuruesit e shumtë, poezi që do t’u përcjelli gjeneratave mesazhe të qarta dhe kuptimplote.

 

(Pasthënie e  përmbledhjes që po sa ka dalë nga shtypi)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora