| E diele, 08.07.2012, 09:47 AM |
MUNGESA E
FAMILJARIT SHKAKTON TRONDITJE
Bedri Hysa “Shoka e ylberit”. Botoi N.Sh,”Jeta e re”- Prishtinë 2012
Shkruan Ali D. Jasiqi
Vdekja e
ndonjë anëtari të familjes, edhe pse dukuri normale, sepse kush ka lindur edhe
do të vdes, lenë gjurma të pashlyera në mendjen e kujtesën e njeriut. Vdekja është edhe më e rëndë kur vdesin ata të
moshës më të re, qoftë fjala për djalë apo vajzë, pa dallim. Sepse mungesa e një
anëtari të familjes lenë zbrastësi të pakompenzueshme. Dhe kjo mungesë reflektohen veçmas te njerëzit e ndjeshëm, çfarë
janë poetët. Dhimbjen e tyre ata e shprehin në vargje, qoftë kur është fjala për
vdekjen e personit të dashur, apo edhe për ndonjë tragjedi tjetër. Vdekja e fëmijës
para prindit është shumë e rëndë për prindërit, të cilët ndjenjat e veta i
shpreh në mënyra të ndryshme. Kjo ndjenjë hetohet edhe poezitë e përmbledhjes më
të re të Bedri Hysës, me titull “Shoka e ylberit”, i cili vdekjes së bijës i ka
kushtuar disa vargje përplot ngrohtësi, që e bëjnë lexuesin ta ndiejë thellë edhe
ai vdekjen e Teutës. Atë, pra të bijën, poeti ynë e quan loçka e babit. Madje
me këtë titull të ciklit janë përmbledhur poezitë kushtuar vdekjes të së bijës.
Në gjashtë poezitë e këtij cikli (nga gjashtë: sa ka e gjithë përmbledhja) me
tone elegjiake, autori shpreh ndjenjat më të thella që mund t’i ketë një prind
për fëmijën e vet, që nuk është më në mesin e të gjallëve. Ai e përkujton atë si
fëmijë, si vajzë që luante me vëllai, pastaj si nuse e bukur dhe më në fund
edhe vdekjen e saj të hershme, që i vjen në arkivol nga Lozana e Zvicrës ku
jetonte.
Me vajzën e vet poeti është çdo ku dhe kudo,është me kujtimet për te që nuk mund të pajtohet me realitetin dhe e merr shumë rëndë mungesën fizike , duke u shprehur se:
“Dhëmbje
e madhe sillet vërdallë
Qe fëmija
prindin ta varros
Dhëmbje më
të madhe a ka vallë
Prindi
mbetka kufomë e gjallë
Kahdo të sillem
të mbështillem
Si të (m)lidhem “
(Kudo kahdo me ty Teutë)
Të kësaj
natyre janë edhe poezitë tjera elegjiake kushtuar Teutës, që për poetin është mbretëreshë. Poeti e përkujton si fëmijë, si engjëllushë,
duke e quajtur edhe e Bukura e Dheut që prindi me dëshirë do ta zëvendësonte atë
në arkivol. Dhe atij i duket e padrejtë që fëmija të vdes para prindit “Pse s’e
merr prindin në vend të saj“ – pyet poeti në poezinë me të njetin titull. Teuta
ishte e re që të shkonte në jetën e amshueshme, duke e lenë babain gjysmë të gjallë,
andaj edhe e lut që të zgjohet edhe njëherë dhe ta puthë me afshim fëmijëror
prindin e vet të dashur. Është fare e natyrshme sepse prindin nuk mund të pajtohet
asnjëherë me faktin se fëmija i tij nuk është më në mesin e të gjallëve. Ajo
mbetet në kujtime të paharruara, në kujtime që nganjëherë sjellin edhe lot mallëngjimi,
veçmas në vende që paraqesin një kujtim nga jeta, siç është rasti me Shtojin e
Ulqinit ku kishin kaluar ditë të bukura, dhe tani poeti e kujton vajzën, ndërsa
ia heton lotin në sy. Në poezinë e shkurtër “31 dhjetor 2010” Bedri Hysa e
mallkon këtë vit të Zi, siç e quan ai, që e xhindosi dhe ia mori më të shtrenjtën
Teutën, të cilën edhe njëherë e lut që të mos shkojë pa të edhe poetin. Edhe në
këtë poezi e përsëritet konstatimin se ajo ishte e re për dhe, pra për të vdekur.
Subjekti lirik i poezisë se Bedri Hysës është mjaft i gjerë. Motivi i vdekjes i së bijës është një nga motivet e shumta të poezisë se Bedri Hysës, i cili me kohë e ka formua stilin e vet, që është të thuash i veçantë dhe dalluese, e ka formuar botën e vet poetike dhe mjeshtërinë e të shprehurit artistik. Vlen të theksohet se edhe në këtë përmbledhje dy mbesin metaforat më karakteristike të kësaj poezi. E ato janë Sharri dhe plisbardhët, si dy simbole të qenies njerëzore në këto treva, për të dëshmuar kështu se derisa mali Sharr identifikohet me trevat në të cilat kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë shqiptarët, identifikohet me qëndresën shekullore të tyre në këto troje, identifikohet me lashtësinë, sepse është:
“Dëlir
Sharr Ilir
Orë e mirë Sharr i dëlirë mal(l) ilir”
(Poezia e shkurtër “Orë e mirë Sharr Ilir).
Kjo është një nga poezitë e shumta të shkurtra të këtij autori, i cili me dy vargje thotë mjaft. Ato nganjëherë ngjajnë me sentenca, sepse japim porosi gjithmonë me karakter patriotik, përkatësisht atdhetar. Atdheu, po ashtu është një nga temat të cilit i këndon Bedri Hysa jo vetëm në këtë përmbledhje, por edhe në ato të mëparshme. Me Sharrin janë të lidhura shumë ngjarje, shumë ndodhi, që e kanë përcjellë popullin shqiptarë nëpër kohëra dhe rrethana të ndryshme.
“Me
Sharrin tim flas kur e kur
Tani
mundemi më lirisht
Në gjuhën
e bukur lirisht
Më thotë sa
tmerre pa valë valë
Por
gjithherë ishte vertikal
Isha
krenar jam mbijetesë
Me
plisbardhët e mi me besë
Erdh e
bekuara por bën mjegull”
(Poezia “Eja bashkë ta marrim malin”)
Në realitet
Sharri identifikohet me atdheun, në të cilin kanë lind dhe janë rritë Skënderbeun,
Nenë Terezen, por edhe Adem Jasharin, trima të dalluar që i bënë nderë Atdheut. Aty janë zhvillua shumë beteja
, janë përlesh shqiptarët me pushtues të ndryshëm, që për qellim kishin zhbërjen
e shqiptarëve, përkatësisht përzënien e tyre nga trojet etnike, por që nuk ia
arritën qëllimit. Sepse burrat e Atdheut e mbrojtën vendin duke u sakrifikua
vetë.
Në këto hapësira jetojnë dhe veprojnë edhe plisbardhët, që në realitet janë shqiptarët.
“Të një gjuhë
aq të lashtë vetë mrekullia
Bardh
plisibardhë simfonia gjer të detet
Në pa
kthim vanë dertet me rrëmetet
Kokë me
kokë malet e në valle
Bashkë me
trimat zanat shtojzovalle
Të një gjuhë
të një fisi një misi plisi”
(Poezia “Nën një kulm”)
Pra plisi
i bardhë është simbol i shqiptarisë, më të cilin edhe mburren ata që e mbajnë dhe
janë krenar për pastërtinë e tij.
Marrë në përgjithësi
poezia e Bedri Hysës është poezi me tone refleksive, poezi në të cilën i këndohet
fatit të Atdheut, fatit të shqiptarëve dhe rrugëtimit të tyre nëpër valët e jetës
dhe rrebeshet që e kanë përcjellë në këtë rrugëtim. Është poezi që me metafora të bukura, të zgjedhura me
mjeshtri dhe kujdes të duhur shpalosin botën e ndjeshme poetike të autorit të tyre,
që është një ndër krijuesit e spikatur të poezisë bashkëkohore shqiptare, emër
ky i merituar dhe i çmuar për vlerat e mirëfillta artistike, që i disponon dhe
i shpalos në vargjet e veta, në poezitë nganjëherë edhe vetëm me dy vargje, por
që janë përmbajtjesore. Dhe këto e bëjnë poezinë e Bedri Hysës që do të lexohet
nga adhuruesit e shumtë, poezi që do t’u përcjelli gjeneratave mesazhe të qarta
dhe kuptimplote.
(Pasthënie
e përmbledhjes që po sa ka dalë nga
shtypi)