E diele, 28.04.2024, 04:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Poeti në Kopshtin e Fshehtësive

E diele, 08.07.2012, 09:24 AM


Poeti në Kopshtin e Fshehtësive

Ndue UKAJ: LIBRA POETIKë “Ujëvarat e metaforave” (botoi “m&b”, Tiranë 2008) dhe “Godo nuk vjen/ Godo is not coming/ Godo no viene” (Lulu Enterpress, USA 20120)

Shkruan: Prend BUZHALA

Cilën kahe duhet ta ndjekë pas, poeti? Atë të ëndrrës sonë për ta bërë vetveten, atdhesinë e shenjtë, kombin, apo atë të vetëdijes ironike për të gjitha rrëgjimet tona të brendshme, kombëtare e personale?

Të duket sikur brenda këtyre dy karakterizimeve procedimore përplaset edhe poeti Ndue Ukaj, tek të dy librat e tij poetikë ""Ujëvarat e metaforave" (2008) dhe "Godo nuk vjen" 2010 (ky i fundit, me përkthimet anglisht dhe spanjisht nga Peter Tase). Për t'i pajtuar këto dy përplasje procedimore-tematike, të kundërta, poeti tashmë e ka gjetur atë postulatin e harmonisë e të harmonizimit, me preokupimin e tij kryesor, për vargun poetik, për fjalën artistike, për artin e thënies poetike. Zaten, pos këtyre tri punkte-caqeve që thurin qarkun tematik e botën e pasur të ideve poetike, te kjo poezi, shpesh e shpesh, hasim edhe këngën për dashurinë, lirikën e meditimit, atë të një intertekstualiteti (një komunikim poetik me autorë e krijime të letërsisë botërore e shqiptare, kurse gjurmët e kësaj lekture intelektuale, i gjemë të rikrijuara në frymën poetike-meditative), me mitin e historinë... me pjesëza autopoetike e me vulë të theksuar autobiografike personale. E pra, poezinë e Ndue Ukajt e karakterizon një hapësirë sadopak e gjerë tematike... Nga ana tjetër, sado që kjo "harmoni" pikësynon pajtimin e këtyre "dy vetëdijeve", megjithatë, poeti, në orkestrimin formal të vargut, nuk ndjek rregullat klasike të vargut, rimën dhe melodinë, por vargun e lirë, rimën e ritmin e dekonstruktuar, me gjatësi të ndryshme. “Harmonia është rezultat i kontrastit” do të thoshte Jakobson, mbasi bota është e krijuar prej elementësh të kundërt. Nga këto kundërshti e kontraktime, edhe poezia vjel prirjet e fshehura, të fshehtën, magjinë dhe misterin.

1. Tërësitë konceptuale poetike:

midis empirisë dhe iluzionit

Nuk është e habitshme, prandaj, pse në thurjen e vargjeve të tilla, hasen edhe antonime tekstore prozoide... kurse forma e tillë e imponon edhe thukninë e vargut, kund e kund fragmentaritetin, dhe gjithsesi, primesat poetike, kurse poetikja shqiptohet si kategori më vete... Që të dy librat poetikë nuk ndahen në cikle. Lexuesi e ndien edhe ndaljen “në stacione” për t’i kundruar tërësinë e disa poezive me botë të përafërt ideore, tematike a motivore.

E pra, ka një ndërlidhje të habitshme të jetës dhe vdekjes te kjo lirikë meditative e Ndout, një ndërlidhje mes pohimit e mohimit, pranisë (së qenies) dhe mungesës (së lirisë, vetërealizimit të qenies). Dhimbja është ajo që ndërlidh të kundërtat e fenomeneve ekzistenciale...

Nëse libri i parë "Ujëvara e metaforave" do t’i shërbejë poetit si një vatër poetike e impulseve programatike, të brendshme; libri i dytë vjen me impulse më të pjekura, më të njënjëshme, më unike. Sado që poeti më se njëherë e shqipton atë postulatin e moçëm të përvojave të kryehershme si tejkohë e gjithëkohësi mitike; si mitografi mbikohore; megjithatë ai preokupohet me kohën tonë, me aktualitetin tonë; shfaq në përleshje me psiko-situatat e rënda intime e kolektive; me mjegullnajat, përhumbjet e tjetërsimet e qenies, me humbjen edhe të imazhit tënd në pasqyrë:

Papritur tretet nga thartira që të qet zorrët

Tëhuajësohet mendja dhe humb imazhin në pasqyrë

Dhe, së këndejmi, ky aktualitet revolte, i errësirës së shpirtit dhe qenies, si fatalitet e angështi kohe e socialiteti; merr vlerat e përgjithshme, universale. E pra, lexuesi shquan ankthin, kotësinë, ftohtësinë e atmosferës njerëzore, angështinë e vetmisë; i shquan ato gjendjet e ankthshme shpirtërore e psiko-ezksitenciale, ato ngjethjet e neverisë e të tmerrit social e personal... shenja lirike, këto, që shënjojnë katandisjen e kohës, zhveshjen nga vlerat e saj, kur poeti detyrohet të përhumbet plotësisht “në lakuriqësinë e poezisë’. Prandaj, në këso rastesh, nuk ka se çka të kërkojë metafora në farkë e krijim-leximit e të ligjërimit të tillë poetik! Të duket sikur poeti  na e bën një kurthim të leximit, kur librin na e vë përpara me titullin “Ujëvara e metaforave”! Në këso momentesh, edhe diskursi poetik merr pamje e anë kah shqiptimi i një thënieje eseistike-meditative; merr pamjen e një ndërthurjeje formale e formalizuese gjuhësore. Prandaj, poeti përpiqet që të gjitha gjërat/idetë që përfshihe  brenda strukturës së një poezie; të emërtohen formalisht e me precizitet ligjërimor, të kenë vlerën e tyre ligjërimore-emërtuese. Mandej poeti zbret në tryezën e përsiatjeve e të poetikës vetanake të fjalës, të metapoezisë (“Gjyqi për vjershën time”, “Alfabet im”, “Iluzionet e fjalës” e shume të të tjera) ku poeti e vendos thënien e tij mbi principin e deshifrimit tepër të vështirë të figurave të pakuptimta të jetës e të fragmenteve të copëzimit të qenies :

shkronjat si gurë zbresin

në alfabetin me figura të pakuptimta

Në këtë tryezë të meditimit metapoetik, lind iluzioni i fjalës (poezia “Iluzioni i fjalës”), një shkëputje e harresë nga thelbet e realitetit...

2. Ritmi i dekonstruktuar poetik

Në këtë vazhdë, përgjatë dy librave poetikë, poeti preokupohet me fjalën. Ky iluzion ngërthen shtresime të gjata kohore; shfaqet si shajni e moçme, si perceptim i shtrembëruar, që t’i imponojnë rrethanat nga jashtë. Dhe kur na shfaqet ajo empiria e këtij iluzioni, atëherë poeti e sheh psiko-situatën, në të cilën ndodhet folësi i tij lirik: ekzaltimi i dikurshëm i dashurive ka humbur, realiteti i iluzioneve është dekonstruktuar, kurse zgjimi i brendshëm e detyron ta këndojë vetëdijen e shpëtimit:

Nëpër horizonte të papara shtrydhen ndjenjat si në bronz

Në shtratin e çelur varrë

S’numërohen regjistrat e pafundme të dashurive

Vetëm fjalët lidhen për iluzione marrëzisht

Folësi lirik më nuk pranon ta gënjejë veten, të nanuriset nëpër boshllëkun e shpresave, nëpër zbrazëtinë e ëndrrave. Ai e ka kuptuar se gjithë ky horizont i tillë, na është i stisur, pra një përrallë (poezia “Përralla e moçme”). Sikur ‘përralla” dhe “iluzioni” na u bënë një “sistem” shoqëror”, një “rregull” jetese. Prandaj poeti jepet pas një kërkimi tjetër: atij të çlirimit. Pas rendit të së vërtetës.

Si flamur disfatash e arenë kujtimesh

Të gjejë gjurmët e t’vërtetës në ngrehinat prej lotësh

Ndërkaq, ky kërkim e ka edhe mblatën e vet të bukur (“Me kërkue është art si me puthë diellin”).  Duke ndjekur dy udhë: udhët e të vërtetës, të mbuluara me bashkat e mjegullës, iluzioneve, përrallave, nga njëra anë; dhe duke ndjekur udhët e kërkimin në art, nga ana tjetër; poeti ndalet për ta zhdrivilluar kohën shumëngjyrëshe. Kjo nuk na është as kohë e Virgjilit, as e Judës me Krishtin,as e lumit të Heraklitit. Madje, subjektit poetik i ndodh dy herë të lahet në të njëjtën kohë! (“njëherë me zjarr përvëlues/ Pastaj me artin e heshtjes dhe ujin e uratës”). Kaq e lashtë kjo tokë, por e goditur nga antikoha! Nëse është në natyrën e poetit të kërkojë ujët e uratës dhe artin e heshtjes; kundruall humbjeve e pësimeve shpirtërore; nuk është e habitshme pse krijuesi njeh këtë rend gjërash: të bukurën në art, por krizat, humbjet, vuajtjet e dhembjet e pafund në hapin e qitur tek realiteti që e rrethon. Has në pengje, drama, kompromise,  në kohë teknike, në kujtime të mermerta, në vjeshtë të shpirtit, i duhet të këndojë balada për poetët vetmitarë – që të gjitha këto njësi semantike mbajnë edhe titujt e poezive. S’ka se si të mos jepet, në këso gjendjesh, pas krijimit (Zoti “poetët i futi në Kopshtin e Fshehtësisë”). E atëherë, si t’i pajtosh këto dy botë kaq të kundërta? Kur realiteti mohon artin (“S”ka vend për art, sa trishtueshëm, s’ka vend për poezi”),atëherë ç’i mbetet poetit, ç’i mbetet poezisë? Iu mbeten Fjala dhe Dashuria (poezia “Thirrje”). Kjo është “alternativa” e krijuesit, kundruall dergjjes së shpirtit, kundruall një realiteti që ia zë frympn poezisë (poezia “Në kohën teknike”) dhe ku përmasat e tjetërsimit janë tragjikisht të rënda. Nuk është e rastit, prandaj, pse në vazhdim na vijnë dy poezi që marrin formën e poemës: “Kënga e dritës” dhe “Vetëm heshtje” –  për ta kërkuar qetësinë vetanake, prehjen e shpirtit. Te e para - për ta kërkuar Fjalën, lumturinë e të shkruarit dhe te e dyta Dashurinë, krahët e heshtjes. Poeti shpesh e shpesh preokupohet dhe mahnitet nga fenomeni mes heshtjes dhe fjalës, gjuhës dhe vdekjes, fjalës dhe botës shpirtërorë... Së këndejmi, hapësirat e Fjalës na shfaqen e shqiptohen në thellësitë që ngërthen gjuha lirike. Në këso rastesh, poeti ndien diçka të re, të mistershme aq sa edhe konkrete, të gjallë aq sa edhe të amshueshme, të mahnitshme aq sa edhe drithëruese. Fjala shfaqet e lakohet poetikisht në shumë trajta të saj.

3. Jehonat intertekstuale

Lirika intertekstuale jepet në kërkim të fenomenologjisë së zonave kohore e mbi-kohore të së sotmes. Në kërkim edhe të një fenomenologjie vetanake. Poezitë “Poet me u ba”, “Tek kështjella e Hamletit”, hyjnë në kuadrin e një tërësie konceptuale tekstore, kurse të përafërta janë edhe peonit e tipi natura naturata, që dialogojnë (me jehona të tilla intertekstuale) ose që iu kushtohen Pjetër Bogdanit, At Gjeërgj Fishtës, Nënës tereze, Anyton Pashkut, Ibrahim Rugovës, apo Rifat Kukajt. Në këso rastesh, teksti poetik bëhet intertekst artistik.

Kur lexojmë ndonjë libër, gjithsesi që kërkojmë kuptimet e tyre, shtresat semantike që ngërthejnë ato. Së këndejmi, kritika e sotme nuk del nga kuadri i dikurshëm i leximit: të nxjerrësh kuptimet nga një tekst, përbën një interpretim, një lexim letrar. Akti i leximit na zhyt në rrjetin e marrëdhënieve tekstuale, kurse "leximi është proces që lëviz në mes teksteve" (Graham Allen). Edhe tek kjo tërësi konceptuale poetike e Ndue Ukajt, hasim kuptimet e ndërmjetvetshme në mes tekstit të thurur lirik dhe korrespondimit me autorë e tekste të kodeve, sistemeve e të traditës letrare shqiptare e botërore. Stilin e tillë procedimor artistik (me origjinë nga linguistika e Sosyrit, si dhe nga veprat studimore të strukturalistëve e poststrukuralistëve), shumë studiues e kritikë letrarë e përkufizojnë me nocionin postmodernizëm që nga fundvitet ‘70, ndërkaq, dihet se termin intertekst, e para e përdori Julia Kristeva ((vepra “Fjalë, dialog, dhe roman”), ajo që Bahtin e quan imagjinatë dialogjike, dialogjizëm, kronotopi dhe heterotopi. Porse ky nocion haset edhe në shqyrtimet e fushave tjera të kulturës dhe arteve, në film e në pikturë, etj. Tekstet e tilla poetike ndërthurin një vizion të ri, një mbitekst poetik. Te poezia Tek kështjella e Hamletit”, vizioni poetik buron nga njohja e veprës së Shekspirit e nga vizita që i bëhet kësaj kështjelle, nga njëra anë; porse ajo ngërthen edhe paradigmën e një dialogimi me tekste të ngjashme poetike të traditës sonë (bie fjala, me një poezi të tillë të Kadaresë).

Jehona e tillë intertekstuale, bartet edhe te libri i dytë “Godo nuk vjen”, sidomos tek poezitë që kanë emër-shenjën e përbashkët “Godo” (figurë asociative e personazhit të Beketit, që sugjeron paradoksin alegorik të pritjes, një humnerë të boshllëkut, asgjësë). Madje, libri i dytë shënjon një shkallë më të ngritur poetike, një hapësirë e re, e ardhur si jehonë nga libri i parë. “Kufijtë e librit asnjëherë nuk janë të qartë: ata gjenden edhe jashtë një titulli, jashtë linjës së parë, jahtë konfigurimit të tij të brendshëm e trajtës së tij të pavarur, tek përfshihet në strukturën e referencave të linrit të dytë, të teksteve tjera, të thënieve tjera. Kjo është një nyjë në një rrjet.” (Michel Foucault). Në fakt, ajo që më pare quhej metapoezi, metafikcion, tani quhet postmodernizëm. Shtresat e tilla (metapoetike) shtrihen në të dy librat e poezive. Borhesi do ta quante fikcion edhe realitetin konkret! Prandaj, edhe pritja e “Godosë” merr domethënien e një realiteti fiktiv. Libri i dytë ka një shtrije hapësirash emocionale e ekzistenciale të gjerë: ai i këndon emigrantit, gruas, dashurisë, poezisë, historisë, jepen refleksione mbi kohën, kurse ky reflektim shpesh e shpesh shndërrohet në ndjeshmëri evokuese.: ku njeriu është një plaçkë e gjuajtur dhe e përbuzur, kurse atdheu i tij si një leckë që përbuzet, si guackë moderne apo qytet i dhimbjeve. Porse tekstet e tilla thuren edhe mbi mitet (“Odiseu modern”), mbi shenjat e një aventure e Itake të re. Nuk është e habitshme, pse në të dy librat Ndue Ukaj kërkon pastërtinë e qenies identitare, qenies shpirtërore-kombëtare, të cilën shpesh e njollosin krimba dhe gjarpërinj.

Poeti gjendet gjithmonë në anën e të lënduarve, me revoltën e tij poetike-jetësore e me verbin e tij rebelues.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora