E premte, 26.04.2024, 06:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Myzafere Mustafa: Relacioni, heroi, natyra, fuqitë mbinatyrore në përrallë

E diele, 10.06.2012, 09:20 AM


RELACIONI HEROI, NATYRA, FUQITË MBINATYRORE NË PËRRALLË

Nga Dr. Myzafere Mustafa, Instituti Albanologjik,  Prishtinë

Përmbajtje  e shkurtër:

Përralla me botën e saj të pasur, në strukturën e saj thellësore reflekton edhe kuptime që determinojnë botëkuptimet e njeriut në relacion me natyrën dhe me kozmosin. Pjesë e natyrës konsiderohen ndihmësit, këshillëdhënësit dhe kundërshtarët. Si ndihmës këshillëdhënës dhe kundërshtarë në përrallë veprojnë qeniet natyrore, qeniet dhe fuqitë mbinatyrore. Tri kategoritë e përrallës heroi, ndihmësi, kundërshtari mund të zëvendësohen me kategoritë njeriu, natyra, fuqitë mbinatyrore. Përralla  ka diskursin e saj specifik me një strukturë simbolike, e cila strukturë mund të interpretohet vetëm përbrenda saj, meqë ajo përmban në vete të vërtetën e brendshme thellësore.

Përralla refleksion i botëkuptimeve njerëzore

Përralla dhe shtresat e saj kuptimore përveç interpretimit  në rrafshin letrar  artistik,  psikologjik etj., mund të interpretohet edhe në rrafshin mitologjik, si zhanër që reflekton njohuritë dhe botëkuptimet njerëzore për natyrën, kozmogoninë dhe kosmologjinë, ku disa nga figurat e përrallës sidomos ndihmësit dhe këshillëdhënësit  konsiderohen pjesë e natyrës që bashkëveprojnë me  heroin. Këtë qasje e dëshmon përbërja e  përrallës, ku heroi në një sërë krijimesh bashkëvepron  me qenie të ndryshme  të natyrës si: insekte, shpezë, kafshë, qenie mitologjike, apo dukuri të natyrës dhe  përbërës të kozmosit. Gjatë aksionit apo veprimit, heroi i përrallës  ballafaqohet dhe bashkëvepron me insekte si: thneglat, bletët; me shpendët e ndryshme si: pëllumbi, shqiponja etj.; me krijesa të natyrës që i kundërvihen atij si: kuçedra, llamja, dragoi etj.; apo  trupat qiellorë dhe dukuritë natyrore si: dielli, hëna, era etj. Hetohet sidomos roli i gjarprit i kuçedrës, dragoit në funksion  të personazhit  bashkëveprues apo në funksion të ndihmësit apo kundërshtarit. Të gjitha këto krijesa në përrallë mund t’i konsiderojmë si premisa të botëkuptimeve të lashta lidhur me natyrën, kosmologjinë apo kosmogoninë. “Lidhja e njeriut me natyrën nuk është vetëm fizike dhe materiale e biologjike, por edhe psikologjike, morale, shpirtërore... Lidhja shpirtërore e njeriut me natyrën vjen duke u rikthyer përmes praktikave sociale, kulturore, shkencore... Format e reprezentimit social të natyrës tek popujt dhe kulturat e ndryshme paraqesin bazë të fortë identitare për ata popuj dhe ato  kultura. Sistemi kulturor, sistemi i simboleve dhe i besimeve, mitologjia etj., tek të gjithë popujt, përveç funksionit komunikativ integrativ në shoqëri ka pasur  edhe funksionin e ruajtjes ose të rikrijimit të baraspeshës në natyrë. Edhe ndër shqiptarë ka shumë elemente kulturore arkaike, kulte e besime, mite apo legjenda ... të cilat mund të nxjerrin në shesh funksionin e baraspeshës ndërmjet njeriut dhe natyrës, ndërmjet shoqërisë dhe mjedisit.”[1]

Në përrallë heroi veprimin e kryen jashtë shtëpisë së vet, shtëpia shënjon hapësirën e mbyllur të mbrojtur, ku nuk mund të hyjnë forcat e huaja kundërshtare. Që të zhvillohet  veprimi heroi duhet të dalë nga hapësira e mbyllur, për t’u  ballafaquar me  figurat e tjera dhe për të zhvilluar aktivitetin. Këto figura jetojnë zakonisht jashtë në natyrë të hapur, jashtë hapësirës ku jeton heroi i mbrojtur. Në rastet kur figurat antagoniste jetojnë në hapësirë të mbyllur, kjo  hapësirë konsiderohet  si  e huaj dhe  rrezikshme për heroin.[2]

Forcat apo figurat me të cilat ndeshet heroi dhe të cilat e nxisin dhe e mundësojnë veprimin e mëtutjeshëm të tij dhe zhvillimin e ndodhisë, herë shfaqen si bashkëveprues, pra si ndihmës apo aleatë e herë si kundërshtarë. Pozita dhe funksioni i tyre varet nga strukturimi i segmenteve të veprimit. Duke qenë se këto forca jetojnë në natyrë, vetë ekzistimi dhe qenia e tyre  mund të identifikohen dhe të emërtohen si pjesë e natyrës.

Fati i individit interes esencial i përrallës

Interesi esencial i përrallës është i orientuar në fatin e individit në procesin  e formimit të personalitetit[3] dhe të afirmimit të tij në mesin shoqëror, prandaj në rrugëtimin e gjatë përralla e ballafaqon heroin me probleme të rëndësishme fizike dhe metafizike, me çështje të jetës dhe të vdekjes, të dashurisë dhe  të seksit, të vuajtjes, fatit dhe suksesit. Nëpërmjet sjelljeve dhe veprimeve të heroit përralla i ofron marrësit mundësinë  e  qasjes apo depërtimit në disa parime abstrakte morale dhe shoqërore por edhe në identifikimin e disa parimeve  apo botëkuptimeve për natyrën dhe kozmosin në përgjithësi. E mira dhe e keqja në përrallë përfaqësohen në mënyrë të barabartë, ky dualitet shënjon problemin  moral shoqëror, i  cili problem kërkon zgjidhje. Formimi i personalitetit arrihet nëpërmjet realizimit të pranimit, vetëformimit, pjekurisë dhe integrimit të plotë në rrethinën  apo mjedisin shoqëror. Realizimin e qëllimeve të heroit e ndihmojnë bashkëpjesëmarrësit, ndihmësit dhe kundërshtarët, të cilët mund të konsiderohen pjesë të natyrës, të cilën njeriu e konsideron pjesëmarrëse në aktivitetet e tij. Në strukturën e përrallës, në rrjedhën e saj narrative, natyra dhe fenomenet natyrore shfaqen si bashkëvepruese aktive, të cila veprojnë në favor të heroit me rastin e zgjidhjes së situatave konfliktuale, meqë heroi nis aventurat për t’u ballafaquar me kundërshtarin, i cili kishte bërë shkaktimin e dëmit, kishte inicuar shkaktimin e dëmit, apo kishte nxitur një gjendje të pakënaqësisë. Kornizën e përrallës e përbëjnë tema e situatës fillestare dhe shthurja. Temë e situatës fillestare janë marrëdhëniet familjare, harmonia e atyre marrëdhënieve dhe prishja e asaj harmonie, ndërsa shthurja (përfundimi i përrallës) kurorëzohet me ndryshimin e statusit individual dhe shoqëror të heroit nga pozita inferiore deri te arritja në afirmimin dhe integrimin e plotë të tij në familje dhe shoqëri. Pjesa e mesme apo nukleusi i përrallës përbëhet nga vëniet në sprovë të heroit, të cilat sprova konsistojnë në takimin me dhuratëdhënësin, apo këshillëdhënësin. Pas kalimit të sprovave, dhuratëdhënësi apo këshillëdhënësi, ia dhuron  heroit  mjetin mitik për kryerjen e detyrave të rënda, apo vetë do t’ i vijë në ndihmë si ndihmës mitik, apo do ta këshillojë heroin se si duhet t’u përmbahet rregullave që t’i kryejë me sukses detyrat e rënda. Funksionet takimi me dhuratëdhënësin (këshillëdhënësin - aleatin), marrja e mjetit mitik, zhvillohen në një interaksion në mes të heroit dhe natyrës apo heroit dhe përbërësve të kozmosit apo dukurive kozmike, apo në mes të heroit dhe qenieve mbinatyrore. Roli i dhuratëdhënësit (këshillëdhënësit) apo ndihmësit mitik është në funksion të ndihmësit të heroit. Takimi me dhuratëdhënësin apo këshillëdhënësin  është në funksion të eliminimit të pengesave që do të shfaqen gjatë veprimit të mëtutjeshëm të heroit për realizimin  e  qëllimeve të tij. Dhuratëdhënësi apo këshillëdhënësi  e ndihmon  heroin pasi ai t’i  kalojë zakonisht një apo tri sprova, nëpërmjet të cilave dëshmon se i njeh rregullat shoqërore të sjelljes. Kalimi i sprovave kushtëzon ndihmën që do t’ia ofrojë më vonë dhuratëdhënësi apo këshillëdhënësi gjatë  kryerjes së detyrave të rënda. Kjo ndihmë mund të jetë konkrete si shpëtimi nga ndonjë rrezik që i kanoset heroit gjatë ballafaqimit me qenie më të afta se ai apo me qenie të rrezikshme, apo gjatë testimit të inteligjencës së tij, me ç’rast ai duhet të japë përgjigje adekuate. Pas kalimit të sprovave që zakonisht janë tri, heroit i dhurohet mjeti mitik, të cilin do ta përdorë sipas nevojës, kur të shfaqet ndonjë telashe me rastin e ballafaqimit me kundërshtarin, i cili zakonisht ka fuqi mbinatyrore.

Kafshët, insektet, shpendët etj., që në përrallë mund të shfaqen, herë si kundërshtarë e herë si ndihmës, janë përfytyrim i parimeve të natyrës, si pjesë e natyrës që janë shumë afër qenies njerëzore.

Marrëdhënia  heroi : ndihmësi : kundërshtari

Në përrallë  shfaqet marrëdhënia e tri kategorive[4] heroi : ndihmësi : kundërshtari.

Secili nga këta pjesëtarë është reprezentues i kategorisë së caktuar përkatëse që së bashku e përbëjnë tërësinë e universit të menduar. Këto kategori janë në mes vete në raporte kundërshtie. Heroi i përrallës gjithnjë është njeri që i takon një mjedisi shoqëror, për dallim nga heroi i mitit i cili ka veçori dhe fuqi mitike. Ndihmësi është qenie e natyrës e cila e posedon dijen dhe fuqinë, që janë të domosdoshme për t’iu kundërvënë kundërshtarit të heroit. Kundërshtari shfaqet si figurë me veçori mbinatyrore, si qenie me veti demoniake, apo si kafshë me veti antropomorfe, ai i takon kategorisë të mbinatyrshmes. Në përrallë tri kategoritë: heroi : ndihmësi : kundërshtari mund të zëvendësohen me kategoritë: njeriu : natyra : fuqitë mbinatyrore.

Opozita heroi: kundërshtari mund të barazohet me opozitën njeriu: fuqitë mbinatyrore.

Shkas i nisjes së veprimit në përrallë është shfaqja e pakënaqësisë me gjendjen ekzistuese të heroit apo shkaktimi i dëmit nga ndërhyrja  e jashtme. Veprimi nis me largimin e heroit nga shtëpia nga hapësira e tij e mbrojtur për t’u ballafaquar me natyrën e hapur, ndërsa motivacion është veprimi i tij për t’iu kundërvënë kundërshtarit apo për ta eliminuar shkaktimin e dëmit të bërë nga ai. Me zgjidhjen e problemit evitohet shkaku i dëmit apo pakënaqësia, pra mposhtet shkaktari i dëmit, merret objekti apo personi i kërkuar, evitohet pakënaqësia dhe rivihet harmonia, e cila ishte prishur nga shfaqja e pakënaqësisë së heroit apo me ndërhyrjen e kundërshtarit. Heroi e shfaq gatishmërinë për t’iu  kundërvënë kundërshtarit por ai këtë e bën jo pse posedon dije dhe aftësi por nga shtytjet e brendshme. Kur ai e fillon aksionin nuk e posedon dijen, mjetet përkatëse të nevojshme dhe fuqinë. Të gjitha këto i arrin nëpërmjet ndihmësve. Duke iu përshtatur nevojave dhe kërkesave të tyre gradualisht arrin përvetësimin e njohurive dhe aftësive. Këtë pozicion e karakterizon modaliteti Me dashtë. Modaliteti i opozitës heroi : bashkëveprimtari është i  barabartë me modalitetin e opozitës njeriu : natyra.

Në takimin me bashkëveprimtarin heroi nuk e ka fuqinë e veprimit dhe njohuritë për të vepruar i pavarur, por ai ka njohurinë për kodin e dëshiruar të sjelljes shoqërore. Me aplikimin e kodit të sjelljes shoqërore, me shpërnderimin e shërbimeve dhe me marrëveshjen me bashkëveprimtarin do të arrijë ta fitojë ndihmën e tij. Këtij opozicioni i përgjigjet modaliteti me ditë.

Çifti i opozitës bashkëveprimtari : kundërshtari është i barabartë me çiftin e opozitës natyra : fuqitë mbinatyrore

Në sprovën e dytë të heroit, që zakonisht është lufta me kundërshtarin, shfaqet në skenë ndihmësi (bashkëveprimtari), ai posedon njohuritë për kodin e sjelljes jo shoqërore, i cili është jashtë fuqisë njerëzore dhe i cili ndihmon përdorimin e fuqisë për mbizotërimin e kundërshtarit. Këtë opozitë e karakterizon modaliteti me mujtë.

Modalitetet me dashtë, me ditë dhe me mujtë kur të vendosen në raporte të ndërsjella të rregulluara japin pasqyrën e rendit shoqëror dhe kulturor dhe mundësojnë mbijetesën dhe ekzistencën e njeriut. Prishja e marrëdhënieve të ndonjërit nga modalitetet kërcënon prishjen e rendit të vendosur. Këto raporte i përgjigjen skemës .

Njeriu,shoqëria : natyra : fuqitë mbinatyrore

Socializimi i natyrës

Ruajtja e rendit shoqëror dhe kulturor dhe mbrojtja e tij nga forcat kërcënuese që janë mbi fuqinë e njeriut arrihet nëpërmjet përvetësimit të disa fuqive natyrore, në kuptimin simbolik duke e socializuar natyrën. Nëse përsëri shikohet opozita ndihmës : kundërshtar

e cila mundëson zgjidhjen në përrallë mund të supozohet se në thelbin e kësaj opozite qëndron parimi logjik se vetëm kategoritë e njëjta mund t’i kundërvihen njëra tjetrës. Kjo do të thotë se edhe forcat mbinatyrore, nga një aspekt më i gjerë i takojnë sferës së natyrës. Nga kjo pason edhe sqarimi i kodit “jo shoqëror” të sjelljes, i cili qëndron  në thelbin e proceseve shoqërore dhe të parimeve, e të cilët nuk përfshihen në ndikimet e kulturës dhe të shoqërisë, dhe në këtë aspekt janë jashtë njeriut. Nëse pra ndihmësin (bashkëvepruesin) dhe kundërshtarin i kuptojmë si “natyrë”, atëherë në raport me njeriun ndihmësi shfaqet si “natyrë joantagoniste”, ndërsa kundërshtari si “natyrë antagoniste”. Kështu relacioni njeriu: natyra: fuqitë mbinatyrore mund të zëvendësohet me relacionin

njeriu:marrëdhënia jo antagoniste me natyrën

njeriu: marrëdhënia antagoniste me natyrën

Në këtë mënyrë mund të thuhet se pjesa nukleare apo qendrore e përrallës është opozita  Njeriu : Natyra

Përralla na rrëfen se njeriu posedon dëshirën dhe diturinë me të cilën mund t’i zotërojë fuqitë që e mbizotërojnë atë e që konsiderohen si forca të rrezikshme, këto forca i mbizotëron nëpërmjet të natyrës si mediator. Por për ta zotëruar natyrën ai duhet ta socializojë atë dhe në ligjet natyrore t’i projektojë normat e rendit shoqëror dhe moral. Kjo  zgjidhje e cila është brenda fuqisë njerëzore, mund të arrihet me aplikimin e kodit shoqëror të sjelljes. Por duke ditur se në raste të ndryshme ndihmësi vepron në vend të heroit - njeriut, përralla pranon ekzistimin e asaj sfere që është jashtë fuqisë njerëzore dhe  i kërcënohet ekzistencës së heroit. Në nivelin latent përralla e pranon pamundësinë e zgjidhjes përfundimtare të zotërimit të opozitës themelore njeriu: natyra,  derisa në nivelin manifestiv këtë opozitë e zbut duke ofruar vizionin optimist të natyrës së “socializuar”, përkatësisht të shoqërisë me vlera dhe ligjshmëri të stabilizuara. Për këtë arsye shumë studiues konsiderojnë se përralla reflekton utopinë sociale. Nëse përrallën e konsiderojmë si një vazhdimësi apo formësim të dalë nga miti,[5] ky konstatim shpie intencën e saj kah funksioni shoqëror, përveç funksionit të saj estetik, pedagogjik dhe etik dhe të themi se përralla përmban refleksione të paradigmave shoqërore dhe kulturale, morale, estetike dhe aksiologjike. Megjithatë, nëse do të bënim përpjekje që ndodhitë e përrallës të interpretohen drejtpërsëdrejti nëpërmjet të kontekstit real jetësor, kjo do të na shpinte në thjeshtësim. Diskursi specifik i përrallës ka një strukturë simbolike, e cila strukturë mund të interpretohet vetëm përbrenda saj, ajo përmban në vete të vërtetën e brendshme thellësore. Për përrallën nuk është me rëndësi se sa janë reale ndodhitë që i rrëfen, por cili është realiteti i saj thellësor kuptimor i brendisë së saj, përralla nuk është shprehje e drejtpërdrejtë e realitetit por as edhe negacion i tij, megjithatë lëndën e trajtuar ia nënshtron përpunimit poetik për t’ia kthyer marrësit si metaforë, si projeksion të realitetit që virtualisht  ka mundësi të jetë i realizueshëm.


[1] Shemsi Krasniqi, Natyra dhe ahti i saj, Koha ditore, shtojca për kulturë, 31 korrik 2o10, f.25 dhe 27.

[2] Myzafere Mustafa, Përralla shqiptare, poetika dhe mitikja, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2003

[3] Bruno Betelhajm, Zna?enje bajki, preveo Branko Vuki?evi?, Jugoslavija, Beograd,1979

[4] Claude Bremond, La logique de possibles narratifs, Comunication, 8, 1966

[5] Shih: Eleazar M. Meletinski, Poetika mita, Nolit, Beograd (pa  date botimi) f.268 dhe 270



(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora