| E diele, 10.06.2012, 09:20 AM |
RELACIONI
HEROI, NATYRA, FUQITË MBINATYRORE NË PËRRALLË
Nga Dr. Myzafere Mustafa, Instituti Albanologjik, Prishtinë
Përmbajtje e
shkurtër:
Përralla me botën e saj të pasur, në strukturën e saj thellësore reflekton edhe kuptime që determinojnë botëkuptimet e njeriut në relacion me natyrën dhe me kozmosin. Pjesë e natyrës konsiderohen ndihmësit, këshillëdhënësit dhe kundërshtarët. Si ndihmës këshillëdhënës dhe kundërshtarë në përrallë veprojnë qeniet natyrore, qeniet dhe fuqitë mbinatyrore. Tri kategoritë e përrallës heroi, ndihmësi, kundërshtari mund të zëvendësohen me kategoritë njeriu, natyra, fuqitë mbinatyrore. Përralla ka diskursin e saj specifik me një strukturë simbolike, e cila strukturë mund të interpretohet vetëm përbrenda saj, meqë ajo përmban në vete të vërtetën e brendshme thellësore.
Përralla refleksion i botëkuptimeve njerëzore
Përralla dhe shtresat e saj kuptimore përveç interpretimit në rrafshin letrar artistik,
psikologjik etj., mund të interpretohet edhe në rrafshin mitologjik, si zhanër
që reflekton njohuritë dhe botëkuptimet njerëzore për natyrën, kozmogoninë dhe
kosmologjinë, ku disa nga figurat e përrallës sidomos ndihmësit dhe
këshillëdhënësit konsiderohen pjesë e
natyrës që bashkëveprojnë me heroin.
Këtë qasje e dëshmon përbërja e përrallës, ku heroi në një sërë krijimesh
bashkëvepron me qenie të ndryshme të natyrës si: insekte, shpezë, kafshë, qenie
mitologjike, apo dukuri të natyrës dhe përbërës
të kozmosit. Gjatë aksionit apo veprimit, heroi i përrallës ballafaqohet dhe bashkëvepron me insekte si:
thneglat, bletët; me shpendët e ndryshme si: pëllumbi, shqiponja etj.; me krijesa
të natyrës që i kundërvihen atij si: kuçedra, llamja, dragoi etj.; apo trupat qiellorë dhe dukuritë natyrore si:
dielli, hëna, era etj. Hetohet sidomos roli i gjarprit i kuçedrës, dragoit në
funksion të personazhit bashkëveprues apo në funksion të ndihmësit
apo kundërshtarit. Të gjitha këto krijesa në përrallë mund t’i konsiderojmë si
premisa të botëkuptimeve të lashta lidhur me natyrën, kosmologjinë apo
kosmogoninë. “Lidhja e njeriut me natyrën nuk është vetëm fizike dhe materiale
e biologjike, por edhe psikologjike, morale, shpirtërore... Lidhja shpirtërore
e njeriut me natyrën vjen duke u rikthyer përmes praktikave sociale, kulturore,
shkencore... Format e reprezentimit social të natyrës tek popujt dhe kulturat e
ndryshme paraqesin bazë të fortë identitare për ata popuj dhe ato kultura. Sistemi kulturor, sistemi i
simboleve dhe i besimeve, mitologjia etj., tek të gjithë popujt, përveç
funksionit komunikativ integrativ në shoqëri ka pasur edhe funksionin e ruajtjes ose të rikrijimit
të baraspeshës në natyrë. Edhe ndër shqiptarë ka shumë elemente kulturore
arkaike, kulte e besime, mite apo legjenda ... të cilat mund të nxjerrin në
shesh funksionin e baraspeshës ndërmjet njeriut dhe natyrës, ndërmjet shoqërisë
dhe mjedisit.”[1]
Në përrallë heroi veprimin e kryen jashtë shtëpisë së
vet, shtëpia shënjon hapësirën e mbyllur të mbrojtur, ku nuk mund të hyjnë
forcat e huaja kundërshtare. Që të zhvillohet
veprimi heroi duhet të dalë nga hapësira e mbyllur, për t’u ballafaquar me figurat e tjera dhe për të zhvilluar
aktivitetin. Këto figura jetojnë zakonisht jashtë në natyrë të hapur, jashtë
hapësirës ku jeton heroi i mbrojtur. Në rastet kur figurat antagoniste jetojnë
në hapësirë të mbyllur, kjo hapësirë
konsiderohet si e huaj dhe
rrezikshme për heroin.[2]
Forcat apo figurat me të cilat ndeshet heroi dhe të cilat e nxisin dhe e mundësojnë veprimin e mëtutjeshëm të tij dhe zhvillimin e ndodhisë, herë shfaqen si bashkëveprues, pra si ndihmës apo aleatë e herë si kundërshtarë. Pozita dhe funksioni i tyre varet nga strukturimi i segmenteve të veprimit. Duke qenë se këto forca jetojnë në natyrë, vetë ekzistimi dhe qenia e tyre mund të identifikohen dhe të emërtohen si pjesë e natyrës.
Fati i individit interes esencial i përrallës
Interesi esencial i përrallës është i orientuar në fatin
e individit në procesin e formimit të personalitetit[3]
dhe të afirmimit të tij në mesin shoqëror, prandaj në rrugëtimin e gjatë përralla
e ballafaqon heroin me probleme të rëndësishme fizike dhe metafizike, me
çështje të jetës dhe të vdekjes, të dashurisë dhe të seksit, të vuajtjes, fatit dhe suksesit.
Nëpërmjet sjelljeve dhe veprimeve të heroit përralla i ofron marrësit mundësinë e
qasjes apo depërtimit në disa parime abstrakte morale dhe shoqërore por
edhe në identifikimin e disa parimeve
apo botëkuptimeve për natyrën dhe kozmosin në përgjithësi. E mira dhe e
keqja në përrallë përfaqësohen në mënyrë të
barabartë, ky dualitet shënjon problemin moral shoqëror, i cili problem kërkon zgjidhje. Formimi i personalitetit
arrihet nëpërmjet realizimit të pranimit, vetëformimit, pjekurisë dhe
integrimit të plotë në rrethinën apo
mjedisin shoqëror. Realizimin e qëllimeve të heroit e ndihmojnë bashkëpjesëmarrësit,
ndihmësit dhe kundërshtarët, të cilët mund të konsiderohen pjesë të natyrës, të
cilën njeriu e konsideron pjesëmarrëse në aktivitetet e tij. Në
strukturën e përrallës, në rrjedhën e saj narrative, natyra dhe fenomenet
natyrore shfaqen si bashkëvepruese aktive, të cila veprojnë në favor të heroit me
rastin e zgjidhjes së situatave konfliktuale, meqë heroi nis aventurat për t’u
ballafaquar me kundërshtarin, i cili kishte bërë shkaktimin e dëmit, kishte inicuar shkaktimin e dëmit, apo kishte nxitur
një gjendje të pakënaqësisë. Kornizën e përrallës e përbëjnë tema e situatës
fillestare dhe shthurja. Temë e situatës fillestare janë marrëdhëniet familjare,
harmonia e atyre marrëdhënieve dhe prishja e asaj harmonie, ndërsa shthurja (përfundimi
i përrallës) kurorëzohet me ndryshimin e statusit individual dhe shoqëror të
heroit nga pozita inferiore deri te arritja në afirmimin dhe integrimin e plotë
të tij në familje dhe shoqëri. Pjesa e mesme apo nukleusi i përrallës përbëhet
nga vëniet në sprovë të heroit, të cilat sprova konsistojnë në takimin me
dhuratëdhënësin, apo këshillëdhënësin. Pas kalimit të sprovave, dhuratëdhënësi
apo këshillëdhënësi, ia dhuron heroit mjetin mitik për kryerjen e detyrave të rënda,
apo vetë do t’ i vijë në ndihmë si ndihmës
mitik, apo do ta këshillojë heroin se si duhet t’u përmbahet rregullave
që t’i kryejë me sukses detyrat e rënda. Funksionet
takimi me dhuratëdhënësin
(këshillëdhënësin - aleatin), marrja e
mjetit mitik, zhvillohen në një interaksion në mes të heroit dhe natyrës
apo heroit dhe përbërësve të kozmosit apo dukurive kozmike, apo në mes të heroit
dhe qenieve mbinatyrore. Roli i dhuratëdhënësit (këshillëdhënësit) apo
ndihmësit mitik është në funksion të ndihmësit të heroit. Takimi me dhuratëdhënësin apo këshillëdhënësin është në funksion të eliminimit të pengesave
që do të shfaqen gjatë veprimit të mëtutjeshëm të heroit për realizimin e qëllimeve të tij. Dhuratëdhënësi apo
këshillëdhënësi e ndihmon heroin pasi ai t’i kalojë zakonisht një apo tri sprova, nëpërmjet
të cilave dëshmon se i njeh rregullat shoqërore të sjelljes. Kalimi i sprovave
kushtëzon ndihmën që do t’ia ofrojë më vonë dhuratëdhënësi apo këshillëdhënësi gjatë
kryerjes
së detyrave të rënda. Kjo ndihmë mund të jetë konkrete si shpëtimi nga
ndonjë rrezik që i kanoset heroit gjatë ballafaqimit me qenie më të afta se ai apo
me qenie të rrezikshme, apo gjatë testimit të inteligjencës së tij, me ç’rast
ai duhet të japë përgjigje adekuate. Pas kalimit të sprovave që zakonisht janë
tri, heroit i dhurohet mjeti mitik, të cilin do ta përdorë sipas nevojës, kur
të shfaqet ndonjë telashe me rastin e ballafaqimit me kundërshtarin, i cili
zakonisht ka fuqi mbinatyrore.
Kafshët, insektet, shpendët etj., që në përrallë mund të shfaqen, herë si kundërshtarë e herë si ndihmës, janë përfytyrim i parimeve të natyrës, si pjesë e natyrës që janë shumë afër qenies njerëzore.
Marrëdhënia heroi :
ndihmësi : kundërshtari
Në përrallë
shfaqet marrëdhënia e tri kategorive[4]
heroi : ndihmësi : kundërshtari.
Secili nga këta pjesëtarë është
reprezentues i kategorisë së caktuar përkatëse që së bashku e përbëjnë tërësinë
e universit të menduar. Këto kategori janë në mes vete në raporte kundërshtie.
Heroi i përrallës gjithnjë është njeri që i takon një mjedisi shoqëror, për
dallim nga heroi i mitit i cili ka veçori dhe fuqi mitike. Ndihmësi është qenie
e natyrës e cila e posedon dijen dhe fuqinë, që janë të domosdoshme për t’iu
kundërvënë kundërshtarit të heroit. Kundërshtari shfaqet si figurë me veçori
mbinatyrore, si qenie me veti demoniake, apo si kafshë me veti antropomorfe, ai
i takon kategorisë të mbinatyrshmes. Në përrallë tri kategoritë: heroi : ndihmësi : kundërshtari mund të
zëvendësohen me kategoritë: njeriu :
natyra : fuqitë mbinatyrore.
Opozita heroi: kundërshtari mund të barazohet me opozitën njeriu: fuqitë mbinatyrore.
Shkas i nisjes së veprimit në
përrallë është shfaqja e pakënaqësisë me gjendjen ekzistuese të heroit apo
shkaktimi i dëmit nga ndërhyrja e
jashtme. Veprimi nis me largimin e heroit nga shtëpia nga hapësira e tij e
mbrojtur për t’u ballafaquar me natyrën e hapur, ndërsa motivacion është veprimi
i tij për t’iu kundërvënë kundërshtarit apo për ta eliminuar shkaktimin e dëmit
të bërë nga ai. Me zgjidhjen e problemit evitohet shkaku i dëmit apo
pakënaqësia, pra mposhtet shkaktari i dëmit, merret objekti apo personi i kërkuar,
evitohet pakënaqësia dhe rivihet harmonia, e cila ishte prishur nga shfaqja e
pakënaqësisë së heroit apo me ndërhyrjen e kundërshtarit. Heroi e shfaq
gatishmërinë për t’iu kundërvënë kundërshtarit
por ai këtë e bën jo pse posedon dije dhe aftësi por nga shtytjet e brendshme. Kur
ai e fillon aksionin nuk e posedon dijen, mjetet përkatëse të nevojshme dhe fuqinë.
Të gjitha këto i arrin nëpërmjet ndihmësve. Duke iu përshtatur nevojave dhe
kërkesave të tyre gradualisht arrin përvetësimin e njohurive dhe aftësive. Këtë
pozicion e karakterizon modaliteti Me dashtë.
Modaliteti i opozitës heroi : bashkëveprimtari është i barabartë me modalitetin e opozitës njeriu : natyra.
Në takimin me bashkëveprimtarin
heroi nuk e ka fuqinë e veprimit dhe njohuritë për të vepruar i pavarur, por ai
ka njohurinë për kodin e dëshiruar të sjelljes shoqërore. Me aplikimin e kodit
të sjelljes shoqërore, me shpërnderimin e shërbimeve dhe me marrëveshjen me
bashkëveprimtarin do të arrijë ta fitojë ndihmën e tij. Këtij opozicioni i
përgjigjet modaliteti me ditë.
Çifti i opozitës bashkëveprimtari : kundërshtari është i
barabartë me çiftin e opozitës natyra : fuqitë
mbinatyrore
Në sprovën e dytë të heroit, që zakonisht
është lufta me kundërshtarin, shfaqet në skenë ndihmësi (bashkëveprimtari), ai
posedon njohuritë për kodin e sjelljes jo shoqërore, i cili është jashtë fuqisë
njerëzore dhe i cili ndihmon përdorimin e fuqisë për mbizotërimin e
kundërshtarit. Këtë opozitë e karakterizon modaliteti me mujtë.
Modalitetet me dashtë, me ditë dhe me mujtë kur të vendosen në raporte të
ndërsjella të rregulluara japin pasqyrën e rendit shoqëror dhe kulturor dhe
mundësojnë mbijetesën dhe ekzistencën e njeriut. Prishja e marrëdhënieve të
ndonjërit nga modalitetet kërcënon prishjen e rendit të vendosur. Këto raporte
i përgjigjen skemës .
Njeriu,shoqëria : natyra : fuqitë mbinatyrore
Socializimi i natyrës
Ruajtja e rendit shoqëror dhe
kulturor dhe mbrojtja e tij nga forcat kërcënuese që janë mbi fuqinë e njeriut
arrihet nëpërmjet përvetësimit të disa fuqive natyrore, në kuptimin simbolik
duke e socializuar natyrën. Nëse përsëri shikohet opozita ndihmës : kundërshtar
e cila mundëson zgjidhjen në
përrallë mund të supozohet se në thelbin e kësaj opozite qëndron parimi logjik
se vetëm kategoritë e njëjta mund t’i kundërvihen njëra tjetrës. Kjo do të thotë
se edhe forcat mbinatyrore, nga një aspekt më i gjerë i takojnë sferës së
natyrës. Nga kjo pason edhe sqarimi i kodit “jo shoqëror” të sjelljes, i cili
qëndron në thelbin e proceseve shoqërore
dhe të parimeve, e të cilët nuk përfshihen në ndikimet e kulturës dhe të
shoqërisë, dhe në këtë aspekt janë jashtë njeriut. Nëse pra ndihmësin
(bashkëvepruesin) dhe kundërshtarin i kuptojmë si “natyrë”, atëherë në raport
me njeriun ndihmësi shfaqet si “natyrë joantagoniste”, ndërsa kundërshtari si
“natyrë antagoniste”. Kështu relacioni njeriu: natyra: fuqitë mbinatyrore mund të zëvendësohet me relacionin
njeriu:marrëdhënia jo antagoniste
me natyrën
njeriu: marrëdhënia antagoniste
me natyrën
Në këtë mënyrë mund të thuhet se
pjesa nukleare apo qendrore e përrallës është opozita Njeriu :
Natyra
Përralla na rrëfen se njeriu
posedon dëshirën dhe diturinë me të cilën mund t’i zotërojë fuqitë që e
mbizotërojnë atë e që konsiderohen si forca të rrezikshme, këto forca i
mbizotëron nëpërmjet të natyrës si mediator. Por për ta zotëruar natyrën ai
duhet ta socializojë atë dhe në ligjet natyrore t’i projektojë normat e rendit
shoqëror dhe moral. Kjo zgjidhje e cila është
brenda fuqisë njerëzore, mund të arrihet me aplikimin e kodit shoqëror të
sjelljes. Por duke ditur se në raste të ndryshme ndihmësi vepron në vend të
heroit - njeriut, përralla pranon ekzistimin e asaj sfere që është jashtë
fuqisë njerëzore dhe i kërcënohet
ekzistencës së heroit. Në nivelin latent përralla e pranon pamundësinë e
zgjidhjes përfundimtare të zotërimit të opozitës themelore njeriu: natyra, derisa në
nivelin manifestiv këtë opozitë e zbut duke ofruar vizionin optimist të natyrës
së “socializuar”, përkatësisht të shoqërisë me vlera dhe ligjshmëri të
stabilizuara. Për këtë arsye shumë studiues konsiderojnë se përralla reflekton utopinë
sociale. Nëse përrallën e konsiderojmë si një vazhdimësi apo formësim të dalë
nga miti,[5]
ky konstatim shpie intencën e saj kah funksioni shoqëror, përveç funksionit të
saj estetik, pedagogjik dhe etik dhe të themi se përralla përmban refleksione të paradigmave shoqërore dhe
kulturale, morale, estetike dhe aksiologjike. Megjithatë, nëse do të bënim përpjekje
që ndodhitë e përrallës të interpretohen drejtpërsëdrejti nëpërmjet të kontekstit
real jetësor, kjo do të na shpinte në thjeshtësim. Diskursi specifik i
përrallës ka një strukturë simbolike, e cila strukturë mund të interpretohet
vetëm përbrenda saj, ajo përmban në vete të vërtetën e brendshme thellësore. Për
përrallën nuk është me rëndësi se sa janë reale ndodhitë që i rrëfen, por cili
është realiteti i saj thellësor kuptimor i brendisë së saj, përralla nuk është
shprehje e drejtpërdrejtë e realitetit por as edhe negacion i tij, megjithatë lëndën
e trajtuar ia nënshtron përpunimit poetik për t’ia kthyer marrësit si metaforë,
si projeksion të realitetit që virtualisht ka mundësi të jetë i realizueshëm.
[1] Shemsi Krasniqi, Natyra dhe ahti i saj,
Koha ditore, shtojca për kulturë, 31 korrik 2o10, f.25 dhe 27.
[2] Myzafere Mustafa, Përralla shqiptare,
poetika dhe mitikja, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2003
[3] Bruno Betelhajm, Zna?enje bajki, preveo
Branko Vuki?evi?, Jugoslavija, Beograd,1979
[4] Claude Bremond, La logique de possibles
narratifs, Comunication, 8, 1966
[5] Shih: Eleazar M. Meletinski, Poetika
mita, Nolit, Beograd (pa date botimi)
f.268 dhe 270