Kulturë
Besim Muhadri: Kronikë e jetës personale dhe e dhimbjes kolektive
E premte, 08.06.2012, 07:17 PM
KRONIKË E
JETËS PERSONALE DHE E
DHIMBJES KOLEKTIVE
Halit Nezaj: “Udha e ëndërrës së thyer”, Tiranë 2012
Shkruan Dr. Besim Muhadri
“Kombi ynë
ka shumë për të thënë e për të shkruar. Mos lejoni që harresa t’i marrë me vete
të pathënat e të pashkruarat tona që janë të mbushura plot drama e lavdi”,
sepse: “Fjalët i merr era, e shkruara
mbetet”
Me këto
fjalë përfundon librin e tij memorial, Halit Nezaj, me titull “Udha ëndërrës së
thyer”, të botuar kohë më parë në Tiranë, në përkujdesjen e poetit të mirënjohur
tropojan, Hamit Aliaj.
Libri me
kujtime i shqiptaro-amerikanit Halit Nezaj, “Udha e ëndërrës së thyer”, është një
nga librat e shumtë të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, të shkruar sidomos gjatë viteve të fundit, apo thënë më saktë,
të shkruar pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri. Janë me dhjetra
libra të tillë, në të cilët autorët e tyre, kryesisht emigrantë, që në SHBA
shkuan pas ikjes së dhunshme nga shteti amë dhe pas kalimit nëpër golgotë dhe nëpër
rrathët e ferrit dantesk. Janë libra që në mënyrë shumë besnike tregojnë vuajtjet,
periptetitë, ëndrrat, të thyera e të parezalizuara të tyre.
Libri me
kujtime dhe dëshmi “Udha e ëndërrës së thyer”,
i Halit Nezajt, është një libër që, siç shprehet edhe vet autori, është munduar
dhe ia ka arritur që në mënyrë shumë besnike,
shumë të sniqertë të paraqesë, apo edhe të fiksojë shënime dhe të dhëna për
trungun e tij familjar. Në këto shënime, ai e pohon edhe vet është përpjekur që
të jetë i drejtpërdrejtë që të portretizojë njerëzit, e në mënyrë të veçantë të
parët e tij, me të gjitha të mirat e të metat e tyre, pasi që edhe destinacioni
i këtyre shënimeve, është tepër familjar, në mënyrë që t’ua lë si kujtim dhe si
dëshmi pasardhësve të tij. Ky është edhe qëllimi i këtij libri, që siç u pa
edhe në fillim ka edhe mesazhin e qartë, që të shkruhen ato që kanë ndodhur,
sepse vetëm gjërat e shkruara mbesin, e ato të pashkruarat harrohen.
Në librin
e Halit Nezajt, portretohen shumë figura të fisit, por edhe të rrethit më të gjerë,
disa prej të cilave të njohura edhe në këngë e histori. Në mënyrë të veçantë autori
arrin të paraqesë portretin e Ruke Nezires, që ishte gjyshja e tij, të cilën e
quan Lokemadhja e Shpishanit, mirëpo përveç kësaj, në këtë libër shohim edhe
figura të tjera si ajo e gjyshit Halit Qerimit, Xhemë Sadrisë, Ismail Halitit,
Sadri Smakës, Shpend Nezajt, Shkurtë Sadrinë, që është nëna e tij e shumë e
shumë figurave të tjera. miirëpo, përveç këtyre figurave, nëpër faqet e këtij
libri defilojnë edhe shumë emra të cilët janë të njohur edhe për historinë,
qoftë atë kombëtare, qoftë edhe ndërkombëtare, qoftë në fushën e arsimit e të kulturës,
por edhe atë politikës.
Mirëpo përveç
kësaj, në kujtimet e Halit Nezës shkruhet dhe paraqitet edhe historia me e re e
shqiptarëve të Shqipërisë së Veriut, përkatësisht ajo e Malësisë së Gjakovës,
por edhe ajo e Kosovës së Pasluftës së Dytë Botërore, me të gjitha mjerimet dhe
sfidat e saj që kjasojnë dhimbje, mjerim dhe fate të ndrydhura njerëzish të tradhëtuar
e të mashtruar deri në përbuzje. Këta njerëz të nëpërkëmbur, quhen emigrantë,
me mision të caktuar merren nga atdheu i tyre, me premtime të mëdha për një jetë
më të mirë, dhe, po ashtu, me mision të caktuar shantzahohen, manipulohen,
degradohen e zhvishen nga personaliteti i tyre deri në dhimbje.
Në këto
kujtime të paraqituara në këtë libër, është dhënë tabloja e tmerrshme e jetës së
emigrantëve shqiptarë, mënjehërë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht
ajo e viteve 1948-1949, kur siç dihet, në mënyrë masovike ikin nga Shqipëria
dhe vinë në Kosovë. Pas ardhjes në Kosovë, siç e thamë më lartë, ata do të shndërrohen
në objekte të tmerrshme të lojërave të emisarëve dhe udhëheqësve të UDB-së. Ikja
nga Shqipëria në fund të vitit 1948 dhe ardhja në Kosovë, përqëndrimi filimisht
në Gjakovë e mandej gjithandej nëpër Kosovë e Jugosllavi, përkatësisht në Serbi,
autorit i janë fiksuar në kujtesë si episode të paharrueshme, të cilat i janë përkujtuar
në mënyrë të vazhdueshme, qoftë gjatë qëndrimit në Jugosllavi, qoftë edhe gjatë
qëndrimit të tij në SHBA. Janë episode të dhimbjes, që nuk mund të harrohen e të
shlyhen dot nga mendja e atij që i ka përjetuar, që i ka vuajtur, sepse “ikja në
Shqipëria dhe ardhja në Jugosllavi, atij i shembëllen si një ikje nga pika e rënia
në glasë”.
Autori
thotë se “pas ikjes nga Shqipëria, emigrantët, deshën apo s’deshën kishin rënë në
gojë të ujkut. Ishin në kthetrat e UDB-së, nga e cila ngarkohen me detyra të rënda
e të rrezikshme”. Një nga “detyrat” e tyre kryesore dhe të detyrueshme ishte
ajo e daljes në Shqipëri dhe e tërheqjes sa më të madhe të njerëzve nga Shqipëria
për në Jugosllavi. Kjo tërheqje emigrantësh për Jugosllavinë ishte e levërdishme
si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik, që shkonte në disfavor të Shqipëris
dhe të krijimit të një imazhi shumë të keq të saj në arenën ndërkombëtare.
Duke
lexuar librin me kujtime të Halit Nezajt, shohim një histori të tërë të ndodhur
në një kohë të caktuar. Ajo është ruajtur besnikërisht në kujtesën e një njeriu
që i kishte dhënë mision vetit që një ditë e një kohë ta dilte në dritë,
si trshëgim për brezat. “Përmes këtij
libri dua që të ndërtoj kronikën e jetës time dhe të parardhësve të mi. Nuk kam
shtuar asgjë, jam përpjekur t’u qëndroj besnik, jo vetëm kujtimeve të mia, por
edhe vlerësimeve që u janë bërë parardhësve të mi”. Kështu shprehet në mes
tjerash autori. Ky është vlerësimi por edhe konceptimi i hartimit dhe i çitjes
në dritë i këtij libri mjaft voluminoz, që nxjerr në dritë fakte dhe dëshmi,
prandaj, përveç që është libër i kronikës së jetës personale, ai është edhe libër
i dhimbjes personale e kolektive. Libër i fatit të keq të shqiptarit të mashtruar
e të vuajtur, që kalon nëpër kalvaret e vdekjes e të mashtrimit, për të ardhur
deri te një ditë që të dëshmojë e të porosisë brezat që kurrë të mos e përsërisin
historinë...