Kulturë
“Rilindasi”, letra e rrallë e Skënderbeut, fakte befasuese
E marte, 05.06.2012, 12:01 PM
TIRANE- Një
letër e rrallë do ti serviret lexuesve nga fondi i pasur arkivor i bibliotekës
së Dhimitër S.Shuteriqit(1915-2003). Letra është shkruar në vitin 1460 nga
Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe i drejtohet princit të Tarantos Johan Anton De
Ursini. Studiuesi i njohur Shuteriqi iu kushtua shumë figurës madhore të Skënderbeut
me botimin e një numri të madh artikujsh studimorë dhe postmortum me librat “Moti
i madh”, botim i shtëpisë botuese Dituria 2005 dhe “Arianitët” botim i shtëpisë
botuese Toena 2010.
Ky dorëshkrim i studiuesit, i vënë në dispozicion të suplementit RILINDASI nga bashkëshortja e tij Mynever Shuteriqi, është pjesë e kontributit të Shuteriqit në fushën e kërkimeve e botimeve rreth heroit tonë kombëtar. I përgatitur për botim nga vetë studiuesi me një hyrje të shkurtër, më 18 janar 1987, kjo letër e rrallë e Gjergj Kastriotit dërguar princit të Tarantos më 1460, ka vlera të thella njohëse mbi figurën e heroit, i cili i kishte dalë krah mbretit Ferrante. Si ishte marrëdhënia e tij me fqinjët përtej Adriatikut dhe pse e ‘kërcënonte’ princin e Tarantos se po të qe nevoja Pulja jo vetëm do të binte në dorën e trimave shqiptarë si dikur bënin epirotët e famshëm, por edhe do të popullohej e tëra prej tyre... Çfarë vlerësimesh jepte për Ferranten dhe pse i kishte dalë në mbrojtje atij? Si ishin mardhëniet e heroit me Osmanët në këtë periudhë dhe si e kujton heroi fitoren e Krujës...? Më poshtë po sjellim të plotë hyrjen e përgatitur nga studiuesi Shuteriqi dhe letrën e Skënderbeut.
Dorëshkrimi
Një hero
i Rilindjes evropiane, Skënderbeu.
Skënderbeu
ishte një ushtarak i rrallë, një burrë shteti dhe një diplomat jo i zakonshëm. Po
japim letrën ..e famshme të tij, dërguar princit të Tarantos më 1460 dhe që flet
për cilësitë dhe karakterin e heroit.
Nuk është
vetëm një dokument i paçmim shqiptar i kohës, por edhe një model i epistolarit
të humanizmit. Skënderbeu, që nuk kurseu asgjë, për të vajtur e shpëtuar
mbretin mik të Napolit nga kundërshtarët, ishte i ndërgjegjshëm për rolin që kanë
luajtur luftërat e tij në shpëtimin e Evropës nga osmanët. Mund të thuhet se,
bashkë me hungarezin Janosh Huniadi, Gjergj Kastrioti ishte një hero i
Rilindjes evropiane, i asaj periudhe që bëri kthesën e ndritur nga mesjeta në kohët
moderne. Pa këta heronj, fati i Evropës mund të ishte fati që pësoi Ballkani.
Dh. S. Shuteriqi
18 janar 1987
Letra
e heroit
Letër përgjigje e Skënderbeut dërguar më 1460 princit të Tarantos Johan Anton De Ursini
‘’Fort i
kthjellti Princ e zot i nderuar.
Mora letrën
e Z. Suaj, e cila më çuditi më fort se sa do të më hidhëronte, duke parë mënyrën
me të cilën ju shkruani.
Dhe më së
pari, thoni që, kur keni marrë lajmin se ne i paskemi dërguar fjalë fort të kthjelltit
Madhëri Mbret Ferrant se, po të na dërgonte galere, ne do të kishim ngarkuar në
të njerëz, që të shkonin për t’i dhënë zjarr Brindizit dhe për të plaçkitur
vendin tuaj, nuk paskeni mundur ta besoni, mbasi më njihni për të urtë e të matur,
gjersa nuk paskëshin arritur njerëzit tanë në Pulie, që t’ua vërtetonin punën. Kësaj
pjese ne po i përgjigjemi: është e vërtetë se, kur morëm vesh se ju kishit
ngritur krye kundër Madhërisë së Tij, i çuam fjalë që të na dërgonte në këto anë
galere dhe fuate të tjera për të marrë njerëz, këmbësorë e kalorës, sepse aq sa
të donte do t’i kishim dërguar... Brindizin nuk do ta kishim djegur, po vendet
që u rebeluan... nuk do të kishin ngritur krye. Ju... do ta kishit pasur të vështirë
të mbronit gjënë tuaj dhe jo më të shtinit në dorë shtetin e Madhërisë së Tij,
i cili është zoti juaj e, si zot, duhet ta njihni, sepse jeni betuar. Dhe,
mbasi thoni se çuditeni, ... po ju përgjigjem: nëse na njihni si besnikë, ashtu
si thoni se na njihni për të urtë e të matur, nuk do të çuditeni për këtë,
sepse duhet të kujtoni këshillat e veprat e atij Mbretit engjullor Alfons (të Aragonës)
qenë ato që na ruajtën e na mbrojtën (kundër) ... mizorive të turqve, armiqtë tanë
dhe të besimit katolik, dhe, po të isha thyer unë, sigurisht që Italia do ta
kishte ndjerë rrjedhimin dhe, në atë rast, ai zotërim, që ju thoni se është juaji,
do të kishte qenë i turqve.
Kur thoni
se prej këtij Mbretit Tuaj (të Francës): ne mund të presim të mira të mëdha ...
po ju përgjigjemi: unë nuk e njoh, as nuk dua ta njoh, as nuk dua ta di veçse
si armik ... (Dhe) të pafetë (turqit) nuk çmojnë as nuk kanë frikë veçse nga
flamujt e lavdishëm të shtëpisë së Aragonës, për të cilën dua të vdes. Më tutje
thoni, që nuk duhet të mendoj, se mund ta ndihmoj Mbretin Ferrant të përmendur,
mbasi kundër tij kanë ngritur krye po thuaj të gjithë baronët e popujt e mbretërisë,
po ju përgjigjem: nëse tani ... është në gjendje të vështirë, faji është juaji
për të gjitha të këqijat që do të rrjedhin si dhe për turpin e poshtërsisë ...
(dhe) keni vepruar si gratë e përdalura, të cilat kur plaken bëhen kodoshe, që me
fjalë të ëmbla tërheqin të tjerat të bëjnë atë, që ato vetë kanë bërë, ashtu (si)
ju keni tërhequr baronët e popullsisë si deshtë në thërtore. Por ne nuk e
gjykojmë se për këtë, mbreti Ferrant ka humbur ...
Por e
mbani mend, se më e madhë ishte fuqia e Sulltanit sa është juaja as e Zotërisë që
përkrahni, dhe kur, më pat mbetur vetëm qyteti i Krujës ... dhe kur atje u
gjeta i rrethuar, unë e mbrojta kundër gjithë asaj fuqie dhe e mbajta, gjersa
turqit, me dëm e me turp, u hoqën dhe unë, në një kohë të shkurtër e me pak
veta, shtiva në dorë prapë atë që shumë armiq e në më shumë kohë kishin fituar.
Kështu që aq më tepër duhet shpresuar për përtëritjen e shtetit të Mbretit
Ferrant, i cili, edhe vetëm Napolin të ketë, të jenë të sigurtë se do të dalë ngadhnjimtar.
Dhe mbasi
thoni se me shqiptarët unë nuk do të mundem ta ndihmoj as ta mbroj as t’i dëmtoj
armiqt e tij të fuqishëm, po ju përgjigjem: ka ndryshuar puna dhe, në se
kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë dhe duhet të keni dijeni se, në kohë
të tjera, paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën luftime
të mëdha me romakët dhe ne e dime se, më të shumtën e herës, u ndanë me nder se
sa me turp, por unë do të shtie në punë të gjitha fuqitë më të mëdha, me cilësitë
e mija, si dhe me të gjithë miqtë e besëlidhurit që kam për të ndihmuar e për t’i
dhënë dorë zotit tim Mbretit Ferrant...
Kur ju më
nxitni t’i tërheq njerëzit e mi e më thoni se, po pata dëshirë të luftoj, ja ku
i kam turqit, ... po ju përgjigjem: unë prej jush nuk dua nxitje as këshilla;
njerëzit tanë nuk i kemi dërguar që të kthehen kaq shpejt, por që t’i shërbejnë
Mbretit Ferrant gjersa të ketë bashkuar Mbretërinë e tij.
Dhe ata
janë nga ata burra, që, po të jetë nevoja, vullnetarisht përballojnë vdekjen në
shërbim të Madhërisë së Tij. Por ata që kemi dërguar s’janë asgjë kundrejt
atyre që kemi vullnet të dërgojmë, në se i pëlqen Madhërisë së Tij, e po qe
nevoja do të vij unë personalisht me aq njerëz sa, jo vetëm me ndihmë të Zotit
besojmë se do ta shtiem në dorë Pulien, por do të mjaftonin ta popullonin të gjithë,
mbasi është e shpopulluar.
Dhe aftësinë
e turqve ne s’mund ta mohojmë, si na e vini në dukje, sepse me ta kemi luftuar
për një kohë të gjatë pa turpin tonë ..., por tani, mbasi ju na e dhatë shkakun,
kemi bërë armëpushim për tre vjet, që të përmbushim urdhrat e zotit tim Mbretit
Ferrant.
Por ai këshilli
juaj do të kishte qenë i denjë për lavdi më të madhe dhe më i shëndetshëm për
shpirtin e trupin tuaj, po t’i kishit bërë vetes, sepse, duke qenë ju plak i
kaluar nga mosha dhe më afër turqve se çdo tjetër zotëri italian, do të kishit
mundur t’i shpenzonit ditët tuaja as të hollat tuaja në një ndërmarrje më të lavdishme
... dhe lëreni në qetësi atë Mbretëri me gjithë Mbret, të cilit as ju as unë nuk
mund t’i mohojmë sa i detyrohemi, etj.
Lëshuar në Krujë, ditën e fundit të tetorit.
Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbe.’’