Kulturë
Ilir Muharremi: Fajin e bart juria...
E hene, 04.06.2012, 04:39 PM
Ekspozita
“Muslim Mulliqi”, fituesi akuzohet për plagjiat
Fajin e
bart juria........
Nga Dr. Ilir Muharremi
Fjala
plagjiaturë është mjaftë e vjetër, rrëqethëse, e pa mëshirshme që në gjuhën
latine: “plagium” do të thotë kusari. Format më të shpeshta të plagjiaturës janë:
Kur dikush e paraqet si të veten një vepër, të cilën e ka punuar tjetërkush,
ose kur dikush huazon një tekst dhe nuk e publikon burimin quhet plagjiaturë e
pjesshme. Në çfarëdo forme të paraqitet ajo, në esencë shkel drejtat e autorësisë.
Në gjitha vendet e botës, plagjiatura ndiqet me ligj. Nuk është i panjohur
rasti i ish ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë, Karl Theodor zu Guttenberg,
ku u vërtetua se në temën e disertacionit kishte pasur tekste të shumta, të cilave
nuk i është përmendur burimi, andaj iu anulua grada shkencore ‘Doktor” nga
Universiteti i Bayreuth. Ishte i detyruar të jep dorëheqje nga çdo post
politik, gjë që u vërtetua në media. Mirëpo, çfarë ndodh me artistët kosovar,
apo me vlerësimin, dhe përzgjedhjen e Galerisë se Arteve të Kosovës, në ekspozitën
çmimi “Muslim Mulliqi” që organizohet çdo vit. Kanë konkuruar mjaftë artist,
me tema origjinale, që arti i tyre gjithnjë ka ngritur përpara shoqërisë problemet
e mëdha të kohës, arti i tyre i skajuar, i refuzuar që i bëri jehonë drejtpërdrejt
problemeve bashkëkohore dhe që kontribuoj për ndriçimin e perspektivës. Gjithnjë
duke vënë në qendër të krijimtarisë temën aktuale, detyrat e shoqërisë “Demokratike”,
u anulua si në heshtje, dhe u ofrua hapësira kontradiktore, për “Kusarët” e
artit, të cilët fal internetit, pikasin ndjenjat, ose janë të prirur për “Copy
paste” pa u lodhur fare, nga rraskapitja e artit, apo qetësia absolute, duke e
larguar vëmendjen nga sprova e artit, e realitetit të jashtëm dhe të brendshëm.
Faji bie mbi kuratorët e ekspozitës
Galit Eilat dhe Charles Esche, po ashtu
edhe mbi pjesën e jurisë profesionale: drejtoreshën e Muzeut të Artit Modern në Lubjanë,
Zdenka Badovinac, artistin kosovar, Sokol Beqiri, dhe drejtorin e Programit
Hulumtues në Galerinë me famë botërore SALT, në Stamboll, Vasif Kortun. Pasi që
arti është shndërruar në industri tregtare, ose në ndonjë treg i cili arrin që sa
më shpejt ta shet mallin, aspak nuk e fajësoj fituesin e edicionit të sivjetëm
Fatos Kabashin me veprën “Lapsat” i cili në media akuzohet për plagjiaturë. Madje,
në gazetën e përditshme “Zëri”, anëtarja e jurisë Zdenka Badovinac ishte prononcuar: ““Lapsat” (Pencils) është një
shkathtësi e shkëlqyer dhe padyshim meriton trofeun”. Meriton trofeun, dhe kjo është një shkathtësi
e krijuesit ndaj mosinformacionit artistik global të kuratorëve dhe jurisë “Profesionale”,
e cila gjithnjë e më shumë e shpie në humnerë artin konceptual në Kosovë. “Lapsat”
si vepër nuk më kanë rënë në sy, dhe nuk ka arritur të më zhyt në një botë iluzore,
fantastike, ose të më bëjë pjesë e plagëve të saja. Përdorimi i teknikës së lapsave
është tejet interesant, dhe këtë e përdor artisti brazilian Dalton M.Ghetti,
dhe me një të klikuar në google, mund të gjejmë në pakufijë punën reale, qetësuese,
mistifikuese të këtij artisti. Si teknikë që përdorë Kabashi është në rregull,
sepse në botë shumë artistë gjejnë truall të përshtatshëm për tu shpërndarë me
këtë lloj arti. Mirëpo, renditja e lapsave në një kompozicion horizontal, të gdhendur
në maje, ngjan me punën e M.Ghettit. Ndoshta, për shkak reflektimit të pavetëdijshëm
të konsumimit të tepërt të artit në internet, ose edhe nga përdorja e qëllimshme.
Vepra, e heshtur në mes kritikës dhe arsyes, flet më qartë dhe reflekton me atë
të krijuar nga Ghetti. Dallimin e bënë artisti kosovar vetëm me krijimin e
distancës së lapsave duke mos i vendosur në një diagolane të drejtë sikurse
braziliani. Kjo nuk mjafton shkëputjen nga kopjimi i mjeshtrit Ghetti. Sidoqoftë
i dëshiroj sukses edhe në punën e mëtutjeshme. Në esencë, krijimtaria artistike
është rezultat i shumë faktorëve: talentit, përvojës, arsyes, vullnetit, biografisë së artistit, edukatës, botëkuptimit,
idealit estetik, metodës krijuese, jetës sociale etj. Lidhja e artistit me jetën
shoqërore është me mijëra fije dhe nyje dhe komunikon me mjedisin social,
reagon pëson nga ndryshimet, frymëzimin e gjen në qëllime, pasione të caktuara,
në rrugën e shpirtit etj. Ajo që u pa në ekspozitë ishte si një makinë kibernetike,
me pak ngjyrë, anemike, e kufizuar në kornizën e shabllonit të pakuptuar mirë,
se ku është qëllimi dhe esenca estetike, globale e një mesazhi të fuqishëm, i
cili duhet të provokojë dhe jetoj në kokë dhe shpirt. Zëri i ri i jetës nuk dëgjohet
vetëm nëpërmjet përdorimit të teknikave, të cilat janë mësuar t’i shohin në internet
artistët, natyrisht nuk duhet menduar se çdo luhatje e rastit sjell rritjen e
vlerave estetike të veprës, se çdo origjinaliteti e pajis veprën artistike me
vlera estetike. Në librin “Estetika” të autorit Alfred Uci përmendet se
majmuni, duke goditur tastet e pianos ose të makinës së shkrimit, krijon tekste
shumë më origjinale sesa ato që krijohen duke iu përmbajtur rigorozisht
rregullave dhe ligjeve të sintaksës muzikore ose poetike. Meqenëse tekstet
superorigjinale të majmunit nuk i nënshtrohen asnjë rregullsie, s’kanë vlera të
mirëfillta artistike. Ma merr mendja se e dini për ku e kam fjalën!