Kulturë
Tomë Mrijaj: Kruja - Gjomarku - Nekaj figura të mëdha të kombit tonë
E hene, 04.06.2012, 07:07 PM
Kruja – Gjomarku
– Nekaj figura të mëdha të kombit tonë nën dritën e letërkëmbimeve shumevjeçare
historike
Nga Tomë Mrijaj
Çdo shtet
e çdo komb ka figurat e veta të mëdha, me kontribute të çmueshme në arritjet e
sukseseve kjoftë ne fushat e ditunisë: në shkencë, art, filozofi etj., kjoftë edhe
në zhvillimet politike për Liri e Demokraci, në mirëqenien materiale të vendit,
ku jetojnë e punojnë.
Këto
figura, me të cilat krenohen vendet që i kanë, nderohen e përkujtohen
vazhdimisht, vjetë për vjetë nga bashkatdhetarët dhe organet shtetnore të tyne.
Vetëm
Shqipnia asht i vetmi vend, ku figurat e nderueme janë përbaltë e denigrue
pothuejse gjithmonë, e, veçanarisht gjatë regjimit afro 50 vjeçar komunist, ku
janë persekutue egersisht, torturue, pushkatue, kalbun nëpër burgje e internime
pikërisht ajka e intelektualve ma të mirë, atdhetarët dhe demokratët e vertetë,
për të vetmin faj, se nuk mund të pranonin dhe pajtoheshin me ideologjinë komuniste,
me luftën e pafund të klasave, me shtypjen e dhunshme të çdo të drejte njerëzore
në emen të diktaturës së proletariatit.
Burrat e
shquem të çdo fushe e, në mënyrë të veçantë burrat e vertetë të shtetit, kanë lanë
gjurmë të pashlyeshme me veprat, qendrimet dhe zgjedhjet e tyne ma të mira e të
dobishme edhe kur janë ndodhun para situatash të nderlikueme. Kriteri
percaktues i masës së vlerave në zgjedhje të tilla, asht pikërisht dobija, që ata
i shkaktojnë vendit me ndikime të mira edhe për brezat e ardhshëm.
Nji nder
personalitetet ma të shqueme të kombit tonë, që na paraqet ky libër i ri “Shkëmbime
letrash me miq” (Vëllimi I) i pregaditun nga studiuesi i palodhun Eugjen
Merlika, vjen në kohën e duhun; në prag të nji prej ngarjeve ma të mëdha
historike të kombit tonë 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë, asht edhe
intelektuli erudit Mustafa Kruja, atdhetar i flakët, i paisun me nji kulturë shumë
të pasun, që mund të krahasohet me nivelet ma të nalta europiane të kohës, si: humanist,
gjuhëtar, shkrimtar, historian, politikan, idealist, burrshteti (firmtar i
aktit të shpalljes së Pavarsisë së Shqipnisë 28 Nanduer 1912), i palodhun. Ai
gjithë jetën ia kushtoi idealit të bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare, në
nji shtet të vetëm të zhvilluem, demokratik e përparimtar me orientim prendimor.
Nji mundësi
tjetër, për t’a njoh edhe ma mirë botën shpirtnore dhe pastertinë e idealeve të
shejta të figurave të kalibrit si Mustafa Krujës, përveç veprave të botueme ose
të mbetuna në dorëshkrim, asht edhe korrespondenca e pasun dhe origjinale me t’afermit
e miqt, me kolegët dhe bashkpuntorët.
Pikërisht
këtij qëllimi i sherben edhe ky libër i mbushun vetëm më dokumente origjinale të
paparë ndonjiherë. Këtu paraqitet pjesërisht (se mjerisht nji pjesë e mirë s’asht
gjetun ende) korrespondenca e tij me Kapidan Ndue Gjomarkun, figurë e mirënjohun
historikisht e Derës së Gjomarkajve të Mirditës, që udhëhoqen luftën ma të vendosun
antikomuniste të krahinës në fjalë e ma vonë e shtrin në tanë territorin e
Shqipnisë.
Një tjetër
përsonalitet i diasporës shqiptaro-amerikane asht edhe Prof. Zef Neka, luftëtar
i vendosun edhe ky, që i priti me armë në dorë brigadat e kuqe komuniste kur
hynë në Mirditë dhe si intelektual solid shquhet për kontributin e madh
shkencuer në fushën e filologjis dhe albanologjis.
Me përsonalitete
të tillë, ka pas letërkëmbime Mustafa Kruja në mergimin e gjatë në kushte të vështira,
ku, përveç punës së rande fizike për të fitue me djersë e me nderë kafshatën e
bukës, del në pah lufta e përpjekjet e parreshtuna deri në fund të jetës për çlirimin
e Atdheut nga rregjimi gjakatar komunist, pa lanë me nj’anë edhe veprat
shkencore në gjuhësi e histori si dhe ato letrare, që mbetën nji thesar i
vertetë njohunish e të dhanash për specialistët e këtyne fushave.
Në Shqipni,
mbas ma se dy dekadash të shembjes së Murit të Berlinit, por jo të ideologjisë dhe
mendsisë komuniste, figurat ma të ndrituna të kombit vazhdojnë të mbeten në hije
dhe harres. Mendoj, se kjo nuk mund të zgjasë gjithmonë, sepse këto figura të ndrituna
që shkelqejnë si yjet e qiellit, nuk mund të mbulohen përjetsisht me shosh.
Sot ka
ardhun koha (e madje asht tejkalue së tepermi), që të rishkruhet historia e jonë
e vertetë. Kjo mendoj e duhet ba jo në kuptimin e riabilitimit të kriminelave
komunistë, që u dënuen nga diktatori Enver Hoxha me shokë, por në kuptimin e
vlerësimit dhe të nderimit të figurave të mëdha të kombit tonë.
Ndryshe ç’kuptim
tjetër ka përveç festimit artificial e propagandistik i 100-vjetorit të shpalljes
së identitetit shqiptar, kur pjesa ma e madhe e patriotëve të vërtetë, që firmosën
në Vlonë atë ditë të shënueme të Pavarësisë së Shqipnisë u ekzekutuen, u mbyten
në tortura dhe burgjet komuniste, në internime etj., ku, shumicës së tyne nuk u
dihen as varret, kur mijra të tjerë të pushkatuem e syrgjynosun, janë shtresa
ma e vuejtun, ma e nepërkambun sot e kësaj dite, e, për ma tepër pronat e
grabituna me dhune nuk u kthehen pronarëve të vertetë, apo kur krimet komuniste
nuk ndeshkohen… A mund të quhet ky shtet demokratik apo i së drejtës!?
Mes miqve
të shquar shqiptarë
Kam pas
nderin, kënaqsin dhe privilegjin të njoh në emigracionin e Amerikës, Kapidan
Ndue Gjomarkun (1914-2011), Prof. Zef Nekën (1919-2003), Mons. Dr. Zef Oroshi (1912-1989),
Prof. Rexhep Krasniqi (1906-1999), Kolonel Xhemal Laçi (1914-1994). Me ata kam
udhëtue shpesh dhe kemi ndejt gjatë për takime pune në shtepinë e Kapidan Ndue
Gjomarkut.
Në biseda
të shpeshta plot kujtime është përmendur me respekt emni i intelektualit
erudit, linguistit dhe burrit të madh të shtetit, miku i tyne në mungesë Mustafa
Kruja (1887-1958).
Kështu më
kujtohet kur Kapidani i Mirditës Gjonmarku, në esencë vlerësonte shumë nalt
figurën e mikut të tij Mustafa Krujës. Ai ndër të tjera thonte, se: “Për
nivelin e naltë intelektual, në disa fusha të shkencës e historisë së kombit
tonë, flet vetë nënshkrimi i tij në aktin e Pavarësisë së Shqipnisë me 28
Nanduer 1912 në Vlorë, ku ai ishte jo ma shumë se 25 vjeç…”
Profesor
Neka, kujton: “Në jetën time pata rast të shkëmbej mendime me shumë figura të shqueme,
që dhanë shumë në fusha të ndryshme. Por Mustafa Kruja, mbetet figura ma e naltë
e nji studiuesi të çdo disipline shkencore. Unë nga ai mësova shumë, gjatë letërkëmbimeve
tona të shumta dhe mund t’a quaj si nji mësues im në jetë. Për te kam lut Zotin
ta kursej, për t’i shërbye edhe ma mirë gjuhës e Atdheut tonë të shumëvuejtun…”
Prof. Rexhep
Krasniqi, për kolegun dhe mikun e tij të ngushtë kujtonte: “Nji studiues i
palodhun si Mustafa Kruja, kombit tonë do t’na i lente nji thesar të çmueshëm
sikurse Zoti do t’i jepte jetë ma të gjatë. Ai do t’na krenonte në mesin e
figurave botnore…”
Ndërsa
themeluesi i Kishës së parë Katolike shqiptare në Amerikë Mons. Dr. Zef Oroshi
thonte shpesh: “Pushtimi i vendit tim me 7 Prill 1939 nga Italia fashiste, më gjeti
në Romë me studime. Ishin ditët ma të idhta të jetës time. Ardhja e Mustafa
Krujës në krye të shtetit, per atë periudhë kohe të shkurt i tregoi pushtuesve
të huaj se ka të baj me nji burrë të madh, i cili për çashtjen e Atdheut nuk
lshoi pe. Aja u kuptue edhe me dorhekjen e tij, për mos realizimin e plotë të kërkesave…”
Kolonel
Xhemal Laçi, në kujtimet e veta tregon, se: “Kryeministri Mustafa Kruja nga nji
kundërshtar i Mbretit Zog, u ba këshilltari ma i besueshëm i tij..”
Unë e
pergëzoj dhe falnderoj sinqerisht Zotni Eugjen Merliken, për këto seri
origjinale veprash, me të cilat zbardhet plotësisht e vërteta, për aq sa
trajtojnë e i uroj perzemersisht shendet, jetë të gjatë dhe suksese në rrugen e
nisun.
Unë jam
gjithashtu i bindun, se populli i shkretë e ka kuptue dhe e njeh mirë nën dritën
e këtyne fakteve klasen politike puro komuniste, që i ka hypë gabimisht mbi
shpinë qysh me 29 nanduer 1944… dhe nuk po i zbret ende!