E diele, 28.04.2024, 12:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Flet piktori Edmond Tullumani

E premte, 08.06.2012, 05:04 PM


Flet piktori Edmond Tullumani: Ngjyra jeshile, një ngjyrë që më mbërthen

“Motive Shqiptare”, një ekspozitë për Pavarësinë

Nga Albert ZHOLI

Dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u hap ekspozita vetjake e piktorit të talentuar Edmond Tullumani “Motive Shqiptare”.  Brenda një harku kohor shtatë mujor piktori Tullumani hap ekspozitën e tij të dytë. Kjo ekspozitë, e cila hapet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë përbën një risi në rrugëtimin e Tullumanit për vetë stilin e pikturës dhe ngjyrës së veçantë që përdor autori, ku mbizotëron jeshilja e mbyllur. Në këtë ekspozitë harmonike janë vendosur 58 piktura në vaj ku mbizotërojnë portrete por dhe peizazhet. Në fillim të ekspozitës të bien në sy portretet “Baca” “Çeço labi” valltari i valles “Osman Taka” etj.

Z. Tullumani për shtatë muaj dy ekspozita, nuk janë shumë?

Piktura është si poezia, si librat që bëni ju shkrimtarët, që kur ke motivin, fabulën, ndjenjën, s’të lë peneli ta lëshosh nga dora. Ishte një frymëzim i brendshëm që më mbërtheu në telajo pavarësisht se, doja apo s’doja unë të pikturoja. Pa këtë frymëzim ndoshta s’do ta kisha gjetur këtë rrugë për çeljen e ekspozitës “Motive Shqiptare”.

Kjo ekspozitë hapet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë?

Po, kjo ekspozitë hapet me këtë rast. Ky ishte motivi i frymëzimit tim, që erdha deri në këtë çast. Ky 100-vjetor është një shtysë për të gjithë krijuesit, pasi ka se si gjendet fabula, ideja, mendimi. Ka si gjendet justifikimet brenda vetes për të paraqitur diçka ndryshe dhe me ndjesi.

Në fillim të ekspozitës të bien në sy portretet “Baca” “Çeço labi” valltari i valles “Osman Taka”, portreti i burrit krutan, apo veshjet karakteristike të disa krahinave. Çfarë do të përcjellësh me këto piktura?

Ato piktura flasin vetë. Janë portrete burrash të ashpër, të vuajtur por krenarë. Burra që jetën e tyre e kanë kaluar maleve për të shpëtuar atdheun nga pushtuesit. Ata janë sa të sertë po aq dhe të dashur, sa të ftohtë po aq të dhembshur, sa krenarë po aq dialogues, sa indiferentë po aq dhe masovik. Brenda tyre gëlon jeta me të gjitha ngjyrat e saj. Por mbi të gjitha ato janë njerëz të vetësakrifikuar në emër të lirisë së kombit. Ata janë kthyer në legjendë të lirisë, si kreshnik që duan vetëm hapësirë.

Në piktura ka shumë elementë të veshjeve popullore karakteristike nga të gjitha trevat. Pse kjo shtysë?

Më pëlqejnë veshjet popullore tradicionale shqiptare. Jemi një popull më kolorit veshjesh  të jashtëzakonshme. Psh, veshja e burrave të Labërisë dhe atyre të veriut  kanë diçka epike, që si gjen në asnjë vend tjetër të botës. Psh, veshja tek “Vallja e shpatave” apo tek vallja “Osman Takës” gjen elementë popullor të pakonceptueshëm. Larmia e ngjyrave forma  e veshjes, më ngjyra e dizajnit të mbërthejnë. Apo po të marrim papuçet e valltarëve të kthyera me xhufkë që ngjajnë edhe si varkë edhe si krahë fluture që e japin valltarin në fluturim

Shihet se në ekspozitën tuaj mbizotëron ngjyra jeshile e mbyllur. Përse kjo ngjyrë?

Është ngjyra ime e preferuar. Ngjyra që unë e kam gjithmonë me vete. Është një ngjyrë jo e drejtpërdrejtë por e përgatitur sipas mënyrës dhe idesë sime. Se ç’më përcjell kjo ngjyrë, më duket se e kam timen, të ngulitur në dorë dhe në mendje. Secili piktor ka ngjyrën e vet, individualitetin e vetë dhe në ngjyra, kështu dhe jeshilja e mbyllur më duket sikur ka lindur tek unë rastësisht për të mbetur përjetësisht.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora