E shtune, 27.04.2024, 10:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Ramiz Kuqi: Poezi me përmbajtje refleksive dhe patriotike

E enjte, 07.06.2012, 06:39 PM


POEZI ME PËRMBAJTJE REFLEKSIVE DHE PATRIOTIKE

(Me rastin e promovimit të librit” Kuajt e mjegullës” të Myrvete Mehmetit, mbajtur në Oslo, më 6 maj 2012).

Nga Mr. Ramiz Kuqi

Janë bërë ca vite që me interesim të shtuar përcjelll punën artistike krijuese të poetëve, të cilët në nivele të ndryshme shprehin e trajtojnë një varg çështjesh e gjendjesh që lidhen me tema, motive, ngjarje e aspekte ndër më aktuale që janë në botën e poetëve dhe të poeteshave. Në këtë vazhdë, një numër i konsideruar vëllimesh poetike që kanë parë dritën e botimit brenda atdheut, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovën Lindore dhe në Diasporë, dëshmojnë se poezia e sotme shqipe vazhdon të shënojë suksese dhe të arritura të nivelit të lartë poetik, perla poetike që shquhen me vlera të qëndrueshme ideoartistike dhe ideoestetike.

Në këtë mes veçohet edhe vëllimi poetik “Kuajt e mjegullës”, të Myrvete Mehmetit, që në përmbajtjen dhe formën e saj, po ta shohim me syrin e një vështruesi dashamirës, vijmë në përfundim se ajo me të gjitha mundësitë krijuese e me potencialin artistic, ka arritur të dëshmojë se në procesin krijues ka ndjekur me vemendje zhvillimin e poezisë nëpër faza të ndryshme të jetës së njërëzve dhe të historisë njerëzore. Vëllimi “Kuajt e mjergullës” ngërthen në vete 200 poezi te sistemuara  në tetë cikle, si: “Mall”, ”Harrimi”, ”Vetvetja”, ”Vetmi”, ”Fate”, ”Koha”, ”Pritja” dhe “Dëshira”. Ciklet  ngërthejnë në vete vlera lirike që karakterizohen si këngë malli për atdheun, sentimente që shpalosin ecejaket e një pjesë të biografisë së njerëzve, biografi për vetveten, për vetminë, për mërgimin, për fatet, për rrjedhat e zhvilluara nëpër kohë, për shpresat dhe për realizimin e dëshirave dhe të ëndërrimeve. Këto ideale, dëshira dhe ëndrra, autorja sikur i manifeston këndshëm, bindshëm e me forcë emocionale përmes evokimeve e hollësive të shumta mbi ato tema, motive e dukuri të cilat përshkohen me vërtetësi ideore e artistike dhe që në tërësinë e tyre rrezatojnë mbi faktet dhe ngjarjet e jetës, të historisë dhe të transformimeve të shoqërisë nga shumë anë e rrafshe jetësore.

Në poezitë e vëllimit respektiv janë prekur e janë trajtuar tema, motive dhe dukuri të llojllojshme. Brenda tyre vërejmë mendime, ndjenja, emocione, aspirata, nostalgji, dashuri për jetën, për lirinë, për vendlindjen, për traditën, për kulturën e historinë kombëtare dhe për cdo gjë që lidhet  me të bukurën dhe njerëzoren. Madje edhe për dashurinë. Në të vërtetë poezitë e vëllimit i karakterizon trajta e shprehja poetike e shoqëruar me të dhëna që nga ana e Myrvetes pasqyrohen me zhdërvjellësi e spontanitet. Në saje të këtyre cilësive autorja ka arritur të prekë një gamë problemesh të mprehta. Në poezi vemë re zotësinë dhe afinitetin e poeteshës, e cila me një ndjenjë të llojit të vet, di të bëjë kalimin prej një situate në një tjetër, prej një përjetimi ndjenjor në një tjetër, duke e thyer kështu monotoninë e rrëfimit, dhe kjo thyerje flet për një mjeshtri të veçantë që Myrvetja e dëshmon në pasqyrimin e çështjeve të cilat i bën objekt trajtimi në tekstin poetik.

Është me rëndësi të thuhet se në analizat e mendimet e dhëna për cdo vëllim është dëtyrë dhe obligim që të jemi sa më të drejtpërdrejtë dhe të mos tregohemi aspak subjektiv, sepse këtë e kërkon e vërteta shkencore dhe koha që kemi përpara. Vargjet për atdheun dallgëzohen dhe shpalosin nga brendia shpirtin e poetes. Mendja dhe ndjenja e saj për atdheun shkojnë larg e më larg dhe botën delikate të saj e nxisin të derdhë mbi vargje një botë të trazuar shpirtërore, gjithnjë me një stil myrvetian, të jashtëzakonshëm. Vargjet e poezisë “Mall që s’thuhet”, të ciklit të parë mbase më bindshën e dëshmojnë këtë: “Të kam mbi supe Atdhe”. Poetja në temën e atdheut derdh art të fuqishëm e të mirëfilltë. Natyrisht që një art i tillë është mësimi më i mirë për të dashur vendin dhe bukuritë e natyrës shqiptare dhe të shpirtit shqiptar që e magjepsin.

Në poezitë e cikleve tjera, autorja sjell një atmosferë delokate të dhembjes, një përgjërim që ta këput shpirtin si pasojë e atdheut tone, ende të përgjysmuar. Poezitë “Puth flamurin tënd”, “Mos”,”Vendlindja”, ”Kuajt e mjegullës”, “Mbase”, ”Zgjim”, ”Ëndrra e arnuar”, ”Kënga e vjeshtës”, ”Mall që s’shuhet”, ”Baba” e tjera,  në mënyrën më të mirë flasin për të vërtetën se poetesha i ngjan një këngëtareje elegjiake shpirtin e së coilës e mundojnë plagët e atdheut. Kështusoj, duke u hedhur në largësi historike, Myrvetja sjell në vargje simbolet kombëtare dhe figura emblematike të njerëzve që luftuan për lirinë dhe çlirimin e Atdheut.

Një varg poezishë vijnë rrjedhshëm e pa ndonjë artificialitet. Burojnë nga vuajtjet, qofshin ato edhe të natyrës intime, ku nxjerr krye lirizmi o hollë, i ngrohtë, subtil, i gërshetuar madje edhe nga kujtimet që vijnë nga përjrtimet e jetës në mërgim, nga malli e nostalgjia për cdo gjë që gjendet në vendlindje, në atdhe dhe në shpirtin e traditën e popullit shqiptar. Përkundër të gjitha këtyre dhembjeve e ndrydhjeve shpirtërore që trondisin shpirtin, vargjet e Myrvetes nuk ndjellin erë pesimizmi. Përkundrazi ato rezatojnë, siç e do arti letrar dhe ëndërrimet e poetes, siç e kërkon ideali dhe dëshira përmes të cilave hapen shtigjet e dritës për ngadhnjimin e dritës mbi errësirën, të mirës mbi të keqen, e këto së bashku ushqejnë besimin që lidhet me ekzistencën me jetën e për jetën, sepse siç thotë Visar Zhiti, gjendjet shpirtërore  duhet të marrim forca të reja për të parë më shumë me plagët se me sytë.

Shumica e poezive të Myrvetes në librin “Kuajt e mjegullës” përshkohen me vargje të ngrohta e të çiltërta, me vargje që shquhen për një lirizëm të hollë, me vagje që pasqyrojnë botën e trazuar sa te poetes aq edhe të personazheve të tjera. Këto të dhëna japin për të kuptuar se autorja, edhe me këtë vëllim, para lexuesve dëshmon prirjen e talentin për ta riprodhuar jetën dhe realitetin jetësor, shoqëror e historic, përmes poezisë. Tematika e së kaluarës dha ajo e sotmja e frymëzojnë Myrveten të shkruajë poezi me vlera të shquara ideore dhe estetike. Poezitë e saj shquhen për një stil original, edhe me zërin dhe ligjërimin e saj poetik. Në poezi, ajo sjell herë-herë, vargje për ëndrrat e gërshetuara si një realizim i veçantë poetic.

Poezi mërgimtare me shqetsime të ëmbla shpirtërore

E këtillë është edhe poezia ”Lot shpirti”. Në brendinë e kësaj lirike intime fshihet një subjekt i caktuar, mbase edhe një pseudonim i një personazhi lirik për të cilin poetja këndon me mall e nostalgji. Edhe në këto vargje nxjerr krye antiteza për të sendertuar një të vertetë jetësore. Duke ia sjellë në mendje lexuesit Omar Khajamin e ”Rubairave”, të cilin e bëri të flasë shqip Noli ynë i madh, autorja na i rikujton vargjet lirike të këtij liriku të madh persian, i cili fton njerëzit që të shijojnë jetën “O njeri! Zbraz kupa e puth çupa!/ Ke kohë të jetosh në errësirë”, (Khajami,”Rubairat”). Ndërsa poetja jonë, këtij malli i këndon në këto vargje: “Dehur në vargj/ Pi për të ikur./ Pi,gëzohu./ Askush s’ka dy jetë.” (Lot shpirti).

Në ciklin e dytë lexuesi gjen poezi që ruajnë elemente të vajtimit, këngëve që shpalosin situatat e gjendjeve të rënda me të cilat ballafaqohen njerëzit e një kohe e një sistemi të caktuar shoqëror. Por këtyre gjendjeve të rënda vetëm kulla si simbol i ekzistencës do t’u përballojë dhe, si e tillë do të ruajë kujtimet–kujtime që kanë vajin e këngëve të vajtimit dhe të krijimeve të mjegullta. Përmes përdorimit  të fjalës harrimi autorja e kthen lexuesin  në ngjarjet e së djeshmes, në jetën e vështirë të cilën e karakterizojnë shenjat e historisë së rëndë të shqiptarëve  në një kohë të pakohë ku “guri i varrit mbi kafkë” do të ruajë sa kujtimet  aq “ecjet zikzake udhëve të sheshta”.

Kur lexojmë poezitë “Ikën vonë akrepat”, “Përtej pritjes”, “Për një të pathënë”, “Çka të them”, “Hëna të gjitha i shihte”, “Zemër e gurë”, “Këputje”, “Ti vetëm”, shohim me sa kulturë e afinitet autorja e pasuron botën  letrare me poezi dhe në qendër të pasqyrimit kanë vlimet shpirtërore dhe shqetësimet mbi realitetin  e ditëve e të netëve, të cilat ajo i kalon në mërgim  e gjithandej Europës. Poetja huazon edhe thënie të krijuesve, siç është bie fjala “Për një të pathënë” të Murat Isakut, e cila i shërben asaj për të ndërtuar një vizion të ri poetik e estetik të mirëfilltë. Në këtë kontekst autorja zbulon para lexuesit një dhembje kohe dhe përmes pasthirrmës ajo vargun e bën sa më emocional. Shumë kuptimplote janë thirrjet e saj, mbase në një gjendje shpirtërore që as fjala nuk mund ta zbërthejë deri në fund, shpërthen një lirizëm jo i butë, femëror “Oh“ që brenda saj përmban dhembjen dhe, zëri përgjërues ”ndalo pak se…”, dhe vazhdon për të rrëfyer në vargje “Sa fjalë të pathëna i bart era”. Edhe në këtë klithmë shpirtërore ajo gjen force të përballojë e të vrasë vetminë që përvëlon fjalën, dashurinë së cilës i janë përulur penat më të shquara të mendjes njerëzore, Hajne, Lasgushi, Naimi e të tjerë.

Duhet të kuptojmë se shqetësimet, trazimet dhe zhgënjimet që poezive u japin notat e një pesimizmi i tejkalon arsyeshëm e me bindje se çdo e keqe e ka fundin e vet. E vërteta shpesh, sipas poetes, fshihet nëpër rrëmuja dhe gremina. Ndërsa vdekja është definuar në vargje si ligj i natyrës që nënkupton faktin se ajo është filteri i fundit nëpër të cilën do të detyrohen të kalojnë të gjithë, pavarësisht pozitës dhe gjendjes sociale që kanë në jetë.  Poezitë e cikleve të tjera si “Vetmi”, “Fate”, “Koha”, “Pritja dhe dëshira”, përshkohen me nota lirike që kënaqin shijet e lexuesve të moshave të ndryshme. Brenda poezive të vëllimit “Kuajt e mjegullës” gjejmë ide që frymëzimin e kanë në çështjet më të rëndësishme, që lidhen me historinë e lavdishme të popullit shqiptar, me shpirtin liridashës e internacioanlist të tij dhe poetja rrok në vargje aspekte të ndjeshme duke bërë përgjithësime të arsyeshme, jo vetëm për probleme të historisë së popullit shqiptar e me gjerë, por edhe botës  intime të njerëzve që gjatë jetës ndeshën me vështirësi e probleme jo edhe aq të lehta për t’u kapërcyer. Autorja në disa poezi për gjendjen si politike ashtu edhe ekonomike fajëson EUropën. Vargjet shprehin këtë akuzë të autores: “Merre këtë lutje të pakëndueme/ Kur të kalosh portave të hapura të Evropës/ Mbyll kufijtë e zemrës, deri të dhembja.” (Je a s’je).

Vërtet poetja këndon për tema të dhembshme, tema që janë aktuale siç ndodh me fatin e gjysmës së Mitrovicës, e cila edhe pas dymbëdhjetë vjetësh kinse liri e  pavarësi e Kosovës, është ende e ndarë. E brengosur me këto veprime të Serbisë që po shkel sovranitetin e Kosovës, autorja shkruan këto vargje: “Se kjo urë e lashtë/ krahapur si dykrenare/ ka marrë e ka dhanë kreshnikë/.../ Gjithmonë flasin gojëdhënat. ( Gjysma e këngës së lumit).

Shqiptarja që zgjeron hapësirat e shtigjeve të mendimit refleksiv

Përmes poezive të cikleve të përmendura, autorja dëshmohet si një këngëtare e përkushtimit atdhetar, si një penë e frymëzuar që në trajtimin e temave e të motiveve zgjeron hapësirat e shtigjeve të mendimit refleksiv dhe pikërisht idetë filozofike të mbrujtura në subjektet e poezive shpërndajnë aromën e vetmisë, të mërzisë, të shqetësimit dhe të ndrydhjeve , të cilat ia shkakton koha e pa kohë, fati i pafat, pritja e pritjeve dhe dëshirat e paplotësuara. Mbi të gjitha, këto tema autorja i shtjellon me një gjuhë të zgjedhur dhe me teknika poetike arrin të mbajë lidhje të pashkëputura mes  historisë dhe aktualitetit me rrjedhat shoqërore. Në mënyrë simbolike vargjet shpalosin një gamë ngjarjesh që shkaktojnë dhembje të mëdha në shpirtin e njerëzve, që kryefjalë të jetës kanë lirinë aq të ëndërruar nga shqiptarët shekuj me radhë, drejtësinë dhe humanizmin.

Me fjalë të tjera, vargjet kanë brenda vetes një substancë të ngjeshur mendore e ndjenjore. Syzhetë e poezive i karakterizon përmbajtja dhe fryma realiste. Duke shfrytëzuar simbolet dhe antitezat poetja u siguron poezive substancë figurative. Për këtë figurshmëri poetike flasin vargjet: “Me njërin sy kah deti veneron/ me një gji mëkon birin e vetëm/ me njërën shputë përkund djepin e bardhë.” (Kënga e Rozafës)

Poezitë e vëllimit “Kuajt e mjegullës” janë frymëzime nga historia, nga mitet e legjendat, nga realiteti i kohës dhe nga përditshmëria e mbushur plot me ngjarje e dukuri, të cilat poetja i trajton poetikisht me një strukturë të larmishme dhe me forcë ekspresive. Nëpër vargjet e Myrvetes shpërfaqen ndjenjat dhe mendimet me nota të dhembjes. Një libër i tërë brenda këtij vëllimi janë këngë të lirikës intime dhe, vetëm mbi këtë motiv mund të bëhet një studim i thuktë. Natyra e promovimit të librit nuk lë hapësirë për një studim më të thellë edhe të shumë temave e motiveve,të cilat thuajse janë prekur sipërfaqësisht. Duke i pasur për bazë këto të dhëna me arsye është thënë se “Poezia sa më hapësirë të ketë në këtë tematikë, mendime, formë e ritmikë, aq më shumë përvetësohet dhe aq më e pasur bëhet në shprehjen e jetës”.

Një vlerësim i tillë për poezinë na sjell përpara konstatimit e qëlluar: “Po arti nuk është lojë, nuk është vetëm formë, arti është ndjenjë dhe ide. Arti nuk ka qenë e nuk ka për të qenë mjet argëtimi. Mjet argëtimi mund të jetë vetëm antiarti”. Gjatë analizës së lëndës së vëllimit  respektiv, mësojmë se çdo ngjarje në jetën e njeriut dhe në shoqërinë njerëzore bën efektin e vet dhe brenda botës refleksive e imagjinative, autorja trajton, shpreh dhe shapalos jetëshkrimin e vetvetes ku e gjen veten çdokush. Vendosja e fjalëve në këtë apo në atë poezi të emocionon, madje dhe të trondit, të plandos, të bën të ndash dhembjen dhe ato pak çaste lirike që përshkojnë vargun e saj. Ajo nuk ndalet së kërkuari këtë oazë lumturie. Kjo dhe i jep forcë vargut të Myrvetës, e cila si e tillë do njohje të thellë të artit letrar për ta interpretuar ashtu sic e kërkon brendia e tekstit.

Poezitë e Myrvetes me të gjitha elementet e nevojshme i sfidojnë kohërat dhe sunduesit e atyre kohërave. Poetja kudo këndon për çështje e probleme shoqërore dhe më pak çështje të natyrës individuale. Ashtu siç vlerëson Visar Zhiti për poezinë e Ali Podrimjes poetja duke qenë “në gjysmë e Itakën tjetër të atdheut, atdheu i saj është prej mishi, jo vetëm prej malesh, fushash e bëmash, prej gjaku aq sa edhe prej ujërash, është Njeriu dhe qielli i saj, jo vetëm malli ku shkel, madje edhe nëntoka e të vdekurve, është ëndrra e tyre që krijon sipër vesë, mjegulla e fantazma” (Visar Zhiti, Drita e plagës, Koha ditore, 7 mars 2012, fq. 21). Gjuha-çështje që duhet të respektohet me përgjegjësi më të madhe. Gjatë hartimit të çdo lloj shkrimi duhet të kemi respekt dhe përgjegjësi ndaj gjuhës së standardizuar, duhet të kemi zotësi e përgjegjësi në përzgjedhjen e fjalëve dhe të termave dhe të ruajtjes së veçantisë së saj.

Zbatimi i normës drejtshkrimore duhet të jetë detyrë e çdokujt që merret,  jo vetëm me shkrime letrare e shkencore, por edhe shkrime thjesht të karakterit privat. Një çështje e tillë aktuale dhe me peshë të veçantë, jo vetëm gjuhësore por edhe kombëtare e ka nxitur Gjovalin Shkurtaj të theksojë se “Kohëve të fundit, qysh nga viti ’99 e këndej, krahas shtimit të vrullshëm të nevojave për të shkruar e botuar, në kuadrin e lirisë së shprehjes që ka qenë dhe mbetet aq e dëshirueshme dhe e vyer për kombin dhe për popullin tonë të shumëndrydhur, për fat të keq, kanë nxjerr krye e po bëjnë udhë jo pak gabime e shtrembërime gjuhësore” (Gjovalin Shkurtaj, Si të shkruajmë shqip, Toena, Tiranë, 2008, fq. 78-79). Duhet të theksojmë se vëllimin “Kuajt e mjegullës”, e shoqërojnë disa gabime drejtshkrimore e gjuhësore, se lektorët janë të papërgjegjshëm, nuk janë seriozë kur pranojnë të bëjnë lekturën e ndonjë vepre letrare e shkencore. Mos të harrojmë se Aleksandër Xhuvani ka thënë se ”Kudo, në çdo letërsi e në çdo kohë, shkrimtarët kanë qenë ata që i kanë dhënë hov përparimit të gjuhës me anë të veprave letrare, duke e lëvruar dhe duke e pasuruar”.

Në fund të këtij vështrimi jemi të bindur se Myrvete Mehmeti është në udhë të mbarë dhe ajo duhet me ngulm të vazhdojë të shruajë me hove e frymëzime të reja për ta pasuruar edhe më tej opusin e saj letrar dhe lëtërsinë shqipe që po zhvillohet sot në diasporë. Ajo ka krijuar një individualitet letrar të konsoliduar që e lakmon çdo krijues. Posedon talent të rrallë në krijimin e vargut dhe ka stil të veçantë dhe shumë origjinal. Përdor shpesh antitezën për të shprehur kundërthëniet në jetë. Veçohen vargjet “Vritet natën djalli-ëngjelli” (Dhembja e bukur), mandej “Lëreni se zemra po mat dashurinë me dhimbjen” (“Zemër nëne”), ”Njëri hante fjalët, tjetri thonjtë e heshtjes” (Hamsët), e kështu me rradhë. Autorja përdor një figuracion të pasur poetik, si personifikimin, simbolin, metaforën e tjera. Në këtë vështrim të shkurtër ne jemi përpjekur të hedhim dritë mbi ide, mendime  dhe kemi arritur kalimthi t’i prekim vetëm disa anë të krijimtarisë së saj letrare, pa hyrë në analiza të hollësishme, sepse për një analize të të gjitha motiveve do të duhej kohë dhe hapësirë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora