| E enjte, 07.06.2012, 06:39 PM |
POEZI ME
PËRMBAJTJE REFLEKSIVE DHE PATRIOTIKE
(Me rastin e promovimit të librit” Kuajt e mjegullës” të Myrvete Mehmetit, mbajtur në Oslo, më 6 maj 2012).
Nga Mr. Ramiz Kuqi
Janë bërë
ca vite që me interesim të shtuar përcjelll punën artistike krijuese të poetëve,
të cilët në nivele të ndryshme shprehin e trajtojnë një varg çështjesh e
gjendjesh që lidhen me tema, motive, ngjarje e aspekte ndër më aktuale që janë në
botën e poetëve dhe të poeteshave. Në këtë vazhdë, një numër i konsideruar vëllimesh
poetike që kanë parë dritën e botimit brenda atdheut, si në Shqipëri, Kosovë,
Maqedoni, Kosovën Lindore dhe në Diasporë, dëshmojnë se poezia e sotme shqipe
vazhdon të shënojë suksese dhe të arritura të nivelit të lartë poetik, perla
poetike që shquhen me vlera të qëndrueshme ideoartistike dhe ideoestetike.
Në këtë mes
veçohet edhe vëllimi poetik “Kuajt e mjegullës”, të Myrvete Mehmetit, që në përmbajtjen
dhe formën e saj, po ta shohim me syrin e një vështruesi dashamirës, vijmë në përfundim
se ajo me të gjitha mundësitë krijuese e me potencialin artistic, ka arritur të
dëshmojë se në procesin krijues ka ndjekur me vemendje zhvillimin e poezisë nëpër
faza të ndryshme të jetës së njërëzve dhe të historisë njerëzore. Vëllimi “Kuajt
e mjergullës” ngërthen në vete 200 poezi te sistemuara në tetë cikle, si: “Mall”, ”Harrimi”, ”Vetvetja”,
”Vetmi”, ”Fate”, ”Koha”, ”Pritja” dhe “Dëshira”. Ciklet ngërthejnë në vete vlera lirike që karakterizohen
si këngë malli për atdheun, sentimente që shpalosin ecejaket e një pjesë të biografisë
së njerëzve, biografi për vetveten, për vetminë, për mërgimin, për fatet, për
rrjedhat e zhvilluara nëpër kohë, për shpresat dhe për realizimin e dëshirave
dhe të ëndërrimeve. Këto ideale, dëshira dhe ëndrra, autorja sikur i manifeston
këndshëm, bindshëm e me forcë emocionale përmes evokimeve e hollësive të shumta
mbi ato tema, motive e dukuri të cilat përshkohen me vërtetësi ideore e
artistike dhe që në tërësinë e tyre rrezatojnë mbi faktet dhe ngjarjet e jetës,
të historisë dhe të transformimeve të shoqërisë nga shumë anë e rrafshe jetësore.
Në poezitë
e vëllimit respektiv janë prekur e janë trajtuar tema, motive dhe dukuri të llojllojshme.
Brenda tyre vërejmë mendime, ndjenja, emocione, aspirata, nostalgji, dashuri për
jetën, për lirinë, për vendlindjen, për traditën, për kulturën e historinë kombëtare
dhe për cdo gjë që lidhet me të bukurën
dhe njerëzoren. Madje edhe për dashurinë. Në të vërtetë poezitë e vëllimit i
karakterizon trajta e shprehja poetike e shoqëruar me të dhëna që nga ana e
Myrvetes pasqyrohen me zhdërvjellësi e spontanitet. Në saje të këtyre cilësive
autorja ka arritur të prekë një gamë problemesh të mprehta. Në poezi vemë re
zotësinë dhe afinitetin e poeteshës, e cila me një ndjenjë të llojit të vet, di
të bëjë kalimin prej një situate në një tjetër, prej një përjetimi ndjenjor në një
tjetër, duke e thyer kështu monotoninë e rrëfimit, dhe kjo thyerje flet për një
mjeshtri të veçantë që Myrvetja e dëshmon në pasqyrimin e çështjeve të cilat i
bën objekt trajtimi në tekstin poetik.
Është me
rëndësi të thuhet se në analizat e mendimet e dhëna për cdo vëllim është dëtyrë
dhe obligim që të jemi sa më të drejtpërdrejtë dhe të mos tregohemi aspak
subjektiv, sepse këtë e kërkon e vërteta shkencore dhe koha që kemi përpara. Vargjet
për atdheun dallgëzohen dhe shpalosin nga brendia shpirtin e poetes. Mendja dhe
ndjenja e saj për atdheun shkojnë larg e më larg dhe botën delikate të saj e
nxisin të derdhë mbi vargje një botë të trazuar shpirtërore, gjithnjë me një stil
myrvetian, të jashtëzakonshëm. Vargjet e poezisë “Mall që s’thuhet”, të ciklit
të parë mbase më bindshën e dëshmojnë këtë: “Të kam mbi supe Atdhe”. Poetja në temën
e atdheut derdh art të fuqishëm e të mirëfilltë. Natyrisht që një art i tillë është
mësimi më i mirë për të dashur vendin dhe bukuritë e natyrës shqiptare dhe të shpirtit
shqiptar që e magjepsin.
Në poezitë
e cikleve tjera, autorja sjell një atmosferë delokate të dhembjes, një përgjërim
që ta këput shpirtin si pasojë e atdheut tone, ende të përgjysmuar. Poezitë “Puth
flamurin tënd”, “Mos”,”Vendlindja”, ”Kuajt e mjegullës”, “Mbase”, ”Zgjim”, ”Ëndrra
e arnuar”, ”Kënga e vjeshtës”, ”Mall që s’shuhet”, ”Baba” e tjera, në mënyrën më të mirë flasin për të vërtetën
se poetesha i ngjan një këngëtareje elegjiake shpirtin e së coilës e mundojnë plagët
e atdheut. Kështusoj, duke u hedhur në largësi historike, Myrvetja sjell në vargje
simbolet kombëtare dhe figura emblematike të njerëzve që luftuan për lirinë dhe
çlirimin e Atdheut.
Një varg
poezishë vijnë rrjedhshëm e pa ndonjë artificialitet. Burojnë nga vuajtjet,
qofshin ato edhe të natyrës intime, ku nxjerr krye lirizmi o hollë, i ngrohtë,
subtil, i gërshetuar madje edhe nga kujtimet që vijnë nga përjrtimet e jetës në
mërgim, nga malli e nostalgjia për cdo gjë që gjendet në vendlindje, në atdhe
dhe në shpirtin e traditën e popullit shqiptar. Përkundër të gjitha këtyre
dhembjeve e ndrydhjeve shpirtërore që trondisin shpirtin, vargjet e Myrvetes
nuk ndjellin erë pesimizmi. Përkundrazi ato rezatojnë, siç e do arti letrar dhe
ëndërrimet e poetes, siç e kërkon ideali dhe dëshira përmes të cilave hapen
shtigjet e dritës për ngadhnjimin e dritës mbi errësirën, të mirës mbi të keqen,
e këto së bashku ushqejnë besimin që lidhet me ekzistencën me jetën e për jetën,
sepse siç thotë Visar Zhiti, gjendjet shpirtërore duhet të marrim forca të reja për të parë më shumë
me plagët se me sytë.
Shumica e poezive të Myrvetes në librin “Kuajt e mjegullës” përshkohen me vargje të ngrohta e të çiltërta, me vargje që shquhen për një lirizëm të hollë, me vagje që pasqyrojnë botën e trazuar sa te poetes aq edhe të personazheve të tjera. Këto të dhëna japin për të kuptuar se autorja, edhe me këtë vëllim, para lexuesve dëshmon prirjen e talentin për ta riprodhuar jetën dhe realitetin jetësor, shoqëror e historic, përmes poezisë. Tematika e së kaluarës dha ajo e sotmja e frymëzojnë Myrveten të shkruajë poezi me vlera të shquara ideore dhe estetike. Poezitë e saj shquhen për një stil original, edhe me zërin dhe ligjërimin e saj poetik. Në poezi, ajo sjell herë-herë, vargje për ëndrrat e gërshetuara si një realizim i veçantë poetic.
Poezi mërgimtare
me shqetsime të ëmbla shpirtërore
E këtillë
është edhe poezia ”Lot shpirti”. Në brendinë e kësaj lirike intime fshihet një subjekt
i caktuar, mbase edhe një pseudonim i një personazhi lirik për të cilin poetja
këndon me mall e nostalgji. Edhe në këto vargje nxjerr krye antiteza për të sendertuar
një të vertetë jetësore. Duke ia sjellë në mendje lexuesit Omar Khajamin e ”Rubairave”,
të cilin e bëri të flasë shqip Noli ynë i madh, autorja na i rikujton vargjet
lirike të këtij liriku të madh persian, i cili fton njerëzit që të shijojnë jetën
“O njeri! Zbraz kupa e puth çupa!/ Ke kohë të jetosh në errësirë”, (Khajami,”Rubairat”).
Ndërsa poetja jonë, këtij malli i këndon në këto vargje: “Dehur në vargj/ Pi për
të ikur./ Pi,gëzohu./ Askush s’ka dy jetë.” (Lot shpirti).
Në ciklin
e dytë lexuesi gjen poezi që ruajnë elemente të vajtimit, këngëve që shpalosin
situatat e gjendjeve të rënda me të cilat ballafaqohen njerëzit e një kohe e një
sistemi të caktuar shoqëror. Por këtyre gjendjeve të rënda vetëm kulla si
simbol i ekzistencës do t’u përballojë dhe, si e tillë do të ruajë kujtimet–kujtime
që kanë vajin e këngëve të vajtimit dhe të krijimeve të mjegullta. Përmes përdorimit të fjalës harrimi autorja e kthen
lexuesin në ngjarjet e së djeshmes, në jetën
e vështirë të cilën e karakterizojnë shenjat e historisë së rëndë të shqiptarëve në një kohë të pakohë ku “guri i varrit mbi
kafkë” do të ruajë sa kujtimet aq “ecjet
zikzake udhëve të sheshta”.
Kur
lexojmë poezitë “Ikën vonë akrepat”, “Përtej pritjes”, “Për një të pathënë”, “Çka
të them”, “Hëna të gjitha i shihte”, “Zemër e gurë”, “Këputje”, “Ti vetëm”,
shohim me sa kulturë e afinitet autorja e pasuron botën letrare me poezi dhe në qendër të pasqyrimit
kanë vlimet shpirtërore dhe shqetësimet mbi realitetin e ditëve e të netëve, të cilat ajo i kalon në
mërgim e gjithandej Europës. Poetja
huazon edhe thënie të krijuesve, siç është bie fjala “Për një të pathënë” të Murat
Isakut, e cila i shërben asaj për të ndërtuar një vizion të ri poetik e estetik
të mirëfilltë. Në këtë kontekst autorja zbulon para lexuesit një dhembje kohe
dhe përmes pasthirrmës ajo vargun e bën sa më emocional. Shumë kuptimplote janë
thirrjet e saj, mbase në një gjendje shpirtërore që as fjala nuk mund ta zbërthejë
deri në fund, shpërthen një lirizëm jo i butë, femëror “Oh“ që brenda saj përmban
dhembjen dhe, zëri përgjërues ”ndalo pak se…”, dhe vazhdon për të rrëfyer në vargje
“Sa fjalë të pathëna i bart era”. Edhe në këtë klithmë shpirtërore ajo gjen
force të përballojë e të vrasë vetminë që përvëlon fjalën, dashurinë së cilës i
janë përulur penat më të shquara të mendjes njerëzore, Hajne, Lasgushi, Naimi e
të tjerë.
Duhet të kuptojmë
se shqetësimet, trazimet dhe zhgënjimet që poezive u japin notat e një pesimizmi
i tejkalon arsyeshëm e me bindje se çdo e keqe e ka fundin e vet. E vërteta
shpesh, sipas poetes, fshihet nëpër rrëmuja dhe gremina. Ndërsa vdekja është definuar
në vargje si ligj i natyrës që nënkupton faktin se ajo është filteri i fundit nëpër
të cilën do të detyrohen të kalojnë të gjithë, pavarësisht pozitës dhe gjendjes
sociale që kanë në jetë. Poezitë e
cikleve të tjera si “Vetmi”, “Fate”, “Koha”, “Pritja dhe dëshira”, përshkohen
me nota lirike që kënaqin shijet e lexuesve të moshave të ndryshme. Brenda
poezive të vëllimit “Kuajt e mjegullës” gjejmë ide që frymëzimin e kanë në çështjet
më të rëndësishme, që lidhen me historinë e lavdishme të popullit shqiptar, me
shpirtin liridashës e internacioanlist të tij dhe poetja rrok në vargje aspekte
të ndjeshme duke bërë përgjithësime të arsyeshme, jo vetëm për probleme të historisë
së popullit shqiptar e me gjerë, por edhe botës
intime të njerëzve që gjatë jetës ndeshën me vështirësi e probleme jo
edhe aq të lehta për t’u kapërcyer. Autorja në disa poezi për gjendjen si
politike ashtu edhe ekonomike fajëson EUropën. Vargjet shprehin këtë akuzë të autores:
“Merre këtë lutje të pakëndueme/ Kur të kalosh portave të hapura të Evropës/ Mbyll
kufijtë e zemrës, deri të dhembja.” (Je a s’je).
Vërtet poetja këndon për tema të dhembshme, tema që janë aktuale siç ndodh me fatin e gjysmës së Mitrovicës, e cila edhe pas dymbëdhjetë vjetësh kinse liri e pavarësi e Kosovës, është ende e ndarë. E brengosur me këto veprime të Serbisë që po shkel sovranitetin e Kosovës, autorja shkruan këto vargje: “Se kjo urë e lashtë/ krahapur si dykrenare/ ka marrë e ka dhanë kreshnikë/.../ Gjithmonë flasin gojëdhënat. ( Gjysma e këngës së lumit).
Shqiptarja
që zgjeron hapësirat e shtigjeve të mendimit refleksiv
Përmes
poezive të cikleve të përmendura, autorja dëshmohet si një këngëtare e përkushtimit
atdhetar, si një penë e frymëzuar që në trajtimin e temave e të motiveve
zgjeron hapësirat e shtigjeve të mendimit refleksiv dhe pikërisht idetë filozofike
të mbrujtura në subjektet e poezive shpërndajnë aromën e vetmisë, të mërzisë, të
shqetësimit dhe të ndrydhjeve , të cilat ia shkakton koha e pa kohë, fati i
pafat, pritja e pritjeve dhe dëshirat e paplotësuara. Mbi të gjitha, këto tema
autorja i shtjellon me një gjuhë të zgjedhur dhe me teknika poetike arrin të mbajë
lidhje të pashkëputura mes historisë dhe
aktualitetit me rrjedhat shoqërore. Në mënyrë simbolike vargjet shpalosin një gamë
ngjarjesh që shkaktojnë dhembje të mëdha në shpirtin e njerëzve, që kryefjalë të
jetës kanë lirinë aq të ëndërruar nga shqiptarët shekuj me radhë, drejtësinë dhe
humanizmin.
Me fjalë të
tjera, vargjet kanë brenda vetes një substancë të ngjeshur mendore e ndjenjore.
Syzhetë e poezive i karakterizon përmbajtja dhe fryma realiste. Duke shfrytëzuar
simbolet dhe antitezat poetja u siguron poezive substancë figurative. Për këtë figurshmëri
poetike flasin vargjet: “Me njërin sy kah deti veneron/ me një gji mëkon birin
e vetëm/ me njërën shputë përkund djepin e bardhë.” (Kënga e Rozafës)
Poezitë e
vëllimit “Kuajt e mjegullës” janë frymëzime nga historia, nga mitet e
legjendat, nga realiteti i kohës dhe nga përditshmëria e mbushur plot me
ngjarje e dukuri, të cilat poetja i trajton poetikisht me një strukturë të larmishme
dhe me forcë ekspresive. Nëpër vargjet e Myrvetes shpërfaqen ndjenjat dhe
mendimet me nota të dhembjes. Një libër i tërë brenda këtij vëllimi janë këngë të
lirikës intime dhe, vetëm mbi këtë motiv mund të bëhet një studim i thuktë. Natyra
e promovimit të librit nuk lë hapësirë për një studim më të thellë edhe të shumë
temave e motiveve,të cilat thuajse janë prekur sipërfaqësisht. Duke i pasur për
bazë këto të dhëna me arsye është thënë se “Poezia sa më hapësirë të ketë në këtë
tematikë, mendime, formë e ritmikë, aq më shumë përvetësohet dhe aq më e pasur
bëhet në shprehjen e jetës”.
Një vlerësim
i tillë për poezinë na sjell përpara konstatimit e qëlluar: “Po arti nuk është lojë,
nuk është vetëm formë, arti është ndjenjë dhe ide. Arti nuk ka qenë e nuk ka për
të qenë mjet argëtimi. Mjet argëtimi mund të jetë vetëm antiarti”. Gjatë analizës
së lëndës së vëllimit respektiv, mësojmë
se çdo ngjarje në jetën e njeriut dhe në shoqërinë njerëzore bën efektin e vet
dhe brenda botës refleksive e imagjinative, autorja trajton, shpreh dhe
shapalos jetëshkrimin e vetvetes ku e gjen veten çdokush. Vendosja e fjalëve në
këtë apo në atë poezi të emocionon, madje dhe të trondit, të plandos, të bën të
ndash dhembjen dhe ato pak çaste lirike që përshkojnë vargun e saj. Ajo nuk
ndalet së kërkuari këtë oazë lumturie. Kjo dhe i jep forcë vargut të Myrvetës,
e cila si e tillë do njohje të thellë të artit letrar për ta interpretuar ashtu
sic e kërkon brendia e tekstit.
Poezitë e
Myrvetes me të gjitha elementet e nevojshme i sfidojnë kohërat dhe sunduesit e
atyre kohërave. Poetja kudo këndon për çështje e probleme shoqërore dhe më pak çështje
të natyrës individuale. Ashtu siç vlerëson Visar Zhiti për poezinë e Ali
Podrimjes poetja duke qenë “në gjysmë e Itakën tjetër të atdheut, atdheu i saj është
prej mishi, jo vetëm prej malesh, fushash e bëmash, prej gjaku aq sa edhe prej
ujërash, është Njeriu dhe qielli i saj, jo vetëm malli ku shkel, madje edhe nëntoka
e të vdekurve, është ëndrra e tyre që krijon sipër vesë, mjegulla e fantazma” (Visar
Zhiti, Drita e plagës, Koha ditore, 7 mars 2012, fq. 21). Gjuha-çështje që duhet
të respektohet me përgjegjësi më të madhe. Gjatë hartimit të çdo lloj shkrimi
duhet të kemi respekt dhe përgjegjësi ndaj gjuhës së standardizuar, duhet të kemi
zotësi e përgjegjësi në përzgjedhjen e fjalëve dhe të termave dhe të ruajtjes së
veçantisë së saj.
Zbatimi i
normës drejtshkrimore duhet të jetë detyrë e çdokujt që merret, jo vetëm me shkrime letrare e shkencore, por
edhe shkrime thjesht të karakterit privat. Një çështje e tillë aktuale dhe me
peshë të veçantë, jo vetëm gjuhësore por edhe kombëtare e ka nxitur Gjovalin
Shkurtaj të theksojë se “Kohëve të fundit, qysh nga viti ’99 e këndej, krahas
shtimit të vrullshëm të nevojave për të shkruar e botuar, në kuadrin e lirisë së
shprehjes që ka qenë dhe mbetet aq e dëshirueshme dhe e vyer për kombin dhe për
popullin tonë të shumëndrydhur, për fat të keq, kanë nxjerr krye e po bëjnë udhë
jo pak gabime e shtrembërime gjuhësore” (Gjovalin Shkurtaj, Si të shkruajmë shqip,
Toena, Tiranë, 2008, fq. 78-79). Duhet të theksojmë se vëllimin “Kuajt e
mjegullës”, e shoqërojnë disa gabime drejtshkrimore e gjuhësore, se lektorët
janë të papërgjegjshëm, nuk janë seriozë kur pranojnë të bëjnë lekturën e ndonjë
vepre letrare e shkencore. Mos të harrojmë se Aleksandër Xhuvani ka thënë se ”Kudo,
në çdo letërsi e në çdo kohë, shkrimtarët kanë qenë ata që i kanë dhënë hov përparimit
të gjuhës me anë të veprave letrare, duke e lëvruar dhe duke e pasuruar”.
Në fund të
këtij vështrimi jemi të bindur se Myrvete Mehmeti është në udhë të mbarë dhe
ajo duhet me ngulm të vazhdojë të shruajë me hove e frymëzime të reja për ta
pasuruar edhe më tej opusin e saj letrar dhe lëtërsinë shqipe që po zhvillohet
sot në diasporë. Ajo ka krijuar një individualitet letrar të konsoliduar që e
lakmon çdo krijues. Posedon talent të rrallë në krijimin e vargut dhe ka stil të
veçantë dhe shumë origjinal. Përdor shpesh antitezën për të shprehur kundërthëniet
në jetë. Veçohen vargjet “Vritet natën djalli-ëngjelli” (Dhembja e bukur),
mandej “Lëreni se zemra po mat dashurinë me dhimbjen” (“Zemër nëne”), ”Njëri
hante fjalët, tjetri thonjtë e heshtjes” (Hamsët), e kështu me rradhë. Autorja
përdor një figuracion të pasur poetik, si personifikimin, simbolin, metaforën e
tjera. Në këtë vështrim të shkurtër ne jemi përpjekur të hedhim dritë mbi ide,
mendime dhe kemi arritur kalimthi t’i
prekim vetëm disa anë të krijimtarisë së saj letrare, pa hyrë në analiza të hollësishme,
sepse për një analize të të gjitha motiveve do të duhej kohë dhe hapësirë.