E diele, 28.04.2024, 02:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Lutfi Alia: Lulet e qershisë

E shtune, 09.06.2012, 02:57 PM


LULET E QERSHISË

(Ose-ose...- LIRIKAT E LUTIT)

-Cikël poetik nga prof dr Lutfi Alia-

NJË NATË NË SIENA

Mbuluar me dritë të butë
shkrihet Siena në rrugica vetmitare,
e shpërfillur
mbledh jehonën e hapave tona,
që të çakorduara shkelin mbi gurët e ftohtë.
Eshte një natë pa emer,
një natë e bukur,
e ne të dy
shetisim në rrugicat e zbrazëta,
lidhur në intimitetin tonë të zakonshëm,
dora ime mbi supet tua delikate
hëna mbi mal,
qielli i yllëzuar mbi krye
e me mendime që na nxisin të imitojmë,
ritualin e takimeve tona klandestine.
Më vështron butësisht
kokën e mbështet mbi gjoksin tim
ku zemra rreh me rrëmbim
puthja ime u ndal lehtë mbi gojën tënde,
piva dashuri nga buzët e tua
deri sa shuajta etjen për ty.
./.

DO TË RIKTHEHEM

E lashë pas pjesën e natës
dhe shtratin e ngrohur me dashurinë tonë
shkëlqimin e kujtimeve tuaja
dhe shpresat,
me hap të përhumbur e të paqartë
hyra në enigmat e mëngjezit,
pas me ndiqte një tufë me ëndërra
dhe dëshira të rikthehem përsëri te ti.
./.

BUKURIA TENDE

Kur të pashë atë ditë
i mbylla sytë,
ti ishe si dielli,
më verbove me shkëlqimin tënd.
./.

SIRENA

Atë ditë me shi
ngjyrë uji kishin sytë e tu,
trupi
bukuri sirene,
ndërsa unë
i mbytur në vështrimin tënd të thellë.
./.
UNË, TI DHE HËNA

A e kujton atë natë
kur flladi i puthjeve
i shkundi shpirtat tonë
e nga lart hëna e fildishtë
hyri nga dritarja me dritën e zbehtë,
na njohu menjëherë
u befasua nga zjarri i dashurisë sonë
e turpëruar
iku të fshihej prapa reve.
./.

TRUPI I DASHURISE

Pikat e shiut
si lot virgjëreshe
përplasen mbi xhamat e dritareve,
shkrihen në mijëra molekula të padukëshme,
e në këtë shpëbërje ujore,
nuk çduket kurrë imazhi
dhe trupi yt hënor i dashurisë.
./.

MOS I MBYLL SYTË E BUKUR

Përse i mbyll sytë e bukur sa herë të puth
vallë nuk e ndjen ëmbëlsinë e dashurisë,
pse i fsheh instinktet që të vlojnë zjarr?
Apo nga mua ke frikë?
Mos u tremb o vashë e adhuruar
unë nuk kam fytyrë djalli,
por nuk jam as engjëll
unë respiroj në vështrimin tënd
ti je era që bëhesh eros,
ndërsa unë i vdekuri
ringjallur nga dashuria.
./.

LULET E QERSHISË

Në një mesditë të mbytur në shkëlqim drite,
në ajrin e qendisur me të ngrohtin pranveror,
një fllad zefiri
i përkëdhel lulet e fushës,
zgjoj nga gjumi lulet e qershisë,
një nga një lëshonin petalet e bardhë
si letra dashurie ëndërrimtare
duke vallëzuar me flladet e erës,
lehtë lehtë binin mbi ne të dy
te shtrirë nën qershi,
na praruan ne bardhësi,
e fshehën intimitetin tonë,
me përqafime të këndëshme,
mbuluar me të puthura
e me përkëdhelje dashurore.
./.

NË INTIMITETIN TONË

Në shetitjet e gjata në Pian di Lago
kalojmë nëper shtigje të ngushta
të dy vemë në lojë ndjenjat tona,
e së bashku dëgjojmë në heshtje
këngën memece të pyllit
dhe erën
që përkund shpirtat e ngazëllyer
dhe emocionet e ngjizura ne trupat tonë.

Më veshtron e të vështroj me ngulm,
buzeqeshja jote e dlirtë përmes rrezeve të diellit
me pëshpërit dashurinë tënde,
zemra ime rreh me zemrën tënde,
fytyrat tona afrohen ngadalë,
të dy mbyllim sytë,
dhe unë rrëmbej me të puthura të nxehta,
buzqeshjen tënde të bukur
e së bashku
rrimë larg Sienës.
./.

PUTHJA E PARË

Po shkon tatpjetë koha që më ka mbetur,
ikën pa kthim,
pa falje
për shpirtin tim të mundur e të lodhur,
mes mendimesh të humbura në ditët e gabuara,
e shumë kujtime të rëna në harresë,
por ti padronja e ëndërrave të mia
më bën të mos harroj
puthjen e parë nën xhelsominat,
e mbetur stamposur për gjithmonë
në sheshin e San Provenzano,
që më ndjek pas ngado që shkoj.
./.

HESHTJE

Koha e ndërprerë në qetësinë e shpirtit,
rreth meje një boshllëk i errët,
më përqesh heshtja,
ironike dhe e padobishme,
ndërsa brenda teje
rri fshehur zjarr i dashurisë
dhe pjesa tjetër enigmatike,
që ka mbetur ende në errësirë.
./.

KUR E HUMBA DITEN

Kur e humba diten,
jo, jo ....
në fakt dikush ma kish vjedhur,
mbeta jetim i fatit tim,
i kapur në vetminë e natës
vendosa të braktis marrëzinë e kohës,
u bëra rrebel mërgimtar
Odise udhëtar
renda nëpër botë
e pa realizuar mbeti profecia,
por kur u ndamë atë ditë
një lot i hidhur
helmoj shpirtin tim
atë mëngjez kur të lashë vetëm
në jetën e boshatisur
./.

Shenim:  -Lutfi Alia, është mjek në Centro Prevenzione Oncologica të  qytetit Siena –Itali

( Dorzuar për botim nga redaktori ynë në USA, Zeqir Lushaj, qershor 2012 )



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora