Kulturë
Ilir Sefaj: Poezi e ecejakeve kombëtare
E shtune, 09.06.2012, 01:09 PM
Poezi e
ecejakeve kombëtare
Sali Bashota, “Bukuri e nëmur”, Poezi, botoi, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2006
Vargu poetik i Sali Bashotës, ngrihet në nivelin e veprës artistike edhe atëherë kur lind spontanisht edhe atëherë kur rikërkohet mbase me qindra herë, ky fakt dëshmon se vokacion kryesor i këtij autori është poezia, ngase gjetjet që bën poeti janë tejet të kapshme për lexuesin e supozuar
Nga Ilir SEFAJ
Libri poetik ‘Bukuri e nëmur’ i prof. dr. Sali Bashotës,
botuar edhe në gjuhën e kulturës europiane, në frëngjisht pra, (poezia e këtij
autori është botuar edhe në gjermanisht, anglisht, rumanisht, maqedonisht etj),
flet në mënyrë tejet eksplicite, për përjetimet e vrazhda q ë ndjen shpirti i poetit karshi fatit të
kombit të tij. Autori i këtij libri poetik, bashkëndjen me dhembjet e
shqiptarit të tij, ngase në perceptim e këtij autori, bota shpirtërore e
njeriut tonë ka pasur ecejaket e saja tejet të vështira gjatë shekujve.
Poezia e Sali Bashotës komunikon me një kohë e një
rrethanë të caktuar. Autori i kësaj poezie, me mjaft elokuencë ka dhenë
përjetimet e njeriut i cili atakohet nga vuajtjet e kombit të tij që njëkohësisht
janë edhe përjetime të vet autorit. Nëse flasim me terminologjinë e teorive
letrare, libri ‘Bukuri e nëmur’ është libër i dhembjes personale, i dalldisjes
shpirtërore, i mohimit të veprimeve ç’njerëzore, por edhe i vënies në pah të vlerave kombëtare siç shprehet
Yvonne - Denise Kochil në parathënien frëngjisht të po njëjtit libër. Vargu i
këtij poeti përveç që është tejet i realizuar në rrafshin stilistikor e
semantik, ai shquhet edhe për tematikën e tij universale, ngase autori ka vënë
në pah idealet humaniste të cilat do duhej të dominon në universin tonë.
Lufta dhe pasojat që lë ajo është njëra nga obsesionet
tematike të autorit. Eksodi që ndodhi në Kosovë, tmerret e luftës që përjetoi
populli i poetit, djegiet, plaçkitjet që bëri okupatori në vendlindjen e
autorit, nuk kursyen as edhe krijimtarinë e poetit. Thënë ndryshe, djegia e
krijimtarisë së poetit është e dhembshme, ngase kjo nënkupton djegien e një
pjese emotive, që është e lidhur me botën e shpirtërore, dhe pikërisht ky ishte
synimi i armikut, që të shkaktojë vdekjen
e shpirtit.
Lufta dhe pasojat që shkakton ajo dhe vaji që ndizet në
shpirtin e poetit, bëhen pjesë organike e simbolikave që kanë funksion të thellë
meditativ.
Metafora si: “Bukuri
e nëmur”, “buzëqeshje e vrarë’, “shpirti i humbur” flasin për një gjuhë të
figurshme, një stil unik, por edhe për një shprehje të pasur gjuhësore e
letrare ku dominon figura e ironisë, e që nuk braktiset asnjëherë nga vargu i poetit
Sali Bashota.
Termi Atdhe në penën e këtij autori lakohet me mjaft
kujdes, atdheu është sinonim i qiellit, tokës, ujit, zjarrit, komponentë këto që
flasin për lidhjen shpirtërore të njeriut me tokën: “Ky është skifteri i bardhë/ Që nëna e vinte mbi djep/ Në kohët plot
bubullima/ Atdheu domethënë Qielli”.
Në librin poetik ‘Bukuri e nëmur’, Bashota ka dhënë tablo
të gjalla e të plota të një mjedisi konkret, vendlindjes, janë vizatuar në
plotninë e tyre ecejaket kombëtare të njeriut tonë në kohë e rrethana të
ndryshme, po ashtu është dhënë në zenitin e saj bota emocionale e poetit
përballë këtyre ecejakeve, dhe, tek e fundit, kënga dhe vaji janë pandam i artit dhe i letërsisë, siç do të
shprehej studiuesi A. Vinca në një rast.
Poezia e Bashotës është poezi e dhembjes personale, e harrimit të vetvetes, e melankolisë, e
pikëllimit, e vetmisë, është poezi e lektisjes shpirtërore: “Unë jam shpirt i trishtuar/ Unë jam jetë e
vrarë/...Unë jam vetmi e harruar/ Unë jam bukuri e fjetur/ Unë jam varr i
hapur”, vargje si këto lindin si rezultat i një gjendjeje të fortë emotive,
të një egoje e cila hallakat botën shpirtërore të poetit.
Një poezi e cila ngritë në stadin më të lartë botën
emocionale të poetit karshi realitetit objektiv dhe përpjekja për tejkalimin e
gjendjeve të forta emocionale që lindin si domosdo e një realiteti të vrazhdë
është preokupim kryesor i vargut të këtij poeti.
Vargu poetik i Sali Bashotës, ngrihet në nivelin e veprës
artistike edhe atëherë kur lind spontanisht edhe atëherë kur rikërkohet mbase
me qindra herë, ky fakt dëshmon se vokacion kryesor i këtij autori është
poezia, ngase gjetjet që bën poeti janë tejet të kapshme për lexuesin e
supozuar.
Poezitë të cilat gjenden brenda kopertinave të librit
poetik ‘Bukuri e nëmur’ janë të çliruara nga rregullat e ngurta metrike si:
rima, pastaj vargu i matur etj., etj., pra të shumtën, vargu i kësaj poezie nuk
është i shkruar në forma të rregullta metrike, dhe kjo liri krijuese sikur ka
imponuar një shprehje më të pasur gjuhësore e stilistike e karakterizuar edhe
për nga gama e gjerë tematike e saj.
Për poezinë e Bashotës janë dhënë vlerësime nga më të
ndryshmet, mirëpo ai që ka qëlluar në shenjë më së miri sipas pikëpamjes sime,
është ai i redaktorit të njërit prej librave të poetit Bashota, zviceranit
Stephan Sigg i cili ndër të tjera shkruan:”Për
Bashotën shkrimi është një formë e rezistencës dhe përballimit. Ai nuk shkruan
vetëm për vetveten, por ai përfaqëson tërë popullin e vet. Poezitë e tij
mundësojnë një shkrim në kulturën dhe traditën shqiptare”.
Si do që të jetë, në kohën kur jetën tonë kulturore e
artistike e kanë vërshuar pseudovlerat,
lakmia për t’u marr me art edhe nga ata që nuk e kanë një vokacion të
tillë, pastaj lëvdatat kuturu e pa vend që marrin këto krijime nga lexues
mediokër, kjo poezi (të cilën lexuesi ynë dhe ai i huaj ka pasur rastin ta ketë
në duar), e kultivuar dhe e gdhendur jo vetëm në planin e idesë, formës e
përmbajtjes, por edhe në nivele të tjera, është tejet e mirëseardhur për
mjedisin tonë kulturor e artistik.
Së këndejmi, krijimtaria letrare e Sali Bashotës ka zënë
një vend qendror në komunitetin e kritikës letrare te ne, dhe jo vetëm,
megjithatë jam i mendimit se kjo krijimtari, dhe në veçanti poezia e këtij
autori, as sot e kësaj dite nuk ka zënë vendin e merituar në komunitetin e
kritikës letrare e cila zhvillohet sot në hapësirën shqiptare.