E premte, 26.04.2024, 03:20 AM (GMT+1)

Mendime

Kurt Kola: Enveri dhe Tito më pushkatuan pa gjyq babanë dhe 2 vëllezërit e mi

E marte, 18.10.2011, 07:52 PM


Marrëveshja e fshehtë e UDB-së jugosllave me Sigurimin e shtetit shqiptar, dënoi me pushkatim, por pa gjyq dhjetë pjesëtarë të familjes sonë, midis të cilëve babain tim, 2 vëllezërit e mi, dy nipërit, dajën tim etj”. Kështu, duke konkretizuar masakrën e klanit komunist me pushkatimin e 19 personave të pafajshëm të familjes së tj, Kurt Kola, rrëfen se lufta civile e pashpallur, në fakt filloi pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.

Zoti Kola, a ka pasur luftë civile në Shqipëri?

Luftë civile të deklaruar dhe të shpallur publikisht nuk ka pasur. Por terrori dhe masakrat e komunistëve ndaj kundërshtarëve të tyre politikë, siç ishin nacionalistët, apo ballistët ka qenë shumë i madh. Këto krime makabre kanë shkatërruar fatet e qindra e mijra njerëzve, duke pasur vetëm një qëllim unik: Të ruanin dhe të forconin pushtetin personal të Enver Hoxhës i cili ndërtoi gijotinën për qytetarët e vendit të vet.

Si e argumentoni ekzistencën e luftës civile në Shqipëri?

Këtë e argumentoj me emrat e qindra apo mijra të vrarëve që janë goditur pabesisht nga forcat komuniste, sidomos gjatë periudhës së viteve 1942-44. Por edhe me përplasjet dhe luftrat e organizuara të partizanëve kundër forcave nacionaliste dhe balliste. Gjatë këtyre viteve të luftës ajo që konstatohet me lehtësi ka të bëjë me faktin se komunistët u treguan njerëz të pabesë dhe me dy fytyra. Ndryshe flisnin dhe ndryshe vepronin.

Përse mendoni kështu?

Sepse nga njëra ana ata trumbetonin bashkimin e shqiptarëve në një front unik dhe nga ana tjetër, Enver Hoxha bëri çmos që të sabotonte Marrëveshjen e Mukjes, e cila përbën aktin de tentativën më të spikatur të shqiptarëve për t’u bashkuar. Në takimin e Mukjes ishte i pranishëm edhe babai im si përfaqësues i Legalitetit. Ai ndodhe atje së bashku me Abaz Kupin dhe me shumë patriotë të tjerë shqiptarë. Por kjo marëveshje u sabotua nga jugosllavët të cilëti dhanë urdhër Enver Hoxhës që ta shpallte të pavlefshëm rezultatit e këtij bashkimi. Dhe në këtë mënyrë, me anë të një trakti, Enver Hoxha kaloi akoma më tutje duke i shpallur armiq forcat e Legalitetit dhe të Ballit Kombëtar. Por pabesia e Enver Hoxhës shkoi edhe më tej, duke i cilësuar si armiq, edhe vetë përfaqësuesit e Frontit Nacional-Çlirimtar. Pasi i shpalli armiq, ai më vonë eliminoi fare Mustafa Gjinishin dhe i shkatërroi jetën Dr.Dëshnicës, të cilin nuk arriti ta eliminonte dot fizikisht, për disa arsye të njohura. Pra, kemi i Enver Hoxhës u shtri në të gjitha shtresat dhe forcat politike mbarëshqiptare. I gjithë ky tërbim i Enver Hoxhës ndaj nacionalistëve erdhi në formë urdhëri nga Titua. Dhe shkaku i vetëm ishte kërkesa e marrëveshjes së Mukjes për vetëvendosjen e popullit kosovar pas luftës. 

Po babanë tuaj përse e sulmonte Enver Hoxha?

Për të njëjtat arsye që ai sulmoi Legalitetin, nacionalistët dhe madje, në vitet e mëvonshme iu vërsul edhe shokëve të vet më të ngushtë të luftës, duke i shpallur ata armiq. Me pak fjalë unë dua të them këtu se babai im ka dhënë një kontribut të madh në çështjen kombëtare dhe për shkak të këtyre kontributeve ai u caktua si delegat i Legalitetit në Mukje.

Cilat ishin kontributet e babait tuaj, para Mukjes?

Qysh në vitin 1939 ai së bashku me patriotin Abaz Kupi ka luftuar me armë në dorë kundër okupatorit fashist. Rezistenca e tij ndaj fashistëve ka nisur që në 7 prill të këtij viti, pra që në ditën e parë të pushtimit. Për këtë arsye, po në këtë vit ai u internua në Berat nga strukturat fashiste. Babai im gjithashtu, ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Parë të Partisë së Legalitetit duke u zgjedhur në forumet e larta drejtuese. Dhe kontributi i tij është shumë i madh, por kasta e Enver Hoxhës ishte një bandë kriminelësh dhe kjo bandë, që në vitin 1943  nisi sulmin kundër patriotëve nacionalistë, në mënyrë të tërbuar.

A ka marrë pjesë babai juaj në vrasjen e popullsisë së pafajshme shqiptare, ose në luftën e forcave politike kundër njëri-tjetrit?

Deri tani kundrejt babait tim nuk ka asnjë akuzë publike apo të diskutuar nën zë për pjesëmarrjen e tim eti, në luftra të tilla. Ai ka milituar gjithmonë në emër të interesave të larta kombëtare, kundër sllavizmit të Shqipërisë. Për këtë arsye ndiqej dhe kërkohej nga bandat e Enver Hoxhës. Donin ta vrisnin sepse ai nuk i ngjante atyre, pra komunistëve, por reflektonte një natyrë humaniste të papajtueshme me vëllavrasjen.

Çfarë ndodhi më tej me të?

Pas vitit 1944 duke qenë i papajtueshëm me sistemin që montuan komunistët, ai u deklarua si kundërshtar i regjimit barbar dhe për këtë arsye vazhdoi të bënte rezistencë antikomuniste nëpër malet e Shqipërisë. Babai im, Bilal Kola, ishte në krye të një grupi prej dhjetë vetësh që qarkullonin në Mat, Dibër, Mirditë, etj, duke u ndjekur vazhdimisht nga forcat e Sigurimit të Shtetit dhe forcat e Ndjekjes.

Nga çfarë anëtarësh përbëhej ky grup?

Në këtë grup bënin pjesë edhe dy vëllezërit e mi, dhe nipërit apo dajua im. Pra, aty ndodhej e gjithë celula jonë familjare, si një organizatë e vogël antikomuniste që vazhdonte të bënte rezistencë kundër barbarisë së diktaturës. 

Po pastaj si u zhvilluan ngjarjet?

Pastaj, pas çlirimit, grupi i tyre prej 10 vetësh u arratis matanë kufirit dhe kërkoi strehim politik në Jugosllavi. Synimi ishte që të shkonin në vendet perëndimore ose Amerikë, por UDB-ja jugosllave në marrëveshje të fshehtë me Sigurimin e Shtetit i arrestoi në Shkup dhe pasi i mashtroi me premtime, më në fund i pushkatoi pa gjyq të gjithë këta njerëz të pafajshëm e patriotë. Padyshim që i gjithë ky veprim i organizuar kriminal i jugosllave është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Enver Hoxhën, Sepse përbindëshat e gjejnë rrugën e lidhjeve dhe marrëveshjeve tinëzare, sa herë që parandiejnë krimin. Në këtë mënyrë kjo masakër e hijenave komuniste, jugosllavo-shqiptare vulosi koleksionin e pabesive të universit komunist ndaj kundërshtarëve të tyre politikë.                

Direktiva e Enverit për serbët dhe grekët
Një ndër direktivat më të rëndësishme e më të njohura të Enver Hoxhës, atë të datës 3 nëntor 1943, dërguar në emër të KQ të PKSH së, komiteteve qarkore, ku ndër të tjera thuhet: "Duhet të popullarizojmë luftën nacional çlirimtare dhe veçanërisht të jugosllavëve dhe grekëve. Duhet të shtrojmë haptazi dhe pa ndrojtje problemin e vëllazërimit tonë me popujt jugosllavë dhe grek. Të demaskojmë pa mëshirë reaksionin dhe shovinizmin që mundohet të na vërë në luftë me fqinjët, ta bindim popullin se interesi i lartë i atdheut kërkon që të jemi të vëllazëruar me popujt grek e jugosllavë, t`ia heqim maskën shovinizmit që mundohet të dalë si mbrojtës i Shqipërisë nga të huajt dhe t`i tregojmë botës se ne dhe vetëm ne e mbrojmë Shqipërinë nga okupatorët dhe nga imperializmat e huaja. Duhet ta bindim popullin se lëvizja nacional çlirimtare greke dhe jugosllave jo vetëm që nuk cënon indipendencën tonë, por ndihmon për ta fituar". Një model tipik jugosllav ishte edhe Kongresi komunist i Përmetit (24   28 maj 1944) , si kopje e pastër e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ it (29 nëntor 1943) të mbajtur në Jajce të Jugosllavisë. Të gjitha organet që dolën nga "kongresi" i mbajtur në Përmet si KANÇ i (Komiteti Anifashist Nacional Çlirimtar) dhe Komiteti Antifashist Nacional Çlirimtar që ishte një lloj qeverie, ishin të njejtat gjëra që dolën nga mbledhja e Jajces. Nuk po zgjatemi në të tjerat por po kujtojmë se në deklaratën e "kongresit" ju kushtua rëndësi e madhe "vëllazërimit me popujt e Ballkanit" dhe domosdoshmërisë se "krijimit të një federate ballkanike". Pas Luftës së Dytë Botërore pushteti që u ndërtua në Shqipëri u vu plotësisht në shërbim të jugosllavëve. Kjo u pa edhe në vizitën e kryeministrit Enver Hoxha në Jugosllavi më 23 qershor   2 korrik 1946 dhe në traktatet që nënshkroi Shqipëria me Jugosllavinë. Veçojmë nga fjala e Enver Hoxhës në aeroportin e Beogradit:  "...Ju siguroj se sot gjithë populli shqiptar është çuar në këmbë dhe brohoret për popujt e Jugosllavisë. ...U çelnikos miqësia dhe vëllazërimi do të jetë i përjetshëm pse prej këtej varet e ardhmja e lumtur e popullit tonë, pse ky vëllazërim dhe kjo miqësi është e ngushtë është një nga faktorët më kryesorë të vëllazërimit të Ballkanit dhe është një faktor për mbrojtjen e paqes dhe demokracisë... (gazeta "Bashkimi" 25 qershor 1946).



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora