E premte, 26.04.2024, 11:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Rrapo Dervishi: Ja pse Enver Hoxha ka deformuar historinë e luftës të Shkollës Tregtare të Vlorës

E diele, 02.10.2011, 01:06 PM


Flet Rrapo Dervishi, një nga aktivistët e parë të Rinisë Antifashiste të Vlorës

Ja pse Enver Hoxha ka deformuar historinë e luftës të Shkollës Tregtare të Vlorës

 

Nga Albert ZHOLI

 

Megjithëse mbi 90 vjeç, mbahet mirë. Kuptohet, nuk është më energjik si më parë, hapat i hedh ngadalë dhe lëvizjet i ka të matura, ndërsa zërin të qartë dhe të kthjellët. Por, ajo që të bie në sy është argumenti dhe mënyra lakonike e asaj që thotë. Shumica e njerëzve e kanë dëgjuar për të ose edhe e kanë njohur, pasi ai ka qenë në disa rrethe si Vlorë, Gjirokastër, Tiranë, Elbasan me detyrën më të të rëndësishme lokale, atë të sekretarit të Parë të Partisë, një detyrë sa partiake aq edhe shtetërore për kohën. Por në intervistën e mëposhtme ne do të flasim me Rrapon e ri, kur ai ka qenë student në Shkollën Tregtare të Vlorës, një nga shkollat më në zë të kohës, e barazvlefshme sot me një shkollë të lartë. Në tregimin e vetë Rrapua ndalet në atë pjesë të veprimtarisë në shkollë që ishte më e dukshme dhe që i dha tonin jetës në Vlorë, pjesëmarrja e nxënësve në aksionet antifashiste, në njësitet guerrile dhe më pas në mbushjen e radhëve parizane. Si një nga aktivistët dhe organizatorët kryesorë të lëvizjes antifashiste në Vlorë, ai jo vetëm që jep detaje të ngjarjeve, por bën edhe analizën e tyre, duke vënë theksin në atë që historia e të rinjve antifashistë të Shkollës Tregtare është dhënë e zbehtë për shkak të xhelozisë të disa udhëheqësve kryesorë të PKSH, Enver Hoxha dhe Liri Gega që kërkonin që meritat e Luftës t’ia vishnin Partisë dhe Rinisë Komuniste.

 

Familja juaj ka qenë një ndër familjet më të shquara patriotike në atë zonë?

Familjes time i ishin vrarë dy binjakë, pra motra dhe vëllai. Ata ishin vëllai dhe motra ime, të dy 14 vjeç. Familja ime ishte familje e luftës. Vëllai im dhe motra ime u vranë nga një bombardim i asaj kohe. Ishte një gjëmë e madhe për ne. Bashkë me ta u vra dhe djali i xhaxhait. Halla ime qante me ligje për dy binjakët, por edhe për djalin e xhaxhait. Ajo të therte në shpirt me ata lot me ligje. Nëna ime i thotë: Hanko, aman të keqen se na shkule zemrën se unë do të bëj dy të tjerë. Dhe ashtu  ndodhi. Nëna ime bëri sërishmi dy binjakë, mua dhe një vëlla. Lindja jonë u kthye në dasmë. Pra babai sikur na martoi pas asaj humbje të madhe. Në këtë darkë kryemiq ishin Halim Xhelua dhe Avni Rustemi.   Familja ime është familje lufte dhe ka dhënë 10 dëshmorë. Por unë do të veçoj xhaxhanë tim, që u vra në Janinë. Jaçe Mavrova ishte ungji im. Për të është ngritur kënga: “Janinës çi panë sytë/Ishe e premte ajo ditë.../Kush e pa Jaçe Mavrovnë/Çau mes përmes taborrë…” Është edhe një këngë tjetër “Moj Maro, moj Marinë”. Kjo është për xhaxhanë tjetër timin.

 

Thuhet se 17 udhëheqës më të lavdishëm që kanë drejtuar Luftën Nacionalçlirimtare janë renditur sipas meritës në një libër. Mund të na i tregoni?

Po. Ekziston një listë e tillë. Këta emra u afishuan në një stendë me rastin e 10-Vjetorit të Ushtrisë. Kjo ekspozitë u bë kur të gjithë ishin me mend në kokë. Unë e kam emrin i 13 në listë. Se di kush e ka bërë këtë renditje, po nejse. Enver Hoxha ishte i pari, megjithëse nuk kishte zbrazur asnjë pushkë. Unë duhej të isha i 6-ti me luftën që kam bërë. Emrat janë: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Spiro Moisiu, Gogo Nushi, Spiro Koleka, Baba Faja Martaneshi, Myslim  Peza, Shefqet Peçi, Jaho Gjoliku, Haki Toska, Beqir Balluku, Rrapo Dervishi, Rita Marko, Manush Myftiu, Haxhi LLeshi….

 

Kemi dëgjuar se ju keni qenë shumë aktiv që i ri…

Në fund të vitit 1935 isha 14 vjeç. Në këtë kohë  më bie në dorë romani “Nëna” i Maksim Gorkit.  Kisha pak vite që kisha hyrë në shkollën tregtare. Atë ma solli kunati im që ishte tifoz i librave, por që ishte i pasur dhe e thërrisnin bej. E mora, e lexova, se përpija dynjanë në lexime. Ky libër më futi në një botë tjetër. Unë kisha një dhomë me qira afër shkollës tregtare. Pranë meje në një dhomë tjetër ishte një shok  që ishte në shkollë me mua, Sinani. Unë kisha dalë tek shkallët dhe po lexoja në diell.  Shoku doli nga dera dhe më thotë se çfarë po lexon? I thashë se çfarë po lexoj. Ai ishte në vit të katërt. Pasi ta lexosh ma jep mua atë libër. Ja dhashë pasi e lexova dy apo tri herë. Ai pasi e lexoi, ia dha për lexim Hysni Kapos. Më thotë Hysniu disa ditë para Vitit të Ri. A e bëjmë Vitin e Ri këtu në dhomën tënde? Të mblidhemi të këndojmë, të hamë. Të bisedojmë. “Unë rrjedh nga një familje e pasur dhe në dhomën time ka çdo gjë”-, i thashë. “Dakord, -më tha,- mblidhemi”. Unë u përgatita për atë natë. Nxora djathë, gjalpë, ullinj, bajame, arra, fiq të thatë, bukë misri, qepë, mjaltë, etj.. Zjeva dhe një poçe të madhe me fasule.  Hysniu erdhi me Arif Haskon. U bëmë nja 7 vetë. Atë natë kënduam labçe.  Unë Hysniu dhe Arifi këndonim bukur. Lozëm dhe letra, jo me lekë, por me kokrra fasule. Dhjetë fasule çerek leku, se leku kishte vlerë atëherë. Pas lojës me letra filluam të lexojmë romanin “Nëna”.  Ky libër na bëri komunistë. Hysni Kapo atëherë ishte 20 vjeç, unë 15, ndërsa Arif Hasko me Sinanin nga 18 vjeç. Komunistë u bëmë në dhomën time ku dashur pa dashur ata u bënë me romanin që u dhashë unë. Ishte dita e parë, janar 1936.

 

Ku u zuri pushtimi fashist?

Atje, në Vlorë. Si grup që ishim shkuam dhe morëm pjesë në hapjet e depove me armë, të nesërmen e pushtimit. Ishin shumë djem vlonjatë. Unë mora çiften e Naum Strallës (drejtorit të shkollës sepse kisha çelësin e dhomës së tij) dhe shkuam në Skelë. Italia kishte zbarkuar. Deti ishte mbushur me vaporë dhe anije luftarake, kryqëzorë. Atje në Skelë gjeta çetën e fshatit tim të Mavrovës. Bëmë një luftë disaorëshe me fashistët, por u detyruam të tërhiqemi.  Shkuam në fshat. Aty formuam dhe e organizuam më mirë çetën dhe thamë si betim se do të luftojmë fashizmin. Ky ishte vendimi i parë ku formuam dhe një komision. Në vitin 1940 formuam grupin e parë antifashist në Vlorë. Në këtë grup ishte Simon Gjoni, Perlat Rexhepi, Hysni Kapo, unë,  etj..Ne na rekrutoi ose na mobilizoi në këtë bërthamë grup Sadik Premtja, ish nënkryetar i grupit komunist të të Rinjve të Shqipërisë. Më thotë Simon Gjoni, merr një shtëpi me qira që ta kemi si bazë. Mora shtëpinë e një mësuesit tim, Fejzo Gorishti.

 

Ndërkohë ju ishit në Shkollën Tregtare...

Isha përgjegjës i grupit antifashist i Shkollës Tregtare. Shkolla tregtare e asaj kohe është si institutet e sotme. Aty shkoje pas klasës së pestë dhe bëje 8 vjet shkollë. Dilje 20 -vjeçar në atë shkollë. Kur u  krijua organizata e Rinisë Antifashiste në këtë shkollë u krijua bërthama komuniste antifashiste me 21 veta dhe u bë aktivi me nxënësit më të dalluar, dhe me vota të fshehta mua më zgjodhën kryetar, edhe pse kishte nxënës që ishin në klasë të shtatë dhe të tetë. Ishte marsi i viti 1942. Në këtë bërthamë bënte pjesë Naum Prifti, Stralla, Kastriot Muçua, Kristo Papajani, Fejzo Bino, Teli Ndini. Zëvendësi im me votë u zgjodh Teli. Kam një fotografi me këta shokë. Ne na vinte na ndihmonte Sadik Premtja (Xhepi). Sadiku ishte gjithmonë në lëvizje sa në Tiranë po aq dhe në Vlorë.

 

Me mësuesit si shkonit?

Shumë mirë, shumica e tyre ishin antifashistë. Por kishte edhe me bindje fashiste. Ishte një mësues i gjuhës italiane. Ai më provokonte. P.sh, më thoshte hape te faqja 50 dhe lexo mësimin “Fashizmi dhe Musolini”. Në fakt ne e kishim mësimin në faqen 18. I thashë: “Jo, zotni, s’e lexoj pasi ne kemi mësimin e faqes 18. Më thotë rri me një këmbë në dërrasë ose dil përjashta. Kastriot Muçon e kisha në bankë dhe duheshim si vëllezër. I thashë Kastriotit: “Do të dal”,  dhe i  shkela syrin. Ai më kuptoi si dhe disa të tjerë. Sa dola unë, dolën të gjithë nga klasa. Dolëm në oborr dhe filluam të lozim volejboll. Klasat e tjera, të katërta, ku ishte dhe Kadri Hazbiu, dolën të gjithë nga klasat nga mësimi.

 

Të tjera veprimtari të ndaluara në shkollë?...

Njëherë organizuam një grevë për kushtet e shkollës, pasi shkollën, ambientet e saj na i mori ushtria italiane për t’u vendosur, ndërsa ne na vendosën në disa baraka. Aty na mbytën mushkonjat, ishim pa zjarr. Një ditë nuk u futëm në klasa. Drejtori i shkollës u habit, ne i bëmë të qartë kërkesat. Mua më bënë përgjegjës për grevën. Kishin arsye. E para, që kundërshtova mësuesin, e dyta, greva. Pra ky ishte momenti kur më arrestoi Shefi i SIMI-t.  Ai më futi në qeli dhe më tha  do të çojmë në Bolonja në universitet, ku ka dhe femra të bukura, por bashkëpuno me ne. Unë i thashë se dua Shqipërinë dhe lirinë. Ai hapi sytë, më goditi më kamxhik, me shqelma. Më tha se unë di çdo gjë për organizatën tënde, sepse m’i kanë thënë të gjitha. Në fillim u stepa, pastaj e mblodha veten. E kuptova që ishte provokim. Këtu qëndron finokllëku im. Unë jam nxënës i shkëlqyer, i thashë dhe dua të mësoj, nuk e dua luftën. Mund të pyesësh drejtorin e shkollës për rezultatet e mia. Ai më nisi me dy milicë për tek drejtori i shkollës. Kur dolëm milicët më lanë të kuptonin që s’ishin vigjilentë. Në një kthesë ia këputa vrapit. Ata më gjurmuan, por unë e njihja mirë vendin dhe u largova avlli më avlli. Pas këtij largimi u lidha me Hysni Kapon. i thashë të vrisnim Luogo Titon, shefin e SIMI-t. E marrë unë përsipër më tha.

 

Po Hysni Kapua ku ishte?

Hysni Kapua në këtë kohë ishte në Tërbaç, s’ishte në këtë shkollë në këtë periudhë. S’e di nëse e mbaroi shkollën, por në vitin 1938 ai s’ka qenë në shkollë. Hysni Kapo punonte inspektor i spitalit të Vlorës.

 

Keni mbajtur pseudonimin “Finoku”, pse?

Siç u thashë më lartë, kur më thirri Shefi i SIMI-t, për të më joshur, më tha se do të më dërgonte në shkollë në Bolonja, atje ka femra të bukura, më tha. Për dredhën që i bëra atij dhe karabinierëve, shokët ma vunë “Finok”. Por unë nuk isha finok për të keq (qesh) por për atë  që s’më kapnin dot me trakte apo armë, pasi më kapën tri herë dhe s’gjetën asgjë që të justifikonin arrestimin.

 

Çfarë aksione kanë bërë të rinjtë e Shkollës Tregtare?

Aksioni i parë, veç atyre rrëmujave që bënim në shkollë, ishte vrasja e shefit të SIM-it. Ia thamë Hysniut se këtë e merrnim ne përsipër. Në atë kohë e deleguara e KQ PKSH në Qarkun e Vlorës ishte Liri Gega. Hysniu shkoi dhe e takoi atë dhe ia bëri prezent kërkesën. Hysniu ishte përgjegjës ushtarak në Qarkun e Vlorës. Për qytetin isha unë. Të nesërmen erdhi përgjigja. Të kryhej atentati ndaj shefit të SIMI-t. Unë studiova momentin në drekë dhe së bashku me Vehbi Hoxhën dhe një shok tjetër vendosëm të kryenim aksionin. Shefi SIM-it, Luogo Tito ishte në një lokal po pinte kafe. Shoku ynë hodhi granatën në tavolinën ku ishte Shefi SIM-it. Ajo bëri një zhurmë të madhe po nuk plasi. Shoku ynë ndoshta nga emocionet nuk i hoqi siguresën. Mirë që nuk plasi se kafeneja ishte plot me shqiptarë. Luogo Tito u shtri poshtë tavolinës. Të nesërmen Luogo Tito u zhduk nga Vlora. Vendimet për aksione i merrnim me shokët si Vehbi Hoxha, “Hero i Popullit”, Zaho Koka, “Hero i Popullit”, Et’hem Gjinushi, “Hero i Popullit”, Neki Ymeri (ndihmës i Sadik Premtes, komandant i çetës së parë të Vlorës), Skënder Velo, etj…Ky ishte Komisioni i njësiteve guerile të Vlorës.

 

“Nëna”, libri që e bëri komunist Hysni Kapon

Në fund të vitit 1935 isha 14 vjeç. Në këtë kohë  më bie në dorë romani “Nëna” i Maksim Gorkit.  Kisha pak vite që kisha hyrë në shkollën tregtare. Atë ma solli kunati im që ishte tifoz i librave, por që ishte i pasur dhe e thërrisnin bej. E mora, e lexova, se përpija dynjanë në lexime. Ky libër më futi në një botë tjetër. Unë kisha një dhomë me qira afër shkollës tregtare. Pranë meje në një dhomë tjetër ishte një shok  që ishte në shkollë me mua, Sinani. Unë kisha dalë tek shkallët dhe po lexoja në diell.  Shoku doli nga dera dhe më thotë se çfarë po lexon? I thashë se çfarë po lexoj. Ai ishte në vit të katërt. Pasi ta lexosh ma jep mua atë libër. Ja dhashë pasi e lexova dy apo tri herë. Ai pasi e lexoi, ia dha për lexim Hysni Kapos. “Nëna”.  Ky libër na bëri komunistë. Hysni Kapo atëherë ishte 20 vjeç, unë 15, ndërsa Arif  Hasko me Sinanin nga 18 vjeç. Komunist u bëmë në dhomën time, ku dashur pa dashur ata u bënë me romanin që u dhashë unë. Ishte dita e parë janar 1936.

 

Viti i Ri 1936, këngë, letra dhe fasule me Hysni Kapon dhe Harif Haskon

Në dhjetor të vitit 1935,  thotë Hysniu disa ditë para Vitit të Ri. A e bëjmë Vitin e Ri këtu në dhomën tënde? Të mblidhemi të këndojmë, të hamë. Të bisedojmë. “Unë rrjedh nga një familje e pasur dhe në dhomën time ka çdo gjë”,- i thashë. Dakord,- më tha,- mblidhemi. Unë u përgatita për atë natë. Nxora djathë, gjalpë, ullinj, bajame, arra, fiq të thatë, bukë misri, qepë, mjaltë, etj.. Zjeva dhe një poçe të madhe me fasule.  Hysniu erdhi me Arif Haskon. U bëmë nja 7 vetë. Atë natë kënduam labçe.  Unë Hysniu dhe Arifi këndonim bukur. Lozëm dhe letra, jo me lekë, por me kokrra fasule. Dhjetë fasule çerek leku, se leku kishte vlerë atëherë. Pas lojës me letra filluam të lexojmë romanin.

 

Emri, kujtimi më i bukur, ma ka vënë Avni Rustemi me Halim Xhelon

Kam gjënë më të bukur si kujtim nga dy atdhetarët tanë më të flaktë të të gjitha kohërave, Avni Rustemi dhe Halim Xhelo. Ata ishin rastësisht në fshat për të hapur shkollën, sepse xhaxhai im ishte mësues, dhe bujtën në shtëpinë tonë. Dëgjuan të qara atë mbrëmje dhe thanë, pse qan fëmija. Është i vogël, i tha babai, s’ka disa ditë që ka lindur. Nusja ka lindur prapë binjakë. Si e ka emrin fëmija që qan?- tha Halimi S’ia kemi vendosur ende emrin, kemi shumë emra, por nuk e vendosim dot,- iu tha babai. Atëherë t’ja vendosim Rrapo, tha Halim Xhelua. Pse? Për dy arsye: e para, të jetë jetëgjatë si rrapi dhe e dyta, të bëhet trim si Rrapo Hekali. Pra, ata të dy ishin nunët e mi. E tha mirë Halimi se unë kam kaluar të ‘90-at dhe në luftë besoj se jam treguar trim.

 

Aksioni i parë në shkollë

Ishte një mësues i gjuhës italiane. Ai më provokonte. P.sh, më thoshte hape te faqja 50 dhe lexo mësimin “Fashizmi dhe Musolini”. Në fakt ne e kishim mësimin në faqen 18. I thashë: “Jo, zotni, s’e lexoj pasi ne kemi mësimin e faqes 18. Më thotë rri me një këmbë në dërrasë ose dil përjashta. Kastriot Muçon e kisha në bankë dhe duheshim si vëllezër. I thashë Kastriotit: “Do të dal”,  dhe i  shkela syrin. Ai më kuptoi si dhe disa të tjerë. Sa dola unë, dolën të gjithë nga klasa. Dolëm në oborr dhe filluam të lozim volejboll. Klasat e tjera, të katërta, ku ishte dhe Kadri Hazbiu, dolën të gjithë nga klasat nga mësimi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora