Kulturë
Kristaq Turtulli: Sikur të isha pemë...
E enjte, 28.07.2011, 07:06 PM
KRISTAQ TURTULLI
SIKUR TË ISHA PEMË...
Sikur të isha pemë,
Si kjo pemë e lartë,
Lindur ndanë udhës së shekujve,
Mbështjellë me pelenën e erërave.
Ushqyer me gjirin e burimeve,
Me vlagën e dëshirave,
Rritur në kudhrën e shpresave.
Sikur të isha pemë,
Si kjo pemë e lartë,
Të ndjeja nanurisjen e flladeve,
Zhaurimën e ujëvarave,
Përkëdheljen e rezeve diellore,
Te dëgjoja këngën e bilbilave,
Pëshpërimat e zërave të breznive.
Mërmërimën e lodhur të pleqve,
Prekjet e dëlira të miliona fëmijëve
dhe simfonitë e mrekullueshme të puthjeve.
Sikur të isha pemë,
Si kjo pemë e lartë,
Të çelja lule dhe gjethe,
Të prodhoja fruta me shije,
Të isha strehë për të gjithë,
Kundër rrëkeve, dimrave dhe ftohtësive.
Të ndalja helmin e mërive,
Kafshimin e armiqësive,
Të bëhesha barrierë e tajfuneve
Dhe ligësive.
Sikur të isha pemë,
Si kjo pemë e lartë
Me rrënjë të thella.
Zgjatur deri poshtë
Në zëmër të tokës mëmë,
Të mbaja një komb më këmbë.
Sikur të isha pemë,
Si kjo pemë e lartë
Të ripërtërihesha në çdo stinë,
në qindra e qindra vite.
Më tha një ditë ime shoqe.
Korrik 2011