Kulturë
Daniel Gazulli: Zhburrnimi i Fadil Zekës
E marte, 26.07.2011, 06:59 PM
DANIEL GÀZULLI
ZHBURRNIMI I FADIL ZEKËS
- Tregim –
Fadil Zekën e mbante gjithë Sopoti për burrë të sertë. E pra bisedën e kishte të shtrueme, të paqtë, edhe pse fliste tue mbërthye vetullat sikur t’i vriste dielli sytë.
Trup mesatar, ndoshta edhe ma pak se mesatar, por të lidhun e të fortë, gjardanin e fishekëve mbërthye për brez, pushkën gjithmonë në krah, si kur shkonte me lërue arën, ashtu edhe kur shkonte në kuvend; aq i ishte ba si pjesë e trupit ajo pushkë e shkretë, sa kur lirohej prej saj në shtëpi, i dukej se i mungonte diçka.
Që i pëlqente të mbahej me të madhe, kjo dihej. Kalin e kishte ma të mirin në të gjithë zonën, edhe pse ndoshta nuk ia kishte pasë vaktin të blinte një kalë aq të shtrejtë në Domosdovë. I kushtonte ma shumë qesteku, qendisë me ar e argjend, se ora e xhepit “Çarkisuf”.
Ndoshta nga që fliste pak, prandaj thonin se ishte i sertë. Natyrisht, edhe pse reagonte menjëherë nëse ndokush mendonte se mund të matej me të.
Ishte tridhjetë e pesë vjeç kur u nda kësaj jete e shoqja, Hirja, tu i lanë dy vajza si drita, dy dhe katër vjeçe. Erdh e u ngrys, u ba edhe i randë në biseda me të tjerët, pse thuhej se e kishte dashtë shumë të shoqen. Nuk asht se në atë kohë burrat e shprehnin para katundit dashninë për grue, por megjithate fjala ishte hapë: E ka këputë vdekja e së shoqes. E donte shumë.
Pa mbushë vitin nga vdekja e saj, Fadil Zeka u martue për së dyti, por nuk bani dasëm. Edhe pse kambëngulën prindët e tij dhe farefisi, ai nuk desh të këndohej.
Si ishte zakon në ato kohë, mori për grue motrën e së shoqes, Aishen e mirë, që nuk i kishte mbushë ende gjashtëmbëdhjetë vjeç.
Fadil Zeka e kishte dashtë shumë kunatën e vogël e ja që jeta e solli ta kishte për grue.
Ishin prindët e Aishes që kambëngulen për këte martesë të panatyrëshme. Ndoshta u shtynë nga që vajza e parë, Hirja ditëshkurtë, u kishte folë shumë mirë për të shoqin, por sidomos që t’i rriste tezja dy jetimet e vogla.
Muejt e parë marëdhanjet e tyne nuk qenë aspak të lehta. Edhe pse ai, ndoshta edhe prej konstruktit fizik që kishte, dominohej shpesh prej epshit, e kishte kaq të vështirë të kryente marëdhanje seksuale me kunatën-grue. Por pak e nga pak dëshira iu shtue aq shunmë, si atij ashtu edhe Aishes, sa ngriheshin të pangopun me gjum mëngjeseve.
Kaluen plot katër vjet deri sa Aishja u ba nanë. Mbesave-vajza u erdh në jetë një vëlla, që të gjithë thonin se i ngjante Fadilit si dy pika shiu.
Ndërsa vitet kalonin, gjithmonë e ma hijerandë bahej Fadil Zeka për katundin e për gjithë Sopotin mbarë. E pra mbas martesës së dytë i erdhën edhe punët ma mbarë: sa kishte hy Italia dhe i blenë një pyllë aq sa nuk do t’i kishte shkue as në mend se mund të kushtonin as gjithë pyjet e Sopotit mbarë. Atë italianin që ia bleu, e shoqnonte një mësues i njohun prej Pogradeci, që i tha shqip: Kërkoi njëqindfishin e çmimit, Fadil. Dhe italiani, as një as dy, i rrahu paret.
Fadili nuk i kurseu ato: bleu, po çfarë nuk bleu, deri gjana që nuk ishin pa ndonjëherë në katund.
Gjithçka shkonte mirë, deri një ditë që u hap fjala se e shoqja, Aishja pra, kishte thanë: “Burri im i sertë? Nuk njoh njeri me shpirt ma të butë. Edhe pulat i ther vjehrra, se ai nuk ka shpirt t’i mbysë”.
Nuk u muer vesht kujt ia kishte thanë këto fjalë, as kush i përhapi e para, por në dy ditë e mori vesht gjithë katundi e në dy javë gjithë Sopoti.
Një mbramje heret, tek po ngjitej drejt shtëpisë, ngarkue mirë hejbet me mall që kishte ble në treg të Librazhdit, i doli para një bashkëfshatare, Zybja e Sali Kalleshit, dhe i kapi kalin për freni.
- Ndal Fadil Zeka! – i tha ajo gjithë kërcënim. –
Fadili u zu ngusht. As për te e as për një grue në të gjithë Sopotin kurrë nuk e kishte thanë një fjalë të paburrni. Kjo Zybja, dihej se ishte grue e randë, as kishte si e duronte me i kapë kalin për freni, aq ma pak me i durue fjalët e shpifuna. Nuk ishte koritë deri më sot e shpresonte në Zotin se nuk do t’i vinin punët me u koritë. E humbi krejt: gjithësesi i binte me u koritë. Nëse do të duronte fjalët e Zybes, do të bahej gazi i botës. Në ia kthente Zybes me kamxhikun që e kishte ngritë në ajër, do të bahej turpi i botës.
Theri pelen dhe u largue me të shpejtë, sa për pak e hodhi hundë e buzë Zyben, që kishte mbërthye frenin me gjithë forcë.
Nuk kishte ba as tre minuta rrugë kur u ndesh në Haxhiun, vjehrrin e Zybes. Ndali pelen, zbriti me të shpejtë prej saj dhe i tha Haxhiut të uleshin e të dridhnin nga një cigare.
Haxhiu po e shikonte ngultas në sy. Nuk kishte si mos me e kuptue se Fadil Zeka ishte krejt çeherprishun.
Si ndezen cigaret, Fadili i tregoi shtruet çka i kishte ndodhë pak ma parë me të renë. Nuk ia tha me të keq, se ishte burrë i urtë e i ishte dashtë fare pak kohë me marrë vehten.
Haxhi Kalleshi u zu aq ngusht, sa po i dridhej buza e nuk dinte si me iu përgjegjë. Veç i tha se nuk ishte koritë e se nuk do ta linte me u koritë: Pa marrë dielli më ke te shtëpia, sa t’i çoj fjalë edhe të shoqit tek livadhi.
Burrat u ndanë pa i urue njeni tjetrit as ditën e mirë e as natën e mirë, se e lanë me u pa përsëri.
Tue iu afrue shtëpisë së vet, Fadili ndezi edhe një cigare tjetër, se desht të shfrynte me duhan, mos t’ia kuptonin prindët dhe Aishja se diçka e randë i kishte ndodhë.
Si shkoi e giciloi pak Skënderin e vogël, doli përsëri në oborr, mori një këmesë dhe u drejtue nga fundi i kopshtit mbrapa shtëpisë, se i kishin ra në sy do ferra të rrituna tepër. Në të vërtetë donte të shfrente me atë këmesë e të ishte larg prindëve e Aishes sa të merrte vehten plotësisht.
Mirëpo, sa kishte shkëmesë dy ferrat e para, ia behu Haxhi Kalleshi. Qeshte si i marrë. “Oj Aishe! – thirri qysh te dera e oborrit – Dil e më prit, moj të marrtë e mira!”
Vërtetë Haxi Kalleshi po qeshte, po Fadil Zekës i kërceu delli në krye. Tek ajo derë thirrej emni i Oso Zekës, jo i së resë. Mandej, si qeshte si i marrë?
Ia behen në oborr prindët e Fadilit, doli edhe Aishja me Skënderin e vogël në krah e dy vocrraket që e ndiqnin mbas, e shikonin të çuditun Haxhi Kalleshin, që qeshte me të madhe.
Arrijti aty edhe Fadili.
- Kjo ta ka fajin! Kjo! – iu drejtue ai Fadilit tue tregue Aieshen – Kjo ka thanë për ty: “Burri im i sertë? Nuk njoh njeri me shpirt ma të butë. Edhe pulat i ther vjehrra, se ai nuk ka shpirt t’i mbysë”.
Të tjerët nuk po kuptonin asgja.
Atëherë Haxhiu ua shpjegoi hollë e hollë si kishte ndodhë e filluen me qeshë edhe të tjerët. Bile edhe Fadil Zeka e vuni buzën porsa në gaz. Shikoi të shoqën në sy dhe i tha:
- Vërtetë ke thanë ashtu?
Aishja, tek i dridhej cepi i buzës, por fytyren që i shëndriste prej gazit, iu gjegj:
-
Fadilit iu çel fytyra edhe ma shumë e i tha Aishes:
- Afroju. Afroju të të përqafoj. Të vërtetën ke thanë, ashtu jam, shpirtbutë.
Sopoti mbarë e mori vesht si u zhburrnue Fadil Zeka, që përqafoi të shoqen në sy të prindëve e të botës, pa i ra syni në qerpik.
Kjo, sa mbahej mend, nuk kishte ndodhë kurrë rrazë atij