Kulturë
Avni Alija: Poezia “Krenari e trishtë” e autorit Martin Çuni-Antoni
E enjte, 14.07.2011, 07:58 PM
Impresion
Martin Çuni
Poezia “Krenari e trishtë” e autorit Martin Çuni-Antoni.
Nga vëllimi poetik “Asht e gjak arbërie”,(12 krijues shqiptar në Gjermani).
Nga Avni Alija
Singulariteti tronditës i vragut poetik
1.Si pikë fillestare e konstelacionit objektiv dhe subjektiv në poezinë “Krenari e trishtë” e autorit Martin Çuni-Antoni janë tre personazhe. Dhe, një dhembje midis tyre. Është subjekti lirik që i drejtohet me një poezi një personazhi real (krijuesit në letrat shqipe A. Shkrelit). Është një Filiz i humbun me identitetin pothuajse të shkrirë (një pinjoll i familjes Shkreli i tretun në pjesën ma veriore të Shqipnisë, atje në Sanxhakun e lartë). Dhe është vetë protagonisti të cilit i drejtohet autori i vargjeve, pra shkrimtari Azem Skreli i cili përmes dhe së bashku me subjektin lirik kundrojnë me plot pezm se Muzat pushuan mbi kroje/Etja shkrumon buzët e tyre/ Trungjet plakur e mbet’? Filizat nuk na njohin.E, dhembja ka kapulluar gjithçka.
2.Miku i Franz Kafkës, Max Brod, në një shënim për artistin e madh përkujtonte se Franci e kishte për zemër ta përsëriste se “vetëm dhembja është definitive”.
Poezia “Krenari e trishtë” është një traktat mbi një copë dhembje. Është një poezi që aty për aty të nxjerr nga koha dhe hapësira. Të tërheq brenda projeksionit kompozicional sikur përmes të të ndërtuarit artistik, ashtu edhe përmes ndriçimit të brendshëm të kuptimësive që ajo ndryen brenda.
Poezia “Krenari e trishtë” është një fragment letërsie që rri i mbyllun në vete. Elemente të lirizmit janë mpleksur me një dyndje tronditëse me elemente epike duke e kthyer atë në një fragment letrar që nuk ndjek dogmë a rregullë të parashkruar krijues; as i nënshtrohet ndonjë lloj analize letrare a la Genete-i apo a la Kristeva-s; as që mund të provohet të zbërthehet simbas ndonjë modeli pararendës.
E tërë poezia është një Dilemata,nje Kompositum. Për nga forma të përkujton diçka nga konciziteti i Op-Artit. Zbrazësia dhe Dhembja janë shëndrruar në një përmasë të katërtë të botës.
Shkrel e Titan/Krenari e trishtë / Mbi bjeshkët e Nemuna /Karvani i bardhë u ndal / Muzat pushuan mbi kroje/Etja shkrumon buzët e tyre / Në Sanxhakun e lartë /Trungjet plakur e mbet’ / Filizat nuk na njohin/Krra,krra, fat i shkretë...
3. Sendërtimi kompozicional i poezisë “Krenari e trishtë” ndërthuret përmes tri rrafsheve të cilat rrijnë në korelacion të drejpërdrejtë me njëri tjetrin. Është rrafshi empirik në të cilin autori ia ka dalë të sublimoj procesin e të medituarit përmbi besueshmëritë historike(kujtesa e përbashkët me plagomën e thellë brenda). Rrafshin figurativ e mbështjell simetria e dyfishtë e të ndërtuarit artistik: Shkrel e Titan;Krenari e trishtim;Trungjet e filizat;Muzat mbi e kroje e etja i shkrumon. Ndërkaq në rrafshin e tretë, në atë ideo-artistik, intenca e autorit Martin Çuni-Antoni ka qenë të vë një shenjë në dimensionin socio-kulturor, filozofik dhe antropologjik: shkrirja e identitetit.Fatumi i randë i harrimit të substratit shpirtnor.
Nga intertekstualiteti që e përshkon këtë poezi, si lexues jemi të prirë që këto vargje t’i kundrojmë nën dritën e shtratit të vetëdijës në një kontekst të gjerë socio-psikologjik. Poezia shqipe nëpër të gjitha etapat e deri më sot ka bartë në vete shenjat e të qenit tempull i kujtesës.Vargjet e poezisë “Krenari e trishtë” janë eksponate shpirtnore; të autorit Martin Çuni, por, njëkohësisht, atypëraty edhe të lexuesit të vëmendshëm. Secili varg i kësaj poezie është një fragment i mbyllun në vete në dimensionin e formës dhe përmbajtjes. Por, secili varg, si tekst, mbetet i hapun për domethënie të tjera. Pra, vargjet i pershkon ekstensioni-e vërteta historike, dhe intensioni-brendësia ,kuptimi, mendimi, të ndërlidhuna në një singularitet tronditës.
Përmes vargjeve të fundit (të cilat mund të lexohen edhe si fillimvargje-madje e gjithë poezia mund të lexohet dhe rilexohet nga secili varg pa e humbur fare thelbin e domethënieve, gjë që në një dimension tjetër ia shton të veçantën e parëndomtë kësaj poezie) poeti Martin Çuni, përmes një të tërhequri të fuqishëm singular(në një pikë të vetme), i ka dhuruar poezisë një plasticitet ekspresiv me nota dramatike që trondisin.
Në kuptimin e një të shpërfaquri figurativ vargjet në përmbyllje kullojnë sumbulla ankthi të pambarim. Ka rënë terri.Filizat nuk na njohin/Krra, krra, fat i shkretë...
Mbi fushëtirën e kujtesës së përbashkët ka mbetë “ vetëm dhembja është definitive”.
Qershor 2011