E enjte, 31.10.2024, 11:12 PM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

30 ndeshjet e turpit në futbollin shqiptar

E diele, 27.01.2008, 08:05 PM


30 ndeshjet e turpit në futbollin shqiptar     

Nga Leonard Karaj    

Nëse projektligji, se ai që trukon një ndeshje futbolli dënohet me 7 vjet burg, do të ishte miratuar kohë më parë, cilët do të ishin futbollistët, trajnerët ose drejtuesit e klubeve që do të viheshin në pranga? Gazeta “Tirana Observer” nuk pretendon të bëjë gjykatësin ose prokurorin, por me profesionalizëm dhe duke iu referuar të gjitha deklaratave të lojtarëve, teknikëve dhe presidentëve të klubeve edhe në mediat të tjera publikon sot 30 ndeshjet më të përfolura si të dyshuara për trukim rezultatesh.
Një listë e gjatë ku përfshihen takime të Superligës, ekipit kombëtar si dhe të skuadrave shqiptare në Kupat e Evropës prej vitit 1995 e deri në dy ndeshjet e fundit të ekipit përfaqësues në kualifikimet e EURO 2008. Duhet theksuar, për hir të së vërtetës, se gjatë këtyre viteve ashtu sikundër ka pasur shumë akuza, përgënjeshtrime dhe kundërakuza, kanë ekzistuar edhe denoncimet e hetimet nga ana e federatës shqiptare. Por në ndryshim nga ç’mund të ndodhë pas miratimit me procedurë të përshpjetuar të këtij projektligji në Parlamentin shqiptar, baza ligjore mungonte plotësisht. Fakt është se asnjë personazh i përfolur dhe i implikuar për shitblerje ndeshjes nuk është dënuar. 

Projektligji

Burg nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë 100 mijë deri në 3 milionë lekë. Është ky sanksioni ligjor i propozuar pak ditë më parë nga Shoqata e Prokurorëve, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe MTKRS për shitblerjen e ndeshjeve të futbollit. Pas humbjeve të fundit të kombëtares dhe akuzave që i shoqëruan ato, duke nisur nga kryeministri Berisha e deri tek ministri Pango, tashmë trukimi i rezultateve sportive do të dënohet me ligj. Sanksioni për një vepër të tillë pati munguar në Kodin Penal dhe, sipas Shoqatës së Prokurorëve e ZMQ-së, kjo ka ndikuar në rezultatet e deritanishme në shumë ndeshje futbolli, që, sipas tyre, “nuk kanë pasqyruar realitetin”.

Kombëtarja

Por ajo që u dhemb më shumë tifozëve shqiptarë është ekipi kombëtar. Kuqezinjtë ishin të vetmit që nuk ishin përfolur për shitje ndeshjesh, por mjaftuan dy rezultate negative dhe mjaft dyshuese që mbi ta të shpërthente edhe inati i kryeministrit Berisha (i njohur si një person që nuk sheh shumë futboll). Deklarata e tij se kombëtarja kishte përdhosur flamurin në Rumani ngacmoi edhe drejtuesit më të lartë të futbollit evropian (UEFA) dhe botëror (FIFA). Por përveç kombëtares në vorbullën e shitblerjeve të ndeshjeve, sidomos pas viteve 2000, u përfshinë shumë klube elitare të futbollit shqiptar. Ndeshjet e Dinamos, Vllaznisë, Besës dhe Elbasanit në Kupat e Evropës janë vënë në qendër të vëmendjes edhe nga UEFA dhe Europoli. “Tirana Observer” thekson sërish se nuk merr përsipër të thotë fjalën e fundit, por risjell dhe njëherë ato deklarata akuza e kundër akuza që janë bërë publike edhe më parë nga kolegët tanë gazetarë. Ne duke i renditur një e nga një këto raste flagrante, mund të themi vetëm se në futbollin shqiptar përveç ndeshjeve të bukura ka pasur edhe plot të dyshuara për trukime rezultatesh.

Eksperti anglez i basteve: Ja si u trukua Dinamo-Brondbi

Data 7 gusht 2002 është historike. Në atë kohë luheshin paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve, Dinamo ishte pritëse përballë danezëve të Brondbi. Mashtrimi ishte studiuar në detajet më të vogla dhe kishte prej atyre që arritën të vinin baste mbi rezultatin ekzakt të ndeshjes, atë që ishte paracaktuar. Por dyshimet për manipulime ishin shumë të forta, aq sa kompanitë e basteve u bindën se ndeshja ishte e trukuar. Graham Sharp, zëdhënësi i “William Hill”, shpjegoi situatën. “Të gjitha bastet ishin vënë në Londër dhe Mançester. Të gjitha ishin vënë në rezultatin përfundimtar 0-5, me koeficient mes 80 dhe 100”. Problemi për atë që kishte programuar trukimin e rezultatit ishte se plani nuk u realizua. Ndeshja përfundoi 0-4 dhe danezët humbën në mënyrë të pabesueshme golin e pestë në minutat e fundit, duke bërë që personat që kishin organizuar gjithçka të mos ishin të suksesshëm në këtë tentativë.

Rregullorja e FSHF për trukimet

Në bazë të nenit 23 kreu i 15 i Kodit të Drejtësisë Sportive të Federatës Shqiptare të Futbollit, subjektet që marrin dhurata korruptive dënohen me heqje të pikëve dhe me pezullim nga 2 deri në 5 vjet nga aktiviteti zyrtar. Në gjuhën e Kodit të Drejtësisë Sportive quhet dhuratë korruptive, por kjo në aspektin juridiksional përmban atë që thuhet kompromis ose aleancë në fushën e lojës.

Projektligji i ri i ZMQ dhe MTKRS

Burg nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë 100 mijë deri në 3 milionë lekë. Është ky sanksioni ligjor i propozuar nga sekretari i përgjtihshëm i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe MTKRS për shit-blerjen e ndeshjeve të futbollit. Sanksioni për një vepër të tillë pati munguar në Kodin Penal dhe sipas Shoqatës së Prokurorëve e ZMQ-së, kjo ka ndikuar në rezultatet e deritanishme në shumë ndeshje futbolli.

Dinamo dhe Vllaznia, në prokurori për ndeshjet në Kupat e Evropës

Federata Shqiptare e Futbollit pati nisur vetëm një herë seriozisht hetimet për trukime ndeshjesh nga klubet shqiptare. Rasti në fjalë i përket vitit 2003, kur federata depozitoi në prokuroi një padi për klubin e Vllaznisë dhe Dinamos për shitje ndeshjes. Vllaznia luante përballë skocezëve të Dandi për turin e parë të Kupës UEFA. Një skocez vendoi një shumë prej 22 mijë sterlinash, rreth 35 mijë dollarë, për një rezultat 2/2 (fitore e Dandi që në pjesën e parë) në skedinën e sportit. Por ky bast nuk ishte i vetmi, sepse UEFA verifikoi edhe disa të tjera në shumë pak më të vogla që kishin vënë për këtë takim. Vetëm atëherë u fut në veprim FSHF. Kjo e fundit mblodhi fakte edhe për ndeshjen tjetër të Dinamos po në Kupën UEFA me Lokerenin e Belgjikës. Skuadra belge fitonte që në pjesën e parë me rezultatin 4-0 dhe për këtë takim ishin vendosur shumë baste në internet. FSHF-ja bëri denoncimin në prokurori për të dy klubet, por nga hetimet prokurorët nuk mundën të vërtetonin asgjë.

Presidenti i Partizanit: E shita ndeshjen për inat të Tiranës

“Po, e lashë ndeshjen me Vllazninë, por e bëra për të protestuar ndaj këtij sistemi”, deklaronte presidenti i Partizanit, Albert Xhani sezonin e kaluar në mediat shqiptare. Xhani pas ndeshjes me Tiranën deklaronte gjithashtu haptazi vjedhjet në kampionatin shqiptar. “Po na vjedhin, madje hapur. Ky është një sistem, me të cilin Tirana po fiton sezon për sezon kampionate të parregullt. Gjithmonë shteti e ndihmon dhe federata nuk ia prish qejfin”.

1. 1994-1996: Shqipëri-Uells

Kombëtarja luante përballë Uellsit. Takimi përfundoi 1 me 1 dhe sipas ish-kapitenit Rudi Vata ishte i shitur. “Strakosha më ofroi 50 mijë marka për atë takim”, deklaronte më pas ai. Por edhe ish-trajneri Neptun Bajko do të thoshte më vonë se kishte mjaft dyshime për atë takim.

2 1999-2000: Dinamo-Partizani

Pas humbjes së Dinamos në derbin me Partizanin i gjithë stafi teknik i kryesuar nga Bujar Kasmi dha dorëheqjen. Sipas tij, ndeshja ishte e trukuar, ku disa futbollistë blu ishin bërë pre e bastexhinjëve dhe drejtuesve të Partizanit. Rasti në fjalë nuk u mor kurrë nën hetim.

3 1999-2000: Partizani-Tomori

Ndeshja e parafundit e kampionatit jo rastësisht fillon 15 minuta me vonesë. Në Gjirokastër, Luftëtari-Tirana 1-1, rezultati i së cilës ndikonte te Partizani-Tomori. Nëse do fitonin bardheblutë, do fitonin edhe “Demat e kuq”. Ndërsa në rast barazimi, Partizani do hapte portën dhe Luftëtari binte nga kategoria. Kështu ndodhi.

4 200-2001: Teuta-Vllaznia

Vllaznia ishte në luftë për titull me Tiranën ndërkohë që ishin edhe në gjysmëfinale të kupës përballë Teutës. Skuadra që asokohe drejtohej nga malazezi Dervish Haxhiosmanoviç preferoi të luftonte në vetëm një front duke i lënë Teutës kualifikimin në kupë dhe bregdetarët i linin fitoren në kampionat.

5 2000-2001: Vllaznia-Shkimbini

Në dy javët e fundit Shkumbini do të luante përballë Tiranës dhe Vllaznisë. Përballja me bardheblutë u anulua si fillim për shkak të një shiu të rrëmbyeshëm dhe në ndeshjen tjetër pas dy ditësh skuadrat barazuan. Ndërkohë që në javën tjetër në Shkodër festojnë së bashku me Vllazninë.

6 2001-2002: Apolonia-Dinamo

Dinamo has vështirësi për të fituar ndaj Apolonisë në stadiumin e Fierit dhe kjo vërehet qartë gjatë gjithë pjesës së parë të takimit. Ndërkohë që në pushim të ndeshjes ndryshoi gjithçka. Një urdhër që nga tribuna VIP iu hapi portën fierakëve, duke iu dhënë fitoren dinamovitëve.

7 2001-2002: Shkumbini-Tirana

Fati deshi që ashtu si një vit më parë, këto dy skuadra të takoheshin sërish bashkë në javën e parafundit të kampionatit. Por këtë herë gjërat kishin rrjedhur ndryshe, pasi Peqini nuk rrezikonte rënien nga kategoria dhe natyrisht Tirana fitoi pa shumë probleme.
 
8 2001-2002: Vllaznia-Dinamo

Luhej ndeshja e fundit e kampionatit. Dinamos i duhej patjetër fitorja, por e kishte përballë të paktën në pjesën e parë një Vllazni të fortë. Por në pjesën e dytë, pas një urdhri  nga lart Klodian Asllani vërshon drejt mbrojtjes shkodrane duke i shmangur “gjoja” të gjithë dhe duke shënuar. Dinamo shpallet kampion.

9 2002-2003: Tirana-Lushnja

Në javën e parafundit të kampionatit, Tirana është matematikisht kampion, ndërkohë që lushnjarët luftonin për të mos rënë nga kategoria. Dhe ja ku vjen dhurata bardheblu. Lushnja fiton në Tiranë me rezultatin 1-0 dhe luan edhe një sezon tjetër në Superligë.

10 2002-2003: Partizani-Besa

Në javën e fundit të kampionatit Partizani do t’i dhuronte skuadrës kavajase tri pikë shumë të vyera. Sfidën 3-4, të fituar nga Besa e ndezi më shumë trajneri i Partizanit, Neptun Bajko, i cili pa thënë asnjë fjalë u largua (në shenjë proteste) para fillimit të takimit nga pankina dhe stadiumi.

11 2002-2003: Vllaznia-Apolonia

Po atë javë edhe Apolonia arriti të bëjë një mrekulli. Në fakt këtë të fundit e bëri Vllaznia, e cila pasi kaloi në avantazh në pjesën e parë 2-0, në të dytën hapi portën duke lënë që fierakët të fitonin me rezultatin 3-2 dhe të shpëtonin nga rënia nga kategoria.

12 2002-2003: Dinamo-Brondbi

Dinamo-Brondbi 0-4, 7 gusht 2002, paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve. Mashtrimi, sipas disa ekspertëve të vënies së basteve, ishte studiuar në detajet më të vogla dhe sipas tyre kishte prej atyre që arritën të vinin baste mbi rezultatin ekzakt, atë që ishte paracaktuar.

13 2003-2004: Elbasani-Tirana

Tirana matematikisht kampione në javën e fundit bëhet “zemërmirë”. I fal fitoren Elbasanit i cili kishte nevojë urgjente për tri pikë duke festuar në dëm të skuadrave të tjera që të dy në stadiumin “Ruzhi Bizhuta”.

14 2003-2004: Dinamo-Partizani

Finalja e Kupës së Shqipërisë. Dinamo ka siguruar një vend në UEFA, pasi është në vendin e dytë në renditje. Ndërsa Partizani duhet me patjetër të fitojë që të luajë në Evropë. Të kuqtë fitojnë me një gol të Ndrekës, ndërsa presidenti i Vllaznisë, Agron Çela akuzon haptazi për fiksim rezultati.

15 2003-2004: Dinamo-Lokeren

Dinamo-Lokeren 0-4. Skuadra belge fitonte që në pjesën e parë me rezultatin 4-0 dhe për këtë takim ishin vendosur shuma të mëdha bastesh në internet. FSHF-ja bëri më vonë një denoncim në prokurori për të dy klubet, por nga hetimet prokurorët nuk mundën të vërtetonin asgjë.

16 2003-2004: Vllaznia-Dandi

Vllaznia-Dandi 0-2. Vllaznia luante përballë skocezëve të Dandi për turin e parë të Kupës UEFA. Një skocez vendosi një shumë prej 22 mijë stërlinash, rreth 35 mijë dollarë, për një rezultat 2/2 (fitore e Dandi që në pjesën e parë), shumë e madhe kjo për një bastexhi dosido.

17 2004-2005: Teuta-Tirana

Kjo ndeshje e shumë përfolur është mbyllur me rezultatin 5-3 dhe gjithçka luhej për të nxjerrë golashënuesin më të mirë të kampionatit shqiptar teksa çdo gjë tjetër si kampionati (Tirana) dhe Kupa e Shqipërisë (Teuta) u kishte dalë pronari. Ashtu u bë.

18 2004-2005: Partizani-Laçi

Në të njëjtën ditë Partizani luante me Laçin, skuadra që kishte pësuar 120 gola dhe kishte marrë vetëm një pikë atë sezon. Bylykbashi, kapiteni i Partizanit kishte shënuar 20 gola dhe i duheshin edhe 5 të tjerë për të qenë golashënuesi më i mirë. Laçianët hapën portën dhe Bylykbashi shënoi 5 gola.

19 2004-2005: Partizani-Hapoel Bnei Sakhnin

Të gjithë e dinë, por asnjë futbollist ose drejtues nuk dëshiron të flasë. Pas ndeshjes në Kupës UEFA në turin e dytë me Hapoel Bnei Sakhnin të Izraelit, Partizani hapi portën dhe vendasit fituan 6-1 në total. Presidenti Albert Xhani largoi tetë futbollistë si të implikuar në shitjen e kësaj ndeshje.

20 2005-2006: Shkumbini-Elbasani

Dy “kushërinjtë” kanë nevojë të mos humbasin dhe mos vrasin njëri-tjetrin. Kështu ndodh. Në harkun e 90 minutave as ata që do të shpalleshin kampionë nuk po sulmonin dhe as ata që donin veçse të mbeteshin në Superligë nuk po lëviznin nga vendi. Përfundon në barazim.

21 2005-2006: Besa-Elbasani

Ky ka qenë takimi simbol i trukimit të një ndeshje. Tifozeria kavajase bërtiste në stadium: “E shitët, e shitët”, dhe ndeshja ndërpritet për disa minuta nga gjyqtari i takimit. Ndërsa në fund “miqtë” nga Elbasani arrinin të fitonin dhe në fund të shpalleshin kampionë.
 
22 2005-2006: Ekranas-Elbasani

Ekranas-Elbasani 3-0. Takimi i fituar nga vendasit u fut në listën e zezë të UEFA-s për shkak të lojës shumë të dobët dhe të dyshimtë të disa prej futbollistëve të Elbasanit. Takimi i parë kishte mbaruar në barazim 1 me 1, por verdheblutë kishin luajtur shumë herë më mirë. 
       
23 2006-2007: Elbasani-Tirana

Nuk e pohon askush, por Tirana, sipas presidentit të Partizanit Albert Xhani, kjo ndeshje ka qenë e trukuar. Tirana do të fitonte në Elbasan, duke bërë një hap të rëndësishëm për titullin kampion teksa Elbasani nuk fitonte dhe as humbiste, pasi ndodhej në një vend komod në renditje. 

24 2006-2007: Besa-Tirana

Ishte një gol i Vioresin Sinanit dhe një Besë e shpërfytyruar kundrejt një Tirane që nuk bëri shumë për të fituar. Por ja që edhe për këtë takim është përfolur shumë se është trukuar. Një gjë të tillë e pohon Albert Xhani në emisionin “Skaner” në “Al Sat”.
 
25 2006-2007: Partizani-Vllaznia

Shkodranët fitojnë në Tiranë minimalisht, teska Partizani nuk bën asgjë për të paktën të barazonte ndeshjen. Në nerva e sipër edhe presidenti Albert Xhani pranonte se kjo ndeshje ishte e shitur. Tifozët e kuq u larguan nga stadiumi duke bërtitur: “E shitët, e shitët”.

26 2007-2008: Bezhanija-Besa

Bezhanija-Besa 2-2. Kjo ka qenë ndeshja më e përfolur e vitit të kaluar përsa i përket klubeve shqiptare. Kuotat e kësaj ndeshje ishin ndryshuar në disa kompani bastesh disa minuta para fillimit të takimit dhe ishin vënë shumë para për një barazim dhe një ndeshje me shumë gola. 

27 2007-2008: Besa-Liteks Loveç

Besa-Liteks Loveç 0-3. Kavajasit u mundën lehtësisht nga bullgarët, por ajo që të binte më shumë në sy ishte fakti se edhe për këtë takim ishin vënë baste në kontinentin aziatik. Madje fitorja e “miqve” si në pjesë të parë dhe në të dytë kuotohej mjaft lart. 

28 2007-2008: Slaven Belupo-Teuta

Slaven Belupo-Teuta 6-2, takimi i parë i Kupës UEFA. Ndeshja përfundoi në listën e zezë të europolit, pasi për të ishin vënë baste marramendëse nga disa salla bastesh në Azinë e largët. Ishin vënë baste për një ndeshje që përfundonte me shumë gola, ashtu sikundër ndodhi.

29 2006-2008: Shqipëri-Bjellorusi

Kombëtarja e Bariçit luante pa Bariçin e dënuar me kartonë ndaj Bjellorusisë në Tiranë. Takimi çuditërisht përfundoi 4 me 2 për “miqtë” teksa nga tifozët, drejtuesit e FSHF dhe lojtarët shihej si një fitore e sigurt.

30 2006-2008: Rumani-Shqipëri

Katër ditë më vonë një tjetër kapitullim i kuqezinjve. Këtë herë në Bukuresht, 6 me 1 për rumunët. Kombëtarja u akuzua edhe nga kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Bamir Topi. Por pas hetimeve nuk doli asgjë në dritë, madje as UEFA nuk u mor me këtë ndeshje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora