E diele, 13.10.2024, 06:22 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Ku t’i gjesh forcat për të shkruar për Kampionatin e Shqipërisë!..

E merkure, 14.11.2007, 11:27 PM


Nga Besnik Dizdari

Ndonëse duhen gjetur. Duhen gjetur qoftë edhe kur një Kampionat i futbollit si ky i Shqipërisë nuk tërheq opinionin e gjërë sportiv dhe josportiv.

Ku t’i gjesh forcat, ngaqë Kampionati, i cili lufton për të mos u konsumuar (me kuptimin për të mos shtérrë), vazhdon të kalojë krizën tejet të gjatë të tij. Krizë gjithë andej. Krizë në futbollistë. Krizë në organizim. Krizë në cilësi. Krizë në emocione. Krizë në publik. Krizë në tribunë. Krizë në kulturë. Krizë në gazetari. Krizë në drejtim. Krizë ekrani e radioje. Krizë problematike e debai.

Gjëja më e çuditshme dhe paradoksale është ndërkaq, se asnjëherë Kampionati Kombëtar i futbollit në Shqipëri nuk ka qenë një dukuri sidomos kaq televizive sa sot. Merre me mend. Katër rubrika sportive televizive lulëzonin njëkohësisht të shtunën që shkoi thuajse mbrenda të njëjtës kohë. Të gjitha thuajse të ngjashme. Turma të ftuarish, të ndarë njinjishmërisht në dy rradhë karshi njëra tjetrës, biseda të pafund, natyrisht të dobishme, sepse në tanësi të gjithë kërkojnë vetëm përparimin e Kampionatit, gëzimi më i vjetër i shqiptarëve në rang kombëtar qysh më 1930. Mirëpo, asnjëherë si sot një Kampionat Kombëtar i futbollit në Shqipëri, nuk ka pushtuar me kaq mbidozë kësisoji gjithë javën në e pakta me shtatë a tetë gazeta sportive të përditshme, pa harruar nja tridhjetë të përditshme josportive që në mënyrat e tyre merren me te. Uji rrjedh pa prâ, por kriza e Kampionatit vazhdon

Kështu, unë për védi jam në një situatë kërkuese kur pesimizmi që më pushton, lufton megjithate të mbërrijë te optimizmi.

1.

Vërtet, ku t’i gjesh forcat për të shkruar për Kampionatin e Shqipërisë!...

Dhe më duket se i gjej te Besa e Kavajës, fituese për herë të parë mbas 29 vjetëve, e titullit stinor “Kampione e Vjeshtës”. Një skuadër Nënkampione një herë të vetme në histori, më 1958, histori e shpalosur nga “TemA” në numrin e së martës që shkoi. Një Besë e 3-ta më 1993 dhe më 1979, e 3-ta më 1974, e 3-ta më 1967, e 3-ta më 1964 dhe 1963. Kjo është ritmika më e pasur e Besës së Kavajës në 50 vjet qysh nga “titulli” i Nënkampiones më 1958. Dhe mbas gjithë këtyre 6 vendeve të treta të mbas 58-tës, vende podiumi, kur dihet se qysh në olimpin antik vende nderi ka patur gjithmonë vetëm 3, kjo Besë mbërrin që për herë të parë mbas 29 vjetëve të fitojë një periudhë të parë kampionati (ksenomania gjuhësore e jona i thotë “fazë”). Çka do të thotë se skuadra e Kavajës ka rivënë kandidaturën për titullin e parë të saj në histori.

Ka qenë 1978, saktësisht 10 dhjetor 1978, kur mbas fitores 3-1 me Flamurtarin në Kavajë me gola të Durim Shtinit, Xhemil Bajazitit dhe Dashnor Bajazitit, ku Bajaziti i dytë, Dashnori, ishte universali i parë i ardhur mbas largimit nga skuadra të Muharrem Karriqit, padyshim simboli i madh i Besës në të gjitha kohërat. Renditja e katër të parëve ishte kjo: Besa 19 pikë, Dinamo 17, 17 Nëntori 17 dhe Partizani 16. Ashtu si dhe sot, një luftë me kryeqytetin, ndonëse tash mungon 17 Nëntori apo SK Tirana. Kjo ishte Besa e fundit “Kampione e vjeshtës” e trajnerit Hasan Gërmani, po ashtu një simbol, simboli i gjithë trajnerëve të Kavajës. Për fat, në fund të Kampionatit 1978-79, ajo do të ishte vetëm e treta: Partizani kampion me 36 pikë, 17 Nëntori Nënkampion me 35 pikë, Besa treta me 31 pikë. Do ta rrëzonte përfundimisht Partizani, 3-1 në Kavajë më 15 prill 1979, edhe pse Besa kryesonte në të 35’ me golin e Qerollit. Por Hado dy gola dhe sigla e Muç Fagut me golin e tij vrasës të minutës 86’, kur kavajasit ishin fare pranë barazimit! Ka qenë 1979.

Kështu është nisur për te titulli dhe është larguar e pakta nja 6 a 7 herë Besa e Kavajës.

E, çfarë do të ndodhë në këte 2007-08?

Kemi mbërritur te Besa 2008, e cila sikur nis e të bind se mund të gjejë forca për të shkruar emrin e një titulli të saj në Kampionatin e Shqipërisë. Ndonëse skemat e të shkruarit, të komentuarit, të televizuarit, të radiozuarit që kanë arritur kulmin e konsumimit (shtérrjes) prap të duket se nuk janë për te.

Në Kavajë ndërkaq, ka etje. Një etje që zgjat tash pesëdhjetë vjet e pakta, qysh nga 1958 kur treshja Hasan Gërmani – Qemal Gavardari - Mit Dimroçi trondiste Shqipërinë e futbollit. Eshtë një etje që nuk u shua asnjëherë. Ndërsa as unë, një “tifoz” i vjetër i Besës (nëse këte nuk e besoni ju, e besojnë në Kavajë) jam i detyruar t’i gjej forcat mu te Besa për të shkruar për Kampionatin e 69-të. Ndonëse menjëherë, krejt papritmas, më del se nga lojtarët të cilët sapo kanë fituar periudhën e parë të Kampionatit nën fanelën e Besës, shumica nuk janë të saj. Nuk është kavajas Zendeli, as Zekirja Ramadani, as Bikoula Nana, as Belisha, as Ishaka Abdulla, as Veliaj, as Mancaku! Nuk janë të sajtë as Elokan, as Alikaj, as Arapi, as Dragusha, as Krasniqi, as Hamzaj, as Nuhiji!

Dhe stepem! Në të vërtetë duhet të përjashtoj shqiptarët e ardhur nga Kosova, e cila është mjaft e afërt me Kavajën, ndoshta qyteti më mikpritës i shqiptarëve të Kosovës në të gjitha kohërat, të cilët mbasi i mirëpriste si pakkush në Shqipëri, i shndërronte në kavajasit më të mirë. Kështu e pakta gjatë gjithë shekullit XX.

Atëherë, mos jam gabim që “sulmoj” këte Besë ndërkombëtare: Maqedoni, Kamerun, Francë, Nigeri? Me sa duket jam një klasik, në fund të fundit. Harroj se përjetojmë futbollin e ekonomisë së tregut, për të cilën kavajasit dihen se për njohuritë e tyre tregëtare kanë qenë modernë qysh në kohëra, dhe që si pak kush nuk u mësuan kurr me pronën kolektive edhe kur kjo mbretëronte me egërsinë e një sistemi për rrëzimin e të cilit aq fort dhanë qytetarët e Kavajës…

Nuk ia arritën të shpreheshin përmes një titulli në Kampionatin e Shqipërisë. Janë bërë gati kësaj here. Dhe qé (këte “qé” e përdor për “ja”) tek mbërrin Nexhat Bizhdili, presidenti i Besës, kavajasi i parë në historinë e futbollit besian, i cili ka kuptuar ate që asnjë paraardhës i tij nuk ia arriti ta kuptonte kësisoji. Stili perëndimor thotë, se kush veshën fanelën e Besës në çast bëhet kavajas. Dhe vetëm kaq.

Bizhdili ndërkohë, nuk merret me këtë lloj “lokalizmi” apo “nacionalizmi” qytetar.

Eshtë kohë tjetër. Kohë e futbollit të paguar, e futbollit si profesion dhe punë madje, kohë në të cilën ka 17 vjet që kërkon ta përvetësojë edhe Shqipëria sportive, ende pa ia arritur megjithate...

Pesëdhjetë vjet më parë Besa u bë Nënkampione e Shqipërisë me një trajner “të huaj”. Quhej Skender Dedja. Them i huaj për këte shqiptar “puro sangue”, sepse asokohe ai sapo kishte ardhur nga Hungaria e Ferenc Pushkashit. Dhe kërkonte të drejtonte jo në një stil shqiptar, por danubian. Qoftë dhe në miniaturë. Sot është një rumun, Silviu Dumitresku.

Dhe Besa. 1-1 në Shkodër, në ndeshjen vendimtare të kryesimit prej 3 pikë mbi më të afërtin, ose mbi më të afërtit, PartizanDinamon – 31 kampionate të fituar së bashku përballë asnjë të Besës së Kavajës. Ashtu si pesëdhjetë vjet më parë, edhe të shtunën ajo pati punë me Shkodrën, Vllazninë apo Punën e atëhershme, e cila me një 2-0 të pamshirshëm të 4 majit 1958, do të hynte në histori në pengimin e një titulli për Kavajën. Këte të shtunë qe diçka tjetër. Besa “erdhi, pa dhe fitoi”. Në historinë e saj 70 e mâ vjeçare asnjëherë një barazim nuk ka qenë më fitore se ky i së shtunës që shkoi në “Loro Boriçin” e Qytetit të Futbollit. Sepse qe një barazim që i siguroi largësinë prej 3 pikësh prej dy kryeqytetasve “të panginjur” të futbollit dikur dikasterial.

E pashë me vemendje këte ndeshje. Ishte një Vllazni mjaft e mirë dhe e vendosur. Mirëpo, u gjend përballë një Bese plot autoritet, e cila tregoi sidomos në 15 minutat e fundit me një lojtar mangut, se sa është një Besë tekniko – taktike (kujtoni se sa bukur mbyllej në mbrojtje dhe se si hapej në kundërsulm), po aq është dhe një Besë ndërkombëtare me karakterin e fortë të futbollit shpirtëror tradicional të Kavajës. U mblodh barrierë dhe me qetësi që e ka qysh kur është themeluar, ndali një Vllazni po aq të etur për fitoren që do të ishte e bujshme për stinën shqiptare të futbollit, një Vllazni e një 45 minutëshi të dytë mjaft tërheqës dhe të vendosur. Por vetëm deri këtu. Nuk çahej Besa, e cila qysh nga fundi i verës, me pjesëmarrjen interesante në Kupën e Evropës, është sunduesja e futbollit ndërqytetës shqiptar. Ose sunduesja bindëse e periudhës së parë të Kampionatit prej tri që janë në ”treg”, blerësja e fuqishme e të cilave duket qartë se është mu skuadra e Kavajës. Duket se kemi të bëjmë me një blerje moderne e ligjore, madje që kryhet përmes futbollit të pastër, të vërtetë dhe pasionant. Protagonisti e ka emrin Silviu Dumitresku nga Rumania i cili ndoshta më të vështirë e ka të mësojë historinë e Besës se sa ta drejtojë atë drejt titullit. Do të forcohet fort në synimet e tij, po t’i bashkojë në një të dyja këto.

2.

Ku t’i gjesh tjetërkund forcat për të shkruar për Kampionatin e Shqipërisë, mbasi ke përfunduar me Besën e Kavajës - kryesuese e mbas 29 vjetëve?

Te Skenderbeu në vendin e fundit? Te Teuta e Durrësit e parafundit? Në një kohë që Berati e Gjirokastra, Fieri e Lushnja janë jashtë Kampionatit të parë shqiptar? Ku ksaj rradhe Jugu i Shqipërisë që aq shumë i ka dhënë futbollit kombëtar, përfaqësohet me vetëm dy qytete, Vlorë dhe Korçë, edhe këta më pak dhe më ulët (vendet 6 dhe 12) se asnjëherë tjetër? Një Kampionat që si rrallë herë ka 10 skuadra ndër 12 mbi Shkumbin e lart, madje po si rrallë herë me tri skuadra veriore (Vllazni, Kastriot dhe Besëlidhje), duke i krijuar kënaqësi Veriut, po një situatë tejet artificiale, pra të panatyrshme Kampionatit Kombëtar, i cili ka nevojë për të dy, për Veriun dhe Jugun? Dhe ngjet kështu përveçse për dobësi të vetë këtyre klubeve jugorë, edhe për kryefortësinë e FSHF-së për ta zhvilluar Kampionatin me kaq pak skuadra, temë e shtérruar prej kohësh prej nesh.

Vijmë te “mbretëresha”, te Sportklub Tirana 6 herë kampione në 10 vjetët e fundit, ose 4 herë në pesë vjetët e fundit. Dhe vetëm e 8-ta në këte vjeshtë 2007. Vetëm 13 pikë, ose 11 pikë mbrapa Besës! Nuk i ka ndodhur asnjëherë. Vetëm 3 fitore tash tre muaj!

Dhe ka javë që “e qajnë”. E pra ku do t’i gjesh forcat për të shkruar për këte Kampionat kur duket sikur problemi është vetëm fakti se Sportklubi ynë i madh ka nisur kaq keq një stinë mbas gati 35 vjetëve (1973-74) kur për herë të parë dhe të vetme u rendit i 13-ti, praktikisht “ra” në kategorinë e dytë? Po cila qe ajo skuadër në botë që nuk pati vitet e saj të këqia?

Nuk është ky problemi i Kampionatit të 69-të. Problemet janë të tjera.

Madje krejt papritur lindi edhe problemi i një treguesi teknik: golat. Mesatarisht vetëm 2.09 gola për ndeshje mbas 11 javëve kampionat, më e ulta e 23 vjetëve të fundit, qysh në stinën 1983-84 kur ishte 1.80 gola për ndeshje. Një kampionat ku asnjë skuadër nuk ka arritur të paktën 2 gola për ndeshje dhe ku plot 7 skuadra janë nën 1 gol për ndeshje. Ka dekada që kjo nuk ka ndodhur në përfundim të një periudhe kampionati.

Ai është një Kampionat i cili teksa e ka në dukje të jashtme të baraspeshuar treshen e kryesuar nga Besa dhe e ndjekur nga PartizanDinamo, ka një “mes të bakërt”, nëse mund t’i themi kështu, prej katër skuadrash, Vllazni, KS Elbasan, Flamurtar e Shkumbin, çka të duket si i një bote tjetër, që lufton thjesht për një vend të katërt të pa shpresë. Mandej dyshja SK Tirana – Kastrioti, edhe kjo e veçuar. Mandej dyshja tjetër Besëlidhja-Teuta, edhe kjo po e veçuar. E mandej Skenderbeu i vetmuar. Si rrallë herë kemi një Kampionat grupimesh të çuditshme ku janë përzjerë të mëdhenj e të vegjël, tradicionalë dhe të rinj, qytete e qyteza. Do të presim dhjetorin për të shpresuar te një shpërbërje e kësaj skeme ndarjesh të mëdha. Që në fund të fundit kështu siç është, më fort se kërkuj i pëlqen Besës së Kavajës, problemi i bukur i Kampionatit të 69-të.

Problem i bukur me të cilën nuk ka prirje për t’u marrë fort “klanet” gazetareske të këtushme, ndonëse nuk janë klane. Ndoshta kanë të drejtë, sepse problemet e pabukura janë më të shumta se vetë bukuria e një Bese.

Janë problemet e aritmisë së ndeshjeve në tanësi, të mungesës së talenteve të fuqishëm, të stërvitjes, të financës, të presidentëve, të organizimit modern të klubit, të trajnerëve që ndërrohen tash e parë (20 trajnerë për 12 skuadra në vetëm 11 javë)! Problemi është te spektatori që nuk vjen (pavarësisht nga rritja befasuese që u pa javën që shkoi), as 2000 shikues për ndeshje. Problemi është se ky Kampionat më shumë është i folur se sa i luajtur, më fort është një dukuri gazetareske e televizive se sa futbollistike mirëfilli i fushës së blertë. Problemi është se shpesh, më tepër se lojtarët, bëhen protagonistë presidentët e klubeve. Dhe më shumë flitet për ta se sa për futbollistët. Dhe sa pak që flitet për Federatën Shqiptare të Futbollit!

Eshtë ajo që nuk ia ka arritur. Çfarë nuk ia ka arritur? Në thelb nuk ia ka arritur të na e japë Kampionatin. Nuk ia ka arritur me gjithë përpjekjet e saj, që me siguri nuk ta do mendja se janë të pakta, t’ia kthejë Kampionatin Shqipërisë. Sepse Shqipëria e ka pasë Kampionatin. Kësisoji e ke të vështirë t’i gjesh forcat për të shkruar për Kampionatin e Shqipërisë, kur kjo nuk e ka më atë. Qoftë edhe për këte të 69-tin që përjeton kryesimin sensacional të Besës së Kavajës, riformimin e dyshes dinake PartizanDinamo, rënien e Sportklub Tiranës dhe rrëshqitjen fatale të Teutës dhe të Skenderbeut, po edhe të SK Tiranës, e pse jo, megjithë ndeshjen e fortë me Besën, edhe me mosbesimin daj Vllaznisë 7 vjet pa fituar një Kampionat dhe 20 vjet pa marrë një Kupë të Shqipërisë!

Do të mundohemi megjithate, të gjejmë forca e të shkruajmë për Kampionatin e Shqipërisë. Do të shkruajmë duke lënë mënjanë edhe njollën më të madhe të tij: sharjen në kor! Do ta lëmë pra, disi mënjanë njollën më të madhe sharjen, sharjen në kor me fjalorin më të papastër që mund të ekzistojë, sharjen e tribunave, të turpshmen, të keqen, tronditësen, të egrën. Sidomos ndaj figurës së gjyqtarit, pa të cilin nuk mund të zhvillohet asnjë ndeshje futbolli.

Nuk e harrojmë. Vetëm po e lëmë për një cast mënjanë këte plagë të re - shéj i një jokulture të vetë mjedisit të Kampionatit të Shqipërisë, mjedis mbrenda të cilit Federata Shqipare e Futbollit ende nuk po ia arrin të shtrijë ndikimin e saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora