E premte, 04.10.2024, 09:18 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Spartaku i Moskës, Stalini, Berija dhe Shqipëria… (III)

E hene, 15.10.2007, 09:34 PM


Nga Besnik Dizdari

Spartaku ka ardhur në Shqipëri edhe më 1951, plot pesë vjet mbas ardhjes së tij të parë më 1946. Madje kësaj here ka ardhur me një bujë që për shumë e shumë vite nuk do të ndalej. Ka ardhur mu në kohën kur protagonistët e mëdhenj të kësaj shoqërie sportive të shquar moskovite, themeluesit e saj, plot gjashtë futbollistë, po i mpakte gulagu i Stalinit, siç do ta lexoni në edicionin e sotëm të Dossier-it tonë marrë prej librit të Curletto-s. Në këte midis pesëvjeçar qysh nga 1946, ka ndërkaq zhvillime të reja politike edhe të jetës shqiptare. Prishja me Jugosllavinë e Titos tash ka mbetur mbrapa dhe miqësia me Bashkimin Sovjetik të Stalinit po mbërrinte për Shqipërinë në apogje.

Eshtë pra 1951, madje nëntor 1951, e kjo do të thotë se jemi në 10-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, e shndërruar në PPSH – festë e bujshme, e pandalshme. Dhe e veçanta e saj ishte vizita e dytë e Spartakut të Moskës, edhe pse gjysma e tij ndodhej në burgjet staliniane.

“Që prej katër ditësh, - shkruan “Zëri i popullit” në një stil të habitshëm që ia vlen të permitësohet në shkollat tona të gazetarisë, - ndodhen në vendin tonë mysafirët shumë të çmuar, futbollistat e ekipit të shoqërisë Spartak të Moskës, përfaqësonjësit e denjë të stilit sovjetik të lojës, të stilit më të lartë në botë. Spartakovitët moskovitë kanë mbajtur kurdoherë lart nderin dhe lavdinë sportive të Atdheut të tyre të madh duke kaluar nga fitorja në fitore kundra shumë skuadrave të huaja. Ata kanë dalë gjithnjë fitonjës dhe kanë lënë përshtypjet më të bukura dhe të paharruara në fushat futbolliste të Belgjikës, të Finlandës, të Bullgarisë, të Shqipërisë, të Francës, dhe së fundi vitin e kaluar korrën përsëri fitore të shkëlqyera në ndeshjet që zhvilluan në Norvegji, duke i fituar të trija ndeshjet që zhvilluan me rezultatin e përgjithshëm 18-1. Ndeshjen e parë në vendin tonë ekipi i Spartakut të Moskës do ta zhvillojë sot në Shkodër me ekipin përfaqësues të rrethit të Shkodrës. Ndeshja po pritet me padurimin më të madh nga i gjithë populli ynë dhe sidomos nga gjithë sportdashësit e Rpublikës sonë Popullore”.

Ndërkaq, Shkodra mban frymën dhe krerët e saj të politikës, të pushtetit dhe të sportit, i bëjnë një pritje madhështore Spartakut sovjetik te Ura e Bahçallekut, thuajse po ashtu siç do t’i dilnin përpara Nikita Hrushovit më 1959!

E mbaj mend Shkodrën e një vranësire të atij 4 nëntori 1951. Nuk ishte kohë që mua, fëmijë tetë vjeçar, dikush të më merrte për në Fushën e Vjetër. Kujtoj se gjithë ndeshjen e kemi dëgjuar të transmetuar drejtpërsëdrejti nga Anton Mazreku permes Radio Tiranës. Dhe 9-0 Spartaku kundër Shkodrës! Humbja më e thellë sot e kësaj dite në historinë e asaj që quhet Vllaznia e Shkodrës.

Sado i fortë të ishte Spartaku, ky 9-0 nuk mund të spjegohej dhe as nuk mund të pranohej. Skuadra shkodrane ishte midis katër më të fortave të Shqipërisë edhe në këte vit 1951. Futbollistët e saj Met Metani, Esat Bushati, Muhamet Dibra, Lutfi Laçja, Xhelal Juka ishin ose të Kombëtares ose kandidatë për te Kombëtarja. Pa harruar ndërkaq, se skuadra qe përforcuar edhe me Isuf Pelingun e Haxhi Arbanën e Punës së Tiranës, ndër më të mirët e vendit. Dhe 9-0? Si ishte e mundur?

Eshtë e vërtetë se ky Spartak megjithë burgosjen e protagonistëve të tij dhe persekutimin e pamshirshëm që i kishte bërë ministri i mbrendshëm dhe kreu i NKVD-së, Llavrenti Berija, rezistonte. Ai kishte ardhur në Shqipëri me Anatoli Bashashkin, Igor Netto, Nikita Simonian, Sergej Salnikov, Anatoli Ilin, Aleksej Paramanov, Vadim Tishcenko, të cilët ishin bërthama e Kombëtares së BRSS dhe janë këta futbollistë të nivelit botëror, ata të cilët pesë vjet më vonë, më 1956, kishin për t’i dhënë Bashkimit Sovjetik titullin e Kampionit Olimpik në Olimpiadën e Melburnit. E megjithate 9-0 i Shkodrës nuk mund të justifikohej.

56 vjet ka që qëndron në historinë e futbollit shqiptar ky rezultat i papërmbajtshëm dhe po aq i paspjegueshëm. Pak jemi marrë për të shkoqitur enigmën e tij. Por më në fund, në këte 2007, gjithçka qartësohet. Kolegu NAMIK MEHMETI këto ditë ka zbuluar të fshehtën e këtij sensacioni, i gjithi një paradoks.

Një mbledhje e jashtëzakonshme me lojtarët shkodranë i paraprin ndeshjes së largët. Kryetari i Komitetit të Kulturës Fizike të Republikës dhe autoritetet e tjerë të sportit qeveritar, iu flasin pak a shumë kështu lojtarëve shkodranë:

“Ndeshjet me Spartakun janë ndeshje miqësie. Duhet patur kujdes. Sidomos disa lojtarë shkodranë të cilët zakonisht luajnë disi rëndë e fort. Pra pa ndërhyrje të rënda, pa vrazhdësi dhe ashpërsi. Ata janë miqtë tonë të shquar. Kujdes! Nuk ka asnjë rëndësi rezultati. Rëndësi ka të forcohet miqësia midis nesh dhe Bashkimit Sovjetik, dhe mikut tonë të madh.”

Po gjithçka nuk mbaron me kaq. Vijërojtësve shqiptarë të ndeshjes, e drejtuar prej gjyqtarit sovjetik B.Arkipov, iu thuhet që të jenë sa më të kujdesshëm dhe jo fanatikë të dhënies “pa kriter” të ofsajteve (jashtë lojeve)!

Kaq mjaftonte që kjo ndeshje moralisht të dorëzohej pa nisur prej skuadrës shkodrane krejt të çarmatosur, pa mundur të tregojë asgjë, me përjashtim të një rezistence formale të 20 minutave të para. Mandej furia e golave të moskovitëve: Paramanov 1-0, Tierentiv 2-0, Paramanov 3-0, Nikolajev 4-0, Nikolajev 5-0, Dimentiev 6-0, Tishçenko 7-0, Diemin 8-0, Timakov 9-0! Ose ndryshe nga minuta 20 e deri te e 90-ta, mesatarisht 1 gol për çdo 7.5 minuta! Sekuenca për librin botëror të rekordeve.

Dhe kaq. Historia e gjeopolitikës evropiane të vendeve komuniste që kishin shpalosur prej kohësh flamurin e zi të luftës së ftohtë, të pakompromis, nuk njihte rast kësisoji.

“Në ndeshjen e djeshme, populli i Shkodrës admiroi dhe duartrokiti vazhdimisht të gjitha fazat e bukura të lojës së zhvilluar nga lojtarët e skuadrës Spartak”, - shkruan me gëzim “Zëri i popullit”!

Kjo ishte emblema. Natyrisht Spartaku si një skuadër e mrekullueshme e kohës, nuk kishte nevojë për një mëshirë shkodrane asisoji. Ajo që kishte nevojë ishte politika e kohës, servilizmi i PPSH në 10-vjetorin e krijimit të saj, të cilin ia kishte nderuar aq fort Spartaku i Moskës me ardhjen e dytë të tij. Shqipëria sportive kishte nisur kështu festën e saj spartakovite! Një festë që do të shpërndahej në gjithë vendin, duke nxituar nën këte ritëm të kalamendun:


04.11.1951. Shkodër.

SHKODRA – SPARTAK I MOSKES 0-9

07.11.1951. Tiranë.

SHQIPERIA – SPARTAK I MOSKES 1-1

11.11.1951. Tiranë.

DINAMO – SPARTAK I MOSKES 0-3

13.11.1951. Korçë.

KORÇA – SPARTAK I MOSKES 0-2

15.11.1951. Tiranë.

PARTIZANI – SPARTAK I MOSKES 0-2


Siç shihet nuk do të ketë më një tjetër 9-0. Mjaftonte vetëm ky i Shkodrës. Spartaku rrëmben edhe tri fitore të tjera “të arësyeshme” dhe papritmas barazon 1-1 me Kombëtaren e Shqipërisë mu më 7 nëntor 1951, në ditën e përvjetorit të Revolucionit të tetorit të kuq të Vladimir Iliç Leninit.

Sot e kësaj dite ky 1-1 i Kombëtares së Shqipërisë me Spartakun e Moskës, mbahet si një nga më të mëdhenjtë në historinë ndërkombëtare të futbollit shqiptar. Edhe autori i këtyre rradhëve e ka çmuar fort këte ndeshje në librat e tij, sidomos në “Libri i Kombëtares”. E pakta gjashtë emra të këtij Spartaku ishin botërorë: Nikanorov, Netto, Paramanov, Nikolaiev, Diemtiev, Simonian. Dhe përballë tyre 11-shi i Kombëtares Shqiptare: Vogli, Dashi, Dibra, Fagu, Shaqiri, Vila, Bakalli, Gjinali, Jareci, Resmja, Peqini. Pa Loro Boriçin, çka nuk kuptohet përse.

Eshtë një ndeshja e bujshme nga të gjitha kahet që ta vështrosh. Enver Hoxha me suitën e tij është në krye të vendit në stadium, teksa në krah ka ambasadorin e famshëm të BRSS-së në Shqipëri, z. Cuvakinin. Himne kombëtare, fjalime zyrtare në qendër të fushës, brohoritje, flamuj, portrete të Stalinit e të Enverit dhe natyrisht shumë “rroftë”. Dhe 1-1 sensacional po aq sa 9-0 i Shkodrës, por në kahun e kundërt. Shënon Simonian në të 54’, barazon Hamdi Bakalli në të 60’! Eshtë 1-1-shi historik. I paqortueshëm sot e kësaj dite, nën gjykimin e treshes B.Arkipov (BRSS) dhe J.Godari e N. Gjini (Shqipëri).

Një ndeshje e madhe vërtet?

E pra në invers, a duhet të dyshojmë edhe në vërtetësinë e këtij rezultati të kahut tjetër, tash për shkak të një butësie të Spartakut? Një gjë është. Spartaku ka qenë shumë i sjellshëm dhe shumë zotni në këte ndeshje në prani të udhëheqësit shqiptar dhe nën peshën sugjestionuese të ditës së Revolucionit të tetorit, që festohej çdo vit me bujë në Shqipërinë Komuniste të viteve ’50. Disa “të imta” të bëjnë ndërkohë, që të mendosh disi më gjatë. Rrallë mund të ndodhë që mbas një ndeshje të këtillë të madhe të asaj kohe shqiptare, të flitet aq shumë për skuadrën mike. Spartaku ngrihet në qiell edhe kësaj rradhe, çka duke lexuar e kupton se për një gjë të tillë ka një përkujdesje të posaçme nga ana e krejt shtypit shqiptar të epokës.

E, ndërkaq, na duhet të bëjmë edhe një “errata corrige”. Gjithmonë për këte ndeshje ne kemi shkruar e thënë se trajneri i skuadrës ka qenë sovjetiku Boris Apuhtin. Kështu edhe autori i këtushëm në librat e tij. Ndërsa tash, duke gjurmuar më tej, del diçka tjetër, që gjithashtu t’i ngatërron paksa punët. Dhe e vërteta është se, gjatë gjithë këtyre ditëve të turneut të Spartakut, vazhdimisht përmendet emri i Boris Apuhtinit. Në mënyrë të veçantë barazimi zâmadh 1-1 me Spartakun i atribuohet vetëm meritës së Apuhtinit, madje deri në superlativ. “Kjo është fitorja që i dhuruan Partisë së tyre të dashur futbollistët tanë trima në 10-vjetorin e themelimit të saj. Ky është fryti i pesë muajve punë të palodhur nga trajneri sovjetik Apuhtin Boris,” – buçet “Sporti popullor”

Dhe ti formon bindjen e palëkundshme se është Boris Apuhtini ai i cili e ka drejtuar Kombëtaren në ndeshjen me Spartakun. Por kërkimi i imtë na çon tek e kundërta.

Më 24 tetor 1951, plot 13 ditë para ndeshjes Shqipëria– Spartak 1-1, papritmas shtypi njofton për largimin nga Shqipëria të trajnerit sovjetik mbasi i kushton një shkrim të tanë, thuajse duke duke thirrur se “detyra jonë është të përvetësojmë mësimet e çmuara të shokut Apuhtin”. Atëherë, cili ishte trajneri i skuadrës Kombëtare në këte ndeshje në një kohë që Apuhtini qe larguar disa ditë para zhvillimit të saj, ndonëse merita e rezultatit i jipet vetëm atij? Dhe po aq: si ka mundësi që vetëm 10-12 ditë para ndeshjeve me Spartakun, Apuhtini që po punonte prej pesë muajsh në Shqipëri, të thirret urgjentisht për në Moskë, në vend që në fund të fundit, t’i gëzohej fryteve të punës së tij përmes pranisë së tij? Mos ndoshta me dëshirën gjeopolitike që gjithçka të paraqitej zotësi vetjake e shqiptarëve? Apo që çkado që të ndodhte të mos kishte përzjerje apo përfshirje të trajnerit sovjetik? E mundet që Apuhtinit diçka i kishte ndodhur në Moskë?

Enigma! Mund të jenë të gjitha këto të bashkuara prej një dore të stërvitur të prapaskenave kësisoji. Dhe papritmas, të duket sikur zbulohet çështja e trajnerit kur në lajmin për pritjen e Spartakut në Hotel Dajti, thuhet se aty u ndodh edhe trajneri i Kombëtares, Besim Fagu! I cili kishte luajtur si pjesëtar i 11-shit plot 90 minuta të ndeshjes së Spartakut! Nuk spjegohet se kush ka qenë në stolin e drejtimit gjatë ndeshjes së 7 nëntorit: Loro Boriçi? Adem Karapici? Ludovik Jakova? Konfuzion i tanë. Kështu na duhet të vazhdojmë ta rishkruajmë edhe historinë e sportit shqiptar, sado që fanatikët e Regjimit vazhdojnë të thonë me brutalitetin e baballarëve se historia nuk rishkruhet.

Kështu do të t’i afrohemi fundit të ngjarjeve të mëdha futbollistike me Spartakun e Moskës në Shqipëri përmes një jehone që e ka të vështirë të ndalet. Aq sa, më shumë se për futboll, flitet për miqësi dhe harmoni të paprekshme. “Ndeshjet tona vëllazërore, - deklaron udhëheqësi i Spartakut, shoku Mjakinkov, - do t’i tregojnë gjithë botës pathyeshmërinë dhe miqësinë e përjetëshme të popujve tanë”.

Interesante është se shoku Mjakinkov nuk udhëton me Spartakun për në Moskë, por qëndron edhe disa ditë në Shqipëri, duke marrë pjesë në konferenca sportivo-politike, dhe duke lënë mbrapa jehonën e thënies së tij të famshme të një absurdi surealist, në ate që emërtohet si “mbledhja e rëndësishme me kuadrot e fiskutturës në kryeqytet”, në prani të sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH, Bedri Spahiu:

“Në kundërshtim me BRSS dhe me vendet e demokracisë popullore, - thotë Mjakinkov, - imperialistët Anglo– Amerikanë pregatiten për luftë. Ata bëjnë llogari të fitojnë miljona dollarë duke mbytur botën në gjak”.

Kjo ishte Shqipëria 1951. Kjo ishte miqësia Shqipëri– BRSS. Kështu mvisheshin marrëdhëniet e sportit të të ashtuquajturave demokraci popullore më 1951. Kështu mbyllej turneu zhurmëmadh i Spartakut të Moskës në Shqipëri, ndërsa gjysma e lojtarëve të tij themelues, Starostin-ët e të tjerë, përjetonin shtypjen në gulagun gjigand të Stalinit “të madh”.

Po Shqipëria sportive dhe gulagët e saj që datojnë më 1951 e më tej, deri edhe nja plot 40 vjet të tjera? Do të flasim numrin e ardhshëm gjithnjë në vërtetësinë e rishkruarjes së historisë së fshehur, po dhe për vazhdimësinë e dinamovitizimit të frikshëm të sportit shqiptar të Shekullit XXI.

Arrestimi


MARIO ALESSANDRO CURLETTO

Nga libri ”Spartak Mosca”

Më 22 prill 1942, në Leningrad, ishte në kalendar për t’u luajtur ndeshja midis skuadrës vendase Krasnaja Zarja dhe Spartak të Moskës. Në mëngjes heret, Nikolaj Starostin i cili ndodhej së bashku me skuadrën në hotel “Astoria”, merr një telefonatë lakonike dhe të akullt prej mikut të tij të fëmijërisë, Sergej Lomakin, ish futbollist dhe hokeist i cili punonte në mbrojtjen kundërajrore të kryeqytetit verior:

- Jam gozhduar në kazermë. Ka luftë!

Dy skuadrat mbërrijnë ndërkaq, që të dyja të heshtura dhe stepura, duke qëndruar për një orë në garderoba, në pritje të urdhërave. Kur u tha zyrtarisht se ndeshja nuk do të luhej, vetëm një dëshirë sundoi skuadrën moskovite: të kthehej sa më shpejt në shtëpi.

Stacioni Moskovskij vlonte i papërmbajtëshëm, turma njerëzish hidheshin mbi trena, ndërkohë që në mbrojtje të qytetit vërshonin trupa dhe mjete të blinduara. Një nga ankthet më të këqia të qenies humane po bëhej me shpejtësi një realitet.

Gjatë konfliktit shumë industri dhe ndërmarrje të Moskës, do të çvendoseshin për në Tashkent, kryeqyteti i Uzbeksitanit, dhe një fat i tillë do të ndjekë edhe një pjesë të popullsisë, përfshi shumë sportistë dhe familjet e tyre. Starostin-ët do të qëndronin në Moskë.

Çdo ditë ata shkonin për në vendet e tyre të punës, në fabrika, prodhimi i të cilave qe shndërruar në shërbim të nevojave të luftës, ndërsa natën ishin të detyruar të merrnin turnin e rojes për shkak të bombave që binin mbi çatitë e banesave të tyre. Por ngandonjëherë, dëshira për një lloj çlirimi, drejt “normalitetit”, bëhej e pandalshme. Tregon Andrej Starostin:

“Një ditë, i lodhur prej orëve të tana të pagjumsisë, përfitova prej çastit për të shkuar në Tarasovka. Duhej kontrolluar gjendja e qendrës sonë të stërvitjes verore. Më shoqëronin tre miq: aktori M.Jansin, dhe regjizorët A.Arnol’d dhe P.Lesli. Në Tarasovka asgjë nuk njihej më. Fusha e lojës qe ndryshuar prej vërshimit të barërave, ndërsa fëmijët vraponin mbas një topi të vjetër. Ndjehej ajri i freskët pranveror. Shkuam të ndërronim veshjet dhe me pantallona të shkurtëra, iu bashkuam fëmijëve. Ishim pak, jo aq sa për të bërë një formacion prej dy skuadrash. Atëherë u çvendosëm në kahun e kundërt të fushës, për së gjëri, duke i bërë portat me tulla. Kishim gjithnjë përreth një djalë me flokë të zez. Ia kalonim topin dhe ai e tërhiqte me zotësi, driblonte Jansinin dhe ma kalonte mua. Bravo!

-Do të bëhet futbollist, - më thërriste Jansin.

-Seriozha, si e ke mbiemrin, – e pyeta më në fund, ndërsa po visheshim për t’u kthyer në qytet.

-Salnikov, - më përgjigjet disi me turp djali me flokë të zinj.

Po, ishte pikërisht Sergej Salnikov (1925-1984), gjysmësulmuesi i shquar i Spartakut. Atë ditë kishte filluar karriera e gjatë dhe e lavdishme e një futbollisti të jashtëzakonshëm. Ndërsa për mua ishte ndeshja e fundit. Kurr nuk do të luaja më”.

Nëqoftëse më 1939, në të vërtetë vëllezërit Starostin, kundër dëshirës së tyre, qenë ndodhur, në pragun e shkatërrimit, tre vjet më mbas ata do të kryqëzoheshin. Besohej se shpërthimi i luftës do të shtronte çështje më të rëndësishme, çka të bënte të mendoje se nuk do të kishte vend për futbollin dhe hakmarrjet personale. Por nuk ishte i këtij mendimi Berija. Dhe firma e tij për fletën e arrestit, e kthyer mbrapsht tre vjet më parë nga Molotovi, tash i qe çuar Malenkovit, sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste.

Më 17 mars 1942, Nikolaj Starostin dëgjon t’i thuhet (në të vërtetë, ishte shoferi i tij që ia bën të ditur) se po ndiqej prej një maqine me dy njerëz mbrenda. Përpara selisë së Spartakut ai zbret nga maqina dhe ndodhet përballë dy zotërve të makinës, “fytyra të shëmtuara të cilët mbanin kapele të njëjta”. Të çorientuar prej reagimit të papritur, agjentët largohen menjëherë. Për disa ditë nuk ngjau asgjë, por Nikolaj me të drejtë i alarmuar, i drejtohet mjedisit politik dhe institucional duke iu kërkuar mbrojtje. Dhe merr për këte siguri në dukje të sinqertë, por natyrisht iluzore.

Dhe më 21 mars, pa lindur dielli, ngjet e pashmangëshmja:

“Isha zgjuar prej një rreze drite shqetësuese që ma verboi shikimin. Dy llampa elektrike qenë drejtuar mu mbi fytyrën time, si dhe dy duar me pistoleta dhe një zë i ulët, i papëlqyeshëm:

-Ku është arma?

Në tanësi, skena ishte vërtet disi komike. Kisha përshtypjen se isha ende duke fjetur dhe se po shihja një ëndërr të keqe. Thirrja: “Çohu!”, më solli pa mëshirë në realitet.

-Përse bëni kaq zhurmë? Po zgjoni fëmijët. Revolveri është në shtratin e skrivanisë. Aty është dhe këllefi.

-Vishuni! Ja dhe fletëarresti.

Sapo morën revolverin, miqtë e paftuar u qetësuan. Iu kishin thënë se Starostin ishte një terrorist i rrezikshëm, dhe ata si çekistë të zot, kishin parashikuar një kundërshtim me armë…

Pa më lejuar që të merrja diçka me vete, më nxorën jashtë. Gjëja e fundit që pashë, ndërsa më shtynë mbrenda në makinë, ishin dy dritare të ndriçuara në ankthin e errësirës së plotë - vdekje të pallatit.

Mbas plot dhjetë minutave arritëm në Ljubjanka (selia e Çeka – KGB qysh nga vitit 1918 me urdhër të Xherxhinskit).

E kam të vështirë të kujtoj se cila ishte gjendja ime shpirtërore në këto çaste. Befasi? Pabesueshmëri? Një choc? Frikë? Përsa dukej megjithate, nuk ishte e çuditshme e gjitha kjo. Për të qenë të saktë, mërzia ishte më e pranishmja. E kuptoja se kishte ndodhur diçka e rëndë që kishte ndërruar jetën time. Për shumë vjet, ndoshta.

Mbas një vëzhgimi zhbirues më mbyllën në një qeli të ngushtë dhe të errët. Disa orë më vonë, dera u hap dhe një roje e re më urdhëroi me ashpërsi:

-Starostin Andrej, dil!

E pashë i habitur dhe iu përgjigja:

-Jam Starostin, por jo Andrej.

Djali u ngatërrua. Kisha bërë një gabim të qartë. Për një farë kohe nuk pata mësuar se cili kishte qenë fati i vëllezërve të mi.

E kuptova se Andrej ishte diku aty afër. Ai dhe Pjotr qenë arrestuar po atë natë së bashku me mua. Pak më vonë edhe burrat e motrave tona Vera dhe Klavdija, futbollistët Pjotr Popov dhe Pavël Tikston si dhe dy miq të afërt të familjes sonë edhe ata lojtarë të Spartak të Moskës, Evgenij Archangelskij dhe Stanislav Leuta.

Mbas pak një ushtar i truprojes, duke shkelur të gjitha regulloret, më pëshpërit: “Kanë sjellë Aleksandr-in”. Vëllai im ndodhej në shërbim në ushtri me gradën e majorit, kështu që praktikat për transferimin e tij kishin kërkuar pak kohë. Tashmâ nuk mungonte askush prej gjithë atyre që qenë përfshirë në rastin imagjinar “Starostin”.”

Nikolaj, ashtu si dhe “bashkëpunëtorët”e tij do të përshkohej kështu nëpër korridoret e pakëndshëm, të errët të Ljubjankës, deri për te qelia izoluese ku do të kishte mundësi të lexonte për herë të parë, me një shkrim jo aq të qartë midis një pareti, një frazë që do të gjëndej për më shumë se një dhjetëvjeçar në burgjet e pafund të qëndrimit apo të tranzitit i të cilëve ai do të ishte mik pa vullnetin e tij: “Fedot, mos beso tek hetuesi!” Ishte frut i përvojës së mijëra e mijëra njerëzve të cilët kishin kaluar në këto vende të errët, një thirrje që përfaqësonte teknikën e vetme elementare të mbrojtjes për këdo që ishte ndodhur nën shtypjen e ligjit stalinian.

Tani i takonte atij. Për ditë, javë, muaj ai qëndron absolutisht i izoluar në qelinë e errët, si një njeri i harruar. Gjithçka simbas një procedure, rutinë banale për persekutorët, ankth dhe mister për viktimën e lënë në vetmi me mendimet e veta.

Ndërkaq, mbrenda Spartakut gjendja ishte veçanërisht befasuese dhe e pakëndshme. Vëllezërit Sergej dhe Pjotr Artemev, eksponentë të familjes që së bashku me Starostin-ët kishin themeluar klubin, merreshin me organizimin e një kalimi masiv të futbollistëve në Piscevik. Më 7 prill në selinë e kësaj shoqërie, Pjotr lexonte një fjalim patetik në të cilin, përveç të tjerave, e përcaktonte Spartakun si “birin e prishur të Piscevik-ut”. Sergej, vëllai më i vogël, i shtrëngon dorën. Për fat ndërhyrja (mbase për shkak të situatës që po kalohej) e Këshillit Pansovjetik të Kulturës Fizike e ndalon përpjekjen për goditje. Gjithçka mbyllet më 13 prill me përjashtimin e Sergejt Artemev prej Spartakut për “përpjekje të paligjshme për blerje”.

Për Nikolaj Starostin mbërrin ndërkohë, çasti i marrjes për herë të parë në pyetje. Dy roje e shoqërojnë gjatë në korridoret e shkretë, duke tundur periodikisht çelsat e prangave si për të shénjuar kalimin aty pari. Hetuesi, kapiten Rassypninskij, firmos një dokument në të cilin regjistrohet ora e mbërritjes së të burgosurit; në fund të marrjes në pyetje do të shënojë po në të njëjtën fletë orën e daljes të të burgosurit prej zyrës së tij. Ky ceremonial do të përsëritej krejt i njëjtë, çdo herë.

Dialogu i parë me inkuizitorin ishte shumë i shkurtër, por i ndërprerë mbas pak për shkak të alarmit ajror, në tanësi një dialog kuptimplotë, mbi të gjitha falë atyre netëve paradoksale (të denja me ato të që ridëgjohen, në të njëjtën situatë, në romanin “Mundësia e gjërave të panevojshme” të Juris Dombrovskijt):

-Starostin Nikolaj Petrovic?

-Po.

-E dini përse ndodheni këtu?

-Jo.

-Po nuk e keni menduar ndopak?

-Po e kam menduar.

-Dhe në ç’përfundim keni mbërritur?

-Nuk arrij ta spjegoj shkakun e arrestimit tim. Besoj se do të jetë sqaruar që këtu ka një keqkuptim.

-Shkojmë; nuk e dini se këtu askush nuk vjen për shkak të një keqkuptimi?

-Mund të ketë edhe përjashtime.

-Mu ky është gabimi: për armiqtë e popullit nuk ka përjashtime, por masa të jashtëzakonshme. Herën tjetër ju këshilloj të kujtoni atë që na intereson ne. Nëqoftëse doni të mbesni gjallë…”

Dueli i papamë vazhdoi nën këto tone për disa muaj, pa mundur që hetuesi të bëjë qoftë dhe një hap përpara. Mandej, një natë, itinerari në nëdhénë e Ljubjankës ndryshoi, dhe Nikolaj u gjend në një sallë të ndriçuar më së miri, përballë kolonelit Esaulov, kreu i sektorit të hetuesisë. Ai, i bën me ditë, me një “përzemërsi” përkeqëse, se vazhdimësia e mosbashkëpunimit do të sjellë rreziqe të mëdha për familjen e tij të shkëlqyeshme…

I burgosuri e kupton se me kaq koha e bisedimeve të pranueshme kishte marrë fund. Qysh atë ditë nuk do të kishte më pushim për javë të tana. Gjithçka simbas rregullave të të vëzhguarit me një formalizëm manjiakal, çka ajo botë e prepotencës absolute përmban. Nga ora 7 deri në 22 nuk lejohej të flije; nga 9 e mbrëmbjes, i marrun me forcë prej rojeve, procesi i të pyeturit vazhdonte për gjithë natën, dhe nga 6.30 - 6.45 ai dërgohej në qelinë e tij, ku përveç të tjerave, drita qëndronte ndezur për njëzetekatër orë rresht. Shkurt, humbja e idesë së matjes së kohës, edhe përballë forcës së një sportisti, nisi të krijonte probleme të baraspeshës dhe të lëvizjes. Ecja prej qelisë në zyrë të hetuesit bëhej çdo natë e më e mundimshme. Mbasi do të bindej se kohët ashtu si dhe i burgosuri qenë koherente, Esaulov, gjithnjë me gatishmëri të madhe, i propozon një ditë gjumë të pashqetësuar në këmbim të një rrëfimi të thjeshtë. Me refuzimin e Nikolajt, falë kurajos, rrethanave të dhëna, forcës futbollistike, kreu i sektorit të hetuesisë, për herë të parë i turret dhe menjëherë ndërpret hetimin.

Herën tjetër ridel në skenë zëvendësi i tij, i urryeri Rassypninskij, i cili i zbulon më në fund letrat, duke formuluar një përmbledhje akuze: përpjekje për vrasje të drejtuesve të shtetit sovjetik, përfshi Stalinin. Atentat terroristik, organizuar qysh me kohë prej sekretarit të Komsomolit, Aleksandër Kosarev, çka do të duhej të ndodhte më 1937, me rastin e ditës së kulturës fizike; duke kaluar para mauzoleut Lenin në bordin e makinës alegorike që kishte formën e këpucës së futbollit, lojtarët e Spartakut, të kryesuar prej Starostin-it do të hapnin zjarr kundër autoriteteve.

Pavarësisht prej gjendjes së tij psikofizike, i burgosuri ia arrin të ruajë kthjellësinë e mjaftueshme për të kuptuar dhe theksuar çmendurinë e absurditetit të të gjithë këtij shtjellimi, që nuk do të mund ta mposhtte në asgjë: duhej të gjendeshin absolutisht prova rrethanore justifikimi. Dhe ai e bën menjëherë. E ndihmon papërgjegjshmërisht vetë Rassypninskij, duke i vënë para hundës një foto të makinës alegorike të inkriminuar. Për ndonjë minutë Nikolaj e vëzhgon i sforcuar për të kujtuar çdo të veçantë të asaj dite të ndezur dhe të largët.

Dhe për fat gjen atë për të cilën kishte nevojë. E para: ai personalisht nuk kishte të bënte me këpucën gjigande, por ishte në rrugë, nja tridhjetë metra më përpara. E dyta: lojtarët, siç rezulton qartë nga foto, ishin të gjithë në të mbathura dhe në fanela, kështu që nuk kishin ku t’i fshehnin armët. Rrethana e tretë përcaktuese: në bord, së bashku me Spartakun, aty ndodheshin edhe dy agjentë të NKVD, emrat dhe mbiemrat e të cilëve nuk ishte e vështirë për t’i kujtuar. A ka sesi ata të mos dinin asgjë?

Në këte pikë Rassypninskij e humbet. Kurr edhe më mbas nuk qe vënë në dyshim aftësia operative e NKVD; për te e gjitha kjo do të thoshte një rrezikim karriere, ose dhe më keq.

Mbas dështimit të sulmit të parë, hetuesi nxjerr menjëherë nga rezerva e tij një akuzë tjetër. Nga atentati politik kalon tek diçka më e thjeshtë, tek vjedhja e një makine mallnash e mbushur me stof, që gjatë muajve të parë të luftës ishte zhdukur, teksa ishte nisur nga qyteti Ivanovo për te një magazinë që i përkiste Spartakut.

Nikolaj nuk dinte asgjë për këte kamion, i cili thjesht, në konfuzionin e periudhës së parë të luftës, kishte përfunduar në një destinacion të gabuar dhe mbas pak kohëve qe gjetur. Me një llogari të parashikuar, NKVD kishte përhapur ndërkohë nëpër Moskë, zëra se Starostin-ët kishin përvetësuar një pasuri publike dhe për këte qenë arrestuar. Kështu që, nuk ekzistonte asnjë arësye për t’i paraqitur si viktima.

Çështja e stofit mbeti e ditës për disa javë (saktësisht derisa nuk po gjëndej kamioni), mandej papritmas vjen një lloj qetësie: asnjë pyetje dhe pushimi i natës që më së fundi i lejohet.

Nikolaj, filloi të mendonte me shqetësim, se duke mos nxjerrë asgjë prej tij, hetuesit do të mund të përqëndroheshin tek të vëllezërit. Dhe e kapte pesimizmi. Në të vërtetë, të katërt kishin pësuar menjëherë po të njëjtin trajtim: ushqim i keq, marrje në pyetje natën, mohim i gjumit. Përshembull, Pjotr, më i riu dhe më “mospërfillsi”, rrihej vazhdimisht. Por asnjeri nuk qe dorëzuar.

Ndërprerja spjegohej me faktin se NKVD kishte nisur të pyeste gjithë punonjësit dhe bashkëpunëtorët e shoqërisë “Spartak”, në kërkim të një çfarëdo shkaku për të thurrur një akuzë. Nga puna e gjërë dhe sistematike, përballë Nikolaj Starostin-it, tash vihet akuza për propagandim të sportit borgjez.

Simbas shtjellimit, fajet e të akuzuarit, ishin këto: duke diskutuar në zyrën e tij, në prani të disa drejtuesve dhe sportistëve të klubit, shkakun se përse garat e atletikës tërhiqnin pak spektatorë, Nikolaj ishte munduar ta gjente duke thënë se një nga shkaqet më kryesore ishte organizimi jo i mirë, kohë të gjata pushimi nga njëra garë në tjetrën. Ndërkohë që, - kishte vazhduar ai, - duhej një program i ngjeshur, i ngjashëm me atë që ai kishte parë kur kishte ndjekur garat e Finlandës në atletikën e lehtë.

Episodi, i treguar mesa duket, pa asnjë keqdashje prej një tenisti dhe hokeisti, mik i familjes së Nikolajt, ishte paraqitur në këto terma prej Rassypninskijt gjatë pyetjes: “Starostin ka ngritur lart publikisht sportin borgjez dhe në këte mënyrë ka kërkuar të përfshijë te ne mënyrat e botës kapitaliste”.

Dhe si provë në të mirë të kësaj teze, qe rikujtuar (e njohur dhe e autorizuar prej autoriteteve kompetente) praktikimi nga ana e Spartakut të pagimit të sportistëve të tij në nivel kombëtar me një rrogë mujore prej 80 rublash.

Nga terrorizmi tek vjedhja e një kamioni me stof, nga propaganda e sportit borgjez, rëndesa e fajit qe ridimensionuar në mënyrë të ndjeshme, shéj ky i pamëdyshje i vështirësisë që po kalonin organet hetuese për t’ia arritur që të ngrenin në këmbë një proces, ndonëse dihej, se kur kishe rënë një herë në duart e NKVD, nuk mund të shpresohej se mund të shpëtoje më prej saj. Ndërkohë që nga ana tjetër, gjithmonë ekzistonte rreziku që të dënoheshe pa proces me një vendim të thjeshtë admnistrativ, i marrë prej së ashtuquajturës “trojka”, një organizëm gjykues i formuar prej tre personash. Dhe në të tilla raste nuk kishte më asnjë mundësi, madje as edhe për një amnisti…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora