E marte, 10.12.2024, 05:17 AM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: Besa 2008 te Besa 1958?...

E merkure, 07.11.2007, 08:39 PM


Nga Besnik Dizdari

Kampionati i 69-të Kombëtar i Futbollit, ka një risi të mbas 50 vjetëve: Besën e Kavajës. Klubi i parë shqiptar, i cili arriti po për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar të shlyejë, hjekë (eliminojë) prej Kupës së Evropës (UEFA) një skuadër të Serbisë (Bezanija) – një fuqi e madhe e futbollit, Besa jonë e Kavajës kryeson dhe mëton një Kampionat Kombëtar për herë të parë mbas 50 vjetëve. Mbasi në këte 2007 ka fituar për herë të parë Kupën e Shqipërisë, mbasi ka shlyer (eliminuar) Bezanian duke kaluar përmes fushës historike të Stadiumit të Armatës Popullore të ish Jugosllavisë në Beograd, 9 javë mbas fillimit të Kampionatit Nr. 69 të Shqipërisë, edhe pse mbas humbjes në Peqin të cilin e ka ditur për “të sajin”, duke u tronditur kësisoji për herë të pare miqësia e vjetër Peqin – Kavajë, Besa e barabartë me Partizanin, quhet edhe ajo kryesuese e Kampionatit 2008.

Ka mundur Partizanin 2-1 vetëm tri ditë para katastrofës së Peqinit, po ashtu si më 8 qershor 1958 kur qe vënë në krye të Kampionatit ashtu si dhe sot, me pikë të barabarta (15) po me Partizanin. Historia duket e ngjashme edhe kur kujton mu këte humbje të freskët me Shkumbinin, ishin po skuadrat jomëtuese të vitit 1958 ato që ia hoqën titullin Besës së Kavajës, e cila mbeti vetëm për 1 pikë largësi prej ushtarakëve të gjithpushtetshëm. Ngjarja e sotme me sa duket, ngjason pikë për pikë me atë të vitit 1958, prej të cilit Besa, kjo e reja, e drejtuar prej rumunit Silviu Dumitrescu, më saktë brezi i saj i ri i këtij dhjetëvjetëshi të parë të Shekullit XXI, mund të mësojë jo pak, kur dihet se historia është deri diku nëna e kujtesës njerëzore.

E pra, si do të shkojë Besa 2008 te 50-vjetori i Besës 1958? A do të mund të bëhet ajo për herë të parë Kampione e Sqhqipërisë? Çfarë ka ndodhur në atë 1958 që e la skuadrën e bukur të Kavajës vetëm te “titulli” i Nënkampiones me vetëm 1 pikë larg Partizanit, duelantit të saj të sotëm?...

XXX

Ka qenë 3 maj 1958, kohë kur mbas një javë mbasardhëse niste periudha e dytë e atij Kampionati në atmosferën e ndezur politiko-sportive të themelimit (3 maj 1958) të organizatës së re të quajtur Bashkimi i Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë (BFSSH) nën slloganin "Vendi ynë nuk ka parë kurr një zhvillim të tillë të fiskulturës e sportit sa sot në pushtetin popullor".

E mbajtur nën praninë e udhëheqësit komunist Enver Hoxha, 12 vjet mbas atij që zyrtarisht quhej Çlirimi i Shqipërisë nga okupatorët nazifashistë dhe tradhëtarët e vendit, BFSSH do të ishte një organizim i fortë në duart e zhvillimit shtetëror të sporteve, çka natyrisht që do të jepte mjaft arritje, por kurrnjiherë me hapin e plotë të kohës, të zhvillimit të sporteve në Evropë, madje për shumë arësye e shkaqe, as edhe të zhvillimit sportiv të vendeve të tjera komuniste. Në këte vështrim, hyn doemos edhe zhvillimi i futbollit kombëtar me ulje e ngritjet e tij.

Vijmë kështu te sensacioni i madh që do t'i japë kahun tjetër Kampionatit 1958: Dinamo - Besa 0-2! 19 maj 1958. Ditë e hënë për shkak të shtyrjes njëzetekatër orë të ndeshjes prej shiut të një dite më parë që nxjerr jashtë vlerave teknike fushën e "Qemal Stafës". Gjithçka është vepër e golave të dyshes Gavardari - Gërmani, në të vërtetë një ndeshje me nivel. Mbas një pjese të parë të barabartë, në të dytën, minuta e 8-të sjell shtyllën e goditur nga Dimroçi. Mandej vijmë te minutat 62-65, ose te dy golat kavajas mbrenda tre minutash: Gavardari në të 62' nga afër, mbasi Bonatit i shpëton topi nga duart, dhe në të 65' Gërmani me krye. Duro godet edhe ai shtyllën për Dinamon në të 80', por sulmet dinamase i bën të pavlefshme mbrojtja e fortë e Besës me në krye qendërmbrojtësin e pakalueshëm Allaman Idrizi.

Një javë më vonë Besa fiton 2-0 me Lokomotivën, dhe për fatin e saj Vllaznia e Shkodrës e cila renditet e fundit, barazon 1-1 me Partizanin në Stadiumin "Vojo Kushi", i cili vinte mbas fitores së thellë 4-1 me Skënderbeun. Çudia është se goli shkodran vjen prej një mbrojtësi: është i famshmi Muhamet Dibra, legjendari 35-vjeçar i Vllaznisë dhe i Kombëtares, i cili shfrytëzon një top mbas një goditje këndi dhe, ashtu jo shtatlartë siç është dhe drejtpërsëdrejti në rrjetën e Maliqatit!

Prej këtu drejt e te ndeshja 17 Nëntori– Partizani e 1 qershorit 1958, një "finale" e parakohshme e epokës. Dhe diçka e papritur: fiton Partizani 4-2. Pa kaluar 60 sekonda lojë 11-metërsh për 17 Nëndorin dhe Tafil Baçi realizon: 1-0! Tribuna qendrore e zyrtarëve partizanas, atyre shtetërorë dhe nostalgjikëve me spaleta, nuk bëzante. Por që nga ky çast, për gati 30 minuta, euforia e 17 Nëndorit është shkatërruese. Luan vetëm Partizani dhe 2-1. Katër minuta më vonë, Enver Shehu rumbullakos një 2-2, që dukej se do të jetë përsëri kthesa e lojës. Nuk ka për të ngjarë kështu sepse kur nis pjesa e dytë, Kolec Kraja mbasi merr një top të çmueshëm nga Resmja, gjuan fort dhe 3-2. Këtu merr fund loja dhe ëndrrat e 17 Nëndorit të Panajot Panos dhe Skender Merjes (Halilit), dy 18-19 vjeçarët – zbulimi i madh i Kampionatit.

Në të vërtetë, kjo do të ishte ndeshja që do të përcaktonte fatin e titullit për Partizanin, ndonëse Renditja është ende emocionuese: Partizani 15, Dinamo 13, Besa 13, 17 Nëntori 12.

Dhe... Besa – Partizani 2-1! Java 10. Kësaj radhe në Kavajë: gola të Hasan Gërmanit (18') dhe Esat Dollisë (81'). Për herë të parë në histori mbas gati 30 vjetëve, shtypi shkruan me të madhe: "Besa e Kavajës kandidate për titullin!" Partizani e Besa nga 15 pikë secila, përveç të tjera një duel midis trajnerit të ri të Kavajës, Skender Dedja si dhe të të mirënjohurit Rexhep Spahiu..

"Mbrojtja e Partizanit në ditë të errët", përcaktohet si emblemë e ndeshjes. Nuk mund të ishte plotësisht kështu. Gërmani shënon në të 18' mbas një shpërthimi të papërmbajtshëm të tij midis Fagut dhe Deliallisit, edhe pse në të 57' Robert Jashari, duke përfituar edhe prej një stepjeje të paspjegueshme të portjerit Shevqet Topi, e bën 1-1. Mandej, mbas minutës 75, Besa nuk përmbahet në kërkim të fitores. Shënon golin e epërsisë në 81' me anë të Esat Dollisë mbas një gjuajtje nga 20 metra larg, gol elektrizues çka e bën të shpërthejë si një vullkan gjithë qytetin e Kavajës, që thuajse është i gjithi në ndeshje. Eshtë 2-1 për Besën!

U tha se fitoi taktika e trajnerit Skender Dedja: sulm i pandalshëm, por detyrimisht bllokim i Refik Resmes prej Dajës dhe Idrizit. Në Kampionatin Shqiptar tash flitej për taktikën kavajase, e mbështetur në teknikën e një pjese të mirë të lojtarëve, por gjithnjë në shpërthimin e befasishëm të treshes Gavardari - Gërmani - Dimroçi. Gjithçka ishte një risi që shihej për herë të parë në Kampionatin Shqiptar prej një skuadre të jashtë Tiranës. Renditja barazpeshohet përtej çdo emocioni: Partizani 15! Besa 15! Dinamo 13! 17 Nëntori 13!

Skedat e dy ndeshjeve humbëse për kryeqytetin hyjnë edhe ato në historinë tonë:

A nuk duket si viti i sotëm 2007?

Çka do të ndodhte në tri javët e mbetura?

Java 12 e 15 qershorit 1958 ka një pamje të pamshirshme: Skenderbeu - Besa 2-0! Kjo ishte drama e papritur kavajase, humbja që nuk do të riparorej asnjëherë. Ishte ndeshja e cila së bashku me ate të humbur po 2-0 në Shkodër më 4 maj 1958, do t'i vinte vulën humbjes së titullit nga skuadra e Kavajës. Po nga ana tjetër, këto dy fitore shkodrane e korçare do të shpëtonin Vllazninë dhe Skenderbeun nga rënia në kategorinë e dytë!

Në Korçë është një ditë me shi dhe erë. Protagonist bëhet portjeri i shquar Raqi Pisku i cili qysh në minutat e para vetëm ndal topat kavajas, duke paralajmëruar se Skenderbeu nuk do të lëshonte pé. Mandej, në të 30' vjen goli i vendasve që mban firmën e një protagonisti të madh të futbollit korçar: Kosta Koça. Kur nis pjesa e dytë, ajo thuajse është kopje e së parës. Raqi Pisku nuk është i vetëm në ndalesat e tij, sepse ka përkrah edhe Mborjen. Besa nuk don të besojë për humbjen. Dhe sulet përpara pa asnjë mpdyshje, duke harruar mu atë, më të rëndësishmen: qëndrueshmërinë e saj taktike që e ka sjellë deri këtu, deri te mëtimi për titullin. Dhe vjen minuta e fatale 80. Të gjithë lojtarët kavajas janë në gjysmëfushën korçare. Portjeri mik braktis portën e tij dhe kërkon të shndërrohet edhe ai në golshënues! Mirëpo, mjaftojnë dy topa të gjatë për të mbërritur te V.Prodani, i cili plot zgjuarsi, nga 30 metra larg tund rrjetën e portës së boshatisur të Besës. Eshtë 2-0 që shuan çdo shpresë të mëtueses së re të titullit të Kampiones së Shqipërisë, skuadrës së cilës Anton Mazreku i thoshte "simpatike", Besës së Kavajës.

Ndërkaq, Java 13, ajo e 22 qershorit 1958 nuk do të prishë asgjë. Eshtë ndeshja e Vlorës, ku Partizani duket se është pranë fitores, sepse deri në të 89' është në 1-0 falë golit të Resmes. Dhe mu në të 90', ngjet çudia. Befas gjuan fort Gjikuria, prek topin M.Papadhopulli, por nuk e mban, përpiqet Fagu duke ia lënë fatin duarve të portjerit Maliqati, por të cilit topi i shpëton dhe aty i shpejti Dajlan Birçe, vëllai i Bejkush Birçes, tund rrjetën. Eshtë 1-1.

Partizani e Besa tash janë vetëm 1 pikë largësi. Ose katërshja që rikthehet te shkallëzimi i 1 pike të vetme largësi midis védi: Partizani 18, Besa 17, 17 Nëntori 16, Dinamo 15!

"Titulli kampion akoma i pazgjidhur!" është titulli i madh i shtypit. Në Shqipëri kjo ngjiste për herë të parë në Mbasluftën e Dytë Botërore!

Dhe Java 14, ajo e 29 qershorit 1958 që nuk ia arrin të prishë asgjë. 17 Nëntori - Besa 1-1, gol i Panajot Panos dhe Dinamo – Partizani 2-2. Dhe renditja që nuk lëviz: Partizani - Kampion (19 pikë), Besa (18) - Nënkampione për herë të parë në histori, 17 Nëndori i treti (17), Dinamo (16) e katërta.

Të gjitha ndeshjet kanë përfundime, që të dukeshin si të urdhëruara nga një dorë e fshehtë, misterioze, tejet e interesuar për të mos ndryshuar asgjë, pra, për të mos e prishë situatën e katërshes, situatë e krijuar në Javën 13.

DINAMO - PARTIZANI 2-2
17 NENTORI - BESA 1-1
VLLAZNIA - LOKOMOTIVA 2-1
SKENDERBEU - FLAMURTARI 1-1

Siç shihet, Java ka tre barazime, dy prej të cilëve, ato të dy ndeshjeve midis katër kryesuesve, ndikojnë për të mos prishur asgjë. Ndërsa i treti vlen për të shpëtuar nga rënia në kategorinë e dytë ekipet e Korçës dhe të Vlorës. E vetmja që fiton është skuadra e Shkodrës, 2-1 me Lokomotivën, çka shkakton shpëtimin e shkodranëve dhe rënien e skuadrës durrsake në kategorinë e dytë. Shpëton skuadra e Shkodrës e cila vinte nga kategoria e dytë, ndonëse kishte bërë një fillim tejet të dobët të Kampionatit, por që kishte bërë një kthesë të madhe në periudhën e dytë, me rikthimin në drejtim të trajnerit Rifat Rusi.

Dy ndeshjet vendimtare janë ato Partizani - Dinamo 2-2 dhe Besa - 17 Nëndori 1-1.

Për të parën u tha se zëvendësimi i Jarecit qysh në të 23' ishte veprimi më i paspjegueshëm, kur kujtoje se ai sapo kishte shënuar golin e parë të ndeshjes. Partizani barazon me Resmen mbas një gjuajtje me krye në të 40', e madje pa kaluar 100 sekonda shënon të dytin. Në këte çast gjyqtari Shazivar Gruda, si gjithmonë autoritar, largon nga fusha Gjylin e Dinamos për lojë të rëndë. Çudia është se megjithëse me një lojtar më pak, Dinamo arrin barazimin në të 64' me Bet Vilën, më i miri në fushë, madje në një nga ndeshjet e tij më të bukura në histori: organizator i lojës, mbrojtës, sulmues, shënues! Dhe Partizani - Dinamo 2-2!

Çka do të thoshte kjo ndeshje, ky rezultat?

Eshtë vërtet e rrallë. E para, sepse për çudi ndeshja zhvillohet një ditë përpara ndeshjes vendimtare për titullin, asaj 17 Nëntori - Besa, ku një fitore e Besës, do ta barazonte ate në pikë me Partizanin (19) dhe çështja e titullit do të zgjidhej vetëm me një ndeshje të tretë fundore (finale) ashtu si më 1957. Mirëpo, do të kemi të bëjmë me një lojë krejt të ndershme. "Fair Play"-n do ta shfaqte mu 17 Nëndori, edhe pse tash duke qenë 3 pikë larg Partizanit, nuk kishte asnjë mundësi për t'u bërë kampion.

Ajo është dita e Panajot Panos, autor i golit në minutën e 28-të, që mbetet në histori si goli që në çastin e fundit mënjanoi Besën prej titullit në të mirë të Partizanit, i cili shpejt do të bëhej skuadra e jetës së tij. Për 30 minuta të tâna të pjesës së dytë, Besa e Kavajës nuk përmbahet dhe me sulmin e saj të papushueshëm habit 12.000 shikuesit e "Qemal Stafës", duke treguar se kishte qenë një mëtuese e jashtëzakonshme e garës për titull. Dy shtylla, katër pritje të pabesueshme të Metanit trondisin 17 Nëndorin për të mbërritur mandej te minuta e 75-të kur gjyqtari Aristidh Dodi fikson 11-metërshin për miqtë. Gërmani tund rrjetën dhe 1-1! Dodi nuk mjaftohet me kaq. 11-metërshi ngjall diskutime në fushë dhe në tribuna. E pëson Bedri Stërmasi që nxirret jashtë prej gjyqtarit. Janë ndërkaq, edhe 15 minuta lojë, e me një lojtar më tepër Besa mund të shkonte te fitorja. 17 Nëndori këte e ndjen. Por Enver Shehu, ai që mbas 15-20 vjetëve do të bëhej trajneri fitimtar i këtij 17 Nëndori, është ndoshta i vetmi që reziston, duke e shtyrë skuadrën e tij te sulmi. Kjo bën që ndeshja të baraspeshohet dhe emocionet me sa duket, pengojnë skuadrën e Kavajës të mbërrijtë tek fitorja e titullit. Nuk ka më tepër se 1-1! Do të ishte mbase hera e pare në histori që skuadra e Tiranës do ta ndihmonte Partizanin për të qenë përsëri Kampion i Shqipërisë, në dëm të Besës së Kavajës mbas një barazimi historik për të cilin shtypi i kohës thekson se Besa meritonte fitoren.

XXX

A vërtet jemi në një histori të ngjashme me këte të mbas 50 vjetëve?

Në përpjekje për një portretizim të shpejtë, kujtojmë se në atë ndeshje “ të trishtueshme” të para pesëdhjetë vjetëve, Dollia ishte timonieri i lojës së sulmit kavajas, ndërkohë që treshja Gërmani - Gavardari - Dimroçi shpesh herë mbërriti deri në spektakël futbolli, në teknikë e larmi lëvizjesh, në gjuajtjet dhe pasionin e një futbolli që fiton admirimin e spektatorëve të "Qemal Stafës".

Kjo ishte Besa e Kavajës 1958, Nënkampione e Shqipërisë për herë të parë dhe të vetme deri më sot. Besa e portjerit elegant Shevqet Topi, qendërmbrojtësit Allaman Idrizi, e me rradhë e H. Tallushit, Mahmudajd, Felahit, Simakut e Dajës, pa harruar kurrnjiherë të riun Selim Gjoci i cili shpejt do të rrëmbehej prej Dinamos. Në fund të fundit ishte Besa e katërshes së madhe të sulmit, asaj Dollia-Gërmani-Gavardari-Dimroçi duke u shfaqur në fushën e lojës 11-shi i paharrueshëm i Besës së Kavajës, kampionia morale e vitit 1958. E gjitha ishte vepër e trajnerit të ri Skender Dedja, i cili sillte në Kampionatin Shqiptar, futbollin e displinuar taktikisht, përgatitjen atletike, duke patur meritën se të gjitha këto ia arrinte t'i mbështeste në teknikën e mire të lojtarëve të tij. Ishte Besa e dyshes Gërmani - Gavardari, futbollistë të fuqishëm, të shpejtë dhe goditës të shkëlqyer të portës. Disi më nga prapa Dhimitër Dimroçi, portret i tânë inteligjence dhe teknike, shto këtu dhe shpërthimet e Dollisë dhe të Felahit, dhe ndjeje fort se Kampionatit i kishte ardhur një rival i ri. Ishte hera e parë qysh prej vitit 1947-48, pra mbas plot 10 vjetëve, që një skuadër e Qyteteve kishte guxuar të sfidonte kësisoji dy të mëdhenjtë e palëkundshëm të futbollit shqiptar, ata që unë i bëj togfjalësh: PartizanDinamon.

Ky kishte qenë viti i madh i Besës së Kavajës, i papërsëritshëm sot e kësaj dite. Ose duhet thënë, se skuadrës nobël të Besës do t'i duheshin edhe 50 vjet të tjera për të fituar një titull: Kupën e Shqipërisë më 2007. Duhej të vinte shekulli tjetër. Dhe mos do t’i duheshin po pesëdhjetë vjet për të fituar titullin e Kampiones së Shqipërisë, në qershorin 2008?

Nuk e dimë ende.

Dimë se Besa sapo ka mundur Partizanin 2-1, vetëm tri ditë para katastrofës së Peqinit, po ashtu si më 8 qershor 1958 kur qe vënë në krye të Kampionatit ashtu si dhe sot, me pikë të barabarta (15) po me Partizanin. Historia duket e ngjashme edhe kur kujton mu këte humbje të freskët me Shkumbinin, sepse kanë qenë po skuadrat jomëtuese të vitit 1958 ato që i hoqën titullin Besës së Kavajës, e cila mbeti vetëm për 1 pikë largësi prej ushtarakëve të gjithpushtetshëm.

Ngjarja e sotme duket se ngjason pikë për pikë me atë të vitit 1958, prej të cilit Besa, kjo e reja e drejtuar prej rumunit Silviu Dumitrescu, më saktë brezi i saj i ri i këtij dhjetëvjetëshi të parë të Shekullit XXI, mund të mësojë jo pak.

Kështu po i afrohet Besa 2007 50-vjetorit të Besës 1958 – asokohe Nënkampione e Shqipërisë. Të duket se starti nis mu në këte nëntor 2007 kur ashtu si para pesëdhjetë vjetësh, skuadra e Kavajës kryeson po me pikë të barabarta (20) me Partizanin. Kësaj rradhe me dëshirën e madhe për të shlyer historinë përkujtuese që ne treguam sot, që i dha Partizanit titullin me 1 pikë më shumë. Ishte 1958. Do të jetë diçka tjetër viti 2008…



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora