E premte, 19.04.2024, 07:33 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: Përimtojmë Shqipërinë, skuadrën e 37-të të Evropës

E merkure, 28.11.2007, 01:16 AM


Përimtojmë Shqipërinë, skuadrën e 37-të të Evropës

Nga Besnik Dizdari

Po të kishte fituar Shqipëria me Bjellorusinë, ajo do të renditej e katërta në Grupin G të EURO 2008. Dhe asgjë më tepër. Ose Shqipëria do të renditej e 32-ta në Evropë për EURO 2008, që do të thotë jo e 37-ta sa çfarë ajo u rendit. Në një kohë kur më 2005 u rendit e 31-ta. Kjo është renditja jonë përsa i përket mesatares së pikëve për ndeshje – treguesi më i vërtetë i përfaqësimit të një Kombëtareje në përfundim të një edicioni evropian të kualifikimeve qoftë për Kupën e Botës, qoftë për Kupën e Evropës.

Kështu pra, futbolli matet. Po të kishte fituar Shqipëria me Biellorusinë në fund të fundit kjo do të ishte një arritje e vogël më tepër se deri më sot. Asgjë më tepër. Nëse do të kishim Shqipërinë për herë të parë në vendin e katërt të një grupi me 7 skuadra, megjithate përsa i përket renditjes sonë të mësipërme evropiane, ajo do të qëndronte thuajse po aty (e 31-ta) ku kishte qenë para dy vjetëve. Siç e shihni, Shqipëria nuk mëton shumë: vetëm një vend të katërt në një grup me 7 skuadra dhe e 30-ta ose 32-ta në Evropë. U rendit e 37-ta.

Ky është një realitet tjetër, të cilin një opinion sportiv në Shqipëri sikur e harron dhe shkatërrimi që pësoi skuadra në dy ndeshjet e saj të fundit, çka gati gati paraqitet si një fatkeqësi kombëtare, ndonëse kjo Shqipëri si pozicion, si Renditje, nuk ka humbur aq fort, qoftë dhe me dy humbjet e rënda të mbrenda pesë ditëve.

Atëherë le t’i marrim punë disi qetë e qetë, shtruar e shtruar me një përimtim (analizë) përmes pesë dukurive tona falë të cilave ecëm për të mbërritur këtu ku mbërritëm, duke mos marrë më tepër se ç’morëm.

1. Arritjet

A ka arritje kjo skuadër Kombëtare shqiptare e këtij edicioni 2006-07?

Natyrisht që ka. Madje arritje që deri mbrëmbjen “fatale” të 17 nëntorit 2007, në çastin e fillimit të fushatës kutuzoviane të Biellorusisë ish sovjetike, gati gati qenë mveshur me një mantel mbretëror, si të ishte Shqipëria skuadra e parë e Evropës. Eufori e papranueshme dhe… zhgënjim!

Ndoshta arritja kryesore e kësaj Shqipërie 2007 qe përforcimi i arritjeve të mara prej edicionit të kaluar, madje të dy edicioneve të kaluar. Një arritje që mund të përmblidhet te një futboll tejet më i shpejtë se sa çka paraqitur Shqipëria në fundin e shekullit që shkoi. Një futboll të taktikës moderne, një përsosje më e tejshme teknike, përvetësim i atij që quhet pasimi vertikal, duke flakur një herë e mirë atë horizontal që ia mori frymën për vite të tana gjatë Shekullit XX. Nga ana teknike, rritja po aq qe e dukshme. Flasin treguesit e matun. Tashmâ Kombëtarja Shqiptare nuk i bije topit “kot së koti”, por e nis ate me shpejtësi në caqe të mendimit apo logjikës së futbollit modern. Taktikisht ajo qe në parametrat modernë. Përsosi futbollin e dy sulmuesve të pastërt, duke përvetësuar gjithnjë e më mirë lojën e një mesfushe tejet hapsinore, që jo rrallë, edhe pse nuk pati përherë të njëjtin regjizor në fushë, e shumëfishonte forcën e sulmit, ndonëse pa mundur të kthehej shpejt në detyrat e saj mbrojtëse, çka shkaktoi një rënie të dukshme sidomos mbas largimit të Besnik Hasit. Fizikisht, rritja vazhdoi me ritmet e viteve të fundit, sepse këta futbollistë, shumica e të cilëve janë të formuar jo në Shqipëri po jashtë kufijve të saj, të dalë prej dyerve të futbollit profesionist evropian, përpiqeshin të ruanin ritmin e lartë të një force të palëkundshme fizike 90 minutëshe.

Ndoshta, kjo Kombëtare e dy-tre edicioneve të fundit ka qenë më e mira dhe më modernia që ka patur ndonjëherë Shqipëria.

E gjithë kjo apologji teknike e jona mund të shprehet edhe përmes të dhënave jo të pakta të dala apo të arrira gjatë këtij edicioni. Kështu, Shqipëria ruajti mesataren e pikëve për ndeshje 0.75, sa dhe në dy edicionet paraardhës që përbëjnë shifrën rekord të të gjitha pjesëmarrjeve kualifikuese të saj me sistemin e ndeshjeve në grup. Ajo mbërriti rekordin e golaverazhit më të mirë 12-18 (6 gola pasiv) të pjesëmarrjeve në një grup me 7 skuadra. Arriti rekordin e golave të shënuar në histori: 12. Arriti renditjen më të lartë, vendin e pestë ashtu si në edicionin e kaluar të një grupi me shtatë skuadra. Për herë të parë në histori Shqipëria arriti numrin më të paktë të humbjeve (5) në një grup me 6 dhe 7 skuadra. Po për herë të parë në historinë e saj Shqipëria mori më shumë se gjysmën e pikëve (6) jashtë fushës së vet. Ndërkaq, me 2 fitore, 5 barazimne dhe 5 humbja ajo ruajti përqindjen rekord të suksesit të saj edhe në këte edicion: 37.5 përqind – më e larta në historinë e pjesëmarrjeve 45 vjeçare të saj në kualifikimet kontinentale. Në të vërtetë një përqindje që barazon një rekord të mëparshëm, sepse edhe në dy edicionet parardhës përqindja e suksesit ishte po 37.5 përqind.

Këto janë arritjet thelbësore prej së cilës vjen arritja më e rëndësishme e Kombëtares Shqiptare, natyrisht në modestinë e kapaciteteve të saj sportivë, sociale, gjeopolitike, historike, etnike, biologjike dhe të vetë shkollës sportive kombëtare në tanësi: paraqitjen moderne të saj në Evropë të një futbolli të lirshëm e të kohës, shpesh herë elastik dhe të një harmonie, çka ka bërë që përballë Shqipërisë çdo Kombëtare prej të 52-tave të Evropës të ndjejë një shqetësim paraprak për rezultatin. Për herë të parë në gjithë këte histori, pavarësisht nga rezultatet, Shqipëria luajti 8-9 ndeshje të mira prej të 12-tave. Eshtë një raport ndër më të lartit në historinë e saj.

2. Mosarritjet

Të gjitha ndeshjet e Shqipërisë, në skemën e ecurisë së tyre, në një farë mënyre janë përshkuar nga drama te tragjedia. Në tanësi komedi mirëfilli si dikur, ajo nuk interpretoi. Mundet që këto drama aty këtu nuk kanë patur forcën e një konflikti të pastërt dramatik, por nga ana tjetër asnjëra nuk ka mbërritur deri në një epope futbolli, ndonëse kanë patur episode vërtet epike edhe përballë skuadrave që cilësohen si më të mirat e Evropës, si bie fjala Holanda. Tragjedia i përke ndeshjes me Biellorusinë. Elemente të komedisë pati në ndeshjen e fundit me Rumaninë. Me sa shihet, ajo që peshon është drama. Mirëpo, tragjedia bielloruse dhe “komedia” rumune, kaq të shpejta midis tyre, vetëm mbrenda 100 orëve, nga e shtuna e 17 nëntorit te e mërkura e e 21 nëntorit, përbëjnë rënien më të pafalshme të kësaj Kombëtareje. Eshtë vërtet e paspjegueshme që mbas një tragjedie ftbolli pa t’u tharë lotët e dhimbjes, u kalua kaq shpejt në një ndeshje me elemente të komedisë, siç i ndodhi Shqipërisë në Stadiumin “Lia Manoliu” të Bukureshtit. Kjo është mosarritja më e madhe e Kombëtares së Shqipërisë. Një mosarritje sa psikologjike aq dhe fizike, sa shpirtërore aq dhe arrogante në sjellje, sa josportive aq dhe joqytetare, sa rastësore aq dhe alogjike, sa dërmuese aq dhe jodinjitoze. Krejt papritmas, në 6-1 të Bukureshtit, Kombëtarja u kthye në shifrat e disa dekadave të Shekullit XX.

Mosarritje qe fakti se Kombëtarja u mbyt mu në fushën e vet, prej një skuadre e cila në ditën e mbytjes ndodhej 4 pikë larg Shqipërisë: Biellorusia!

Me folë me gjuhën e historisë, siç e kemi spjeguar edhe në shkrimin e së martës së shkuar, kjo është një nga humbjet më të papranueshme në historinë e Kombëtares. Mirëpo, ky është futbolli. Ti mund të luash 8 herë shumë bukur, ke marrë gjithë ato pikë, mirëpo qé, tek mbërrin te një ndeshje e vetme, krejt e vetme, që nuk vlen 11 pikë sa çfarë ti ke, por vetëm 3 pikë, dhe ndonëse kundërshtari nuk është më i mirë se ti, nuk ia arrin. Nuk mund të themi se ajo i përngjan një mbytjeje me një pikë ujë. Ajo është një mbytje në finale (fundore). Si puna e golit të tretë të Kroacisë që përjashtoi Anglinë, shpikësen e futbollit, prej EURO 2008. Kjo po, është ngjarja e madhe e futbollit të Evropës, jo vendi i pestë i Shqipërisë në Grupin G të EURO 2008. Eshtë thjesht mosarritje në një renditje grupi që e përjashtoi Shqipërinë e vogël prej mundësisë së firmosjes apo vulosjes së një rritjeje të mëtejshme të nivelit evropian. Kaq.

Në përmbajtjen e mosarritjes për Kombëtaren kuqezi, çuditërisht hyjnë dhe fitoret. Vetëm 2 fitore në 12 ndeshje. Nuk ka ku shkon më pak. Dhe të dyja me skuadrën e fundit të Grupit G, Luksemburgun, të 47-tën e Evropës! Mosarritja e asnjë fitoreje me asnjerën prej katër skuadrave të tjera të grupit, përbën mosarritjen tjetër të saj. Dhe është interesant: Shqipëria është renditur e pesta, edhe sepse nuk ka rritur t’iu marrë asnjë fitore mu katër skuadrave që u renditën para saj: Rumani, Holandë, Bullgari, Biellorusi! Kur dihet se te suksesi në futboll mbërrihet vetëm përmes fitores.

Një gazetar i madh, Gianni Brera thotë:

“Futbolli është loja më e bukur e botës për të gjithë ata të cilët e duan futbollin. Mjerisht, ose për fat, jo gjithmonë do të thotë se ta duash futbollin mund dhe ta kuptosh ate. Mundet edhe të ndodhë që, zoti e di!, se duke e njohur gjithnjë e më mirë e çmon gjithnjë e më pak: dhe megjithate nëse ndodh që ai mbetet i bukur dhe i mirë edhe për sytë e atij që e kupton, atëherë nuk ka lojë që ia kalon futbollit”.

Kam përshtypjen se kjo filozofi u arratis prej mendjes së futbollistëve të Shqipërisë në dy ndeshjet e fundit. Dhe ra në mosarritjen e fitoreve të duhura. Shqipëria rrëshqiti në dy humbjet e fundit të pamshirshme, duke pësuar 10 gola për 180 minuta lojë, kur në 900 minuta të tana ose 10 ndeshje të tana, kishte pësuar vetëm 8 gola, madje për herë të parë në historinë e saj, deri në çastin e ndeshjes së parafundit me Biellorusinë, ajo kishte golaverazh pozitiv. Do të kishte qenë një nga arritjet më të këndshme në historinë e saj modeste. Por ishte një mosarritje e çastit të fundit, që erdh e ra nga tragjedia në “komedi” përmes humbjes 6-1 me rumunët e pandalshëm. Më e thella e 14 vjetëve të fundit: 1990, Spanja – Shqipëria 9-0 për EURO 1992. Shekulli XX nxjerr nga arkivi bëmat e tij “antishqiptare” të futbollit. Me shifra tipike rumunoshqiptare: Rumania Shqipërisë 4-0 më 1947, 6-0 më 1950, 5-1 më 1987, 6-1 më 2007! Pjesë e një bilanci rumunoshqiptar të papamë: 13 ndeshje, 10 fitore rumunët, të mundur prej shqiptarëve vetëm 59 vjet më parë, më 1948, 1-0 në Bukuresht. Dhe qysh se iu kemi fituar Kampionatin Ballkanik më 1946, thjesht për punë të një goli, vazhdojnë të na e shkatërrojnë historinë!

Mosarritja e vendit të katërt, përmbyllja befasuese për të keq, kthimi te humbjet katastrofë të dekadave të shkuara, shpërbërja e një formacioni, nënshtrimi te një shpërqëndrim që e kishim harruar, për fat të keq çarmatosje edhe prej njërës nga armët më tipike të futbollit shqiptar, siç është ai që dikur i thonim “shpirti luftarak”. Ky është morali ifabulës. E, sot mund t’i themi thjesht vetkënaqësi ose nënvlerësim – të gjitha këto të shfaqura vetëm në dy ndeshjet e fundit!

Kështu mbërritëm te shifrat “jubilare: 140 gola të pësuar në të 10 pjesëmarrjet në Kampionatin Evropian, në mbetjen te shifra e varfër e vetëm 10 fitoreve në 45 vjet, të vetëm 55 golave të shënuar. Janë 5 “jubile” statistikorë krejt dërmues, e papritmas na përfshijnë te anëtarësia e një “klubi” ndër më të varfërit në Evropë: e 37-ta dhe ngjitur me Shqipërinë janë radhazi Gjeorgjia, Kazakistani, Islanda, Armenia, Estonia, Lihtenshtejni, Malta, Azerbaixhani, Luksemburgu, Faroe, Andora, San Marino. E pafalshme! Pjesëmarrja në këte “klub” është vula e mosarritjeve të Shqipërisë.

Rrezikoi të humbasë figurën e bukur të viteve të fundit. Nuke ka humbur ende megjithate. Jeta vazhdon…

3. Lojtarët

Një teoricien i futbollit ka thënë se mirëfilli, kurr ndeshjen nuk e fiton apo e humb trajneri, por lojtarët. Në fund të fundit trajneri është ose në stol, ose në këmbë po pranë stolit të tij.

E pra, a duhet të besojmë se ka ndodhur që lojtarë shqiptarë t’iu kenë kërkuar butësi rumunëve? Jam skeptik rreth kësaj, sepse duke njohur mirë profesionin që ushtroj, jo çdo gjë që shkruhet e publikohet mund të jetë e vërtetë. Gjithçka varet nga seriozitei, etika dhe ndershmëria e atij që shkruan. Po nëse ka ndodhë kjo lutje absurde ndaj rumunëve, atëherë “evropianët” tonë që vijnë nga ligat profesioniste të kontinentit, ndonëse disa janë në fund të karrierës së tyre, nuk qenkan formuar në personalietin e futbollistit të sotëm. Nuk mund të mbërrinin këtu futbollistët, të cilët gjithë këto vite i kanë dhënë ndeshje të paharrueshme vendit të tyre, duke ndezur zemra e duke gëzuar mijëra njerëz, madje anë e kënd Evropës, edhe pse pa arritur kualifikime që dijnë t’i rrëmbejnë shtete të tjera. Kanë mbushë edhe stadiume perëndimorë, kanë dalë prej tyre edhe me humbje, por kanë marrë duartrokitje kundërshtarësh dhe kanë bindur për një rritje shqiptare që ka ngjallë jo pak diskutime.

Eshtë vërtetë e çuditshme shfytyrimi i këyre djemve të talentuar në 180 minutat e fundit, duke rënë në pamjet e harrueshme të Bukureshtit. Mbrenda 180 minutave ata prishën gjithçka kishin ndërtuar në kohë: harmoninë, taktikën, teknikën, pasimin, qëndrueshmërinë, forcën, synimet.

29 janë futbollistët shqiptarë të cilët kanë veshur fanelën e Kombëtares për ndeshjet e EURO 2008. Midis tyre emra të rinj të tillë si Berisha, Kastrati, Hyka, Salihi, Rustemi, Vangjeli, apo në çastin e fundit dhe të Lila e Bakaj, përjashtohen nga përgjegjësia. Ata kanë mundur të bëjnë vetëm përurimin me fanelën e Kombëtares dhe mirë madje. Ndërkaq, as E.Beqiri, Hasi, Tare, Aliaj Murati – një pesëshe e madhe për ne, e cila qe fare pak e pranishme. Janë protagonistët e vazhdueshëm, sidomos Cana, Lala, Skela, Bogdani, Haxhi, Kapllani, Dede, Bushi, ata të cilët ashtu siç ngritën një ëndërr, e shuan rrufeshëm atë. Natyrisht nuk deshën ta prishnin. Por papritmas, një natë të 17 nëntorit 2007 ata nuk qenë profesionisët që i dinim se ishin. Dhe qenë të këtillë në ndeshjen që papritmas u bë më e rëndësishmja për një fat më tepër për këte Kombëtare.Ndërsa natën tjetër, atë të 21 nëntorit, ata u shfaqën më se amatorë. Nuk kuptuan, me sa duket, se paraqitjen e mirë në këto dy ndeshje, nuk mund t’ua siguronin 10 ndeshjet e tjera të mira. Humbën kontrollin vetjak që kërkon futbolli, besuan pa luajtur dhe u bënë protagonistë të një prej kthesave më të rralla të një turneu evropian të Kombëtares së Shqipërisë, duke i blatuar asaj mbylljen më të pakëndshme të edicioneve të fundit. Ishte hera e parë qysh nga 1993 që Shqipëria pati këte fund humbës tragjikomik: 10 gola në dy ndeshje, dy humbje të pafutboll dhe rikthim te një histori e harruar.

Atëherë, këta profesionistë evropianë, vepruan kështu sepse mendojnë se janë të pazëvëndësueshëm, dhe paragjykojnë se dijnë aq shumë sa s’ka asesi mundësi që t‘i trondisë një Biellorusi modeste apo t’i shkatërrojë asisoji qoftë edhe një Rumani e fuqishme?

Autori i këtij shkrimi ka qenë mbështetësi ndër më të mpëdhenjë i formimit të një Kombëtareje me futbollistë shqiptarë të cilët luajnë jashtë. Mirëpo, me sa duket, do të kishte për të qenë ideale që Kombëtarja të përbëhej prej lojtarëve të Kampionatit Shqiptar, sepse kështu ata do të ishin përjavë në syë e opinionit të mbrendshëm kombëtar, një trysni për mirë kjo, që do t’ua rriste atyre përgjegjësinë. E di që nuk mund të realizohet. Ndoshta diçka do të mund të bëhet megjithate. Do ta përimtojmë një herë tjetër këte temë delikate…

4. Trajneri

Otto Baric! Siç thamë numrin e shkruar është i shquari dhe i mirënjohuri Otto Baric. Trajneri i Metallac-it të vjetër dhe i Dinamos së Zagrebit, i Lokomotivës së Zagrebit dhe i Weisbadenit, i Wacker Insbruck dhe Linzer, i FC Zagreb dhe Sturm të Grazi-t, i Rapidit të Vienës dhe i Stuttgartit, i SV Salzburg dhe Lask të Linz-it, i Fenerbahçes dhe i katër Kombëtareve: Kroaci, Austri, Jugosllavi (olimpike) dhe Shqipëri. Në fund të fundit një emër i madh i futbollit të Evropës, çka e vërteton edhe me rritjen e dukshme që i ka dhënë Kombëtares së Shqipërisë. Dhe papritmas i dorëhequr pa u boshatisur tribuna e Stadiumit “Lia Manoliu” të Bukureshtit. Një gjest kavaleresk i ditës së vështirë të njeriut, të profesionistit të vjetër.

Dhe… lamtumirë Shqipëri!

Eshtë lamtumira e trajnerit më rezultativ që ka pasë Shqipëria prej atyre të cilët kanë drejtuar mbi 15 ndeshje e lart ate: 43.33 përqindja e suksesit, i ndjekur nga Hans Peter Briegel me 41.93 përqind. Por, i cili në ndeshjet për kualifikimet evropiane dhe botërore, gjithnjë simbas përqindjes së suksesit, është absolutisht i pari: 28.57 përqind sukses ndaj 24.28 përqind të Hans Peter Briegelit. Por lamtumirë Shqipëri! Ta blatova gjithë dijen dhe përvojën time të gati 50 vjetëve të profesionit të trajnerit. Të gjeta të mirë dhe të lashë po të mirë në modestinë tënde, duke marrë përsipër të të ndryshoja edhe më për mirë. Këte të fundit mu për shkak të një fundi shkatërrues, nuk ia arrita, e tash lamtumirë.

Këshu të duket sikur thotë Otto Baric.

Gjeti një Kombëtare të ngritur bukur në këmbë prej paaradhësit gjerman. Nuk qe aq naiv sa të rrëzonte ndërtesën e qëndrueshme të tij. Lojtarët aty ishin. Mandej, me kalimin e ditëve, u pa se diçka duhej ndryshuar. Dhe pa asnjë mëshirë nostalgjie “flaku” tej herojtë brigelianë: Hasi, Aliaj, Tare, Murati! Pa e zgjatur fort iu tha lamumirë atyre dhe menjëherë iu sul avionëve duke kërkuar shqiptarë të jashtë Shqipërisë për Kombëtaren e Shqipërisë. Kjo iu khye gati në mani. Dhe shpejt e shpejt e ribëri 11-shin “e tij’, edhe pse nuk qe plotësisht i tij. 29 lojtarë në 12 ndeshje ë Evropianit duke iu dhënë një rritje befasues titullarësh Canës, Kapllanit, Currit, Beqajt, Dedes,Vangjelit. Ndonëse asnjerin prej këyre, përjashto Vangjelin, nuk i kishte përzgjedhur ai, por Briegeli. Janë vetëm Berisha, Hyka, E.Bulku, Rustemi apo D.Xhafa, “të tijtë” puro, por të cilët ai nuk ia arriti t‘i titullonte. Ky dinak elegant i Kroacisë dhe i Austrisë ndërtoi një skuadër “të re” me të vjetrit e dikuj tjetër. Zgjuarësi e tanë. I dha më tej frymë dhe hapësirë një Kombëtareje, e cila nuk ndryshoi stilin e lojës së saj, por përforcoi elasticietin shpesh të shkëlqyer që një skuadër e fubollit të sotëm duhet të ketë.

Kështu deri sa bëri gabimin fatal të nxehjes në ndeshjen me Bullgarinë që i shkaktoi përjashtimin.

Këtu lind pyetja tjetër: po të kishte qenë në stolin e drejtimit në dy ndeshjet e fundit, a do të kishim patur këto zhvillime të rrepta, të pamshirshme, dërrmuese ngjarjesh?

Kjo do të jetë enigma që do të mbesë pa zgjidhje përgjithmonë. Një gjë është e qartë. Otto Baric qe një “diktator” i mirë në pushetit personal të futbollit. Zëvëndësi i tij Zlatko Kovacic, u pa se qëndronte tepër larg tij, përsa kohë, siç u tregua në ndeshjet e fundi, skuadra nuk kishte asnjë lidhje me te. Kjo ngaqë Baric, atij nuk i kishte dhënë asnjë grimcë pushtet. Dhe kur papritmas përjashtimi i të parit të punëve ia detyroi këte pushtet, Kovacic, doemos nuk mund ta përvetësonte atë në 100 orë të rrepta të tragjikomedisë në skenën e unjisuar Tiranë – Bukuresht!

Dhe para tij tha lamtumirë Oto Baric! Bukur vërtet!

Edhe nëse Shqipëria do të kishte dalë e katërta e grupit, unë për vete isha bërë gati të botoja shkrimin me tiull: “Ndaljani turrin Oto Baric-it!” Kam dëshmitarë për këte, ndonëse po e publikoj për herë të parë këte ide. Më ishte mbushë mendja se tash me Baricin, Kampionati Kombëtar i Shqipërisë po i largohej me një shpejësi të frikshme Kombëtares, përsa kohë trajneri i saj vështronte, kërkonte, hulumtonte, përzgjidhte lojtarë vetëm jashtë Shqipërisë.

Pavarësisht nga të gjitha këto, në Renditjen time përimtuese të “Trajnerit më rezulativ të Kombëtares” të shtatë treguesve, Baric mbetet i dyti mbas Hans Peter Briegelit me një koeficient më të ultë prej 8 pikësh. Kjo ngaqë dha vetëm një ndeshje një rrallë (Bullgaria 0-0), sepse mbeti mbrapa Briegelit 1 përqind në suksesin për të gjitha ndeshjet e drejtuar prej tij për KE, si dhe 0.2 përqind në mesataren e pikëve për ndeshje, po dhe ngaqë zbriti në vendin e pestë përsa i përket golaverazhit më të mirë.

Lamtumirë Otto Baric! Në fletët e Librit tim të Kombëtares do të qëndrosh si një nga trajnerët më të mirë që ka patur Kombëtarja modeste e Shqipërisë modeste!

5. FSHF-ja

Duket sikur është jashtë loje dhe sikur del jashtë çdo përgjegjësie. Nuk besoj se është kështu dhe nuk besoj se as vetë FSHF mendon kështu.

Vazhdimisht i kemi përmendur se në këo vite ka bërë tri gjëra të mira tejet të rëndësishme: ka modernizuar zyrat e saj si vend pune për herë të parë në Shqipëri; i ka sjellë futbollit shqiptar terrenet më të shumta dhe më të mira që ka patur ndonjëherë; dhe ka fuqizuar Kombëtaren e Shqipërisë. Nuk është pak.

Duke i qëndruar temës së këij shkrimi, e ndjejmë të përsërisim, të theksojmë se një ndër punët më të dobishme ka qenë vendimi për t‘i dhënë Shqipërisë një trajner të huaj, çka i dha shytje të dukshme rezultateve të Kombëtares. Shqipëria nuk mund ta harrojë treshen G.Dossena – H.P. Briegel – O.Baric, sidomos këta dy të fundit. Asesi nuk mundet që dy ndeshjet e fundi të këtij edicioni të EURO 2008, të mund të rrëzojnë një kthesë të dukshme pesëvjeçare që bëri të mundur paraqitjen e një Shqipërie tjetër në Evropë. Ndonëse tash, mbas këtij eksperimenti të dobishëm, mendoj se ia vlen të kalosh në një risi që ka të bëjë me të ardhmen: nëse trajneri i parë do të jetë përsëri i huaj, zëvendësi i tij (i dyti) do të ishte mirë të jetë një trajner shqiptar, i cili di anglishten, ose gjuhën e trajnerit që vjen, në mënyrë që përvoja perëndimore e futbollit të përçohet asisoj te shkolla e trajningut shqiptar. Autori i këtij shkrimi, si dhe shumë të tjerë një partizan i trajnerëve të huaj në Kombëtare, është i bindur se do të mbërrijë edhe periudha e trajnerit shqiptar…

Ndërkaq, ajo që ende nuk ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit është bashkimi apo lidhja e fortë e Kombëtares me Kampionatin Kombëtar të Futbollit. Ky ëshë problemi numur 1 i fubollit të sotëm kombëtar. Sepse FSHF-ja nuk e ka bërë Kampionatin Kombëtar, çka do të thoë se ajo nuk ka bërë gjënë më të rëndësishme që duhet dhe që i takon të bëjë. Dhe nuk ka gjasa që ta bëjë Kampionatin, shfaqjen e përjavshme të dashur të shqiptarëve qysh nga 1930. Kjo ëshë shumë më e rëndë, e rëndë, e rëndë, tri here më e rëndë se sa dy humbjet e fundit të Kombëtares që padrejtësisht po ia marrin mendtë Shqipërisë në gjithë këto ditë.

Në një farë mënyre, Kombëtarja dhe futbolli kombëtar janë dy anë të një medaljeje asimetrike, ku ana që i takon fubollit kombëtar, Kampionati Kombëtar, është më e madhe, ka një sipërfaqe më të gjërë të fushëveprimit. FSHF-ja i ka mbuluar problemet e saj të mprehta me ndeshjet e mira dhe me vetë rritjen e Kombëtares së shkëputur prej Kampionatit Kombëtar. Shqipëria është e vetmja skuadër përfaqësuese në Evropë e cila edhe gjatë këtij turneu që sapo përfundoi, pati 8 futbollistë të cilët nuk janë prodhim i fushave shqiptare të futbollit: Dallku, Hasi, Cana, Curri, Beqaj, Kastrati, Berisha, Rustemi! Janë shqiptarë të dashtun të mirëseardhun në Kombëtaren mbarëkombëtare të Shqipërisë. Megjithate? Le ta mbyllim këte shkrim paksa me retorikë: a prodhon më fubollistë klasi Shqipëria jonë e Kampionatit Kombëtar?

Kjo Federatë Shqiptare e Futbollit e hijshme dhe moderne në formë, por tejet e diskutueshme në përmbajtjen e saj, ka provuar se nuk është në gjendje t‘i japë përgjigje kësaj pyetje që e nxjerr krejt zbuluar. (Kujtoni vetëm Komitetin e saj Ekzekutiv që nuk është përfaqësues i gjithë Shqipërisë dhe i cili ka dalë prej zgjedhjeve që detyrimisht në të ardhmen e shpejtë kërkojnë një statut tjetër nga i sotmi. Në mënyrë që të na çojë deri tek përzgjedhja e figurave më të plota, pa reminishenca të një shkuare diktatoriale në drejtim, figura që nuk kërkojnë ta përdorin zgjedhjen e tyre për të fshehur e përmirësuar artificialisht biografinë e tyre deri aty ku s’mban, apo njerëz që iu ka kaluar koha në mendësi e kulturë).

Jeta vazhdon megjithate, ashtu si tematika problematike e futbollit shqiptar dhe e Federatës së tij që nuk mbyllet me këte shkrim. Dhe as me euforinë e shortit të Botërorit 2008 që u hodh të shtunën, ku Shqipëria është me Portugalinë, Suedinë, Danimarkën, Hungarinë dhe Maltën, e ku ndonëse mungojnë superfuqitë, e pakta katër prej tyre e kanë dukshëm futbollin më të mirë se Shqipëria.

Dhe po e përfundojmë me një thënie tjetër të të famshmit Gianni Brera:

“Një skuadër futbolli shpreh pikëpërpikë natyrën dhe kulturën e “etnosit” ku ajo është formuar”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora