E premte, 04.10.2024, 09:23 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Ja “yjet” që luajnë në Superligën shqiptare

E diele, 02.12.2007, 07:55 PM


Duro, më i paguari në Shqipëri

Është padyshim një ndër më të mirët e kampionatit shqiptar, për të mos thënë më i miri. Shtylla e mesfushës për skuadrën e Tiranës. Është shumë i lëvizshëm, mbron mirë, por njëkohësisht organizon në mënyrë perfekte aksione të rrjedhshme. Goditjet e dënimit janë pjesë e repertorit të tij të larmishëm teknik. Klodian Duro është kthyer në një të pazëvendësueshëm në radhët e bardhebluve kampionë. Ka disa vite që luan me Tiranën dhe duhet thënë se është më i paguari në kampionatin shqiptar.Mësohet se përfiton rreth 100 milionë lekë të vjetra nga paga vjetore, pa llogaritur këtu premiot e veçanta për fitore apo ngritje të trofeve. Gjatë këtij edicioni është duke u paraqitur mirë dhe e ka ndihmuar skuadrën kampione që të arrijë rezultate të mira. Kombëtarja-Shihet qartë që për kombëtaren jep më shumë duke sakrifikuar gjithçka kur mban veshur fanellën kuqezi. Është një ndër të paktët që në dy ndeshjet e fundit eliminatore dha maksimumin e tij megjithëse u tradhëtua nga gjysma e skuadrës. Gjatë edicionit të kalur do të mbahet mend për golin që i shënoi Bullgarisë në Tiranë nga goditja e dënimit.

Muka, lideri i padiskutueshëm i Tiranës

Së bashku me Klodian Duron krijojnë dyshen më të mirë në mesfushë në Kategorinë Superiore. Këtë fat e ka skuadra e Tiranës, e cila përveç këtyre të dyve ka në përbërje edhe shumë futbollistë të tjerë klasi. Klodian Duro e meriton padyshim shiritin e kapitenit që mban te skuadra bardheblu. Ka 7 sezone që luan për kampionët e Superligës. Është një ndër fantazistët më të mirë në kampionatin shqiptar. Zotëron një teknikë të lartë, i shpejtë, i lëvizshëm dhe padyshim inspiruesi kryesor për ndërtimin e aksioneve bardheblu. E nisi mirë këtë edicion, por dëmtimi që pësoi përpara 1 muaji e ka lënë jashtë fushave të blerta dhe ka krijuar një “gropë” në mesfushën e Tiranës. Pritet që rikthimi të ndodhë brenda muajit dhjetor. Pas Duros është i dyti më i paguar në vendin tonë me rreth 60 milionë lekë të vjetra në vit, pa llogaritur premiot e ndryshme. Një lider i vërtetë për skuadrën e Tiranës dhe tifozerinë bardheblu. Kombëtarja-Një edicion eliminatoresh me shumë luhatje. Ndeshjet e para është në formacionin bazë, por në sfidat e mëpasshme Bariç e lë në stol duke e aktivizuar në pjesën e dytë. Ka një rol fantazisti që është në konkurrencë të fortë me Skelën, ku ky i fundit është më i preferuari. Mbahet mend për lojën e mirë që zhvilloi ndaj Holandës duke hyrë në fushë nga stoli dhe për asistin që i dha Currit në golin që kosovari shënoi në portën e Van Der Sar.

I ka fituar të gjitha, Dede kërkon të luajë jashtë

Padyshim shtylla kryesore e repartit të mbrojtjes te skuadra kampione e Tiranës. Thuajse i pakalueshëm aq sa konsiderohet mbrojtësi më i mirë që luan në kampionatin shqiptar. Nevil Dede është një siguri e madhe për portierin Nallbani dhe së bashku me Endri Vrapin krijojnë një mbrojtje të “betonuar” te kampionët e Superligës. Megjithëse i ka mbushur 34 vjeç nuk e jep veten duke luftuar në çdo sfidë me grintë të lartë sportive. I ka arritur të gjitha në kampionatin tonë, është shpallur kampion dhe ka fituar Kupën e Republikës. Kjo është ndoshta edhe arsyeja që kërkon një eksperiencë të re jashtë vendit. Dede mësohet se i ka kërkuar donatorëve të Tiranës që ta lenë të lirë në merkaton e janarit. Mundësia më e madhe është Kina, paksa e çuditshme, por mëse e vërtetë. Kombëtarja-Ndoshta e kishte mbyllur në mendjen e tij kapitullin e ekipit kombëtar, por me ardhjen e Bariç në krye të kuqezinjve, Dede jeton një rini të dytë. Jo vetëm që rithiret në përfaqësuese, por shndërrohet në një mbrojtës të pazëvendësueshëm në qendër të repartit të tërhequr. Zhvillon një edicion shumë të mirë, por lë shumë dyshime mbrapa me dy takimet e fundit eliminatore, atë ndaj Bjellorusisë dhe Rumanisë.    

Hyka, “Skela” i ardhshëm i Shqipërisë

Ka ardhur te skuadra e Tiranës gjatë merkatos së verës në formë huazimi nga Olimpiakos i Pireut. Ka zënë vend në formacionin bazë dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në organizimin e aksioneve te bardheblutë. Fantazisti Jahmir Hyka është vetëm 19 vjeç, shtatshkurtër, tmerrësisht teknik dhe shumë i lëvizshëm në fushën e lojës. Deri më sot që janë zhvilluar 12 javë në Kategorinë Superiore ka bërë një paraqitje shumë të mirë. Së bashku me Duron dhe Mukën krijojnë një mesfushë që do ta kishte zili çdo klub futbolli në vendin tonë. Ka shënuar vetëm një gol me fanellën bardheblu. U desh të udhëtonte 250 kilometra në Sarandën e largët për të shënuar golin e barazimit për kampionët në sfidën e parë për Kupën e Shqipërisë ndaj skuadrës së Butrintit. Kombëtarja-Në atë periudhë luante për fanellën e Rozenborgut në kampionatin norvegjez, por Bariç e grumbulloi në kombëtare. Debutimin e parë me fanellën kuqezi e bëri në miqësoren e muajit shkurt ndaj Maqedonisë, ndërsa në ndeshje zyrtare u fuit në fushë për pak minuta në takimin e fundit ndaj Rumanisë. Gjatë këtij edicioni më shumë është aktivizuar me ekipin U-21 duke qenë i pazëvendësueshëm dhe inspiruesi kryesor për ndërtimin e aksioneve te “kuqezinjtë e vegjël”. Një “Skelë” i ardhshëm për përfaqësuesen.   

Në Shqipëri është golashënues, Sinani dështon si kuqezi

Për disa sezone provoi të luante jashtë, por nuk shkoi edhe aq mirë. Veshi disa fanella në Gjermani dhe Turqi, por shkëlqimi i tij është në kampionatin shqiptar. Vioresin Sinani është një ndër sulmuesit më të mirë në vendin tonë. Një sulmues race, i cili e ndjek aksionin deri në fund. Është shumë kërkues dhe në fund shpërblehet me golat e shumtë që shënon. Fillimisht shkëlqeu te Vllaznia, ekipi mëmë, por kulmin e arriti në sezonin e kaluar duke u shpallur jo vetëm kampion me skuadrën e Tiranës, por fitoi edhe “Këpucën e Artë” duke shënuar 26 gola. Në merkaton e verës u rikthye sërish me Vllazninë. Një fillim edicioni për tu harruar, por gjatë javëve të fundit është rikthyer ai i pari duke shënuar thuajse çdo javë. Pika kryesore e referimit për skuadrën kuqeblu. Është në perëndim të karrierës. Kombëtarja-Megjithëse ka kalur një karrierë kryesisht të suksesshme, me fanellën kuqezi nuk ka pasur marrëdhënie të mira. Është aktivizuar në disa ndeshje në edicionet e kaluara eliminatore, por asnjëherë nuk ka dhënë atë që pritej. Gjatë edicionit të fundit u grumbullua dy herë nga Bariç në ndeshjet miqësore, por vetëm qëndroi në stol duke i ndjekur ndeshjet në krah të tranerit kroat. Ndoshta do t’i mbetet peng fanella kuqezi që nuk arriti ta shijojë siç duhet. 

Bejzade, “Arusha” që i dha histori Elbasanit

“Arusha verdheblu”, kështu njihet nga të gjithë sulmuesi Skerdi Bejzade, aq sa shumica mund t’ia kenë harruar emrin e vërtetë. Është një ndër sulmuesit më të mirë në qarkullim tashmë në Superligën tonë. Një nuhatës i vërtetë i golit, i cili karakterizohet nga një teknikë e kënaqshme dhe shpejtësi të mirë aq sa i nevojitet për ta dërguar topin në rrjetë. Kulmin e karrierës e arriti përpara dy sezonesh duke e udhëhequr skuadrën e Elbasanit drejt titullit kampion pas plot 22 vitesh. U kthye në benjaminin e tifozerisë së zjarrtë verdheblu. Në merkaton e verës kaloi te skuadra e Vllaznisë, por u rikthye sërish në Elbasan. Një fillim sezoni larg asaj që e njohin të gjithë, por gjatë këtyre javëve të fundit e ka marrë veten dhe është duke shënuar thuajse çdo javë. Njihet për deklaratat e tij në media, të cilat krijojnë shumë zhurmë.
Kombëtarja-Kur nuk u thirr në ekipin përfaqësues përpara dy sezonesh kur ishte në formën e tij më të mirë, nuk ka për tu grumbulluar asnjëherë. Ndoshta shansi duhej t’i ishte dhënë, por në atë kohë nuk ishte Bariç, i cili i jepte rëndësi futbollistëve që kalonin formë të mirë sportive. Në Shqipëri i ka fituar të gjithë, por pengu i tij është fanella kuqezi.    

Plaku, sulmuesi që kërkon titullin kampion

Sabino Plaku, futbollisti që aktivizohet me skuadrën e Dinamos i përket brezit të ri të sulmuesve që po lindin në kampionatin shqiptar. Pas një sezoni shumë të mirë te skuadra e Apolonisë e kuptoi që vendi i tij nuk ishte në Kategorinë e Parë dhe në merkaton e verës, midis shumë ofertave nga skuadrat më të mëdha të Superligës zgjedh atë të Dinamos. Një sulmues race që i ka të gjitha, i shpejtë, teknik, i fuqishëm fizikisht dhe më kryesorja zotëron një gjuajtje të fortë dhe të saktë. Së bashku me Pemën dhe Pejiç krijojnë te blutë një repart që do ta kishte zili çdo skuadër. Gjatë këtij edicioni është duke bërë një paraqitje shumë të mirë sportive dhe është një ndër pikat e referimit për futbollistët e tjerë të “nëndetëses”. Synon të fitojë titullin kampion. Kombëtarja-Ende nuk ka e ka veshur fanellën kuqezi për ekipin përfaqësues A, në një kohë që është grumbulluar dhe aktivizuar në shumë ndeshje të kombëtares së Shpresave. Me “kuqezinjtë e vegjël” ka zhvilluar takime të mira duke e ndihmuar skuadrën që të arrijë rezultate pozitive. Jep siguri për të ardhmen e skuadrës përfaqësuese.   

Përjashtohet nga Dinamo, Lika humb fanellën kuqezi

U lind te Dinamo, u formua pikërish te kjo skuadër si futbollist dhe jepte gjithçka për fanellën blu. U largua në mënyrën më të keqe të mundshme. Ishte kapiten dhe u akuzua nga presidenti Besnik Sulaj për mosimpenjim në ndeshje. Vetëm ndaj tij nuk duhet të ishte hedhur baltë në skuadrën e Dinamos. Ky përjashtim i kushtoi Ilion Likës edhe largimin nga kombëtarja shqiptare. Përgjatë 3 muajve të edicionit të kaluar qëndroi pa skuadër dhe në merkaton e verës kaloi tek Elbasani. Te verdheblutë ka gjetur vetveten dhe është një siguri për portën e ish-kampionëve. Gjatë këtyre javëve ka qenë i pazëvendësueshëm në kuadratin e verdhebluve duke i dhënë siguri të gjithë skuadrës. Nuk është faji i tij që Elbasani ndodhet në mesin e tabelës, ndryshe nga synimet që kanë drejtuesit e klubit. Kombëtarja-Deri përpara përjashtimit nga ana e presidentit Besnik Sulaj ishte në formacionin bazë me kombëtaren shqiptare. Gjatë ndeshjeve të para të edicionit të kaluar të eliminatoreve tregoi paraqitje të mira. Përjashtimi nga klubi blu i kushtoi fanellën kuqezi. U rithirr në skuadër nga Bariç në dy sfidat e fundit eliminatore, por nuk u aktivizua për asnjë minutë. Mbahet mend për gabimin që bëri në golin e parë në Bjellorusi.                                                   

Bakaj, talenti që shkëlqen te “Demat e Kuq"

Përfshihet te brezi i sulmuesve të rinj që po lindin në kampionatin shqiptar. Është vetëm 19 vjeç, por jo vetëm që ka zënë vend në formacionin bazë te skuadra e Partizanit, por luan një rol kryesor në repartin e avancuar të “demave të kuq”. Elis Bakaj është një mesfushor me tipare sulmuese që ka dalë pikërisht nga akademia e futbollit të klubit kryeqytetas. Gjatë këtij sezoni është duke bërë një paraqitje shumë të mirë me të kuqtë dhe në shumë ndeshje ka qenë vendimtar me golat e tij duke i dhënë pikët skuadrës. I shpejtë, teknik dhe zotëron një goditje të saktë dhe preçize, këto janë karakteristikat e futbollistit 19-vjeçar që aktivizohet me fanellën e kuqe. Ndihet mirë te klubi i Partizanit, por nuk përjashtohet mundësia që në merkaton e verës të provojë eksperiencën jashtë vendit. Kombëtarja-Duke parë formën e mirë sportive që po kalon te Partizani, është fillimisht Bushati që drejton skuadrën U-21 ai që e grumbullon dhe shumë shpejt shndërrohet në një futbollist të pazëvendësueshëm me fanellën e “kuqezinjve të vegjël”. Jep një kontribut të konsiderueshëm te Shpresat, të cilat kanë grumbulluar dhjetë pikë në këtë edicion eliminatoresh. Debutimin në kombëtaren A e bën për pak minuta në sfidën e fundit ndaj Rumanisë në Bukuresht. Jep siguri për të ardhmen.

Vepron si Toti, Magani bëhet legjenda e Shkumbinit

Padyshim, është një ndër futbollistët që ka dhënë shumë për kampionatin shqiptar dhe veçanërisht për skuadrën e Shkumbinit të Peqinit. Mbrojtësi legjendar i skuadrës peqinase, Gugash Magani e mbajti veshur fanellën e kaltër deri në moshën 41-vjeçare duke qenë një shtyllë e pakalueshme për kundërshtarët. Ka pasur oferta të shumta gjatë karrierës së tij nga klube të njohura të Superligës, por nuk e ka tradhëtuar asnjëherë fanellën e kaltër të Shkumbinit. Një veprim “alla-Toti”, i cili i mbetet besnik Romës së tij. Ndoshta i ka mbetur peng fakti që nuk ka arritur të fitojë asnjë trofe gjatë viteve të shumta që ka luajtur. Pasi “vari këpucët në gozhdë” përpara dy sezonesh u bë trajner i skuadrës së Shkumbinit, të cilën është duke e drejtuar edhe gjatë këtij sezoni. Peqinasit janë paraqitur mirë nën drejtimin e Maganit dhe ndodhen në vendin e pestë.
Kombëtarja-Ka luajtur në një periudhë jo të favorshme për të luajtur me ekipin kombëtar. Nëse në atë periudhë do të ishte trajner Bariç, atëherë mund të kishte provuar edhe fanellën kuqezi. Është thirrur disa herë në grumbullimet e përfaqësueses shqiptare, por që nuk ka luajtur asnjëherë me skuadrën kuqezi të vendit të vet.    

Sukaj, një sulmues i vërtetë “race”

Xhevahir Sukaj, një ndër sulmuesit më të mirë në qarkullim në kampionatin shqiptar. Talenti 19-vjeçar aktivizohet me skuadrën e Vllaznisë dhe është shndërruar në një futbollist të pazëvendësueshëm. I shpejtë dhe teknik, një sulmues i vërtetë race që e ka ndihmuar dhe e ndihmon skuadrën shkodrane në arritjen e rezultateve  pozitive. Gjatë javëve të zhvilluara deri më sot në këtë sezon ka bërë paraqitje shumë të mira duke qenë vendimtar në disa sfida të rëndësishme me golat që ka shënuar. Është një siguri e madhe për repartin e avancuar të skuadrës së drejtuar nga Mirel Josa. Emri i tij është përfolur shumë në merkaton e verës, por ka menduar të qëndrojë në Shkodër. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që në merkaton e ardhshme të ndryshojë skuadër. Kombëtarja-Përfaqësuesja U-21 e Ishujve Faroe do ta kujtojë gjatë emrin e tij. Xhevahir Sukaj shënoi tripletë në sfidën për eliminatoret e Kampionatit Europian që u zhvillua në ishujt e largët dhe përfundoi me fitoren 5-0 të “kuqezinjve të begjël”. Është i padiskutueshëm në formacionin e Shpresave, teksa gjatë takimeve të fundit është duke shënuar gjithmonë. Një siguri shumë e madhe për të ardhmen e përfaqësueses A.          

Dabulla, mbrojtësi me karakter të fortë

I fuqishëm fizikisht, i pagabueshëm, jep shpirtin në fushën e lojës dhe nuk mungon as në zhurmën mediatike me deklarata të forta. Këto janë karakteristikat e mbrojtësit energjik Rezart Dabulla, i cili në këtë sezon luan për ngjyrat e Shkumbinit të Peqinit. Një mbrojtës që shkëlqimin e tij në karrierë e arriti me skuadrën e Tiranës duke u shpallur kampion. Në sezonin e kaluar u aktivizua te Vllaznia, por që nuk ishte në lartësinë që e prisnin të gjithë. Në javët e zhvilluara deri më sot gjatë këtij edicioni ka bërë paraqitje të mira duke qenë një siguri për repartin e tërhequr të peqinasve. Do të mbahet mend gjatë për konfliktin që pati me donatorët e bardhebluve duke u larguar përfundimisht nga skuadra kampione. I lindur për të luajtur në kampionatin shqiptar duke dhënë shumë për skuadrat me të cilat është aktivizuar. Ka ende për të dhënë pasi po kalon një formë shumë të mirë sportive me fanellën e kaltër të Shkumbinit. Kombëtarja-Me fanellën kuqezi, përveçse është aktivizuar në disa takime, nuk ka bërë atë që bënte me skuadrat e Superligës. Ndoshta nuk i është dhënë shumë herë mundësia dhe kjo do t’i mbetet peng, pasi në kampionatin shqiptar i ka fituar të gjitha trofetë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora