E premte, 04.10.2024, 10:30 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Rudi Vata: Kombëtarja? Nevojitet revolucion

E shtune, 01.12.2007, 05:53 PM


Shkodrani fajëson vetëm trajnerin Bariç për dështimin në dy takimet e fundit në "Euro 2008"

Rudi Vata
Rudi Vata, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, tani menaxher i FIFA-s, mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij se Bariç ishte një zgjidhje e gabuar për Shqipërinë. Disfatën me ndeshjet kundra Bjellorusisë dhe Rumanisë ai ia faturon rreshtimit të gabuar të kroatit. Ish-kapiteni mendon se trajneri i ardhshëm duhet të jetë shqiptar dhe se sportit në vendin tonë i nevojitet një revolucion.

Rudi Vata, pasi keni marrë licencën si menaxher i FIFAS, keni ndërtuar kompaninë "Vata vision Football management". Cilat janë të rejat e fundit nga aktiviteti juaj si menaxher lojtarësh?

"Vata vision Football management" është një kompani e stabilizuar në Britaninë e Madhe. Kam partnerë në Londër, Gjermani dhe po ashtu në Shqipëri. Puna jonë është të gjejmë talente djem me perspektivë, në mënyrë që të kenë një shans dhe të evidentohen në të ardhme si futbollistë me vlera dhe të arrijnë rezultate në arena të ndryshme ndërkombëtare. Njëkohësisht merremi edhe me transfertat e lojtarëve, ku do të veçoja atë më të rëndësishmen deri më tani të lojtarit Gary Oconor nga Lokomotiva e Moskës te skuadra Birmingham City. Kemi bërë edhe transferta të tjera në Rumani, Skoci apo vende të tjera.

Le të ndalemi pak te Kombëtarja shqiptare, e cila vazhdon të jetë një temë e nxehtë bisedimi për dashamirësit e futbollit. Cili është komenti juaj për dy ndeshjet e fundit kundra Bjellorusisë dhe Rumanisë?

Janë bërë shumë komente nga specialistët. Nuk mund të kem ndonjë koment special. Këto dy ndeshje ishin një pasqyrë krejt e kundërt krahasuar me dhjetë ndeshjet e mëparshme. Se çfarë ndodhi, se si u shpërfytyrua ajo Kombëtare që ne e pamë me një imazh të bukur, një vizion tjetër, është për të ardhur keq. Atë moment kur ne të gjithë menduam se erdhi momenti të bënin hapin e madh, të paktën të arrinin në vendin e katërt, që do ta fusnin këtë Kombëtare në historinë e futbollit shqiptar, ndodhi shpërfytyrimi dhe gjithçka që ishte ndërtuar në dhjetë ndeshje u shkatërrua. Trajneri Bariç e di mirë se çfarë ka ndodhur me Kombëtaren shqiptare, pasi ai e ndërtoi atë skuadër dhe ajo u shkatërrua në duart e tij. Megjithatë, mendoj se Kombëtarja shqiptare ka nevojë për revolucion. Duhet të fillojmë me hapa të vegjël për të vijuat te të mëdhenjtë. Problemi ynë është se ne kemi dashur të bëjmë që në fillim hapin e madh dhe atje jemi rrëzuar.

Ka shumë zëra për shitje të dy ndeshjeve, apo një loje të dobët nga klane lojtarësh për të larguar trajnerin Bariç...

Unë e kam parë ndeshjen me Bjellorusinë në stadium. Besoj që në këtë ndeshje Kombëtarja shqiptare u mund të fushë në të gjitha drejtimet. Mendoj se nuk ishte një komplot. Do të ishte absurde të ishte një komplot, për vetë faktin, siç e thashë më parë, se këta futbollistë do të hynin në histori si djemtë që për herë të parë arritën një vend pozitiv, siç ishte vendi i katërt në grup. A mund të ndodhë? Sigurisht që po. Unë si ish-futbollist nuk e quaj normale, por çdo gjë është e mundshme. Ata djem kishin të gjitha mundësitë të fitonin respektin e gjithë kombit dhe jo imazhin e keq, siç ndodhi pas dy humbjeve të turpshme. Shqipëria humbi në terrenin e fushës, Shqipëria humbi po ashtu në anën taktike, fizike, pra me Bjellorusinë ishte në fushë një skuadër e mundur në të gjitha drejtimet.

Dhe fajtori për këtë?

Fajtori kryesor është trajneri Bariç, për vetë faktin se ai është një trajner me eksperiencë të gjatë dhe se nuk ishte shumë natyrale të jepte deklarata se do të marrim aq apo kaq pikë në dy ndeshje. Mendoj se futbolli luhet në fushë dhe jo përpara mikrofonave të gazetarëve në konferenca shtypi. Arrij të kuptoj se shqiptarëve u pëlqejnë të tilla deklarata. Megjithatë, dolën një blof i vërtetë. U zhgënjye një Shqipëri e tërë. Ai ka përgjegjësitë kryesore me vetë rreshtimin që i bëri skuadrës dhe se ndryshoi sistemin momentin e fundit, në një kohë kur Shqipëria kishte ndërtuar një imazh me një sistem më mbrojtës. Unë gjithmonë kam menduar që ai ka gjetur lojtarët e përshtatshëm për këtë sistem. Por çuditërisht pas dhjetë ndeshjeve ku luajtëm mirë, në ndeshjen me Bjellorusinë ndryshon sistemin dhe skuadra u shpërfytyrua në të gjitha drejtimet.

Si u ndje Rudi Vata në "Qemal Strafa", në mbarim të kësaj ndeshjeje, kur tifozët brohorisnin në kor: "E shitën, E shitën"?

Mendoj se iu krijua një natë trishtimi në atë natë të keqe me shi. Tifozët kishin bërë me qindra kilometra për të ardhur atje dhe shpresonin në ndjekjen e një ndeshjeje e cila do të na çonte drejt vendit të katërt. U zhgënjyen. Aq më shumë se kundërshtari ishte skuadra më e dobët në grup e rrahur nga Luksemburgu një ndeshje më parë, që do të shënonte fitoren e parë për Luksemburgun si shtet. Normalisht që u ndjeva keq.

Keni qenë një kritik i ashpër i Bariçit që në momentin kur presidenti Duka firmosi për ardhjen e tij në krye të pankinës kuqezi. Tashmë ai ka dhënë dorëheqjen. Çfarë mendoni për punën e tij në drejtimin e Kombëtares?

Unë kam qenë kritik në radhë të parë për moshën e Bariç. Mendoj se futbolli shqiptar është një gangrenë e madhe, që ka nevojë për një mjek të ri me energji që t‘i gjejë ilaçin kësaj gangrene. Ai nuk kishte energjitë e duhura për ta njohur e ndjekur futbollin shqiptar. Puna e tij mund të quhet normale. E theksoj, futbolli shqiptar ka nevojë për një revolucion.

Jeni shprehur se e keni ëndërr që një ditë të drejtoni Kombëtaren shqiptare si trajner ose si drejtor teknik. Vazhdoni ta keni këtë ambicie, e shikoni të realizueshme një ditë?

Jeta ime është e lidhur me futbollin. Jeta ime pa të është e pakuptimtë. Unë jam dashuruar pas këtij sporti që në moshën 6-vjeçare. Kur dashurohesh pas diçkaje, ajo ndjenjë mbetet për tërë jetën. Kombëtares i kam shërbyer 12 vite me radhë, duke mbajtur shiritin e kapitenin në mbi 30 ndeshje. Shpresoj që të gjithë ata që kanë dhënë për futbollin shqiptar të rehabilitohen. Të na njihen vlerat dhe të na kërkojnë t‘i shërbejmë atdheut tonë.

Pas largimit të Bariç, FSHF po kërkon një trajner të ri. Kush mund të jetë njeriu i përshtatshëm për punën, sipas jush?

Nëse do të flasim për trajner shqiptar, them se ka që janë po aq të aftë sa edhe ata të huaj. Nga eksperiencat e mia me trajnerët shqiptarë mund të them me konfidencë se ata kurrë nuk janë mbështetur nga FSHF, si nga ana financiare, ashtu dhe nga ajo morale. Ata nuk kanë punuar në kushte komode apo të rehatshme. Gjithmonë kanë qenë nën presionin e njerëzve dhe nga ana financiare kanë qenë të diskriminuar. Në tre sezone ne kemi pasur trajnerë të huaj, të cilët nuk janë paguar pak. Rezultatet janë të ngjashme me trajnerët shqiptar. Duke punuar si menaxher i FIFA-s, i kam ofruar Kombëtares shqiptare dy kandidatura, atë të Valter Zengës dhe të Litbarskin. Nëse do të ishte në dorën time, do të shikoja për një trajner shqiptar, por duke e mbështetur si nga ana financiare, ashtu dhe nga ajo morale. Na duhet një trajner me karakter të fortë, që di të marrë vendime. Mbi të gjitha do të jetë në terren në stadiumet shqiptare ku luhet futbolli, për gjetur e motivuar talentet e reja, që duan të veshin fanellën kuqezi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora