E enjte, 18.04.2024, 05:03 PM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Bixhoz me flamurin kombetar

E diele, 16.12.2007, 02:17 AM


Nga Elert Yzeiri - Shqip
 
Zhgënjimi është vërtetë shumë i madh, pasi në rrugëtimin e këtij edicioni me premtime prekëm qiellin: e deklaruar se kjo është skuadra më e mirë e të gjitha kohërave, ky është edicioni i rekordeve, në fjalorin e përditshëm futbollistik kryesonte togfjalëshi vazo e katërt, madje u ngritën edhe ide se do të shkojmë në europian: këtu këputet filmi pasi jemi sërish në fund. Faleminderit çuna, pasi një rekord të tillë 6-1 do të kishte zili edhe Luksemburgu në këtë edicion

Duhej të ishte nata e ngushëllimit të madh për Shqipërinë, por Bariç dhe ushtria e tij e shpartalluar kanë realizuar fundosjen më të turpshme kuqezi, në honet e një mënxyre të mbushur me shumë dyshime dhe intriga. Hija e turpit ka rënë sërish mbi qiellin e Shqipërisë futbollistike dhe ashtu siç duket kjo skuadër nuk mund të bëjë dot pa moralin e fëlliqur që i rri fshehur nën damarë, ndërsa tifozët pasionantë duhet të gëlltisin rëndë poshtërimin e radhës.

Kombëtarja ka luajtur aktin më të shëmtuar të historisë së saj në futboll, duke i dhënë fund eliminatoreve për europianin 2008 me një ndeshje të turpshme, jo vetëm për shifrat tenistike, por edhe moralin e shfaqur nga kjo skuadër. Në të vërtetë vetëm për moral nuk ka kjo skuadër dhe këta futbollistë, pasi në Rumani turistët që kishin veshur fanellat e skuadrës kombëtare, nuk e patën për bezdi që bashkë fishat e bollshme, të vinin në tavolinën e kazinosë edhe flamurin kombëtar të Shqipërisë.

Dikush rrihte gjoksin në Rinas duke deklaruar në emër të skuadrës se Shqipëria në Bukuresht do të shkonte të lante mëkatet, pas humbjes së të shtunës në Tiranë me Bjellorusinë dhe duket se kanë patur vërtetë të drejtë: futbollistët kanë larë mëkatet me bixhozin, pasi koeficienti në kompanitë e basteve për një humbje në shifra të tilla ishte vërtetë i lartë përpara ndeshjes.

Kapiteni Lala me paturpësinë më të madhe përdori edhe ironinë përballë akuzave të tifozëve për shitje, pas ndeshjes me Bjellorusinë, ndërkohë që është më e sigurt se nuk do ti ketë ngelur më burrëri për të folur për kombëtaren. Më shëmtuar akoma është shfaqur edhe zëvendësi i tij, Lorik Cana, i cili pasi na ka demostruar me dhjetra raste se i mungon profesionalizmi, me naivitetin e një adoleshenti që nuk do të rritet kurrë guxoi të ndajë dhe tifozët, në shqiptarë e kosovarë. Akoma edhe më keq për të, pasi u fsheh pas humbjes me Bjellorusinë. Ky është një turp, përgjegjësia e të cilit bie mbi të gjithë, madje edhe për ne që jemi jashtë, pasi i kemi besuar himnin kombëtar ca bixhosxhinjve lapanxhozë.
Dhe sa për bixhozin, ky nuk është vetëm një aludim që e ngritën tifozët, pas poshtërimit në tempullin e futbollit me Bjellorusinë, por është vazhdimi i një historie që të gjithë e dinë, por askush nuk guxon ta ngrejë zërin. Nuk e ngrenë zërin specialistët, trajnerët, sportistët, drejtuesit, madje as mediat, pasi në pjesën më të madhe janë “kuar” mirë nga ky “biznes”, në mos janë edhe aktorë…

Megallomania e shfaqur  në muajt e fundit nga kroati Bariç dhe futbollistët e ka patur të lartë koston dhe në Rumani këta aktorë të dështuar e shitën shumë lirë shansin e fundit për të justifikuar turpin që gatuan në këtë edicion. Zhgënjimi është vërtetë shumë i madh, pasi në rrugëtimin e këtij edicioni me premtime prekëm qiellin: e deklaruar se kjo është skuadra më e mirë e të gjitha kohrave, ky është edicioni i rekordeve, në fjalorin e përditshëm futbollistitk kryesonte togfjalëshi vazo e katërt, madje u ngritën edhe ide se do të shkojmë në europian: këtu këputet filmi pasi jemi sërish në fund. Faleminderit çuna, pasi një rekord të tillë 6-1 do të kishte zili edhe Luksemburgu në këtë edicion.

Dy fjalë i takojnë edhe plakushit grindavec Bariç, që arriti të përshtaste më së miri karakterin e tij (të më ndiejë, por në të gjithë Europën dihet mjaft mirë që kroatët janë njerëz cinikë, trillues, mashtrues dhe megalomanë), me veset e ushtarëve shqiptarë (që janë gati të bëhen palë për çdo poshtërësi): skenari i fundit që vunë në skenë zoti Bariç me aktorët e tij nuk kishte asgjë të ndryshme me karnavalet që bulçasin në skajin tjetër të globit, përveç faturës në para që korrenspondon me kontratën tuaj. Para startit të dy sfidave të fundit kroati ironizoi me shqipërinë dhe shqiptarët, duke vënë në listën e skuadrës emrin e ish-ministrit të drejtësisë, Rusmali në formacioni anti-Bjellorusi, thuajse ai i kishte në xhep pikët që i duheshin për mbajtur vendin e katërt a për të synuar edhe thyerjen e një rekordi. Guximi i tij shkoi deri në deklarimin se barazimin me rumunat mund ta arrinim me forcat tona, por që si shumë deklarime të tjera rezultoi një bllof. Nga Karpatet ai ka lëshuar deklaratën e dorëheqjes, por duket se nuk mjafton për damkën që i la skuadrës sonë, në 16 muajt e tij si trajner.

Dhe në fund edhe një fjali për presidentin e federatës: nëse në kampionatin kombëtar çdo javë rrezikohen jetë njerëzish dhe kombëtarja luan bixhoz me himnin e flamurit, cili është morali i këtij futbolli zoti Duka!

SEZONI I ILUZIONEVE DHE ZHGENJIMIT

Ndonëse fundi ka qenë krejtësisht i hidhur, edicioni që lamë pas ka qenë një prej më të veçantëve për Shqipërinë e futbollit: me rezultate surprizë dhe entuziazmin që shpesh i bëmë të ndiheshim krenarë për këtë skuadër. Kur startoi edicioni eliminator për Euro 2008 të gjithë kanë qenë skeptikë për skuadrën kombëtare, jo vetëm për faktin se skuadra do të drejtohej nga një plakush i dalë mode, por edhe sepse skuadra duhej të kapërcente një proces të rëndësishëm, atë të rinovimit të emrave, pjesa më e madhe e të cilëve kishin mbushur kohën…

Por barazimi në Bjellorusi në çastet e fundit karikoi skuadrën me një entuiziazëm të zellshëm, i cili gradualisht u forcuan në një vetëbesim për të vënë edhe objektiva në përfundimin e edicionit. Madje kjo u bë shumë e qartë, pas ndeshjes me Rumaninë, kur këta të fundit pa shumë mund erdhën dhe morën në Tiranë një fitore të pastër 2-0. Skuadra reagoi mirë në Hollandë, ku falë edhe një mbështetje shembullore të tifozëve, në Amsterdam Arena tulipanët na morën një humbje që mund të evitohej. Kjo ndodhi vetëm një muaj pas humbjes në Tiranë me Rumaninë. Ndërkohë skuadër kish filluar procesi i rinovimit dhe i pari që dorëzoi fanellën ishte Igli Tare. Pak polemika, por që u fshinë shpejt, pasi kroati vendosi veton. Pranvera e 2007-s e ka parë skuadrën kombëtare të ndryshuar dhe nën moton për gjithpërfshirjen e talenteve nga e gjitha bota shumë emra të rinj u dyndën në FSHF. Barazimi me Slloveninë në Shkodër dhe menjëherë pas saj edhe në Bullgari rritën ndjeshëm kuotat e skuadrës sonë kombëtare dhe Bariç nuk vonoi të nxirrte nga garderoba e tij një palë spaleta të vjetëruara për të deklaruar: kemi shanse të marrim vendin e tretë në grup. Ky në fakt ishte vetëm një iluzion që na bëri të lumtur vetëm për pak kohë, teksa në fillim të verës shijuan dy fitoret e këtij edicioni, me skuadrën më të dobët të grupit, Luksemburgun. Gjatë kësaj kohe vetëm një miqësore, ajo me maltën e fituar 3-0, ndërkohë që humbja e dyshimtë me Hollandën dhe barazimet me Slloveninë në Çelje dhe Bullgarinë në Tiranë devijuan rrugëtimin: për skuadrën mbeti vetëm vendi i katërt në grup, që  mund të realizohej vetëm në rast se do të mbylleshin me sukses takimet e fundit. Gjatë kësaj kohe u kryen edhe shumë lëvizje të tjera në skuadër, ndërsa mes të tjerash Bariç kish humbur kredibilitetin me futbollistët. Bjellorusia na e çorri maskën në Qemal Stafa me një fitore që askush nuk e kuptonte, veç futbollistëve tanë, ndërsa Rumania na dha goditjen më të rëndë që kemi marrë në këto 17 vitet e fundit.

RUMANIA, NE PALMAREN E ZEZE

Humbja me Rumaninë është e para me përmasa të tilla në erën e re të futbollit shqiptar, ndërkohë që takimi më i fundit me një humbje të përmasave poshtëruese daton në 19 dhjetorin e vitit 1990, kur skuadra e drejtuar nga i ndjeri Agron Sulaj do të mundej në shifrat 9-0 në Sevilje me Spanjën, në takimin e vlefshëm për eliminatoret e europianit të vitit 1992. Duke qenë si gjithnjë jemi konsideruar një skuadër modeste në arenën ndërkombëtare në statistika nuk mungojnë edhe humbje të tjera të përmasave katastrofike. Kështu në 18 nëntor të vitit 1981 skuadra e drejtuar nga i madhi Loro Boriçi është mundur në Dortmund nga Gjermania me rezultatin 8-0. Po në Dortmund të Gjermanisë dhe sërish nën drejtimin e Loro Boriçit, në 8 prill të vitit 1967 skuadra kuqezi është mundur 6-0. Por humbja më e thellë për kuqezinjtë është regjistruar në 24 shtator të vitit 1950 12-0 nga Hungaria, në një takim miqësor. Duke rrëmuar në statistika veçojmë humbjet 5-0 me Austrinë dhe Anglinë përkatësisht në vitet 1982 dhe 1989, nën drejtimin e Shyqyri Rrelit, dhe po 5-0 me Francën në mars 1991, kur skuadra në atë kohë drejtohej nga Birçe.

BARIÇ NGEL NE KLASE

Shqipëria vazhdon të mbetet edhe pas këtij edicioni në vendin e pestë në grup, ndërkohë që Otto Bariç nuk mund të kapërcejë paraardhësin e tij, Hans Peter Brigel, i cili ka vendosur një rekord me 13 pikë në eliminatoret e Botërorit Gjermani 2006. Në fakt kur skuadra kuqezi u ngjit në kuotën e 11 pikëve, pas barazimit në Tiranë me Bullgarinë, të gjithë besuan se rekordi do të thyej dhe Bariç do ta lartësonte emrin e tij në krye të skuadrës kuqezi me objektiv të realizuar një objektiv që skuadrës sonë ju vu rishtas në rrugëtimin e këtij edicioni. Por kalaja e ndërtuar nga Otto Bariç u prish nga dallgët që ngritën Bjellorusia e Rumania dhe për Shqipërinë ky edicion mund të konsiderohet një dështim i vërtetë. Jemi sërish në vendin e parafundit në grup dhe synimi për të kapërcyer në një vazo më lart është konvertuar me një humbje, që për të thënë të vërtetën e kanë harruar edhe skuadra që nuk kanë koeficient në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s.

EKSPERIMENTI I FUNDIT I KROATIT

Sa herë që Bariç ka dështuar gjatë këtij edicioni është mbrojtur duke thënë se “jemi në fazë eksperimentale, në kërkim të futbollistëve më të mirë, për të kompletuar skuadrën”. Por kjo nuk do të ishte alibia më e besueshme pas ndeshjes në Rumani dhe duket se kroati vetëm është tallur. Pa e personalizuar nuk mund të kishte kurrësesi vend në këtë skuadër për Bakajn dhe Hykën, teksa në stol ndodhej edhe golashënuesi më i mirë shqiptar në Europë, Hamdi Salihi. Shkodrani nuk ka nevojë që trajneri t’i japë dorën, pasi ka treguar gjithnjë që është një futbollist i rëndësishëm, por ndoshta më shumë se çdo herë tjetër kombëtarja kishte nevojë për këmbët e tij. I deklaruari si zbulimi më i madh i këtyre eliminatoreve, Kristi Vangjeli në ndeshjet e fundit është bërë si ashensor, për idetë e paqarta të trajnerit, apo ndoshta edhe për qejfmbetjen e ndonjë shoku të skuadrës. Kurrsesi nuk mund të mos ishte përfshirë në këtë grumbullim Dorian Bylykbashi, që është futbollisti më i mirë shqiptar në Ukrahinë, i cili injorohet sistematikisht. Këto janë në fakt disa nga ato shumë mëkate që rëndojnë mbi trajnerin, në kurriz të futbollistëve dhe mbi të gjitha ekipit kombëtar shqiptar.

IKEN BARIÇ, KUSH VJEN PAS TIJ?

Presidenti Duka, pasi ka marrë komunikimin e dorëheqjes se Bariç me keqardhje dhe me mirëkuptim e ka pranuar këtë lëvizje të teknikut kroat dhe në emër të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së ka falenderuar trajnerin, i cili në këtë sezon arriti që t'i japë një imazh të ri skuadrës kombëtare, duke bërë një paraqitje pozitive në eleminatoret e Euro 2008, si dhe duke bërë gradualisht rinovimin e skuadrës thuhet nga burimet e FSHF. Bariç i ktheu krahët Shqipërisë dhe drejtuesit e federatës së futbollit nuk u lutën për herë të dytë, ndoshta edhe për ta shfrytëzuar këtë lëvizje ndoshta si justifikimin më të mirë përballë opinionit publik. Tani nis një fushatë e re, në kërkim të një trajneri që të marrë në duar një skuadër, e cila tashmë është e shpartalluar. Emri më i lakuar vazhdon të jetë ai Sreçko Katanec, i cili në edicionin e fundit ka qenë në krye të kombëtares së Maqedonisë. Slloveni duket se gëzon admirimin e drejtuesve të federatës së futbollit, megjithatë nuk mund të konfirmohet asgjë rreth tratativave të mundshme. Orët e fundit është folur shumë edhe për një emër shqiptar dhe ai korrenspondon me atë të trajnerit të ekipit Shpresa Artan Bushati.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora