Shtesë » Lajme
Dritan Prifti filmon veten duke marrë 70 mijë euro
E shtune, 12.02.2011, 08:59 PM
Rekord Guinness në Shqipëri.
Dritan Prifti filmon veten duke marrë 70 mijë euro
Ish–ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti mund të hyjë së shpejti në librin e rekordeve Guinness. Jo për faktin se përgjoi ish –kryetarin e partisë së tij, por sepse ka filmuar veten duke marrë 70 mijë euro në një aferë të pastër korruptive. Korrupsioni i tij është dekonspiruar nga ekspertiza amerikane që ka marrë në dorë mjetet me të cilat DritanPrifti përgjoi një bisedë mes tij dhe Ilir Metës dhe e shiti tek shqiptarët si provën e kalorësit të betejës anti-korrupsion. Teksa ka ekzaminuar këto mjete,orën e dorës dhe laptopin e Priftit, eksperti amerikan ka zbuluar një tjetër video, ku Dritan Prifti shfaqet me figurë teksa merr plot 70 mijë euro nga vartësi i tij, ish ministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri.
Ish–ministri Prifti, aleati më i ri i Opozitës së Bashkuar, e kishte fshirë nga kompjuteri videon ku filmonte veten duke marrë këtë shumë të madhe parash.
Por eksperti amerikan, në hetimet për të zbuluar autenticitetin e përgjimit të Priftit ndaj Metës, e ka rikuperuar atë dhe ka zbuluar këtë aferë korruptive, përmes pamjeve që janë realizuar më 11 mars të vitit 2010.
Pas zbulimit të ekspertizës amerikane, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar një procedim penal për Dritan Priftin nën akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe i ka kërkuar Kuvendit të Republikës heqjen e imunitetit të tij si deputet. Ky zbulim i papritur dhe i pamenduar, duket se e ka befasuar edhe vetë organin qendror të akuzës.
Në letrën drejtuar kuvendit prokuroria
Megjithatë, në kërkesën drejtuar kuvendit për heqjen e imunitetit të Dritan Priftit si deputet, për t’u hetuar për korrupsion, Prokuroria nënvizon disa herë faktin, se zbulimi i videos është bërë nga eksperti amerikan që ka ekzaminuar provat materiale.
Prokuroria sqaron në kërkesën e saj për heqjen e imunitetit, se DritanPrifti dhe zëvëndësi i tij, në bazë të asaj që evidentohet me zë e me figurë në videon e zbuluar nga eksperti amerikan,kanë zhvilluar biseda për përfitime financiare të parregullta që vijnë nga ushtrimi i funksioneve të tyre publikë, dhe në një moment shihet se ndajnë mes tyre një shumë parash prej 70 mijë eurosh. Me këtë zbulim,të denjë për skenarin e serialit Hollivudian, CSI New York, Dritan Prifti do të hyjë në histori si zyrtari i parë që në emër të luftës anti-korrupsion, bën së pari shembull veten e tij, pavarësisht faktit se këtë e bëri pa dashje, teksa po tentonte t’I bënte gropën shokut të tij. Me akuzën për korrupsion pasiv, sipas nenit 259 të kodit penal, Dritan Prifti, rrezikon minimalisht 2 vjet burg dhe maksimumi 8 vjet.
Gazeta Shqiptare citon shkresën zyrtare që prokuroria i ka dërguar Kuvendit ku ndër të tjera thuhet se “Në këtë video flitet për përfitime të parregullta ndërkohë që është filmuar ndarja e një shume parash prej 70 mijë eurosh.“
(s.g/BalkanWeb)