E premte, 26.04.2024, 07:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Miftar Kryeziu: Ngjyrat e shkëlqimit

E diele, 28.11.2010, 02:54 PM


Xheladin Hamza
“Ngjyrat e shkëlqimit”

 

Parathënie

 

Nga Miftar Kryeziu

 

Në qoftë se krijimi i poezisë i ngjan një odisejade, siç do të thoshte studiuesi ynë i mirëfilltë i poezisë bashkëkohore shqipe Agim Vinca, kurse odisejada është, siç dihet, një udhëtim i gjatë dhe i përcjellur me shumë peripeti, atëherë poeti është ai që kërkon atdheun e tij, njësoj si heroi legjendar i Homerit – Odiseu,  që kërkoi Itakën.

Po cila është Itaka e çdo poeti?

Pa asnjë mëdyshje do të them; është bota shpirtërore e tij, që lehtë mund të ngacmohet nga një zhurmë, e cila prapa lë një gjurmë, madje, sado e vogël të jetë ajo, qoftë dhe vetëm një fishkëllimë, megjithatë, tejzat në thellësinë e tij, padyshim e detyrojnë atë, që ta shpalosë aty vetveten, e të përpiqet të zbërthejë perceptimin e rrjedhjes së saj, gjithnjë në kërkim të sublimes. Aty, mbi të gjitha, ai më së miri gatitë fuqinë e fjalës, sepse e njeh deri në rrënjë “Itakën e tij”.

Kështu, gjatë një udhëtimi odisejadesk nëpër botën e tij shpirtërore, edhe poeti ynë tanimë i njohur Xheladin Hamza, na solli para nesh librin e dytë poetik me titull mjaft domethënës “Ngjyrat e shkëlqimit”.

Përse ky titull? Apo, mos vallë poetit i erdh nga një burim hyjnor?

Po, - do të pëshpëriste ai – atëherë kur:

 

“Fillimin dhe mbarimin e jetës

i përputha në një pikë

porsi një semazem...”

 

Semazeni - është personi i cili e ekzekuton apo praktikon Semanë, si teknikë mjaft e ndërlikuar.

Semaja është manifestim i lëvizjes së trupave qiellor, ku udhëheqësi i Semasë, mentori; simbolizon diellin ose aksin e sistemit dinamik të Galaktikës, kurse semazenët, të inicuarit, në lëvizje rrethore, simbolizojnë planetet, pra kemi të bëjmë me një valle kosmike, për unifikim me kosmosin”. – thotë njohësi më i mirëfilltë dhe autokton i këtij riti tek ne, Fahredin Shehu.

 

Madje, derisa Rumiu për Semanë shkruan se:


“Shoh ujërat që vrushkullojnë nga gurrat e tyre
     Degët, lisat që vallëzojnë si penduesit
    Gjethet që me duar rrahin si muzikantë...”

 

..., vargjet e sipërtheksuara të tij, janë ndoshta një pasqyrim simetrik dhe plotësisht i përputhen një ritmi që  reflekton afinitet inercioni, vargjeve të shkëputura të poetit Xheladin Hamza:

 

“Shpirtbardhët i merr me lehtësi 
të përcjellur me muzikën hyjnore të semas
e të mbështjellur me aromë lulesh 
     të këputura nga kopshti i Edenit...”

 

..., andaj, thekson se: 


“Tërë jetën dëshirova të bëhem semazen

kërcimtar i paepshëm i semas në shpirt të jem...”

 

..., sepse, poeti ynë është udhëtar i dëshirave të tija, të cilat ashtu si i shfaqen në mugëtirën e shtratit shpirtëror, ashtu të tilla ia do edhe zemra. Dhe se:

 

“butësisht si fëmijë do kapemi për dore

në sexhde bijmë para të Madhit Zot

se jemi udhëtarë të amshimit...”

 

Kjo lë të kuptojmë se Uni i poetit Hamza është shumë stabil dhe se në çfardo ndërrim kondite, ai prap është i lidhur shumë fortë me Universin Hyjnor – Perëndinë:

 

“aty ku engjëjt pa ndërprerë

zëshëm këndojnë

TEKBIRIN...!”

 

Duke shfletuar me kujdes faqet e librit dhe duke i medituar vargjet e shkruara nëpër to, do të na shpirtëzohet një ndjenjë lakmuese, brenda së cilës shtrihet dashuria, si maksimë më universale, e që shkëndijat e saja depërtojnë deri në thellësi dhe, shpeshherë, bëhen pjesë intime e jetës njerëzore, në këtë mes edhe të krijuesit.

Në këto shtigje edhe bota intime e poetit Xheladin Hamza, është e fshehur thellë, madje, do të thoja, shumë e thellë dhe jo rrallëherë atë e ndrydhë, për ta shpalosur ndonjëherë vetëm nëpër ëndrra, siç shprehet në poezinë;“Ëndrrat e mia”:

 

“Lëri në qetësinë e shpirtit tim

se janë vetëm ëndrrat e mia

pjesë e jetës sime...”

 

 

Këto ëndrra janë valë të dashurisë njerëzore. Dhe meqë atyre nuk mund t’i ketë ikur askush, as poeti nuk do të tentojë ta provojë këtë, andaj ai i hap rrugë të dashures së tij, duke i thënë:

 

“Bëhu e lirë

dhe lundro kah do

se shpirtin e kam

det të hapur

vetëm për ty...”

 

..., ndërsa zemra e tij për të është  F o l e j a  ku ajo me ëndje zbret dhe gjen prehje.

Megjithatë kur poeti disi vjedhurazi kthehet në vitet e hershme të rinisë, atë e mbështjellë një nostalgji, e cila thuajse ia vjelë ngadalë dhe një nga një gjethet e një kohe dikur të njomë. Ndonëse e di fort mirë se nga askush nuk do të merr ndonjë përgjigje, ai nuk heziton t’i bëjë pyetje vetes me një stili retorik:

 

“- Përse flokët më janë zbardhë?

- Ku ikën vitet e mia?...”

 

Pothuajse, si gjithë krijuesit shqiptarë, ashtu edhe poetin Xheladin Hamza, fati i Kosovës në zymtësinë e harkut më të errët të historisë, e kishte lidhur përherë me të, mirëpo, përveç në poezinë “Terrii i ballkanit”që kemi ca motive të stilit elegjiak, dy poezitë e tjera (Pavarsia dhe Luan Haradinaj), rrafshi motivor i tyre ka nota lirie e krenarie, dhe me një optimizëm guximtar, madje, do të thoja deri në gatitje për kushtrim të ri:

 

“Jeton Kosova, feston Shqipëria, gatitet Çamëria, hej...!”

 

Ndonëse, duke qenë i vetëdijshëm se opusi poetik i këtij vëllimi poezish ka dimensione edhe me të theksuara, si në aspektin motivor, ashtu edhe në atë meditativ, megjithatë në ketë recension (sigurisht sipërfaqësor), jam përpjekur i nderuari lexues, që sado pak të jap një pasqyrë, ku paraprakisht do të mund të orientohesh nëpër rrjedhën e valëve poetike që burojnë nga Itaka” e poetit tonë Xheladin Hamza.

Ju merreni e shijoni si të doni, se tani e tutje janë tuajat!

 

Rahovec, tetor 2008.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora