| E diele, 28.11.2010, 02:54 PM |
“Ngjyrat e shkëlqimit”
Xheladin Hamza
Parathënie
Nga Miftar Kryeziu
Në qoftë se krijimi i poezisë i ngjan një odisejade, siç do të thoshte studiuesi ynë i mirëfilltë i poezisë bashkëkohore shqipe Agim Vinca, kurse odisejada është, siç dihet, një udhëtim i gjatë dhe i përcjellur me shumë peripeti, atëherë poeti është ai që kërkon atdheun e tij, njësoj si heroi legjendar i Homerit – Odiseu, që kërkoi Itakën.
Po cila është Itaka e çdo poeti?
Pa asnjë mëdyshje do të them; është bota shpirtërore e tij, që lehtë mund të ngacmohet nga një zhurmë, e cila prapa lë një gjurmë, madje, sado e vogël të jetë ajo, qoftë dhe vetëm një fishkëllimë, megjithatë, tejzat në thellësinë e tij, padyshim e detyrojnë atë, që ta shpalosë aty vetveten, e të përpiqet të zbërthejë perceptimin e rrjedhjes së saj, gjithnjë në kërkim të sublimes. Aty, mbi të gjitha, ai më së miri gatitë fuqinë e fjalës, sepse e njeh deri në rrënjë “Itakën e tij”.
Kështu, gjatë një udhëtimi odisejadesk nëpër botën e tij shpirtërore, edhe poeti ynë tanimë i njohur Xheladin Hamza, na solli para nesh librin e dytë poetik me titull mjaft domethënës “Ngjyrat e shkëlqimit”.
Përse ky titull? Apo, mos vallë poetit i erdh nga një burim hyjnor?
Po, - do të pëshpëriste ai – atëherë kur:
“Fillimin dhe mbarimin e jetës
i përputha në një pikë
porsi një semazem...”
Semazeni - është personi i cili e ekzekuton apo praktikon Semanë, si teknikë mjaft e ndërlikuar.
“Semaja është manifestim i lëvizjes së trupave qiellor, ku udhëheqësi i Semasë, mentori; simbolizon diellin ose aksin e sistemit dinamik të Galaktikës, kurse semazenët, të inicuarit, në lëvizje rrethore, simbolizojnë planetet, pra kemi të bëjmë me një valle kosmike, për unifikim me kosmosin”. – thotë njohësi më i mirëfilltë dhe autokton i këtij riti tek ne, Fahredin Shehu.
Madje, derisa Rumiu për Semanë shkruan se:
“Shoh ujërat që vrushkullojnë nga gurrat e tyre
Degët, lisat që vallëzojnë si penduesit
Gjethet që me duar rrahin si muzikantë...”
..., vargjet e sipërtheksuara të tij, janë ndoshta një pasqyrim simetrik dhe plotësisht i përputhen një ritmi që reflekton afinitet inercioni, vargjeve të shkëputura të poetit Xheladin Hamza:
“Shpirtbardhët i merr me lehtësi
të përcjellur me muzikën hyjnore të semas
e të mbështjellur me aromë lulesh
të këputura nga kopshti i Edenit...”
..., andaj, thekson se:
“Tërë jetën dëshirova të bëhem semazen
kërcimtar i paepshëm i semas në shpirt të jem...”
..., sepse, poeti ynë është udhëtar i dëshirave të tija, të cilat ashtu si i shfaqen në mugëtirën e shtratit shpirtëror, ashtu të tilla ia do edhe zemra. Dhe se:
“butësisht si fëmijë do kapemi për dore
në sexhde bijmë para të Madhit Zot
se jemi udhëtarë të amshimit...”
Kjo lë të kuptojmë se Uni i poetit Hamza është shumë stabil dhe se në çfardo ndërrim kondite, ai prap është i lidhur shumë fortë me Universin Hyjnor – Perëndinë:
“aty ku engjëjt pa ndërprerë
zëshëm këndojnë
TEKBIRIN...!”
Duke shfletuar me kujdes faqet e librit dhe duke i medituar vargjet e shkruara nëpër to, do të na shpirtëzohet një ndjenjë lakmuese, brenda së cilës shtrihet dashuria, si maksimë më universale, e që shkëndijat e saja depërtojnë deri në thellësi dhe, shpeshherë, bëhen pjesë intime e jetës njerëzore, në këtë mes edhe të krijuesit.
Në këto shtigje edhe bota intime e poetit Xheladin Hamza, është e fshehur thellë, madje, do të thoja, shumë e thellë dhe jo rrallëherë atë e ndrydhë, për ta shpalosur ndonjëherë vetëm nëpër ëndrra, siç shprehet në poezinë;“Ëndrrat e mia”:
“Lëri në qetësinë e shpirtit tim
se janë vetëm ëndrrat e mia
pjesë e jetës sime...”
Këto ëndrra janë valë të dashurisë njerëzore. Dhe meqë atyre nuk mund t’i ketë ikur askush, as poeti nuk do të tentojë ta provojë këtë, andaj ai i hap rrugë të dashures së tij, duke i thënë:
“Bëhu e lirë
dhe lundro kah do
se shpirtin e kam
det të hapur
vetëm për ty...”
..., ndërsa zemra e tij për të është F o l e j a ku ajo me ëndje zbret dhe gjen prehje.
Megjithatë kur poeti disi vjedhurazi kthehet në vitet e hershme të rinisë, atë e mbështjellë një nostalgji, e cila thuajse ia vjelë ngadalë dhe një nga një gjethet e një kohe dikur të njomë. Ndonëse e di fort mirë se nga askush nuk do të merr ndonjë përgjigje, ai nuk heziton t’i bëjë pyetje vetes me një stili retorik:
“- Përse flokët më janë zbardhë?
- Ku ikën vitet e mia?...”
Pothuajse, si gjithë krijuesit shqiptarë, ashtu edhe poetin Xheladin Hamza, fati i Kosovës në zymtësinë e harkut më të errët të historisë, e kishte lidhur përherë me të, mirëpo, përveç në poezinë “Terrii i ballkanit”që kemi ca motive të stilit elegjiak, dy poezitë e tjera (Pavarsia dhe Luan Haradinaj), rrafshi motivor i tyre ka nota lirie e krenarie, dhe me një optimizëm guximtar, madje, do të thoja deri në gatitje për kushtrim të ri:
“Jeton Kosova, feston Shqipëria, gatitet Çamëria, hej...!”
Ndonëse, duke qenë i vetëdijshëm se opusi poetik i këtij vëllimi poezish ka dimensione edhe me të theksuara, si në aspektin motivor, ashtu edhe në atë meditativ, megjithatë në ketë recension (sigurisht sipërfaqësor), jam përpjekur i nderuari lexues, që sado pak të jap një pasqyrë, ku paraprakisht do të mund të orientohesh nëpër rrjedhën e valëve poetike që burojnë nga “Itaka” e poetit tonë Xheladin Hamza.
Ju merreni e shijoni si të doni, se tani e tutje janë tuajat!
Rahovec, tetor 2008.