E premte, 26.04.2024, 01:11 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: “Njeriu i ri”

E hene, 08.11.2010, 10:59 PM


“Njeriu i ri”

 

Nga Reshat Kripa

 

Shkak për këtë shkrim u bë një bisedë që po zhvillonim me disa miq gjatë një kafeje që po pinim së bashku. Gjatë kësaj bisede njeri prej tyre m’u drejtua:

- Ti që shkruan nëpër gazeta të ndryshme, përse nuk thekson genin negativ të shqiptarit, që për shekuj me rradhë e ka penguar këtë komb të eci përpara?

Kjo pyetje ngjalli një diskutim të gjatë. Disa e përkrahnin mendimin e tij. Të tjerë e kundërshtonin. Të gjithë ngrinin argumenta në mbrojtje të tezës së tyre. Përkrahësit e genit negativ ngrinin provat e shpërfytyrimit të sotëm të personalitetit të njeriut, të shndrimit të tij në një skllav të parasë. Për këtë sillnin shembuj të ndryshëm se si njerëzit e sotshëm ishin shndërruar në vrasës dhe trafikantë droge apo qëniesh njerëzore. Sillnin shembuj të vrasjeve edhe brenda gjirit të familjes, ndërmjet bijve dhe prindërve, ndërmjet vëllezërve midis njeri-tjetrit për një shkak fare banal si ai i një pëllëmbe truall. Të tjerët e kundërshtonin duke sjellë si shembull traditën fisnike të shqiptarit, nderin dhe besën e tij.

Unë rrija dhe i dëgjoja. Më dukej sikur të dy palët kishin të drejtë në argumentat e tyre. Nuk arrija të përcaktoja se kush kishte të drejtë. Ndaj nuk flisja. Rrija dhe mendoja. Cila palë kishte të drejtë?

Para syve më dilnin shqiptarët gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve të fundit. Ndonse i vogël, por më kujtoheshin ato vite të luftës kur  të gjithë bashkë u ngritën në luftë kundër okupatorit, pasi i kishte thirrur zëri i atdheut. Por edhe kjo luftë u shndërrua në një luftë ku vëllai vriste vëllanë. Më kujtohen edhe vitet pas mbarimit të luftës kur qytetarët shkonin për të ndërtuar “Shqipërinë socialiste me emrin e partisë në gojë”.  Por prapa kësaj fasade madhështore, prapa kësaj demagogjie,  fshihej një prapaskenë e madhe. Lufta pa princip kundër asaj që quhej borgjezia shqiptare. Ajo duhej eliminuar me çdo kusht.

Pasojë e kësaj ishin gjyqet e pafund dhe dënimet skrupuloze kundër ajkës së inteligjencës shqiptare të trashëguar nga e kaluara. Inxhinierë, agronomë, gazetarë, publiçistë, mjekë, ekonomistë, ushtarakë të shquar që kishin mbaruar studimet në universitetet më në zë të Europës, u eliminuan pa pikën e hezitimit dhe vendin e tyre e zunë një grup “Sans culottësh“   që vinin nga  shtresat më të ulta të këtij kombi.

Vitet kaluan dhe rregjimi përgatiti kuadrot e tij të revolucionit proletar. Krijoi ato që u quajtën “Njeriu i ri socialist“. Ky “Njeri i ri” ishte ai që spiunonte shokun apo vëllanë e tij, që të vriste natën dhe të qante ditën, që vidhte shtetin e tij, kush një kile domate, kush një qengj, kush një dollap dhe kush një dhomë gjumi sipas pozitës që kishte secili. Besoj se nuk ngeli shqiptar që të mos vidhte qoftë edhe një gozhdë të vetme. Vjedhja u shndrrua në mënyrë jetese, se nuk kishte mundësi tjetër jetese. Ky ishte   “Njeriu i ri“. Kishte humbur personaliteti i tij. 

Megjithatë turma vazhdonte të brohoriste udhëheqësit. Pëllëmbat e duarve të tyre kishin zënë kallo nga duartrokitjet. Zërat ishin ngjirur nga brohoritjet për “idhujt e pavdekshëm“. Një garë e pashpallur midis popullsisë se kush do të ishte më i pari në servilizmat. Ishin pjellat e “Njeriut të ri socialist“. Dhe këta  njerëz i  shihnim të shkatërronin kisha e xhamia, të manifestonin rrugëve  për të dalë “vullnetarë“  për të “jetuar të lumtur“ në  “fshatin e lulëzuar”    jetonte  me bukë thekre apo misri, pa qumësht dhe pa mish  dhe që ishte i detyruar të punonte nga mëngjesi në mbrëmje vetëm për një grusht të hollash që nuk mjaftonin as për të mbajtur frymën. Përse ndodhte një gjë e tillë?

Kur Neroni dogji Romën, populli i revoltuar iu vërsul pallatit perandorak. Neroni i trembur iu drejtua për ndihmë këshilltarit të tij, të urtit Seneka dhe ai i tha:

- Hidhja fajin të krishterëve. Thuaju se e dogjën ata.

- Por, a do të më besojnë? – pyeti Neroni

Dhe Seneka u përgjigj:

- Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!

Një përgjigje e goditur që i përshtatet më së miri popullit tonë.

Vitet kaluan. Sistemi totalitar që kishte krijuar “ Njeriun e ri “ u përmbys. Por nuk ishte përmbysur ky “Njeri i ri“. Ai ishte shndërruar në një përbindësh që pak dhe nga pak depërtoi në pushtetin politik dhe ekonomik të vendit. Majtas dhe djathtas, ithtarët e sistemit të përmbysur i kthyen krahët atij, filluan ta mallkojnë dhe anatemojnë dhe sa hap e mbyll sytë u shndërruan në demokratë të kulluar, që gjoja me kohë na paskëshin luftuar për këtë demokraci. Natyrisht gjithsecili ka të drejtë të ndryshojë. Por, më parë, ai duhet të reflektojë. Nuk kam dëgjuar asnjërin prej tyre të hedhë poshtë pjesën e keqe të ndërgjegjes së tij. Asnjë nuk pati kurajon të bënte një veprim të tillë. Asnjë nuk kërkoi falje për veprimet që ishte i detyruar t’i kryente.

Pasojat e këtyre “Njerëzve të rinj“ i shohim sot në çdo hap të jetës. Ata na janë ngatërruar nëpër këmbë dhe nuk na lenë të ecim përpara. Ata i gjen kudo. Janë në krye të politikës dhe jetës shoqërore shqiptare, në krye të mediave dhe organizmave që veprojnë në vend. Këta oktapodhë kanë ndrydhur vullnetin e një populli të tërë.

Këto kujtoja kur miku im më bëri pyetjen e mësipërme. Para disa vitesh në televizionin shqiptar kam parë një dokumentar, bazuar në shkrimet e Ismail Kadaresë, mbi ruajtjen e vlerave morale të kombit tonë, mbi identitetin e këtij kombi. Shkrimtari i madh i ngrinte lart këto vlera. Ai mundohej të arsyetonte shkakun pse në vendin tonë monumentet e kulturës, kalatë dhe objektet e kultit  ishin shumë më të pakta se në vendet fqinje. Për këto bënte shkaktarë pushtuesit që e kishin sunduar këtë vend me shekuj.  Atëhere i dhashë të drejtë dhe me veten time e falënderova për temën e trajtuar. Por sot, me keqardhje dhe dhimbje, konstatoj se gjërat nuk janë krejtësisht ashtu. Ne vazhdojmë të jemi të vonuar në rrugën tonë. Dhe kjo është një trashëgimi nga e kaluara. Pamvarësinë e fituam gati një shekull më vonë se fqinjët. Edhe diktaturën e përmbysëm gati dy vjet më vonë se shtetet e tjera. Sot vazhdojmë të jemi të vonuar në rrugën drejt Europës. A do të vazhdojmë të jemi akoma nën tutelën e këtij “Njeriu të ri“?

Koha do ta tregojë një gjë të tillë.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora