E shtune, 18.05.2024, 03:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Emërtesat e guidave të sotme zyrtare të profesioneve me shqipe të dëshiruar (I)

E diele, 31.10.2010, 07:57 PM


Emërtesat e guidave të sotme zyrtare të profesioneve me shqipe të dëshiruar

 

(në prag të regjistrimit të popullsisë)

 

Nga Dr. Nuhi VESELAJ

 

(1) KONSTATIME TË VEÇANTA RRETH GJUHËS SË TRI  GUIDAVE TË SOTME TË PROFESIONEVE

 

Në të vërtetë, ne, në vijim, siç e theksuam më sipër, pa mohuar anët gjithsesi pozitive të të tri burimeve në shqyrtim, pra, pa mohuar,  së pari,  tekstin si libër a guidë me grumbullim materiali në vëllim të konsiderueshëm, siç thuhet me plot lëndë të parë, kryesisht të (gjysmë)përpunuar dhe së dyti, metodën e punës si dhe mënyrën e klasifikimit të profesioneve si dhe të disa emërtimeve të grupeve bazë të përpunuara, sepse ato janë mbështetur në kritere të qëndrueshme universale, do të përpiqemi me i paraqitë vlerësimet a konstatimet tona vetëm rreth gjendjes shkrimore-gjuhësore e terminologjike të shqipes që i përshkojnë këto burime. Natyrisht, këtë rast, pa mohuar, pra, anët pozitive, do të vëmë në pah lajthitjet eventuale, të shkaktuara, qoftë nga pakujdesia, qoftë nga mungesa e përvojës së ekspertëve përkatës për t’u marrë me një fushë të tillë të panjohur e të parrahur mirë, qoftë nga plogështia e organizimit të organeve shtetërore në etapën e caktuar të ashtuquajtur të transicionit që ka kaluar ose po kalon  shoqëria përkatëse shqiptare, e ku ta dimë.

Sidoqoftë, këto fjalë jo të mira që sapo na shpëtuan  ose  na shpërthyen, si me thënë, spontanisht, për punën e bërë në këto tri guida, janë teprime apo jo, le të vlerësohen, pasi të njihet lexuesi i nderuar dhe ekspertët e degëve përkatëse me disa nga konstatimet dhe vërejtjet tona konkrete, të cilat edhe mund t’i shikojnë me sy kritik, madje edhe t’i kundërshtojnë ose edhe t’i korrigjojnë e përplotësojnë ato.

Ç’është e vërteta, vlerësimin tonë rreth gjuhës së teksteve të burimeve në shqyrtim po i japim veç e veç, duke filluar nga burimi i Prishtinës (KPK) dhe pastaj tek ato të Tiranës (T1 dhe T2), pasi këto dy të fundit janë të një vendburimi hartues dhe dalin disi në një kontinuitet sadopak të hetueshëm.

 

A. Nga Klasifikimi i profesioneve në Kosovë

 

Në këtë burim, që ka titullin Klasifikimi i profesioneve në Kosovë, janë përfshirë mbi 2000 profesione dhe janë përzgjedhur (shprehur) 1000 përshkrime të profileve të profesioneve ose të punëve e të detyrave nga vendi përkatës i punës. Kështu teksti përgjithësisht (pra edhe me përshkrimet) sasiorisht, kundruar veç e veç, del më i gjerë se dy burimet e Tiranës dhe, siç do të shohim nuk duket se pati ndikim a ndërlidhje kontinuale me to, por që të gjitha (që të tri burimet) në parim janë hartuar ose kanë pasur  orientimin drejt ISCO-88-ës. Në të vërtetë, siç pohohet në hyrje-sqarim të këtij teksti, që nga viti 2002, paska lindur interesimi nga nevoja për një klasifikim të versionit të ri të klasifikimit të profesioneve, sepse klasifikimi i profesioneve në Kosovë, pas Çlirimit nga Serbia, që tani e kishte si bazë zbatimore Standardin Ndërkombëtar të Klasifikimit të Profesioneve ose ISCO-88.com që përdoret në Bashkimin Europian, nuk u përshtatej kërkesave e kushteve të Kosovës, madje edhe versionet që përdoreshin në ish-Jugosllavi tashmë nuk ishin të zbatueshme. Kështu, që në vitin  2004 qenka formuar një grup punues i përbërë prej 10 ekspertësh vendës dhe plus dy këshilltarë ndërkombëtarë, grup ky, i cili pas plot 16 muajsh pune intensive (dhjetor 2004 deri në mars 2006) e paska përfunduar tekstin e ri, pikërisht këtë që e kemi tani në shqyrtim me titull Klasifikimi i profesioneve në Kosovë, i cili u nënshkrua nga palët kompetente shtetërore më 30 maj 2006 dhe hyri në fuqi “si standard i obligueshëm në aktivitetet e palëve nënshkruese të MM” më 15 qershor 2006. Hartuesit e këtij versioni, siç thuhet, patën si orientim konsultimi edhe versionin e klasifkimit të profesioneve përkatëse të Sllovenisë si dhe atë të Maqedonisë, ndërsa atë të Beogradit si dhe atë të Tiranës nuk i përmendin  fare.

 Sido që të jetë, në të vërtetë, ky tekst-guidë, nëse mund të shprehemi kështu, del si një bina-ndërtesë që me pa nga jashtë duket si me qenë objekt i përfunduar mirë, madje edhe nga brenda duket se i ka të ndara mirë hyrjet, korridoret, apartamentet etj., por shikuar edhe më nga përbrenda rezulton si një punë jo e kryer si duhet, sepse del e pabanueshme gjuhësisht, ngase i mungon akomodimi me suvatimin e nevojshëm e të domosdoshëm gjuhësor. Themi kështu sepse, ç’është e drejta, siç u cek më sipër, në mjaft raste zgjidhjet që jepen aty, me sa pamë e do t’i shohim bashkë, lexues i nderuar, dalin nën nivelin e zgjidhjeve që jepeshin ose ishin në përdorim e sipër në administratën shqipe në Kosovë në vitet e ’70-a, e më pas, kur qe bërë përkthimi (ose kalkëzimi) zyrtar i nomenklaturës së profesioneve nga serbokroatishtja në shqipe, madje nuk del as në harmoni me disa emërtime të kësaj natyre që kanë traditë përdorimi si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e më gjerë.

Sidoqoftë, siç paralajmëruam, për vlerësimin e këtij burimi, së pari a fillimisht do të vëmë në pah ndonjërin nga lëshimet e përgjithshme formale teknike e parimore dhe së dyti, do të japim konstatime e vërejtje konkrete që kanë të bëjnë me lajthitje nga fusha drejtshkrimo–gramatikore dhe logjike-gjuhësore, me të cilat përshkohet ky tekst.

 

1) Konstatime ose vërejtje të përgjithshme formale

                                teknike e parimore

 

Edhe pse gëzon fakti se teksti i këtij burimi nuk del dhe aq me lëshime të mëdha e serioze formale teknike e parimore, siç i ndeshim, siç do t’i shohim në 2 burimet e Tiranës (T1 e T2), megjithatë nuk është edhe krejt pa to. Konstatimet dhe vërejtjet tona lidhur me këtë po i japim në këto tri pika:

 

Së pari, si gabime shtypi me pasoja, po përmendim rastet: judiktaturë (juridikaturë), gjyeti. f. 72, (gjueti), enolog (etnolog), suvates (suvatues), labnorator (laborator), shtetëtore (shtetërore), marrëdhënje (marrëdhënie), biblotekist (bibliotekist),  manykirist, f. 396, (manikurues),  paleta, f 364,  (palestra), kosmetologt (kozmetikolog)  etj. etj.

 

Së dyti,  si lajthitje parimore po përmendim faktin se janë me qinda raste shembujsh në të cilët nuk ka përshtatje gjinie e eptimi, dhe kjo për arsye se:

 

1) Nuk është përfillur trajta përfaqësuese emërtimit të profesionit, po dalin të shënuar bashkë emrat mashkullorë e femërorë, andaj, për shkak të një ngatërrimi të tillë të panevojshëm,  treguesit e togfjalëshit sqarues të emërtimit patjetër lënë mangët ose lënë pezull patjetër, njërin emërtim sipas gjinisë përkatëse, p..sh. 

arsimtar/arsimtare i fizikës: asistent/asistente e fizikës (f. 384), gjeodet/gjeodete projektant (f. 31), elektroinxhinier/elektroinxhiniere serviser (f. 29), matematikan programere (f. 27) etj. etj.

Sigurisht për t’i kthyer mbarë gramatikisht gabimet e tilla lypset intervenim mbase në mija raste të emërtimeve në fjalë.

 

2) Edhe te përshkrimi i detyrave nga vendi i punës, pothuajse, ndeshim me qinda e qinda raste të mospërshtatjes së rasës ose të eptimit të foljes me atë që kërkohet nga fjalia paraprirëse, p.sh.:

 Detyrat përfshijnë: 

a) Përmbajtja... b) kontrollim....(f. 148); a) operimi..., b) saldimi..., c) prerja..., ç) realizim..., d)  mbikëqyrja...(f. 283) etj. etj.

Siç dihet, kur kemi parasysh togun: Detyrat përfshijnë: në të gjitha pikat, emri  do të duhej të fillojë në kallëzoren e shquar: përmbajtjen... etj. ose folja e fillimit  do të duhej  fshirë ose të ndryshonte eptimin (diatezën).

 

 Së treti, si defekt po përmendim faktin se, me sa pamë, mungon shifra bashkë me tekst-emërtimin profesioneve të grupit të vogël, me këtë përmbajtje  (Shih f. 49):

324  Përdoruesit e mjekësisë tradicionale dhe shëruesit besnikë(!)

3241 Përdoruesit e mjeteve tradicionale

3242. Shëruesit besnikë(!).

 

Sqarim.- Teksti është marrë nga faqja 200, prej nga kuptohet se rastësisht ka ndodhur defekti. Sidoqoftë, lidhur me tekst-fragmentin e më sipërm, jemi të detyruar të sqarojmë si më poshtë:

a) Me shëruesit besnikë, sigurisht (nën)kuptohet të shëruarit me besim. 

            b) Pas dy shifrave të fundit sipas rregullit do të duhej të dilnin emërtimet përkatëse të profiluara  gjashtëshifrore, të cilët mungonin edhe te sqarimi f. 200.

 

Sidoqoftë, edhe pse, siç u tha, teksti i burimit në fjalë, nuk vuan aq nga defekte të rënda sa i përket anës formale, pos gabimeve të shtypit e të tjera që prej tyre u përmendën vetëm disa, megjithatë, vëzhguar në anën tjetër, edhe më keq del teksti, ngase përshkohet nga një mal lajthitjesh e gabimesh gjuhësore, siç do të shohim në vijim, sa që në disa raste dalin aq lëshime neveritëse sa nuk mund të kalojnë pa pasoja për lexuesit e rëndomtë, madje edhe për vetë përdoruesit e shfrytëzuesit e tekstit në fjalë, e mos të flasim për opinionin e gjerë dhe nëpunësit e thjeshtë e të tjerë, pa përvojë, të ndërmarrjeve e institucione të ndryshme shoqërore e private, të cilëve u dedikohet.

 

2. Konstatime dhe vërejtje konkrete gjuhësore

 

 Në konstatime a vërejtje gjuhësore do të përfshijmë tërë tekstin jo vetëm listën e emërtimeve të profesioneve me pjesën e përshkrimit të grupeve të profilimeve të profesioneve. Pra, kemi parasysh edhe pjesën që e parashoqëron dhe atë që passhoqëron: klasifikimin dhe përshkrimin e profesioneve.

 

Së pari, që nga fillimi (te nenet e MM-së (Memorandum Mirëkuptimi) dhe në vijim tekstin e përshkojnë shumë shprehje të shqipes së përdëshiruar, si p.sh.:

Sistemi KPK është zhvilluar (n.v. hartuar!) që mund të themelojnë një fjalor (të hartojnë listë emërtesash të profesioneve); ... për gjatë tërë Kosovës.../ose/. për gjatë Bashkimit Evropian (për Kosovën, ose BE-në/ ose në kuadër të Kosovës ose në suazat e BE-së); palët ndajnë përgjegjësinë...; (marrin zotimin ose obligohen); kjo marrëveshje do të hyn  (n.v. hyn ose do të hyjë) në fuqi; Menaxhmenti operativ i njësisë do të ofrohet...nga komiteti Drejtues (do të udhëhiqet (drejtohet a menaxhohet!) nga Komiteti drejtues); Marrëveshja do të ekzistojë (do të jetë në fuqi n.v.) deri sa një instrument ligjor i zëvendëson drejtimet brenda këtij MM (deri sa një instrument (nën)ligjor e shfuqizon këtë akt-marrëveshje! etj.

 

Së dyti, edhe pse konstatohet se kjo guidë është hartuar nga kuadri përkatës (përfaqësues të UNMIKUT dhe të 5 institucioneve zyrtare shtetërore:

1. Ministria e Punës dhe e Qenies Sociale- Prishtinë,

2. Enti i Statistikave të Kosovës,

3. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë- Prishtinë,

4. Oda Ekonomike e Kosovës dhe

5. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës

dhe cilësohet  teksti në shqipe si formulim origjinal bazë dhe si i tillë, siç thuhet aty, do të përkthehet në anglisht e serbisht, mund të konstatohet pa drojë se tërë teksti në shqipe i këtij Memorandum Mirëkuptimi për përdorimin e klasifikimin e profesioneve në Kosovë, është punuar (kalkëzuar jo mirë) mbi bazë ose nën ndikimin e teksti përkatës në gjuhën angleze, madje edhe të atij të serbishtes (në mënyrë implicite), pa e përjashtuar edhe ndonjë gjurmë emërtimi nga teksti i Tiranës (T1).

Sido që të ketë qenë, teksti i shqipes stilistikisht e përmbajtësisht ka pasur nevojë të qartësohej dhe gjithsesi gjuhësisht të korrigjohej, madje edhe të harmonizohej edhe më mirë me tekstin anglisht dhe atë serbisht dhe sidomos për raste të caktuara domosdo edhe me atë të Tiranës. Fundja, gjithsesi, tërë teksti në shqipe do të duhej të ishte më në nivelin e duhur se që është tani. Kjo ngritje nivelimi (me korrigjim e përplotësim) do të duhej  të përfshinte që të shtatë titujt (kapitujt) që ka përmbajtja e tekstit në shqyrtim.

 

Së treti, në kontekst, siç u tha, në pikën e mëparshme për të dëshmuar se teksti shqip nuk del i harmonizuar si duhet ose nuk del i hartuar drejt në krahasim me tekstin e versioneve anglisht e serbisht (në të cilat gjuhë do të duhej përkthyer??!), po e ilustrojmë me një fjali që e shkëputëm nga pjesa e fundit e  kryerreshtit të parë nga titulli Sqarimi metodologjik, me nëntitull Përkufizimi dhe qëllimi i klasifikimit të profesioneve:

 

Ja, teksti shqip që ndeshet aty:

            KPK  (Klasifikimi profesioneve në Kosovë, n.v.) përdoret në regjistrime administrative dhe institucionet tjera siç janë regjistrat ose baza e shënimeve dhe analiza statistikore si dhe në regjistrimin e popullsisë.

 

Teksti anglisht:

The KOC is used in administrative records under the responsibility of

public administration and other institutions such as registers or databases and statistical surveys as well as in the census.

 

Teksti serbisht:

KPK je upotrebljena u administrativnoj evidenciji pod odgovornoshqu

javne administracije i ostalih instituicija kao shto su registracije  ili baze podataka i statistiçka istrazhivanja kao i popisi..

 

Varianti shqip i përshtatur (përkthyer) prej nesh:

 

KPK-ja ka ligjësi zbatimi  në adminstratën publike dhe në institucione të tjera, siç janë institucioni për hulumtim e evidentim, ai i analizës së të dhënave statistikore siç është edhe institucioni i regjistrimit të popullsisë.

 

            Edhe pse mund të ketë edhe version tjetër teksti, por për ne është me rëndësi që të ketë lidhshmëri logjike, ngase në tekstin e kontestuar prej nesh nuk ishte i shënuar qartë institucioni i parë, e së këtejmi të dilte i arsyeshëm shumësi dhe institucionet e tjera. Madje njëri nga ato institucione mund te quhej ent, qendër, “databazë”ose bazë e të dhënave statistikore etj. Së këtejmi, çështja se si mund të përcaktohet fakti se cili destinim e zë vendin e parë e të dytë në radhitje etj. mund të ndërlidhej me kuptimësinë e natyrës së kontekstit. Ne me qëllim e përsëritëm treguesin institucion në togfjalëshin e fundit siç është: institucioni i regjistrimit të popullsisë që nuk e kishte kështu origjinali, por që nënkuptohej, sipas atmosferës së analizës që po bëjmë ne aktualisht.

 Me fjalë të tjera duam të themi se për të hartuar ose për të  përkthyer një tekst  ai duhet të vështrohet si tërësi dhe dora e fundit patjetër duhet dhënë, duke u bazuar në harmonizimin e tërë përmbajtjes së tekstit sipas destinimit ose natyrës së stilit funksional gjuhësor që i takon. Në këtë kontekst, për mendimin tonë, tekstit Klasifikimi i profesioneve në Kosovë, kështu siç është, fillim e mbarim, i mungon harmonizimi i tillë e sidomos kjo shihet tek emërtimet togfjalësha ose kur kemi të bëjmë me shtojca sqaruese shumëfjalëshe, ku ceken punët dhe detyrat përkatëse konkrete në vendet e punës që lidhen me profilimin e profesioneve  përkatëse

 

Së katërti, në këtë burim ka raste të shkeljes së normës në ndërkëmbimin e tingujve, si p.sh.:

a) ndërkëmbim bashkëtingëlloresh:

k/g blektori (blegtori);

q/ç: poqar (poçar);

s/z:  gas (gaz);

z/s konzervator (konservator),  recenzent (recensues);

q/sh: shiqim (shikim);

gj/xh sharrëgji /sharrëgjike (sharrëxhi/ sharrëxhije), qerregji/ qerregjike (qerrexhi qerrexhije!);

r/rr karoseri (karroceri), zjari (zjarri);

s/c ose c/s: balansues (balancues), akcioner (aksionar, aksionist);

gj/xh: agjustator agjustatore (axhustator/ axhustatore);

ç/c inçizues (incizues);

b)  ndërkëmbim zanoresh:

e/ë amvise (amvisë), roje (rojë);

a/ë: arkatar (arkëtar);

e/a disejner (dizanjues ose dizajnues),;

e/o: regjiser (regjisor);

zero/a: kamerman (kameraman);

a/e: veterinar (veteriner).

 

Ndonjëri nga rastet e mësipërme mund të jetë edhe i diskutueshëm në raportin  dialekt/qëndrueshmëri norme, por ne i shënuam si raste që patjetër duhen rishikuar dhe gjithsesi korrigjuar.

 

Së pesti, ndeshim edhe mjaft shpërputhje të tjera drejtshkrimore ndaj normës, si: paisje (pajisje), të brendëshme (të brendshme), pastaj trajtat e shumësit: sportista (sportistë),  pastruesët (pastruesit) etj.

 

Së gjashti, në këtë burim, edhe më dukshëm, vihen re formime të paqëndrueshme  me prapashtesat përkatëse si p.sh.:

a) Me –IST: mekanist (mekanik), daktilografist (daktilograf) gjenetist (gjenetikan), tapiserist e tapicierist (f. 414) (tapicier), grafist (grafikan), kosmetolog (kozmetikolog) ekologjist (ekolog), zoologjist (zoolog), farmakologjist (farmakolog) dokumentalist (dokumentist), fotografist (fotograf), agroekologjist (agroekolog), numerologist (numerolog), librarist (librar).

b) Me prapashtesë-mbaresën –A/TOR ka mjaft shembuj të diskutueshëm, por pasi disa raste do të ceken e diskutohen edhe në burimet pasuese, këtu po përmendim vetëm shembullin preparator ose përgatitor në vend përgatitës.

c) Me fundoren shpifëse –CIENT, pa kurrfarë mbështetjeje, për çudi(!), dalin disa shembuj si: fizicient (fizikan), gjeofizicient (gjeofizikan), statisticient (statistikan), matematicient (matematikan),  muzicient (muzikant, muziktar).

 

Së shtati, si pikë më vete po e përmendim raportin ndërgjinisor, jo të natyrshëm, në vend  të femërorëzueses –E, janë futur në përdorim, për çudi, pa nevojë  fare, prapashtesa a formante të tjera të ndryshme, që në mjaft raste as njëra as tjetra trajtë ndërgjinisore nuk është e qëndrueshme normativisht ose nuk është e padiskutueshme, p.sh.:

a) me –ISTE ekonometrik/ekonometriste, mekanik/mekaniste, elektromekanik./elektromekaniste, llogaritar / llogariratistja, aktuar/aktuariste, revizor/revizoriste,  fizioterapeut/ fizioterapiste;

b) –C/IENT statisticient / statisticene, muzikant / muziciente, gjeofizicient / gjeofizikane

c) me  -KA (prapashtesë sllave): apreter/ apreterka (apretues/apretuese),

ç)  me –ATORE (prapashtesë italiane): disenjer/disenjatore (dizenjues/  dizenjuese);

d) me –ESHË (prapashtesë sinonimike shqipe, e panevojshme në raste të tilla sipas stilit zyrtar drejtor/drejtoreshë (drejtore), restaurator/restauratoreshë (restauratore), ministër/ministreshë (ministre);

dh) me –INJA ( prapashtesë sllave): kustos / kustosinja  kustos/kustose);

e) me prapashtesën –KE (kontaminim i prapashtesës sllave –KA + E shqipe): zanatçi/zanatçike (zanatçije!), bojaxhi/bojaxhike, (bojaxhije) bozaxhi/bozaxhike (bozaxhije,) kazanxhi/kazanxhike (kazanxhije), kacaxhi/kacaxhike (kacaxhije, kujunxhi/kujunxhike (kujunxhije), plisaxhi /plisaxhike (plisaxhije).

 

Siç dihet, për të gjitha rastet e pikave të mësipërme, nëse trajta e emrit në gjininë mashkullor del e drejtë me bashkëtingëllore fundore për femërorëzimin e tij (të njeriut sipas profesionit), mjafton vetëm prapashtesa femërorëzuese –E. Në të vërtetë, e metë jo e vogël praktike e këtij burimi, siç u cek më sipër,  është se nuk është respektuar gjinia përfaqësuese e emërtimit, e cila zakonisht si e tillë konsiderohet ajo e gjininë mashkullore, ndërsa në raste fort të rralla si gjini përfaqësuese për profesionin e caktuar mund të qëndrojë edhe emri në gjininë femërore, por kjo çështje si dukuri si dhe rasti i femërorëzimit të emërtimeve ose emrave  me –XHI meritojnë trajtim të veçantë më të hollësishëm. Për mos me u bë gabime të tilla më së miri do të ishte që emërtim i profesionit qoftë ai i gjinisë femërore, qoftë ai i gjinisë mashkullor, kur vendi i punës kushtëzon punonjësin sipas gjinisë, duhet të shënohen veçan në nomenklaturën e profesioneve. Në punimin tonë të doktoratës çështja e emërtimeve të profesioneve me gjini përfaqësuese femërore, është trajtuar në një krye të veçantë. 

 

Së teti,  ndonëse edhe te ndonjëri nga shembujt e mësipërm shihen mjaft raste të shpifura nën ndikimin e gjuhës serbe, këtu si pikë më vete do të  paraqitim pak më në hollësi pikërisht këtë fenomen, d.m.th. trajtat e emërtimeve nën ndikimin e gjuhës serbe: 

 

E para, po përsërisim trajtat e shembujve të më sipërm me prapashtesat që i quajtëm sllave të gjinisë femërore si, p.sh. apreterka (apretere a apretuese), kustosinja (kustose).e sidomos do të sqarojmë paksa rastet me –KE, siç ishin shembujt zanatçike, bojaxhike,  kazanxhike, kacaxhike, kujunxhike, plisaxhike. 

E thamë se shembujt e fundit meritojnë trajtim a sqarim më të hollësishëm, sepse prapashtesa serbe  -KA del e kontaminuar me femërorëzuesen e shqipes –E.  Kjo dukuri ka kapur vetëm disa raste të gjuhës kosovare(!) e jo të gjuhën shqipe në tërësi, prandaj këto lypset korrigjuar sa më parë, madje trajtat e tilla duhet larguar edhe nga ligjërimi i përditshëm dhe sidomos nga gjuha e shkruar.  Në të vërtetë, për të dëshmuar faktin se është i reflektuar te trajtat e tilla vërtet  ndikimi i serbishtes, sa për ilustrim, po i paraqitim këta tre shembuj. Krahaso:

1.  serb. f. komshijka, m.  komshija –  shq. fqinj fqinji fqinjë-t  ose kojshi kojshiu kojshi-të(!);  f. fqinjë-a fqinjat ose kojshije kojshija kojshije-t;

2. serb. f. sheshirxhijka m. sheshirxhija –  shq. m. sheshirxhi sheshirxhiu sheshirxhi-të (kapelëtar);  f. sheshirxhije –a sheshirxhije-t;

3. serb. duçanxhijka nga m. duçanxhija – shq. m. dyqanxhi dyqanxhiu dyqanxhi-të;  f. dyqanxhije-a dyqanxhije-t..

Lidhur me këtë bëj me dije lexuesin e nderuar se çështja e shquarsisë së emrave femërorë mbi këtë bazë bëhet me –i/JE. del e zgjidhur në FGJSH 2006 me femërorëzimin e gjinisë mashkullore, pra, me formantin –i/(j)e, ashtu siç bëmë ne në shembujt e mësipërm. Ja  10 shembuj, nga FGjSh 2006:

dajrexhi (dajrexhije), dallaverexhi (dallaverexhije), fshesaxhi (fshesaxhije),  qelepirxhi (qelepirxhije), jorganxhi (jorganxhije), qoftexhi (qoftexhije), qylaxhi (qylaxhije), qiraxhi (qiraxhije), shkresaxhi (shkresaxhije), dhe zanatçi (zanatçije),

prandaj trajtat e kontaminura me –KE duhet të korrigjohen patjetër. Fundi i fundit, shqipja, kur nuk ka emër paralel me –K fundore të gjinisë mashkullore, për gjininë femërore përdor prapashtesën –KË e jo –KE. Krahaso: tipi: grek/greke ose fshatarkë /fshatarka (serb.: seljanka), edhe pse qëndron nën hije të trajtës fshatare. Ndërsa  shumësi me –nj i tipit dyqanxhiNJ-të në vend dyqanxhi-të, për ne del i diskutueshëm, sepse –NJ-ja në këto raste del formant i shpifur pa nevojë, ngase i mungon baza n-j, nga origjinali i gjuhës dhënëse, siç e kemi shpjeguar gjerësisht dhe mjaft bindshëm në një punim tjetër.

 

E dyta, janë disa trajta me –T/AR/E, sipas biçimit të serbishtes, siç është shembulli: fotogramatar / fotogramatare (nëse nuk është shënuar gabim). Sipas rregullit trajta fotogramatar fotogramatarka të serbishtes, në shqipe duhet me dalë: m. fotogrametër/fotogrametri / f. fotogrametre!fotogrametra ose fotogrametrist/fotogrametriste!, varësisht nga konstrukti dhe kuptimi që ka vetë fjala bazë në kontekst.

 

E treta, pastaj emërtimi serb. veterinar në shqipe del në trajtën: veteriner dhe e kundërta ndodh lidhur me emërtimin në serbishte të termit akcioner, ashtu siç është edhe në tekstin në shqyrtim, ndërsa norma e shqipes për këtë koncept ka trajtën aksionar, madje edhe trajta me -ER. regjiser që aty del si në serbishte, regjiser  në shqipe del e normëzuar në trajtën regjisor, ashtu si edhe kondukter në shqipe konduktor.

 

E katërta, emërtimi i serbishtes autolimar në shqipe ka dalë, për çudi, autolimues(??!)  Themi për çudi, ngase  nuk është përkthyer mirë. Është fjala për llamarinë a teneqe që serbisht i thonë lim  (teneqe, llamarinë) e nuk është fjala për. mjetin: limë lima (me limue), sepse për limë serbishtja e ka barasvlerësin. turpija (krahaso foljen: turpijati- shq. lëmoj me limue a me lëmue). Pra  kemi të bëjmë me profesionin: autollamarinist e jo i me atë të autolëmuesit(!). ngase  nuk është profesion të lëmuarit e autos, ose të llamarinës me limë(!), por profesionisti është  llamarinist (autollamarinist).

 

E pesta, tek emërtimi operator i makinave për prodhimin e glazurës dhe brusës(!!!) fjala e fundit brusa është barbarizëm i cullakuar(!) nga serbishtja.. Fjala brus në shqipe ka barasvlerësin grihë-a, rrasë mprehëse. Pra, në shqipe emërtimi i drejtë do të ishte: operues i makinave për prodhimin e smaltit (glazurës) dhe të grihës (qostrës, rrasës mprehëse, formash të ndryshme).

 

E gjashta, në vende përkatëse ndeshim edhe fjalë, të cilat janë shkruar sipas drejtshkrimit të serbishtes e jo sipas normës së shqipes, p.sh. gas (shq. gaz-i), gips (shq. gjips-i),  ambalazha (shq. ambalazh-i),  restoran (shq. restorant-i) etj. – madje gjatë një përshkrimi të punëve dhe të detyrave nga vendi i punës ndeshëm brenda togfjalëshit fjalën e serbishtes crep !!!, (f. 270) e cila siç dihet në shqipe ka barasvlerësin tjegull (krahaso: crepana – tjegulltore).

 

E shtata, edhe prapashtesa –qar (-car)  e specializuar në serbokroatishte për emërtimin e profesioneve sidomos nga ndërkombëtarizmat me –IK(ë) fundore si:

matematika matematiçar, fizika fiziçar, estetika estetiçar, mehanika mehaniçar, kozmetika kozmetiçar f. kozmetiçarka, statistik(a) statistiçar statistiçarka etj.

shihet se ka pasur ndikim të tërthortë te ne përftimin a përqafimin e trajtave të paqëndrueshme dhe neveritëse të shqipes me -cient, -cist, siç janë shembujt e tipit: mekanicist/ mekaniciste (në vend: mekanik mekanike), ose kosmetolog /kosmetologe (f. 59) për kozmetikolog kozmetikologe, po ashtu staticient statisticente në vend: statistikan statistikane,  e kështu me radhë.

 

E teta,  edhe te disa kalkëzime shihet ndikim i serbishtes si p.sh.:

a) motrat medicinale (medicinske sestre), pajime, pajisje medicinale (medicinki pribori, uredjaji)  biokimist medicinal (medicinki biohemiçar), në vend motër mjekësore a infermiere spitali) etj.;

b) aty ndeshim (mami) lindore!!! serb. babica porodilja, d.m.th. mami që ndihmon gratë në lindje. Për mendimin tonë më drejt: do të dilte emërtimi i tillë në shqip lindatore si ngjeshatore etj. tip ky që në shqipe ka model fjalëformues. Ne kemi prova për këtë. Krahaso kontekstin: serbisht babica (po)rodilja (roditi – me lindë),   shqip: mami lindatore e ku ta dimë;

c) pastaj  ndeshim fjalën trokitje (serb. trokiranje), kuptimi i së cilës ka të bëjë me lloje qëndizmash me trokëtime ose me qepje sipas stilit të veçantë, me tegela tërthorë- tërthorë;

ç)  në këtë burim ndeshëm edhe emërtimin: elektroinxhinier në repart (f. 40), ku fjala repart për mendimin tonë vjen si barasvlerës i emrit pogon të serbishtes, i cili  në atë gjuhë ka dy kuptime, më pak atë të repartit e më tepër atë të makinave repulsore (pogonske mashine), prandaj rasti këtu sipas gjase është përkthyer gabim. Po shtoj edhe këtë fakt se te ne, ashtu si fjala pogon e keqpërkthyer për të gjitha konceptet me repart, është kapërthyer edhe fjalë-termi stabiliment për postrojenje,  i cili në serbishte shpreh edhe koncepte të makinerive përkatëse, ndërsa në shqipe sipas normëzimit ka kuptimin vetëm si  ngrehinë. Po ashtu edhe fjalë-termi axhustator te ne përdorej gabimisht si barasvlerës për tri-katër emërtime profesionesh të serbishtes, prandaj tërheqim vëmendjen zyrtarëve të sotëm përgjegjës për arsimin se të gjitha ato emërtime profesionesh që në shqipe (në tekstin e diplomave) që kanë në përbërjen e tyre fjalët (me origjinë italiane): repart, stabiliment dhe axhustator, duhet të verifikohen, ngase shumica mjerisht janë përkthime të gabuara dhe mjerisht ashtu janë përdorur si trajta të drejta të profesioneve në degët përkatëse të shkollave të mesme ose të shkollës së lartë teknike. Diplomat e tilla (teksti i titujve të të diplomuarve) duhet të korrigjohet ose të modifikohet sipas emërtimeve të pranuara dhe të shifruara si duhet sipas ISCO-88, përkatësisht sipas Listës së re kombëtare të  profesioneve në versionin  që do të pasojë në gjuhën shqipe.

 

Së nënti, janë disa raste (huazime turke) edhe pse janë shprehje të stilit bisedor, në këtë burim, për çudi, janë shënuar si profesione të mirëfillta të shqipes p.sh. nallbane (nallban) kuajsh  për mbathtare! (mbathtar) kuajsh(!), berbere (berber) në vend rrojtare (rrojtar), pastaj qatipe qatipet ! (qatip qatipët!) në vend shkrues/it ose nëpunës/it për ndihmë klientëve - emërtime këto që pa vështirësi mund të shpreheshin me barasvlerës të mirëfilltë të gjuhës shqipe..   

 

Së dhjeti, po përmendim edhe disa shprehja të (sh)këputura nga  përshkrimi i detyrave të profileve të caktuara të profesioneve nga vendet përkatëse të punës, që nga teksti dalin fort të palogjikshme, pasi formulimi aty del  ngatërrueshëm, dukuri kjo e shkaktuar nga përkthimi i fjalëpërfjalshëm i tekstit nga gjuha dhënëse, duke mos e bërë radhitjen kuptimore të fakteve (togfjalëshave) sipas natyrës së gjuhës sonë. Ja disa shembuj që shkëputëm nga teksti në shqyrtim, si:

Tharja e kafshëve..., regjja e kafshëve...,  prerja e mishit të therur..., mbledhja e lëngjeve dhe korrja e tyre...,  pemë me kokrra si dredhëza(!!!), manaferra..., kultivuesja e shpendrritësve..., kultivues i bletarëve..., shkelja e drithërave, makina për prodhimin e pemëve, perimeve, lajthive, arrave..., prerja e detyrave në prodhimin e produkteve... thithja  elektrike me makinë,  sekretar shoqëror, etj etj.

S’do mend se kafshët që theren nuk mund të thahene a të regjen; por mishi a lëkura e tyre, pastaj mishi i prerë mund të copëtohet; lëngjet nuk mund të mblidhen as të korren; dredhëza nuk është pemë po barrnishte; sigurisht, nuk mund të kultivohen shpendrritësit as bletarët(!), po shpendët ose bletët. Pastaj pemët, perimet (si fruta) nuk prodhohen, po ato si fruta vilen e përpunohen etj.

 

Së njëmbëdhjeti, ndeshëm edhe emërtimin fryesxhamash/fryesexhamash (f. 388 )dhe lidhur me këtë japim këto dy vërejtje:

e para, togu është shënuar bashkë si të ishte kompozitë. Dihet se kompozitë sipas modelit formohet jo kështu fryesxhamash, por duke i ndërruar vendet gjymtyrët përbërëse xhamfrys, sipas  pjesores së shkurtë të gegnishtes, ose sipas pjesores së toskërishtes, norma e sotme:  xhamfryrës;

e dyta,  është shënuar gabim prejpjesori me dyzanorshin  me –YE, fryes, sepse kjo folje nuk mbaron me diftong –YE, por vetëm me –Y. Krahaso: fryj, me fry, fryrë, frymë, frymoj, frymëzim etj.

 

Së dymbëdhjeti,  janë disa emërtime jofunksionale për Kosovën, ngase aty në disa raste shënohen profesione ose detyrat që lidhen ekskluzivisht me detin, si p.sh.: montuesit nënujore, të cilët raportojnë mbi kushtet e anijeve të përmbytura; pastaj  riparuesi anëtari i ekuipazhit të anijes, i cili kryen punë riparimi në “mole dhe muret e porteve”! pastaj kemi emërtimin  kultivues i gjallesave ujore, peshkut, guacave, midhjeve  (f. 265), punonjësi i caktuar pastron fundin e detit, kryen punë dhe detyra lidhur me kultivimin ujor, brenda ose në breg të detit (f. 265)it, bën mbledhjen e algave të detit të molusqeve, etj. (f. 375), gjithashtu vrojton hyrje-daljet në det ose mbikëqyr spirancat e anijeve (f. 364)  etj.  etj

S’ do mend se, vërtet, nga këto profesione, ose  nga këto punë e detyra,  lidhur me detin  duhet  të lirohet teksti i Prishtinës.

 

Sidoqoftë, ne po i përfundojmë vrojtimet tona, edhe pse mund të thuhet se janë me qinda e më shumë raste (të tjera të kësaj natyre), që (gjuhësisht e logjikisht) kërkojnë intervenimin e korrekturës. Me fjalë të tjera, teksti kështu si është shikuar gjuhësisht, sipas normës letrare, më tepër është i dëmshëm se i dobishëm, ndërsa pas një redakturë  të mirëfilltë, jo dosido,  sigurisht më tepër do të jetë i dobishëm se i dëmshëm dhe vetëm, si i tillë mund të qëndrojë, si të thuash, si lëndë e parë, e dobishme, e cila mund të shfrytëzohet patjetër për hartimin e listës së përbashkët unike të emërtimeve të profesioneve në gjuhën shqipe

Lajthitjet e këtij teksti janë të korrigjueshme pa vështirësi të mëdha, por, siç do të shohim në vijim nuk kanë mundur t’u shpëtojnë lajthitjeve të tilla  formale teknike si dhe, fatkeqësisht edhe atyre gjuhësore e logjike as hartuesit  burimeve përkatëse të Tiranës, siç do t’i shohim në vijim.

 

B. Nga Standarti ndërkombëtar i nomenklaturës së profesioneve

                                             sipas ISCO- 88

 

Për versionin e Tiranës që kemi në dorë me titull Standarti ndërkombëtar i nomenklaturës së profesioneve sipas ISCO-88, i cili si duket është punuar nga një grup punonjësish me urdhër qeverie, shikuar gjuhësisht mund të themi se është punuar dhe publikuar në kushte e rrethana jo aq normale (ndoshta në fillim të shekullit tonë), ngase as të përkthyerët ose të përshtaturit e lëndës të afro 3500 emërtimeve të profesioneve sipas ISCO-88. në shqipe nuk del si punë e kryer me pedanteri, siç do t’i kishte hije një pune të rregullt zyrtare të një shoqërie me qeveri stabile. Themi se është kryer në kushte jo fort normale dhe jo pedantërisht në aspektin gjuhësor, ngase teksti, që kemi në dorë, jo vetëm nuk del në nivelin e dëshiruar, por ai ka dalë nën mesataren që ka pasur mundësi të bëhej, sepse përveç mangësive profesionale jo aq të mëdha, vende-vende materiali del i punuar jo me përkushtimin e kujdesin e duhur formal e gjuhësor.

Në të vërtetë, edhe pse kemi të bëjmë me botim zyrtar institucional-shtetëror, sipas bindjes sonë, mbase për ndonjë mangësi tejet profesionale, mund të qëndrojë ndonjë arsye, por kur është fjala për disa pakujdesi totale formale, kjo s’mund të ketë kurrfarë tolerance a falje gabimi!. Kjo vërejtje jona me fjalë kritike jo të lehta, do të dëshironim gjithsesi të mbetet ngacmuese e përhershme në ndërgjegjen e disa  punonjësve nga Tirana, kryerës të punëve të kësaj natyre me interes shoqëror e kombëtar që ta shtojnë kujdesin. S’do mend se ne nga Tirana, si qendër e shqiptarisë, si qendër e kulturës gjuhësore shqiptare, gjithmonë kemi pritur dhe ende presim dhe kemi të drejtë të presim e të kërkojmë që çdo botim dhe sidomos i natyrës zyrtare normëzuese, gjuhësisht duhet me qenë shembull që të shërbejë si rreze shëmbëllese me vlerë të një modeli të arrirë për të gjitha trevat shqiptare e shqipfolëse, gjithandej e gjithkëndej,  an’embanë, gjë që për tekstin në fjalë, mjerisht, nuk mund të thuhet. 

Ja disa nga konstatimet dhe vërejtjet tona, së pari, siç u paracek, po përmendim ndonjë anomali të përgjithshme formale teknike dhe së dyti do të paraqitim disa nga lajthitjet gjuhësore drejtshkrimore e të tjera që e përshkojnë tekstin e këtij burimi.

 

1. Disa  konstatime dhe vërejtje  për defekte

të përgjithshme formale (teknike)

 

1) Si anomali të parë po përmendim faktin se daktilogafimi i tekstit në shqyrtim ka si mangësi dy shkronjat karakteristike të alfabetit shqip: –Ë-në dhe Ç-në. Në të vërtetë, Ç-ja del vetëm në tri-katër raste, të cilat, për çudi, shpifen sipas shqiptimit italian, si me thënë, për të sfiduar normën e sotme standarde, si p.sh. elektriçist (6 raste, f. 14) në vend elektricist, inçizim (norma incizim), liçencë në normë licencë, çistrenë për cisternë.

A ishte i drejtë një shfaqje e tillë vetëm për sfidim në këto raste dhe të mos përdorej ajo shkronjë e shqipes në tërë tekstin, kur mundësia e aplikimit të saj (shkronjës në fjalë) paska ekzistuar(!!!), le të vlerësohet. Për ne, një veprim i  tillë është i patolerueshëm dhe siç thuhet në zhargonin gazetaresk: no koment!

2) Janë afro 50 raste emërtimesh të shifruara, por që u mungon teksti përkatës fare. (Shih: f. 66, 67,69,74,83,97 etj.) Nuk dihet pse është bërë shifrimi pa tekstin paralel barasvlerës?!

 

3) Në afro 30 shembuj, ku emërtimi në vend se të fillojë me emër vepruesi (profesioni) fillon me emër veprimi ose me ndonjë fjalë-emër tjetër që nuk është emërtim i mirëfilltë profesioni, si p.sh.:

- vënie në kallëp (kallëpist),

-  burrë (punëtor) i aftë për..., grua (punëtore) e aftë për..,

- mbështjellje e ...... (mbështjellës i ..),

- organizatë e.. (aktivist ose organizues i...),

- derdhje e shkronjave... (derdhës i ...), 2 raste, 

- gravurë shtypi (gravues) 4 raste, 

- rafiniturë (rafinues), 1 rast. etj., madje vetëm  f. 76 ndeshim  8 raste të tilla.

Gjithsesi, për të gjithë këta shembuj me lehtësi ka pasur mundësi me u shënue emërtimi i profesionit, ndoshta ashtu siç bëmë ne më sipër me emërtimet  përkatëse, me shkronja të pjerrëta që i vumë brenda kllapash.

 

4) Janë disa raste, numerikisht i afrohen 20-shit, ku teksti del në grafinë origjinale të gjuhës dhënëse, pa u përkthyer ose pa u transkriptuar fare në alfabetin shqip. Edhe shembujt e tillë do të duhej kalkëzuar ose transkriptuar, p.sh.: attendant, tod crib f. 57, gatherrer, glass 73, salvagewoman, f. 59,  offal worker f. 77, williyer etj. etj.

Po sqarojmë lidhur me këtë, nëse konceptet e emërtimeve të tilla paraqiten të domosdoshme në shqipe dhe nuk mund të zëvendësohen dot me fjalë e shkrim shqip, atëherë së paku, shembujt e tillë të përfshirë domosdo në përmbajtje të tekstit, patjetër, do të duhej përshtatur me ortografinë e gjuhës sonë. Nëse jo, gjithsesi lypset sqaruar pse shënohet fjala me shkronjën që s’e kemi dhe të sqarohet përafërsisht edhe shqiptimi i  emërtimeve të tilla.

 

5) Ka paqartësi lidhur me kodimin e emërtimeve të profesioneve gjashtëshifrore, ngase gjashtëshifrori nënkuptohet në hyrje-sqarim të tekstit në fjalë, por nuk konkretizohet askund, d.m.th., gjatë shtjellimit nuk jepet qartë asnjë emërtim si shembull gjashtëshifrori. Është fjala për grupëzimin e profileve përkatëse të profesioneve pas grupit të bashkënjësisë përkatëse katërshifrore, ndonëse aty manipulohet edhe me pesë shifra plus para emërtimit të profilit të profesionit përkatës (!?), që për ne këto shifra janë jofunksionale në krahasim me dy burimet e tjera, ku shifrimi funksionalisht del i qartë.

 

6) Janë disa emërtime perifrastike me shkurtime fjalësh, gjë që një veprim i tillë në tekste të natyrës unike nuk është i lejueshëm, si p.sh. inxh. elektrik spec. për ndriçimin; gjeofizikan spec. në gjeomanjetizëm; gjeolog spec. në paleontologji;  kimist spec...( 25 raste); fizikant spec. (14  raste), f. 32 etj.  Pastaj ndeshim edhe në shkurtime të tjera si sip. (f. 84), n.q.s,  (f. 8).

 Po sqarojmë se këto shkurtime nuk janë të pranuara zyrtarisht, ngase si të tilla nuk figurojnë jo vetëm në fjalorët shpjegues normëzues, por as në fusnotë ose as në faqen përkatëse të tekstit në fjalë.

 

7) Po i përmendim si anomali edhe disa teprime emërtimesh, ngase aty janë shënuar edhe disa profesione jofunksionale për trojet e gjuhës shqipe, siç janë b.f.:

zbutës i elefantëve,  peshkatar a peshkatare ose gjahtar a gjahtare fokash, deri edhe emërtimi rrjepës i balenave (!),

 ndërsa janë lënë jashtë disa emërtime të ngjashme që janë ose duhet a mund të jenë profesione potenciale për  mjediset tona, si p.sh.

përkujdesës ose ushqyes i specieve të rralla, si b.f rojtar i çerdheve të pelikanëve në legunë ose i  çerdheve të shqiponjave, kultivues i luleve ose i bimëve të rralla aromatike vendëse, si  kultivimi i lulkuqeve (bozhureve!) të Kosovës) etj.

 

8) Për mendimin tonë  në f. 7,  menjëherë pas titullit  Probleme të veçanta që lidhen me klasifikimin e  profesioneve  do të duhej me u shënue nëntitulli

1. Punonjës që kryejnë të njëjtin profesion.

Pra, para tekstit përkatës, ngase vetëm kështu arsyetohet nëntitulli vijues që është shënuar me vend në faqen tjetër:

 2. Punonjës që kryejnë më shumë se një punë.

Natyrisht edhe teksti pas këtij nëntitulli lypset  sqaruar ose rregulluar më mirë, mbase edhe aty nevojitet një nëntitull i ri.

 

9) Janë disa raste emërtime të njëjta me të njëjtën shifër dhe me të njëjtin tekst, andaj rastet e tilla pasi nuk tregojnë grupe as koncepte të veçanta të emërtimeve sipas kodit të shifrimit, nuk do të duhej të përsëriteshin fare nga dy herë. Ja disa shembuj:

prestigjator f. 55,  arbitër sporti, f. 55, shërues fetar f. 51, frut kultivues f. 39, fermer për grurë f. 61, drukthyes f. 78, mprehës intrumentash f. 70,  biostatisticien f. 33,  e ndonjë tjetër.

 

10)  Disa emërtime, një numër mjaft i madh, janë shoqëruar me shenja të panevojshëm pikësimi. Ja disa shembuj, por të ngjashëm me ta  ka  jo pak:

- drejtor i përgjithshëm ndërmarrje/ transporti etj., mbi 80 raste të ngjashme f. 28, 29, 30 etj.;

- infermiere, e specializuar/ konsultore; oficer, infermier kryesor/ ushtri;

- mësues, post i dytë edukimi/ shkrim e këndim për të ri, f. 44, si  dhe f  41,

  42, 43, 44  etj. ku ndeshim mbi 100 raste të ngjashme me emrin

  mësues.

Pra, janë me qinda raste ku presja, del e panevojshme ashtu si edhe vizëla e pjerrët, e cila duhet të zëvendësohet me përcaktorin përkatës (në, për e ndonjë tjetër), si b.f. 

- drejtor i përgjithshëm i një ndërmarrjeje transporti;

- infermiere e specializuar për (ose në)  konsultore; 

- arsimtar mësimdhënës shkrim-leximi për të rij, e kështu me radhë.

 

11)) Teksti që e kemi në dorë për konsultim, nuk e ka të shënuar titullarin, i mungon emërtimi i botuesit dhe emrat e ekipit të përthyesve ose të hartuesve si dhe  viti  ose data e publikimit.

 

12)  Si pikë më vete po i paraqitim disa raste të gabimeve të shtypit që si të tilla janë me pasoja, sepse trajta e shkruar jo vetëm krijon vështirësi deshifrimi, por ashtu, siç është  cekur më herët, tek lexuesi në përgjithësi krijon ngatërresë ose bën edhe efekt shumë negativ, sidomos në trevat, ku lexuesit (shfrytëzuesit) kuptimisht nuk janë të ndërlidhur drejtpëdrejt me gjuhën e kontekstit. Së këtejmi, ata, për arsye super-respekti ndaj qendrës së normëzimit (Tiranës), trajtën e re, edhe pse realisht të përgjymtuar ose të ndryshuar, e gëlltitin si fjalë atraktive, me koncept të posaçëm. Dhe kështu për hir super-respekti jo me vetëdije lëndohet  kuptimi i vërtetë i fjalës së mirëfilltë. Krahaso:

fugon për  furgon, ngase te ne për fjalën furgon, zakonisht përdoren sinonimet: taksi-kamion,  autotaksi, kombibus, veturëkamionetë, etj. ),  patilog f. 38 (për patolog,) bolijer, f. 68 (bojler), mbledhësit e plerave (2 herë), f. 25 (grumbulluesit i mbeturinave, plehrave)), sipas klasikit f. 8 (sipas klasifikimit),  infermiere obstetrike f. 41 (infermiere obstetrike), prodhime mekanike f. 9 (prodhime mekanike),  jaje (lajme), bulbore (lulebore), traversa (traversa), trolobus (trolejbus), mbarështrimi i deleve../ i kuajve (mbarështimi i ...), veshje e papëshkrueshme në... f. 62-63 (veshje e papërshkueshme  në... .),  agjetë f. 16 (agjentë),  mesës (mësues) (f. 16), linja automatikë f. 23 ( vija automatike) etj.  etj.

 

Po përfundojmë, duke theksuar se të gjitha këto anomali pa mëdyshje ia ulin vlerën punës së bërë institucionalisht jo pa mund dhe jo pa dobi, për çka u bie hije jo e mirë jo vetëm autorëve e bashkëndihmëse të tyre, por edhe sekretarive e organizmave dhe organeve drejtuese ligjvënëse të institucioneve të shtetit që e përgatiten dhe publikuan atë. Ndërkaq edhe më keqsjellëse për autorët e tillë dhe autoritetet a organizmat zyrtarë të kohës janë disa nga anomalitë gjuhësore që e përshkojnë pothuajse tërë tekstin në shqyrtim, siç do të shohim në vijim.

 

            2  Disa nga vërejtjet e veçanta gjuhësore

 

Numri  i lëshimeve gjuhësore është mjaft i madh. Më poshtë po i paraqitim  vetëm disa, edhe pse nuk janë këto më të theksuarat, por sidoqoftë edhe këto ia  vlen të vihen në pah

 

Së pari, po fillojmë me ndërrim a ndërkëmbim tingujsh që bien ndesh me standardin dhe nuk janë aq pak raste, si p.sh.:

a)  me ndërrim bashkëtingëlloresh:

g/k: guzhinë (kuzhinë), egzekutiv (ekzekutiv):

t/d: osteopet (osteoped), standart  f. 49 (standard);

s/c: aksizë (akcizë),  agjensi (agjenci) delikuensë (delikuencë);

sh/k: arshivë (arkivë):

th/t: patholog (patolog);

t/c: restuaration (restuaracion);

xh/zh: xhetona (zhetona), xhvendosësh trungjesh (zhvendosësh trungjesh):

s/c: balcamues f. 59 (balsamues);

ç/c: liçencë/licencë), elektriçist (elektricist);

rr/r: motorr, f. 70, 10 raste (motor), gurrore (gurore), rregjës mishi (regjës), rradhitës (radhitës), ndrues i shinave f. 14  (ndërrues), zjerrësh pijesh f. 93 (zierës);

r/rr: rjepës (rrjepës), korier (korrier), luleritës f. 62 (lulerritës), korespondues f. 10, 2 raste (korrespondues)  rafshimi i gurëve f. 85, 87 (rrafshimi),  zjari 2 raste, f. 48 (zjarri);

s/z: fisioterapist  (fizioterapist), disenjator (dizenjues);

nj/gn: manjetik (magnetik);

ll/l: illuzionist (iluzionist), illustrues f. 20, 54, dy raste, (ilustrues), llustraxhinj  f. 9 (lustraxhi), klloun f. 55 (kloun).

b) me ndërrim zanoresh: 

a/ë: karmill (kërmill):

i/ë: çamçakiz (çamçakëz),:

y/i: qylym f.74 (qilim),:

j/i: kjoskë (kioskë), inxhinjer (inxhinier), materjal (material), studjo (studio), pjano (piano), kamjona (kamiona).

i/j trainer / trajner,

Vërtet, jo për shumicën, por, pothuaj, për të gjitha rastet e mësipërme as që ia vlen të diskutohet qëndrueshmëria e tyre normëzuese.

 

Së dyti, ndeshim shpërputhje të tjera drejtshkrimore në krahasim me normën, si p. sh.:

a) Te fjalët:: gjysëm (gjysmë), puntor (punëtor), paisje (pajisje), tregëti (tregti), manifaturë (manifakturë), muzeume, muzej (muze), pregatitës (përgatitës), pasuri e patundëshme (pasuri e patundshme), të qenurit (të qenët),  të pa kualifikuar (të pakualifikuar), trainer f.. 55, 10 raste (trajner ose trajnues) etj.

b) Te togfjalëshat si: instruktor makine në vend istruktor automjeti, dyke patur, më drejt: duke pasur, djegje e brendëshme, norma: djegie e brendshme, kultura potazhere ( zarzavate),  më shqip: kultura perimore etj.

 

Së treti, vihen re disa teprime më fort italianizma pa cilësi ndërkombëtarizmi si:

a) Me –o fundore, si: kontrato, banjo!, interpreto, tamburo dhe faturino, të cilën vetëm f. 58  e ndeshim në 9 raste (it. fattorino).

b) Me prapashtesën –ator(e) si: dizenjator f. 54, 19 raste, prestigjator, dekorator, saldator, operator, investigator, navigator, estimator, rivelator,  masazhator, reanimator, montator,  skiator etj.  Shumica e rasteve të tilla në shqipe priren ose emërtimet e tilla tashmë dalin të përftuara si prejfoljorë  me –UE/S fundore,  si dizenjues a dizajnues, dekorues etj. ose me ndonjë prapashtesë tjetër, si p.sh. skiator – skitar,  masazhator, masazhist ose masazher, madje masazhues nga bëj masazh –masazhoj, me masazhue, e kështu me radhë.

c) Me –ier ose –jer fundore si guzhinjer (it. cuciniere) – kuzhinier (gjellëbërës), siç ndeshet ky emër,  f.  58.

 

Së katërti, gjithashtu vihen re disa formima të paqëndrueshme ose të diskutueshme me shtesa a prapashtesa  të shpifura pa nevojë, si p.sh.:

a) Me –IST: zoologjist (zoolog), daktilografist (daktilograf), paleontologjist (paleonteolog), gjeomorfologjist (gjeomorfolog), ekologjist e ekologist f. 38 (ekolog), agroekologjist f. 39 (agroekolog), embriologjist (embriolog), epidemiologjist, f. 40 (epidemiolog,), filologjist f. .15 (filolog), trichologist (trikolog!), numerologist (numerolog)  e ndonjë tjetër Pastaj dalin të diskutueshme edhe emërtimet: elektrolit mbase elektrolizues, librarist në vend librar, termist (termikan), termodinamist, (termodinamikan), hidrodinamist (hidrodinamikan), aerodinamist, f. 32 (aerodinamikan) optometrist (optometrikan!),  madje edhe elektronist në vend elektronikan, ngase nuk është fjala për termo-, dinamo-, elektron-, por për termikë, dinamikë, elektronikë.

b)  Zgjojnë interes emërtimet me –etër dhe –atër fundore si p.sh. gjeometër që shënohet dy herë, por me ndryshim shifror të kodit (f. 37 ). Madje kur kemi parasysh trajtën e normëzuar të tipit; psikiatër, fiziatër, andaj nuk dimë pse  mos me dalë në këtë mënyrë edhe emërtimi  podiatër, që aty del podiatrist (f. 50)  Po sqarojmë se njeriu sipas profesionit me emërtimin podiatër, pra, pa -IST fundore ka kuptimin. shërues i dhimbjes së këmbëve (leqeve) ose i gjymtyrëve të poshtme (gr. podos-këmbë).

c)  Me  fundoren –ANT të shpifur arbitrarisht, vetëm  në f. 32  trajtën fizikant (për fizikan) e ndeshim në 20 raste, ku përfshihet edhe kompozita astrofizikant. Po ashtu në faqen tjetër 33 ndeshim 7 raste të emërtimit  gjeofizikant. Ndërkaq,  f.. 38 e ndeshim trajtën e mirëfilltë biofizikan, ashtu siç do të duhej të shënoheshin edhe rastet e tjera. Lidhur me këtë, po shprehemi qilterisht se na është paksa e çuditshme pse edhe trajtat e tjera shkrimore nuk janë përdorur në trajtë-prapashtesën –AN si  shembulli i fundit biofizikan?!!  Mos vallë, dikush nga hartuesit e guidës nuk e ka pasur të qartë se emërtimi fizikan aspak nuk bën pjesë në grupin a tipin e emrave me –ANT fundore,  si p.sh.:  diverzant,  agjutant, aspirant etj. !?

ç) Me fundoren –CIEN,  të shpifur  në normë, sipas FGjSh e kishim vetëm trajtën e diskutueshme teoricien, ndërsa këtu dalin edhe trajta të tjera,  si, statisticien, f. 33 (16 raste), informaticien (3 raste), pastaj logjicien f. 33 gjeomanjeticien  biometricien e biostatisticien f. 33 dhe të gjitha këto trajta janë përftuar nën ndikimin e formantit të gjuhës frënge –cien,  i cili në atë gjuhë shqiptohet –SJEn. Për mendimin tonë, rastet me fundore-formantin –CIEN  duhet konsideruar si shpifje fort pambështetura, kur në vend të këtij formanti, siç u cek më sipër te rasti fizikan /gjeofizikan, duhet parapëlqyer prapashtesën –AN, zgjidhje kjo që do të sforcohet edhe më shumë më poshtë gjatë analizës, po në këtë krye të punimit.

d) Po e përmendim si pikë më vete rastin mekanik elektronist, f. 71 (9 raste), ngase kur kemi për bazë temën e qartë fjalëformuese elektronikë, siç u cek edhe pak më sipër (që është ndërkombëtarizëm me –IKë fundore), s’ka arsye që edhe emërtimi i profesionit mos me dalë elektronikan (jo elektronist) sepse nuk është fjala tek elektron, por tek elektronikë. 

 

Së pesti, për mendimin tonë del e diskutueshme edhe trajta druvar (f. 64) që na kujton trajtën drvar të serbishtes. Pse mos të hiqet nga nomenklatura e profesioneve të mirëfillta ky emërtim, kur për të njëjtin  nocion  kemi në praktikë numër të konsiderueshëm të trajtave më të pranueshme barasvlerëse, madje edhe më motivuese dhe më të qarta, si p.sh: drutar, drucoptues, druprerës, drushitës, sharrtar drusharrues etj.

Gjithsesi për ne më e parapëlqyeshme do të ishte trajta drutar se ajo druvar.

 

Së gjashti, mendojmë se emërtimi çorës gjahu  (f. 64) më mirë do të dilte në trajtën çirrës ose gjahtrembës, ngase i përgjigjen konceptit, por sipas FGJSH-së  2006  edhe më mirë se këta emra sinonimë e mbulon atë koncept fjalë-termi ngarës, që aty ka këtë sqarim - ai që tremb (ngan a nget) gjahun dhe ua çon gjahtarëve në pritë. (Aty f. 683). Me fjalë të tjera, pasi kemi të bëjmë me profesionin e trembësit të gjahut me çirrje, zhurmim, me ngarje, me ngacmim, atëherë s’dimë arsyen pse në burimin në fjalë nuk  është shënuar emërtimi ngarës gjahu që asociacionon trajtën ngamës (ngaas me nga, me ngacmue).

 

Së shtati, i diskutojmë trajtat e dy emërtimeve: bërës i majasë dhe bërës i rruazave:

a) për ne rasti i parë, më mirë kishte me dalë si kompozitë majabërës ose tharmës a tharmëbërës, se  bërës i majasë;

b) kurse rasti i dytë, gjithsesi del më i kapshëm po të parapëlqehej emërtimi rruzabërës, sepse kështu do të ishte më lehtë për shqiptim dhe për mbamendje. Me sa dimë fjala rruzë rruza  ka përhapje më të gjerë se rruaza ose rrueza!, ndërkaq, krahaso edhe emrin rruzare, trajtë kjo e normëzuar për tespihe, ku si po shihet fjala  rruzare është normëzuar  pa  dyzanorshin ua ose ue.

 

  teti,  të diskutueshme për ne janë edhe këto katër emërtime:

 1)  Fermer për lin  (është fjala për li lini ose li liri) më i kuptueshëm do të ishte emërtimi në trajtën: fermer për kulturën e linit ose të lirit.

2) Më shqip na duket emërtimi kultivues perimesh ose perimtar se sa kultivues zarzavatesh (turq zarzavat) ose kultivues i kulturave potazhere.

3) Gjithashtu e diskutueshme për ne është edhe trajta varkëtar (f. 85), e cila aty del si trajtë e vetme e parapëlqyer kundrejt sinonimeve: lundërtar ose barkëtar. Në të vërtetë, pikërisht në FGJSH 2006 rekomandohen dy sinonimet e tjera  barkë ose lundër dhe së këtejmi: barkëtar, lundërtar dhe jo trajta varkë varkëtar.

4) Si duket vetëm për mungesë përvoje a njohurie aty nuk përkthehet trajta atrecues  (f. 69, 18 raste) në vegëltar, Trajta  vegëltar  (veglatar!) ka motivim të mjaftueshëm dhe si e tillë është trajtë e njohur, e cila ka gjetur përdorim mjaft të gjerë në gjuhën tonë teknike, sidomos te ne, prandaj në të ardhmen duhet t’i zërë vendin huazimit tranfer atrecues.

 

Së nënti, zgjon interes dukuria e emërtimit të profesionit infermier që ndërlidhet me trajtën përfaqësuese të profesionit, sipas objektit të shërbimit ose grupit të nivelit arsimues. Kështu, f. 50, në 15 raste, është shënuar emri i profesionit infermier, d.m.th. në gjininë përfaqësuese mashkullore, ndërsa vetëm një rast motër infermiere specialiste, sepse është fjala për grupin III. Ndërkaq këtë emërtim  infermier f. 41 te grupi II në gjininë femërore e ndeshim në 15 raste, kurse vetëm një rast oficer infermier kryesor / ushtri në gjininë mashkullore. Gjithsesi, sipas kësaj kuptojmë se nga natyra e vendit të punës, varet edhe gjinia përfaqësuese e profesionit si dhe shkalla e arsimimit, por ne mendojmë se megjithatë si gjini përfaqësuese zyrtare në parim për të gjitha shkallët e arsimimit  duhet  parapëlqyer emërtimi infermier, d.m.th. në gjininë mashkullore, siç është vepruar në T2.

 

Së dhjeti, po në faqe 50 është shënuar profesioni terapist në 5 raste, ndërsa terapeut nuk e ndeshim aty. Po kështu terapist e ndeshim edhe në FGJSH 2006. Në të vërtet ky rast do të preket  paksa si i diskutueshëm më poshtë, ngase kemi të bëjmë me dy fjalë ndërkombëtare.

 

Së njëmbëdhjeti, në vend dhëmbëtar është përdorur zakonisht trajta baravlerëse dentist, mirëpo si emërtime të specializuara dalin edhe këto trajta të diskutueshme: ortodontist, pedodontist, peridontist dhe prostodontist, sepse janë përdorur sipas traditës së emërtimit grek e jo atij latin. Greqisht dontos d.m.th dhëmb, ndërsa latinisht dens dentis (dhëmb), prandaj sipas traditës për ne më të përshtatshme dalin trajtat ortodentist – mjek, drejtues, rregullues i dhëmbëve; pedodentist – mjek, dhëmbëtar i fëmijëve;  perodentist – mjek i mishit të dhëmbëve dhe prostodentist -  mjek i nofullave dhe ngjitës i dhëmbëve. Me fjalë të tjera  trajtat  me –dontist fundore duhet t’ua lënë vendin trajtave me gjymtyrën e dytë –dentist.

 

 Së dymbëdhjeti, janë disa emërtime që formulimi sipas mendimit tonë duhet rishikuar, po japim disa shembuj:

a)  Punëtor të prodhimit të sendeve të imta me precizion të lartë me dorë/ artizan, f. 21.

      b) Prodhues të gurëve abrazivë dhe poçerisë f. 21.

     c) Mbërthyes për metale strukturore f. 68.

   

Edhe shembujt e tjerë të kësaj natyre duhet të mbarështrohen, ngjashëm siç po veprojmë me shembujt e mësipërm:

a) Punëtor artizan i punimit me dorë të sendeve të imta me precizion të lartë.

b) Prodhues  poçerie dhe të gurëve abrazivë.

c) Mbërthyes  i strukturave metalore.

 

Së trembëdhjeti, edhe pse i tepruar ndaj standardit të sotëm në raste sipas nesh, liberalizimi gjuhësor i përdorur në tekstin në fjalë, megjithatë, për mendimin tonë ka nxjerrë në pah edhe një prirje që ia vlen të theksohet, por edhe të  kihet në konsideratë. Është fjala për shumësin me mbaresën –A të emrave mashkullorë të gjerave konkrete, si p.sh.

përcjellësa  për telefona 14 raste f. 72,  instrumnenta  f. 72, 15 raste, pastaj  barometra, elementa, zarfa, kartona, kamiona, traktora, fibra, motora, autobuza, përçuesa, gjysmëpërçuesa etj.

Lidhur me këtë prirje a dukuri jemi shprehur më gjerësisht në një punim tjetër, ku shumësi i emrave mashkullorë i emrave konkretë priret me marrë mbaresën-A, i atyre frymorë –Ë dhe të emrave të  kuptimit, me marrë mbaresën –E. Pra gjurmë të prirjeve të tilla i ndeshim edhe ndër shembujt e këtij burimi.

 

Së katërmbëdhjeti, po e përmend edhe një rast që kërkon sqarim. Është fjala për profesionin e shënuar aty Mbajtës bagazhesh (hamall) f. 99 Thamë kërkon sqarim për arsye se treguesi në kllapa hamall na jep me kuptue se nocioni i profesionit në fjalë nuk është mbajtja e bagazhit, por është bajtja ose bartja e  bagazhit. Këtu shkruesi i trajtës së tillë mbajtës e ka ngatërruar nocionin me trajtën bajtës, ngase në gegërishte (sidomos te ne) dallohen fort qartë nënfushat semantike të foljeve me mbajte dhe me bajtë:

a) me mbajtë d.m.th me ruajtë (një gjë) në të njëjtin vend,  ndërkaq

b) me bajtë  (letrarishtja e sotme bart ose mbart) do me thënë me çue  (një gjësend) nga një vend në një vend tjetër, si me thënë, me hamallue.

Krahaso edhe: me bajtë fjalë (d.m.th. me ngatërrue, më bë ngatërresë), ndërsa me mbajtë fjalën (d.m.th. me qenë besnik.

 Pra emërtimi në fjalë ka kuptimin bajtës ose mbartës i bagazhit, jo mbajtës.

 

Së pesëmbëdhjeti,  po i përmendim edhe tri raste të veçanta që zgjojnë interes në kompletimin e analizës:

a) krahas  emrave në trajtën e shumësit me –NA  përveç lojna, barna ndeshëm edhe këta dy shembuj: yndyrna e  likerna (f. 96);

b) një emërtim del vinikulrurist, me sa e kuptojmë është fjala për venëprodhuesit, për rrush vene (vere) ose kemi të bëjmë me kultivuesit e kulturave të prodhimit të venës, andaj së këtejmi, për mendimin tonë sa shënohet vinikultura ose winacultur, s’ka arsye të mosshënohet  profesioni verëprodhues ose edhe më qartë venëprodhues;

c) së fundi, konteksti kërkon që kur përmendet fakti se në forcat e armatosura përfshihen të gjitha forcat ajrore e detare (?)si dhe në shërbimi ushtarak dhe rekrutët...  (f. 7) do të duhej përplotësuar edhe me të dhënën që mungon aty (te pikëpyetja që e shënuam ne brenda tekstit), me mbiemrin “e tokësore”, që do të thotë  se përfshihen edhe forcat tokësore si dhe në shërbimin ushtarak përfshihen edhe rekrutët.

 

            Sidoqoftë, marrë në tërësi nga pikëpamja gjuhësore ka qenë nevojë e domosdoshme, që para se të shumëzohej a publikohej ky tekst, patjetër t’i shtrohej një intervenim të domosdoshëm redaktorial gjuhësor, me ç’rast do të përmirësoheshin me dhjeta e qinda raste edhe të tjera që ne nuk i shënuam këtu, mirëpo nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë rast i tillë po nga ky burim të  përmendet në vijim të analizës. 

 

 

C. Nga Lista kombëtare e profesioneve

 

Burimi Lista kombëtare e profesioneve për ne zgjoi interes të veçantë dhe të ligjshëm,  për këto tri arsye:

së pari, për vetë titullin listë kombëtare,  që fjala kombëtare asociacionon dhe josh, sidomos për ne,  një listë unike zyrtare kombëtare të profesioneve në gjuhën tonë për çka kemi nevojë organike,

së dyti, sepse përfshin numër më të madh emërtimesh të profesioneve në krahasim me dy burimet e sipërcekura, veç e veç dhe

 së treti, është botim më i ri  (2009) dhe i miratuar nga organet më të larta të shtetit shqiptar, të  Republikës së Shqipërisë.

Prandaj, duke pasur parasysh këto fakte të pamohueshme burimin në fjalë e përqafuam fillimisht me entuziazëm të natyrshëm ekzagjerues, duke ia veshur edhe cilësinë edhe përmbajtjen e duhur, të dëshiruar si për anën sitilistike gjuhësore, ashtu edhe atë përmbajtësore shkencore,  mirëpo gjatë konsultimit ose leximit që i bëmë gjuhës së tekstit ai entuziazëm na u kthye jo aq në dëshprim, sa në një përdëshirim. Kështu themi se, në të vërtetë, ky tekst na dha, copë në dorë realitetin. Dhe kështu duke na bërë të kalojmë nga bota e dëshirës në botën e realitetit, na dha  të këndellur dhe na obligoi që të përpiqemi edhe më shumë për të arritur atë idealin e synuar: te njëzimit të shumëçkaje kombëtare, natyrisht edhe të njëzimit të terminologjisë tekniko-shkencore në përgjithësi dhe të emërtimeve të profesioneve që ende nuk e kemi, në veçanti. Këtë të vërtetë e mësojmë edhe nga ky dokument, sepse teksti në fjalë, përkundër vlerave që ka, nuk është hartuar sipas parametrave që do të mbulonin tërë hapësirën mbarëkombëtare të emërtimeve në fjalë. Me thënë të drejtën me sa pamë, nuk duhet qartë se hartuesit e kishin një synim të tillë, apo jo, madje  është edhe një e pamirë tjetër që vërehet në atë guidë, nuk dimë arsyen, pse teksti, edhe për elementet më të thjeshta, para se të miratohej dhe publikohej, nuk është korrigjuar fare gjuhësisht?!

Fundi i fundi, shtrohet çështja, duke e pasur parasysh gjendjen e sotme politike shoqërore a  ka qenë e mundur që ky tekst me u punue përnjëmend si ka hije që të shërbejë si një model i qëndrueshëm unik me vlerë zbatimi për të gjitha trevat shqiptare, apo jo?

Përgjigjja mund të jetë po edhe gjysmë po e gjysmë jo, por sidoqoftë, s’ka mëdyshje, gjithsesi teksti ka pasur mundësi të jetë shumë më cilësorë. Ç’është e drejta edhe kështu siç është, edhe pse nuk i plotëson të gjitha kriteret sipas nevojave të hapësirës mbarëshqiptare, ka disa anë pozitive. Madje në krahasim me dy  guidat e para (KPK dhe T1)  ka epërsi të konsiderueshme edhe në aspektin gjuhësor, por kjo nuk mjafton.   Dhe ky mosmjaftim, do të kuptohet më mirë pasi t’i bëjmë një vlerësim kritik këtij teksti, sipas rrugës që ndoqëm për dy guidat e mëparshme, së pari, do të japim vërejtjet tona rreth anomalive nga ana formale teknike, dhe së dyti, do të paraqitim vëzhgimet a vërejtjet tona konkrete për disa nga lajthitjet më të theksuara gjuhësore e logjike që mjerisht i ndeshim edhe në shqipen e tekstit  në shqyrtim.

 

  1)  Konstatime dhe vërejtje të përgjithshme

                        formale (teknike)

 

            1. Për çudi edhe në këtë burim, sipas versionit që e kemi në dorë (është botim i vitit 2009 në internet) alfabetit të shqipes i mungon shkronja ç, e cila del e zëvendësuar me një e të vogël të përmbysur ose me një si z (3) cirilike. Edhe ky  lëshim edhe pse për dikë mund të duket cikërrim, i jep hije jo të mirë jo vetëm tekstit të publikuar kështu, pas miratimit nga organet më të larta të shtetit shqiptar, por provokon edhe sekretarinë e organizmat përkatës të institucioneve të caktuara që e përgatitën dhe ia servuan opinionit të gjerë një tekst të tillë, pa një shkronjë të alfabetit origjinal të shqipes.

 

            2. Në disa raste nuk del e respektuar hapësira e bardhë ose tërë rreshti si hapësirë e bardhë në funksion kryerreshti që duhet të dallojë sipas rregullit ndarjen e grupeve të bashkënjësive të profesioneve. Për këtë shih:. f. 70, 71, ll7 dhe 118.

 

            3  Edhe në këtë burim, për çudi, ndeshim disa defekte teksti,  si p.sh.:

a) në f. 46 ka ndodhur gabim shifrimi, kështu para tekstit  përkatës në vend të shifrave: 3334 dhe 3334.01 duhet të ishin shënuar shifrat: 3335, 3335.01;

b)    f. 66 mungon shifra 6224.01 para tekstit përkatës: gjahtar dhe vendosës kurthash;

c) në faqen 67 shifra 6160.03 dhe 6160.04 duhet të kalojnë në radhë para shifrës 332 dhe po në atë faqe para teksteve përkatëse duhen vënë shifrat që mungojnë: 6320.01, 6320.02  dhe 6339.01, 6330.02.

ç)  edhe në faqet 99, 100 dhe 105 duhet të bëhet harmonizimi në radhitje i shifrave ndaj teksteve gjegjëse.

 

4. Tekstit i mungon parathënia dhe pjesa e hyrjes rreth historikut të  përgatitjes së një teksti të tillë zyrtar, si dhe në fund lista alfabetike e profesioneve, si zgjidhje që praktikohet në raste tilla në të gjitha gjuhët përkatëse, të zhvilluara.

 

5. Po i cekim edhe disa gabime shtypi, të cilat vërtet janë me pasoja. Po fillojmë me  rastin e trashëguar nga guida T1 (të cekur) për trajtën fugon, e cila përsëritet tri herë: Shofer fugoni, drejtues fugonësh dhe shoferë fugonësh f. 107 në vend drejtues ose shofer furgonash, pastaj fletues në vend filetues;  biofizikat për biofizikan; elektolist (f. 94) ndoshta për elektrolizues; gjeofizik më drejt gjeofizikan; higjenist në vend higjienist; përgjegjës për transport pasagjeresh, në vend  përgjegjës për mbartjen (trasportimin) e udhëtarëve; mësues ekonomiksi f. 22, ndoshta mësues i ekonomisë, prestigjator në vend magji(s)tar ose  prestigjiator  (f. 32) etj. 

 

6. Edhe këtu në këtë burim, e themi me keqardhje, ndeshim disa  raste që emërtimi parësorisht nuk shënohet siç duhet, me një emër vepruesi, po del qysh nuk duhet me një emër veprimi a me ndonjë tip tjetër emri që nuk është emër i mirëfilltë profesioni, si p.sh.:

a) Moda e model për ekspozimin e veshjeve f. 61.

Siç dihet profesion nuk është moda ose modeli (edhe pse aty janë shënuar 5 raste), madje profesion nuk është as top-modeli a super-modeli, sepse profesion i mirfëfilltë është modelisti, përkatësisht modisti;

b) jo derdhja  e shkronjave. 80, po derdhës i shkronjave, pastaj jo person që vë në lëvizje kukulla, po aktor që...;

c) s’do mend se as famulli (f. 48), as ungjillor (mbiemër) nuk janë profesione të mirëfillta, sigurisht për konceptet përkatëse të ushtruesit të profesionit më tepër u përgjigjen trajtat përkatësisht: famullitar, ullgjilltar;

ç) jo  lidhje libri me anë të mermerta ose  lidhje libri me anë të praruara (f. 88), po lidhës libri ose libërlidhës me ...;

d) jo përpunim i çokollatës.(f. 87), po përpunues i çokollatës

dhe së fundi:

dh) jo Forcat e armatosura, po: Profesionet e pjesëtarëve të forcave të armatosura  ose Profesionet  në forcat e armatosura ose profesionet në ushtri.

 

            Sigurisht, këto të meta formale teknike pa marrë parasysh se si kanë ndodhur, mbase ndonjëra  nga pakujdesia (!), janë shenjë jo e mirë për hartuesit dhe botuesit e këtij burimi dhe gjithsesi këto lajthitje duhen përmirësuar, jo sa më parë, po menjëherë edhe në faqet e internetit.

 

2) Vërejtje të përgjithshme e të veçanta gjuhësore

  

Disa nga vërejtjet e përgjithshme e të veçanta gjuhësore të tekstit në shqyrtim po i  përmbledhim në disa  pika.

 

 E para, edhe në këtë burim, ndonëse jo aq shumë, mjerisht, ndeshim ndërrime tingujsh (bashkëtingëllore e zanore) në raport me standardin, p.sh.:

        a) xh/zh  staxhionues (stazhionues) (f. 87),

l/ll  balave tekstesh ( f. 98).  duhet ballave tekstesh (është fjala për masë) ;

ç/q: verniçe f. 79 shumësi nga vernik, duhet vernika ose verniqe,

ç/zh: çbllokues  f. 14  në vend: zhbllokues,

r/rr: shndrim f. 38 në vend shndërrim,

c/s balcamosës (f. 41), – balsamosës, balsamues.

        b) a/e marmalad,  (f. 86) norma: marmelatë.

 o/a montues i zdrukthove f. 88,  në vend. montues i zdrukthave.

 

E dyta, rregullat e përdorimit të shkronjës së madhe nuk janë respektuar jo në pak vende, shih f. 2, 3, 4, 13,  28, 32, 43, 44 etj., madje vetëm f. 116 ndeshim16 raste të tilla.

 

E treta, edhe disa shenja të pikësimit nuk janë përdorur me vend, si b.f., viza e pjerrët në mjaft raste si dhe pika në fund të disa emërtimeve togfjalësha, ngase shenjat e tilla të pikësimit si dhe ndonjëherë kllapa, presja etj. nuk u shkojnë në të mirë emërtimeve në fjalë, sepse konteksti i profesionit kërkon që emërtimi të jetë sa më i qartë, pa u vënë fare kllapat ose ndonjë shenjë tjetër e pikësimit. Shembuj të tillë me anomali pikësimi nuk janë të paktë, sa për ilustrim po i cekim vetëm këta tre shembuj:

- Specialist i automatizimit/softuerë /database, f. 116;

- Teknik/inxhinieri nafte f. 34;

- Arkitekt, baze të dhënash,  f. 27 etj.

S’do mend se emërtimi duhet shënuar pa këta shenja të pikësimit, natyrisht duke e njomë kuptimisht edhe me treguesit e caktuar ndërlidhës përkatës që këtu mungojnë.

 

E katërta,, nuk janë respektuar rregullat për drejtshkrimin e kompozitave,  p.sh.

a) krye-dispeçer (f. 7) - kryedispeçer, ndihmës drejtor - ndihmësdrejtor,  ndihmës veternier (f. 58) -ndihmësveteriner, krye mami – kryemami, nën oficer f. 118, 9 raste, mbase edhe emërtimi tregues-historish në radio-televizion, më mirë do të dilte historitregues (it. annalist) në radiotelevizion (f. 31), operator, audio/vizuale  (f. 51) mbase më mirë: operues i veprimeve audiovizuale;

b) ndoshta edhe emërtimet togfjalësha, si birues guri, shtrues tubash,  çarës guri,  lëmues guri, lëmues mermeri, lëmues graniti (f..70), mprehës metalesh  (f .74), punues jorganash, mekanik automjetesh, mbledhës qirashë  (f. 55),etj., më mirë do të ishte të përdoreshin si kompozita: gurëbirues, gypashtrues, gurëçarës, gurëlëmues (gurëlatues), mermerlëmues, granitlëmues, metalmprehës, jorganpunues, automekanik, qirambledhës, e kështu me radhë.

 

E pesta, harmonizimi i trajtave njëjës / shumës nuk del si duhet në disa raste. Mjafton të përmendim raportin e nyjës së përparme të gjinores të shumësit me të me atë të njëjësit  me i . (Shih për këtë  f. 23, 26 raste; f. 24 , 13 raste etj.)

 

E gjashta, mungesa e parapëlqimit të sinonimit përkatës, duke i shënuar si dy profesione pa nevojë fare, pa e treguar konceptet e ndryshme sinonimike, nëse i mbulojnë ose priren t’i mbulojnë. Ja disa nga shembujt e tillë, si p.sh.:

kovaç/farkëtar, f. 73, arbitër sporti/ gjyqtar sporti (49), specialist për bojra / specialist për ngjyra f 15), inxhinier fonderie /inxhinier i shkritores (?!)  etj

 

E shtata,  edhe mungesa e përcaktuesve: në, për, i, ose ndër e ndaj është mjaft e pranishme në këtë tekst. Aty ndeshim:

infermier, nivel i mesëm pediatri (anestezi, infermieri, ortopedi) f. 42 ose nëpunës poste / klasifikim (grupim); arkëtar restorant f. 61, nëpunës kontrolli inventari f. 52, botanist gjentikë (histologji, mykologji, pedologji, taksonomi) f. 11; fiziolog, zoologji apo zoolog embriologji, (entomologji, fiziologji, iktologji, mamologji, ornitologji, parazitologji, taksonomi, (f. 12), 

Pra në vend se të shënohej b.f.:

a) botanist gjenetike ose botanist për gjenetikë ose botanist në gjenetikë

    ose botanist i gjenetikës ose botanist gjenetikan;

b) zoolog embriologjie, ose zoolog në embriologji ose zoolog për

    embriologji ose zoolog i embriologjisë,

e kështu me radhë aty ndeshim trajtën pa kuptim fare ose të parregullt gjuhësisht.

Madje është një e keqe jo e vogël se rastet e tilla janë në numër të konsiderueshëm. Për këtë  mjafton të shikohet  lënda në këto faqe të tekstit:

f. 10 (disa raste), f. 11  (11 raste),  f. 13 (19 raste), f. 33 ( 30 raste),  f. 4  (33 raste),  f . 35 (7), f.  38 (9)), f. 51 (18 raste), e kështu me radhë.

Pra, shprehim habi, pse nga autorët e tekstit është parapëlqyer ose është lejuar një trajtë e tillë e paqëndrueshme (shih shembuj kryerreshtit të parë), duke i anashkaluar  4 -5  zgjidhje a mundësi  të paqortueshme, sipas shembujve tanë, që i ofruam  si zgjidhje të rregullta nga praktika?!!!

Sidoqoftë,  nëse vazhdohet kështu, kjo dukuri e pamirë mundet me u bë edhe më gangrenëse për natyrën e gjuhës shqipe, andaj duhet të korrigjohen sa më parë, kudo ku shfaqen ato raste.

 

 E teta, nuk ka arsye që ndonjë emër i gjësendit konkret që sipas FGjSh i takon stilit bisedor të gjejë vend në këtë burim dhe të përdoret si emërtim i mirëfilltë në vend të emrit të gjësendit që i përgjigjet emërtimit të mirëfilltë bashkëkohor të profesionit. Këtu na bie në sy emri makinë për automjet që po e theksojmë  edhe këtu si rast më vete.

Një praktikë të tillë e ndeshim f. 112 (8 raste), f. 108 (6 raste) dhe f. 107 (5 raste), pra të gjithë shembujt e tillë që sillen rreth numrit 30, emri makinë duhet me u zëvendësue me emrin automjet ose me ndonjë fjale tjetër adekuate, sepse kemi të bëjmë me lloje automjetesh që karakterizohen si mjete lëvizëse me motor dhe së paku zyrtarisht nuk duhet me u ngatërrue pa nevojë me emërtimin makinë, si pjesë  e  makinerisë, sepse zakonisht mjeti përkatës i quajtur makinë qëndron i vendosur në një vend të caktuar dhe aty, pa u lëvizur nga vendi, shfrytëzohet e jo si automjetet me motor që lëvizin në hapësirë.

 

E nënta, si çështje të diskutueshme dalin jo aq fjalët ndërkombëtare ose të huaja në tërësi si fjalë-terma të pranuar, sa dalin të diskutueshme formantet fundore ose prapashtesat përkatëse të tyre.  Ja disa shembuj:

a) Prapashtesa –ATOR: (it. –atore) tipi: operator, masazhator, administrator etj.  fundore-prapashtesë kjo, e cila konkurrohet nga trajta të tjera, qoftë me origjinë të huaj –ER a –IER , -IST ose vendëse - TAR e  sidomos  –S, (me variantet: -UE/S, -YE/S. ËS dhe –S,) si b.f.  skiator – skitar, përkatësisht:  masazhator - masazher, masazhist por edhe ajo shqipe masazhues  (bëj masazh) dhe kjo e fundit me  –UE/S duhet përkrahur për me pasë më tepër të ardhme. 

Kemi edhe rastin e huazuar precipator që në shqipe përveç precipitues del edhe i kalkëzuari fundrues, që  për ne, trajta e fundit duhet parapëlqyer, sepse në perspektivë sigurisht do të ketë sforcim përdorimi dhe shtrirje më të gjerë. 

b) Me  prapashtesën  -IST: dalin disa emra të diskutueshëm si analist i huazuar nga italishtja analista, po në italishte del edhe trejta annalista (me dy nn që ka të bëjë me konceptin e analeve. Kështu me trajtën  annalista  (me dy –nn) quhet personi që ka të bëjë me shkrime analesh, përkatësisht është studiues analesh, ose analeshkrues a analestudiues, kurse analista quhet personi që merren me analizë (analizim) ose me analitikë. Prandaj te ne, pasi tema anal-ist motivon fjalën anal-i,  ka raste që ngatërrohen këta dy terma, duke u përdorur trajta analist për të dy a tri konceptet: edhe për analeshkrues, edhe për analizues a analitikan.

Sidoqoftë, sipas asaj që sapo e shprehëm, detyrohemi të shpjegojmë paksa, se për konceptin e profesionit që lidhet me analizë (me analizim) me analizë shkencore zakonisht, emërtimi në shqipe s’ka pengesa mos me dalë analizues, i cili mund ta zëvendësojë trajtën analist, trajtë kjo që në shqipe ka përdorim të gjerë, edhe pse nuk ka temë të qartë motivuese, ndërkaq për konceptin që ndërlidhet me ndëkombëtarizmën analitikë, njeriu sipas profesionit, normalisht mundet me dalë emërtimi analitikan.

Në të vërtetë, këto trajta mbeten raste konkurruese ndaj huazimit analist, por, po përsërisim. le të dihet se dy rastet analizues dhe analitikan janë më të kuptueshme ngase, siç u cek, kanë në vete temën e qartë përkatëse motivuese fjalëformuese që i paraprin shembullit përkatës. Krahaso: analizë (së këtejmi analizoj me analizue) – analizues), përkatësisht, analitikë + prapashtesa e specializuar -AN, kushtëzon që emërtimi i profesionit me dalë në trajtën: analitikan.

 c) Për ne aty del një rast tejet i diskutueshëm që lidhet me  ndërkombëtarizmën  statistikë, që aty emërtimi i profesionit mbi këtë koncept del statisticien, f. 10 (në më shumë se 15 raste). Për mendimin tonë, pasi edhe ky koncept ndërlidhet me statistikë, pra mbi bazë të ndërkombëtarizëm me –IK(ë) fundore, siç e kemi cekur disa herë më përpara, është krejt e zakonshme që emërtimi i profesionit me marrë prapashtesën –AN, pra statistikan, sikurse ka marrë në këtë burim shembulli informatikan nga informatikë. Trajtën statistikan e ndeshim edhe në fjalorin e fjalëve ndërkombëtare të M. Ndrecës (1986).

            ç)  Edhe trajtat me –ER ose –IER fundore shpesh konkurrohen nga trajtat  e motivueshme shqipe. Krahaso programer – programues, ku trajta e dytë del e sforcuar pikërisht nga folja programoj me programue, model ky që është edhe prodhues edhe veprues në shqipen e sotme.

 

            E dhjeta, në këtë tekst ndeshim disa raste të diskutueshme sa i përket  alfabetimit të gjuhës shqipe, prej tyre po veçojmë: së pari rastin rhematolog (në vend reumatolog dhe së dyti  website në vend uebsite.

Lidhur me këtë dukuri bashkëkohore tërheqim vëmendjen tek fakti se te burimi në fjalë sidomos do të duhej të respektohej patjetër alfabeti i shqipes.  Madje edhe në punime shkencore trajtat e fjalëve me alfabet të huaj lypset sqaruar a traskriptuar me alfabetin e shqipes, përndryshe trajtat e tilla dhe të tjera të kësaj natyre që ndeshim në përdorim do të quhen shkelje të normës në fuqi.

 Sidoqoftë, edhe këto raste me  Rh, W,  duhen  përshtatur me alfabetin e shqipes. ashtu siç është vepruar e po veprohet për shembuj të tjerë  të ngjashëm  edhe në këtë burim, si b.f.  harduer, softuer etj.  Është tjetër çështje nëse natyra e punës kërkon që duhet shënuar në kllapa origjinali ose transkriptimi, varësisht nga konteksti.

 

            E njëmbëdhjeta, në këtë tekst ndeshim këto trajta si këngëtar–bas a s’është më mirë të jetë kështu bas-këngëtar, solokëngëtar, mezo-soprano (këngëtare) e kështu me radhë?

 

            E dymbëdhjeta, disa emërtime mendojmë se duhen rishikuar, qoftë me korrigjim ose duke i shoqëruar me ndonjë fjalë sqaruese  ose me mbarështrimin e gjymtyrëve të togfjalëshit,  si p.sh.

            a)  Raste të mbarështruara me fjalë sqaruese plotësuese:

- inspektor i mbrojtjes së zjarrit më drejt inspektor për mbrojtjen nga zjarri (f.. 33):

- kontrollor avullues në përpunim teknik – kontrollues i avullit gjatë përpunimit teknik (ndoshta termik!),

- ngritës (shënues) metalesh strukturore, mbase më drejt: ngritës (përgatitës) a shënues strukturash metalike  (f. 73), ngase theksi kuptimor bie te struktura!,

- bërës mjetesh peshku – më mirë bërës mjetesh peshkimi ose për peshkim (f. 75),

- trazues betoni mbase më drejt përzierës betoni  (f. 68).

- prerës binarësh – prerës (përgatitës) trungjesh për binarë (f. 65);

- operator audio-vizuale – operues i  veprimeve audiovizuele (f. 51) etj.

            b) raste me mbarështrimin e  gjymtyrëve a të togfjalëshave:

- përgjegjës prodhimi mbikëqyrës, më drejt ndoshta vetëm: mbikëqyrës prodhimi (f. 36); 

- drejtues  në ferma me kualifikim miks (bujqësore blegtorale), më drejt:  drejtues  i kualifikuar në ferma mikste bujqësore-blegtorale (f. 65) 

- Nëpunës  regjistrues të dhënash / konvertues (nga karta në shirit dhe anasjellatas), më drejt: nëpunës regjistrues e konvertues i të dhënave  ose vetëm  regjistrues e konvertues i të dhënave, ngase vetë grupi sipas shifrave tregon se kemi të bëjmë me grupin  nëpunës-it (f. 54).

- fermer për lin, më qartë: fermer për kulturë lini (ose liri) (f. 62), siç është sqaruar edhe te burimi T1;

- punonjës të pyjeve, të peshkimit gjahtarë dhe vendosës kurthash për treg, formulimi i tillë mund të kthehet mbarë kështu:: Vendosës kurthash në pyje ose në det për të siguruar mish ose peshk për treg  (f. 65),  ngase, siç dihet, sipas kontekstit, tregtohet mishi jo kurthat (!);

            - veshës me flet metali për anije (f. 72),  mbase më mbarë: veshës i anijes me fletë metali etj.

 

            E trembëdhjeta, si pikë të veçantë po e trajtojmë rastin nga ky burim, ku kemi të bëjmë me dy emërtime barbarizma të kulluet nga gjuha italiane fatorino (it. fattorino) dhe picajol (it. pizzicagnolo).

Emri i parë  fatorino ka të bëjë me konceptin e shoqëruesit (zyrtar) të një autobusi ose një treni udhëtarësh që ka afri ose zëvendësim me termin konduktor që përdoret edhe te ne, dhe termi i dytë ka të bëjë me konceptin e pices (lloj pitjeje) ose të profesionit të picetarit ose picagatuesit, picashitësit ose të picatores, emërtim në gjininë femërore, ajo që bën pica

Prandaj që të dy këta terma (fatorino dhe picajol) pasi nuk janë ndërkombëtarizma dhe pasi dalin të zbërthyeshëm me trajta të tjera sinonimike të njohura të shqipes, nuk prish punë nëse hiqen krejtësisht si të panevojshëm nga nomenklatura zyrtare e profesioneve në gjuhës shqipe. Nëse kemi qenë të detyruar me e huazue dikur fjalën fatorino ose faturino (siç del në T1 dhe siç po dëgjohet ende në qarqe të caktuara në Shqipëri) sot ajo, sipas gjase, nuk na duhet më, e aq më keq në trajtën e deformuar(!). Madje nëse jemi të detyruar ta huazojmë sot emrin pice (lloj piteje a byreku) assesi nuk kemi nevojë me e huazue edhe emërtimin e profesionit picejol (picajol), madje dhe këtë në trajtën e deformuar, kur për koncept të tillë na ofrohen zgjidhje nga modelet fort kapshme fjalëformuese të shqipes.

Pra për fatorino kemi barasvlerësin shoqërues autobusi (treni) ose konduktor, ndërsa për picajol mund ta fusim në përdorim trajtën m. pitetar ose picetar ose edhe më anë të kompozitave picagatues, e piceshitës etj, por edhe më mirë në gjininë femërore picagatuese ose picatore, sikurse fliatore, bukatore, gjellatore  etj.

 

            E katëmbëdhjeta, siç e thamë më sipër (f. 33) nuk është mirë të thuhet në stilin administrativ drejtues a shofer makine në vend drejtues ose shofer automjeti, po këtu po i rikthehemi çështjes jo për ta përforcuar atë që është thënë më parë, por për të tërhequr vëmendjen se në burimin në shqyrtim (f. 80)  është bërë një gabim mjaft i rëndë, sepse tek emërtimi drejtues të makinave të ngjeshjes në kllapa është shënuar sqarimi rrylat. Pra vërejtja jonë nuk qëndron vetëm për rastin që në vend të emrit makinë do të duhej përdorur fjalën automjet, edhe pse aty është përdorur numri shumës në vend të numrit njëjës, por edhe për faktin se aty në kllapa është shënuar sqarimi rryl në vend  rul.

Pra emërtimi i profesionit duhej të ishte shënuar kështu:

8332.06 Drejtues i automjetit të ngjeshjes (rulit),

sepse  rulat  janë automjete që karakterizohen me cilindra metalikë të lëvizshëm që përdoren për ngjeshjen e dheut, të gurëve në trase, në rrugë, (nën)themele ndërtesash etj.,. ndërsa me fjalën rryl rrylat kuptohet krejt diçka tjetër, madje kemi të bëjmë edhe me nuancë kuptimore pezhorative që gjithsesi s’ka të bëjë fare me cilindra metalikë që shërbejnë për ngjeshje trualli apo rruge.

            Po shtojmë edhe këtë se, po aty, në këtë burim,  dalin edhe dy emërtime  të tjera  të ngjashme që kërkojnë sqarim: shofer trajler d.m.th. shofer i automjetit me rimorkio, dhe tjetri drejtues zetori (it. zaterra), që do të thotë drejtues i një anijeje shpëtimi.

 

            E pesëmbëdhjeta, tek emërtimi staxhionues i drurit në shqipe më mirë na duket qëndron  emërtimi stazhionues druri ose stinues druri, d.m.th. tharës stinor (stivues stinor) i drurit, ngase për t’u përpunuar mirë druri ai duhet tharë dhe për këtë duhet përshtatur stinës përkatëse.

 

E gjashtëmbëdhjeta, në këtë tekst e ndeshim një profesion që del i emërtuar: Teknik / inxhinieri civil (vaditje).

Siç po shihet edhe këtu shenjat e pikësimit  (viza e pjerrët dhe kllapat) janë përdorur pa nevojë dhe nuk dimë pse nuk është shquar trajta civil(e), pastaj pse është përdorur barbarizma serbe vaditje! kur dihet mirëfilli se në shqipe kemi fjalën adekuate ujitje, dhe së këtejmi emërtimi do të duhej shënuar kështu:

Teknik i inxhinierisë civile për ujitje.

 

            E shtatëmbëdhjeta, në kuadër të grup-bashkënjësisë së emërtimit elektromontues në këtë burim dalin të shënuar nja  tri emërtime perifrastike me fjalën e parë kompozitë: elektroaut, përkatësisht aty ndeshim emërtimet:

1) elektroaut për anije,

2) elektroaut për automobila dhe

3) elektroaut për avionë

që për ne janë trajta tejet të diskutueshme. Dihet se është fjala për profesionin e  elektromontuesit, i  cili  si specialist monton mjetet ose rrjetin elektrik, siç ceket aty: në anije, në automobila ose në aviona, që këto emërtime zakonisht  mund të shënoheshim në trajtën: elektromontues  + emërtimi i mjetit përkatës. 

Te ne në vend elektroaut, d.m.th. montues i  rrjetit elektrik në automjete, zakonisht është manipuluar me emërtimin autoelektricist dhe sipas kësaj mënyre (modeli) normalisht mund të dalin edhe emërtimet: anijeelektricist ose avioelektricist e kështu me radhë, por sipas analizës që bëmë nuk do të ishin të huaja  në shqipe edhe emërtimet në versionin autoelektrikan, anijeelektrikan ose avioelektrikan (sipas gjedhes: automekanik, anijemekanik, aviomekanik), kur kemi parasysh temën e qartë fjalëformuese elektrikë elektrika.  Sa për kërshëri, po i njoftoj lexuesit se në Listën e profesioneve në gjuhën serbokroate, të cekur prej nesh, janë regjistruar mbi 200 emërtime me elektro- si gjymtyrë e parë e  kompozitës së profesionit zakonisht togfjalësh (perifrastik), ndërsa me  auto- si gjymtyrë e parë, po aty janë regjistruar mbi 60 profesione, ndërsa vetëm me autoelektriçar (autoelektricist ose autoelektrikan) janë regjistruar vetëm 8 raste. Ashtu ndodh edhe në gjuhë të tjera. Prandaj për ne ndërtimi elektroauto, duke mos dalë emërtimi pa ndonjë prapashtesë specifikuese na duket si ndërtim i nxituar, jo fort i natyrshëm për gjuhën shqipe, prandaj edhe e quajtëm tejet të diskutueshëm, sepse edhe sipas FGJSH 2006, f. 60 në tre zëra, në stilin libror auto- shënohet si pjesë e parë e fjalëve të përbëra që sipas natyrës së punimit tonë auto- i përgjigjet (sipas anglishtes amerikane) si shkurtesë ndaj konceptit të fjalës automobil, ndërsa si pjesë e dytë e kompozitës -auto(!), jo vetëm nuk del në fjalorët tanë normativë, por nuk dimë se mund të haset gjëkundi, jo vetëm në praktikën tonë gjuhësore emërformuese, por as në gjuhë të huaja!

Gjithsesi me rastin e rihartimit ose të korrigjimit të listës së profesioneve, madje edhe gjatë përdorimit të përditshëm duhet të kihen parasysh vërejtjet tona edhe për këtë pikë.

 

            E  tetëmbëdhjeta, gjithashtu në kuadër të grup-bashkënjësisë fizioterapist, f.. 20, ku bëjnë pjesë edhe profesionet: masazhist e pedolog, janë shënuar edhe këto tri profesione të profiluara: 1) elektroterapeut, 2) ergoterapeut dhe 3) fizioterapeut, të cilët kërkojnë sqarim, sepse edhe sipas FGJSH 2006 është parapëlqyer vetëm  fjalë-termi terapist (jo terapeut), që së këtejmi kuptohet se për konceptet përkatëse mjaftojnë trajtat: elektroterapist, ergoterapist ose fizioterapist. Megjithatë, natyrisht duke pasur parasysh edhe faktin se si del e zgjidhur kjo çështje edhe në gjuhë të huaja të zhvilluara, edhe ky rast kërkon sqarim, ngase edhe terapist edhe terapeut  janë fjalë ndërkombëtare.

           

            E nëntëmbëdhjeta, në këtë tekst ndeshim edhe këto dy emërtime: aromatizues (f. 86) dhe klimatizues (f. 14), pastaj klimatolog f. 32, 39 që nuk janë aq të kritikueshme, por duke pasur parasysh pikërisht temën e qartë fjalëformuese motivuese: aromë (jo aromat-) dhe klimë, (jo klimat-) dhe foljezimin e tyre aromëzoj dhe klimëzoj, prandaj  ne  propozojmë që infiksi –AT-  në gjuhën tonë të hiqet, ngase del fare i panevojshëm dhe si i tillë mund të elidohet pa pasoja, kështu emërtimet e tilla  fare natyrshëm duhet të jenë aromëzues, përkatësisht klimëzues ose klimolog, të cilat sigurisht kanë më aromë e klimë shqipe se ato me –AT-  aromatizues e klimatizues.

 

Ndonëse tekstit në shqyrtim mund të bëhen edhe vërejtje të tjera ne po e mbyllim me kaq, por pa hequr dorë nga kërkesa që lënda e kësaj guide të shërbejë si bazë dhe si e tillë duhet të sforcohet me të korrigjuar e më të përplotësuar me lëndë edhe më të përzgjedhur dhe më cilësore për nga përfaqësimi sipas grupeve të profesioneve,

 

Sipërfundim

           

Edhe pse të tria teksteve në shqyrtim, mund t’u bëhen edhe vërejtje të tjera të veçanta që nuk janë të parëndësishme, ne po përfundojmë me konstatimin se tek të tria këto burime ka elemente pozitive që nuk mund të mohohen, por shikuar gjuhësisht, jo vetëm teksti i doracakut Standarti kombëtar i nomenklaturës së profesioneve sipas ISCO -88, është i pazbatueshëm, por, siç doli nga analizat e mësipërme, shikuar po nga ky këndvështrim, jo plotësisht të zbatueshme, më shumë e më pak, dalin edhe guidat e  miratuara nga organet më të larta shtetërorë si në Kosovë Klasifikimi i profesioneve në Kosovë (2006), ashtu edhe në Tiranë, Lista kombëtare e profesioneve  (2009), prandaj, së këtejmi  del e nevojshme që ato domosdo të korrigjohen e të përmirësohen edhe sa i përket standardit gjuhësor. Kjo është  arsyeja që ne e pamë të nevojshme që në vijim të qëmtojmë paksa rreth emrave përkatës të vepruesit në Fjalorin e gjuhës shqipe 2006, me theks në ndajshtesat speciale të emërtimit të profesioneve të përfshira aty, sepse ky është burimi më i ri  normativ përshkrues i gjuhës sonë i dalë nga  mendja  e Akademisë shqiptare dhe sigurisht do të na ndihmojë që të nxjerrim përfundime sa më cilësore lidhur me përplotësimin dhe konsolidimin e emërtimeve të profesioneve në gjuhën shqipe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora