E premte, 26.04.2024, 08:52 PM (GMT+1)

Përjetësi » Mani

Fazli Maloku: Për një përmbledhje poetike mbresëlënëse

E shtune, 16.10.2010, 07:58 PM


NJË PËRMBLEDHJE POETIKE MBRESËLËNËSE

 

-Mr.sc.Kadri Mani:”FALË TË QOFTË GJAKU!-Poemë dhe vjersha të tjera”, 2008 

 

Nga Fazli Maloku, mësues

 

Duke shfletuar librin: "Falë Të Qoftë Gjaku", Poemë dhe vjersha të tjera) të autorit: Mr.sc. Kadri Mani, më preku thellë ndjenjat e mia shpirtërore, më solli mjaft emocione, sidomos Poema:"Falë Të Qoftë Gjaku", në të cilën trajtohet por edhe gjykohet me forcën e fjalës artistike me shumë mjeshtri, kjo plagë shekullore e popullit tonë të shumëvuajtur me shekuj nën robëri nga pushtues të ndryshëm, secili më katil se tjetri, e cila plagë fatëkeqësisht edhe sot e kësaj dite kullon gjak të pastër shqiptari, po thuaj në të gjitha trojet shqiptarte. Unë si shumë pjesëtarë të popullit tonë fatkeqësisht këtë plagë, pra vëllavrasjen e përjetova qysh në moshën 7 vjeç dhe më ndoqi si një shtrigë ogurzezë deri në vitet e fundit! Në poemën e z. Kadri Manit, unë dhe familja ime të cilës i përulëm me respekt se asnjëherë nuk bëri hakmarrje, por gjithëherë fali, ne gjejmë qetësinë e shpirtit sepse radhitemi në krahun pozitiv të popullit tonë. Poema jep porosi të qartë brezave të sotëm si edhe atyre që vijnë nesër se cila është rruga e progresit, trimërisë, njerëzisë, burrërisë dhe e atdhedashurisë.

    Në poezinë satirike: " Kërcet Lahuta e Çiftelia ", poeti me tërë fuqinë e fjalës artistike gjykon ashpër veset e këqija të shtresës regresive, plot naivitet, gjelozi bile edhe tradhti të pashembullt, vese këto që po na përcjellin si hijena dhe po reflektojnë negativisht në imazhin e popullit shqiptar tek popujt progresivë, demokratikë e përparimtarë.

    Tek poezitë: " Nga Shtypi Revolucionar Ilegal Kosovar ", përkujtohet rruga revolucionare e historisë së popullut shqiptar të mbetur nën robërinë sllavo-komuniste për dekada me radhë, rrugë kjo përplot rreziqe, komplote e prita, por që me shumë vuajtje e sakrifica të pjesës së shëndoshë të popullit i përballoi me sukses dhe shkroi me gjakun e bijëve e bijave më të mira që pati për shumë breza historinë e lavdishme për Liri e Bashkim Kombëtar. Z. Kadri Mani duke qenë edhe vetë tërë jetën e tij, njëri ndër "viganët " revolucionarë për kauzën kombëtare shqiptare dhe duke e përjetuar rrugën e njejtë me atë të popullit të vet dhe falë aftësisë profesionale e ndjenë më mirë se çdokush tjetër dhembjen dhe plagët e populit që ia shkaktuan pushutuesit shekullorë.

    Tek " Vjershat Për Fëmijë ", poeti arrinë të futet në botën e fëmijëve, duke ua përshkruar atyre historinë, heronjët, dëshmorët, atdhetarët e patriotët e kombit që dhanë gjithçka nga vetja e tyre në dobi të Lirisë së popullit dhe çlirimit të tokave të pushtuara. Aty përshkruhen edhe bukuritë e Atdheut, pasuritë e tija të pallogaritshme dhe porosia e qartë për brezat se duhet derdhur shumë djersë, por edhe gjak nëse këtë e kërkon nevoja, që ta ruajmë nga pushtuesit që na rrinë në prita, që ta shfrytëzojmë me nikoqirllek për nevojat e popullit tonë. Për poetin " çdo pëllambë e tokës Arbërore është Shqipëri ". Mbi të gjitha porosia për fëmijtë e brezave që do të vijnë është:" Ta duan njeriun dhe tokën " !

   Ndërsa tek poezitë:" Vjersha Për Të Rritur", poeti me një gjuhë të pasur dhe të çiltër shqiptare e lehtë për ta kuptuar ju këndon shtresave të ndryshme shoqërore gjithëherë progresiste që nga bujku, punëtori, pleqnari, vjershëtori, intelektuali, dëshmori e luftëtari i lirisë, të cilët secili në kaçikun e vet dha hisen e vet të kontributit për ta bërë Shqipërinë, të cilën ende nuk e kemi.

    Përfundimisht e përgëzoi z.Kadri Manin, për këtë vepër " udhërrëfyese" për brezat e sotëm dhe të nesërm, të cilëve me mjeshtrin e fjalës artistike ua tregon rrugën e cila i shpie tek e vërteta, tek e njerëzishmja, tek progresi shoqëror, besnikëria, dashuria për popullin shqipëtar dhe Shqipërinë.

    Të dëshiroj shëndet të mirë dhe punë të begatshme edhe në këto vite të pleqërisë sate!

 

Prishtinë, datë: 5 tetor, 2010. Me shumë respekt e dashamirësi: Fazli Maloku, mësues 



(Vota: 4 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora