E premte, 26.04.2024, 08:25 PM (GMT+1)

Mendime

Blendi Fevziu: Muri i Berlinit dhe shansi i humbur!

E hene, 09.11.2009, 08:51 PM


Muri i Berlinit dhe shansi i humbur!

Nga Blendi Fevziu

E mbaj mend mirë hapjen e Murit të Berlinit! Nuk kishte rënë ende, thjeshtë ishte hapur dhe nuk e kryente më funksionin e tij ndarës dhe vrasës kur tentoje ta sfidoje këtë. Ishte 9 nëntor 1989. E mbaj mend se si RAI, dritarja e vetme e informacionit nga bota ndërpreu transmetimet rutinë për t’u lidhur me Portën e Brandenburgut. Mbaj mend njerëzit e ekzaltuar që shtyheshin drejt perëndimit; pritësit e tyre sypërlotur, policët e DDR që rrinin në anë të Trapanëve, makinave lindore që tashmë po dyndeshin drejt anës tjetër, botës së lirë; agjentët e STAS-it të veshur si infermierë që filmonin nga autoambulancat e parkuara aty, edhe pse vështirë se ato filmime do t’u hynin më në punë. E mbaj mend atë natë që shënjoi fort jetën time, student i vitit të dytë të Fakultetit të Letërsisë dhe të gjithë miqve të tij. Mbaj mend debatet e nxehta për ndryshimin që vitin në vijim, më 1990 u bënë edhe më të forta. Kishim mbetur të fundit, kishim humbur shansin tonë historik, edhe një herë qemë renditur të fundit. Mbaj mend edhe tensionin e viteve pasardhës për atë që quhej “Shansi i humbur”. Shansi gjerman apo më gjerë. 20 vjet më pas, kam mundësi ta analizoj më me kthjelltësi atë kohë. Atë moment.
Në fakt, debati mbi shansin e humbur, për fatin tonë të keq është impostuar gabim këto 20 vjet. Kritikët e Alisë nënvizojnë faktin se ai humbi shansin të hapej ndaj Gjermanisë që ishte më e disponueshme atë moment dhe që mund të na ndihmonte financiarisht. Janë përmendur shifra dhe kredi, mundësi për investime dhe refuzimi i tyre është gjetur tek pamundësia për të ndryshuar legjislacionin e kohës dhe kushtetutën.
Përfaqësuesit e regjimit, nga Alia, tek Foto Çami e Sofokli Lazri, kanë nënvizuar faktin se Gjermania nuk ofroi asgjë; se ata tentuan ta kthejnë atë në një burim të mirëqenies ekonomike, por se ndihma gjermane, jo thjeshtë që ishte e kondicionuar, por në fakt mungoi fare.
Në këtë debat në fakt, gjithsecili ka pjesën e tij të së vërtetës dhe të gabimit. Por ky debat s’ka asnjë vlerë. Debati mbi shansin e humbur nuk duhet reduktuar nëse na ofroi Gjermania ndihmë ekonomike e politike dhe në e refuzuam atë. As nëse vendet perëndimore u treguan të dashura me ne apo jo? Na përkëdhelën atë moment apo na lanë mënjanë. Ky është një vështrim dritëshkurtër. Shanset historike lidhen me mundësinë që një vendi i krijohen si pasojë e lëvizjeve botërore, ndryshimeve të mëdha dhe aftësisë që ka klasa politike drejtuese e atij vendi për të përfituar nga ky ndryshim. Në shumicën e rasteve, shansi nuk vjen të trokasë vetë, por është klasa drejtuese, që duke e ndjerë, duke nuhatur atë edhe në distancë, e ndjek pas. Në këtë kontekst, pyetja nuk shtohet nëse refuzuam ne një propozim gjerman, apo nëse na e bënë gjermanët realisht këtë propozim? Pyetja shtrohet ç‘bëri klasa politike shqiptare e kohës për të përfituar nga kjo klimë? A e ndjeu ajo erën e ndryshimit dhe a bëri ç‘mundi që Shqipëria që të ecte përpara vendeve të tjera? Apo e kundërta, i ndjeu ndryshimet dhe tentoi t’i shmangë ato, me shpresën se nuk do të prekej nga vrulli i tyre?
Në vitin 1989, drejtuesit komunistë shqiptarë të kohës e ndjenë se Lindja nuk mund të qëndronte më; në vjeshtën e 1989 Polonia dhe Hungaria e humbën varësinë nga BS. RDGJ – ja do shpërbëhej pas hapjes së Murit të Berlinit dhe Çekia ishte gati të ecte në këtë drejtim. Ecja e tyre nuk mund të stimulohej hapur nga perëndimi, për arsye të mos nxitjes së forcave konservatore në Bashkimin Sovjetik. Perëndimi thjesht e inkurajoi këtë lëvizje, pa llogaritur mbështetjen e nëndheshme dhe atë financiare. Shqipëria kishte shansin atë moment që të kthehej në model të transformimit të lindjes në perëndim. Të diktaturës në demokraci. Shqipëria nuk hynte në kampin sovjetik. Ajo mund të afrohej më lirshëm dhe pa probleme me perëndimin. Shqipëria ishte një vend prej 3 milion banorësh dhe ndihma që mund t’i jepej asaj për ta kthyer në një vitrinë të asaj që e priste Lindjen pas shkëputjes nga BS, ishte e thjeshtë. Shqipëria duhej të ishte e para që të afrohej me Perëndimin sepse ishte ndarë me BS që në 1961, për fatin e keq, Shqipëria qëndroi e fundit. Drejtuesit komunistë të kohës, nuk ju prinë ndryshimeve, nuk e kapën shansin e madh. Ata nuk trokitën në derën e Perëndimit atë moment kur po i prisnin. Duke menduar që nuk i takonin Bllokut Sovjetik, drejtuesit komunistë të kohës, menduan se mund të vijonin të mbijetonin si një ishull i izoluar. Ndaj kërkuan ndihmën gjermane, por jo prosperitetin politik që ju ofronte Gjermania dhe BE!
Ky është shansi i humbur i Shqipërisë dhe vetëm ky. Nëse klasa politike do të kishte qenë largpamëse; nëse ajo do ta kishte ndjerë shansin, do të kishte qenë e para që do të kërkonte ndryshime. Ajo nuk e bëri, ajo humbi shansin për Shqipërinë, por edhe shansin që një moment të vetëm, të zbuste dhimbjen që i kishte shkaktuar këtij vendi me dhunën dhe izolimin 46 vjeçar. Klasa politike komuniste u zvarrit, deri atë moment, kur iku krejtësisht pas protestave të studentëve dhe ngjarjeve të dhjetorit 1990. Iku, duke marrë me vete shansin e humbur të Shqipërisë dhe gjykimin e ashpër të historisë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora