E premte, 02.05.2025, 08:21 AM (GMT+1)

Mendime

Edmond Arizaj: Liria e Fyerjes

E premte, 06.11.2009, 08:16 PM


Liria e Fyerjes

Nga Edmond Arizaj

Zamir Dule është dhunuar në emër të fjalës së lirë. Aleksandër Frangaj është dhunuar në emër të fjalës së lirë. Martin Leka është dhunuar në emër të fjalës së lirë. Të tjerë gazetarë janë kërcënuar dhe provokuar  verbalisht në emër të fjalës së lirë. Mero Baze është dhunuar në emër të lirisë së fyerjes. Nuk ka fjalë të lirë në asnjë paragraf me firmën e Bazes, ka vetëm liri për të fyer; që prej kohës kur ai shënonte me të kuq emrat e gazetarëve që duheshin “këshilluar”, e deri në tetëvjetëshin e opozitës së Berishës, ku Baze në qindra artikujt e tij, në gazetën e tij, me punëtorët e tij, nuk la askënd pa qëlluar, fyer, denigruar, masakruar, sharë, rrahur, mallkuar, ofenduar, përdhunuar. E njëjta situatë edhe në pak vite qeverisje të Berishës, deri kur Baze “u zëvendësua”. Po, po. S’ka pse e fshehim kokën si struci, Baze u zëvendësua si i besuari i Berishës dhe që këtu rrjedh i gjithë mllefi i tij ndaj Berishës e të tjerëve, që zënë vend përditë në faqet e gazetës së tij. Janë të vërteta, apo jo, kjo mbetet për t’u vërtetuar.
Nuk më intereson aspak Rezart Taçi, në esfel vaftë nëse me anë lidhjesh të dyshimta ka përfituar mbi konkurrentët e ndershëm. Në burg vaftë nëse shtetit që më merr mua edhe taksën më të çuditshme, ai i fshihet me miliona euro. Më intereson shumë komuniteti im, që organizohet menjëherë sa herë godasin Bazen (e çuditshme pas ’98, vetëm ky pronar gazete ka probleme të tilla), por asnjëherë, asnjëherë të vetme kur largojnë gazetarët nga puna. Asnjëherë të vetme kur gazetarëve u vonojnë nga tre muaj rrogat. Asnjëherë të vetme se shumë gazetarë punojnë në të zezë. Asnjëherë të vetme se shumë gazetarëve, jo pak nga ata që ishin në protestë, u “këshillojnë” se ç’të shkruajnë. Askush nga këta nuk e ngriti zërin kur gazetarisë iu dha goditja më e madhe nga politika gjatë fushatës elektorale, duke mos e lejuar të ndiqte mitingjet e saj, por duke ia sjellë të gatshme dhe të përpunuara. Të gjithë e pranuan në heshtje. E pra, ishte vetëvrasje e pastër e fjalës së lirë, atë që sot e kërkojnë në dhunën e ushtruar ndaj Bazes. Ekzistojnë në Shqipëri të paktën pesë shoqata gazetarësh, një prej të cilave edhe nën drejtimin e Bazes, që në statutin e tyre kanë mbrojtjen e gazetarëve. Por po të pyesësh gazetarët (vetëm një herë ata dhe jo analistët) ata janë më të pambrojturit, më të rrezikuarit, më të dhunuarit e përditshëm. Nëse nuk janë sholla e këpucës së pronarit, apo shefit më lart, janë të destinuar të humbasin. Ende nuk arrij të kuptoj se ç’punë kanë në një protestë gazetarësh pronarë mediash, për të mos thënë se ç’punë kanë gazetarët që protestojnë në mbrojtje të një pronari mediaje, sepse cinizmi do të arrinte kulmin, megjithëse Baze e përdor jashtë mase.
Për çfarë u protestua dhe çfarë u mbrojt? A ishin të sigurt organizatorët që nuk u përdorën edhe këtë radhë, si atëherë kur u hoq ministri i Rendit? Pse duhet të ishin të pranishëm përfaqësues politikë në këtë protestë? Pse dalin në foto popull i thjeshtë në një protestë gazetarësh? Mos vallë për të treguar indinjatën e madhe të këtij populli se u godit fjala e lirë?! (Ky popull që nuk ndihet kur ia katërfishojnë çmimin e bukës, e ia pesëfishojnë çdo çmim tjetër). Pse çuditërisht nuk ka “solidarizim” të tillë në protestat e mjekëve, mësuesve, minatorëve, pensionistëve? Përgjigjja është e thjeshtë, sepse protestat e këtyre të fundit janë thjesht një informacion një minutësh, ndërsa ajo e gazetarëve është vetë lajmi që mund të mbajë edhe një edicion qendror, e edhe pesë faqe gazete, d.m.th. të krijojë opinion.
Por duke u rikthyer, do të mbrojmë fjalën e lirë apo lirinë e fyerjes? Fjalën e lirë e përdorin sot shumë prej analistëve, tek-tuk edhe me ndonjë rëndim, por gjithsesi i pranueshëm. Pavarësisht anësisë politike, preferencave personale apo rreshtimit total në njërin apo tjetrin krah, në përgjithësi ekziston autocensura te shumica e gazetarëve dhe analistëve. Dhe kjo është e domosdoshme kur asnjë gazetar nuk hidhet në gjyq. Ky ligj është vërtet thikë me dy presa, sepse tek e fundit sjell edhe reagimet personale të njerëzve që nuk kanë mbrojtjen e ligjit për shpifje, por nuk kanë as mbrojtjen e mediave. Kjo autocensurë, që bën të mundur eliminimin e thashethemit, ndalimin e inatit personal, peshimin e asaj që po shkruan, kthjellimin se “atë” do ta lexojnë mijëra njerëz dhe dhjetëra miq e familjarë, ka munguar plotësisht tek Baze. Për këtë mund të dëshmojnë plot gazetarë, edhe nga ata të protestës, mund të dëshmojnë plot politikanë, edhe nga ata që shprehën keqardhje për ngjarjen, mund të dëshmojnë plot biznesmenë, e turlilloj profesionesh të tjera. Pra, Baze nuk është kampioni i fjalës së lirë, por është etaloni i lirisë së fyerjes. Gazetarët mund të dilnin në mbrojtje të njeriut Mero Baze që u sulmua nga dikush që ka pushtetin ekonomik dhe mbase edhe politik, madje fort. Por realisht nuk mund të mbronin gazetarin Baze, sepse tek e fundit ai nuk është gazetar. Eshtë biznesmen që shkruan.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx