E diele, 28.04.2024, 12:34 AM (GMT+1)

Mendime

Aleksandër Biberaj: Muri i Berlinit dhe Shqipëria

E hene, 09.11.2009, 06:57 PM


Muri i Berlinit dhe Shqipëria

Nga Dr. Aleksandër Biberaj

Sot mbushen 20 vjet nga data historike 9 Nëntorit 1989, ditë kur populli gjerman i Berlinit Lindor (në atë kohë pjesë politike dhe administrative e Gjermanisë Lindore, e cila ndonëse kishte një regjim jo-demokratik për ironi të fatit quhej Republikë Demokratike) rrëzoi Murin e Berlinit, pengesën jo vetëm fizike që ishte vendosur padrejtësisht për të ndarë një komb, i cili në gjendjen që ndodhej pas Luftës së Dytë Botërore, nuk përbënte më rrezik apo kërcënim për Evropën apo për njerëzimin. Siç u pa për dekada me radhë, Muri i Berlinit nuk do të ishte thjesht një barrierë fizike që do të pengonte jo vetëm gjermano-lindorët, për të shkuar në perëndim, por Muri i Berlinit u shndërrua në një barrierë politike, ekonomike, shoqërore, sociale, kulturore, morale dhe shpirtërore, që do të ndante kombin gjerman, dhe jo vetëm kombin gjerman në dy botë që ecnin në drejtime të kundërta, duke iu larguar çdo ditë njëra-tjetrës, a thua se bëhej fjalë për dy galaktika që i largoheshin në kohë dhe hapësirë njëra-tjetrës, dhe jo për një komb apo për një kontinent që po ndahej padrejtësisht nga një mur jo thjesht fizik. Një ndër pasojat më negative dhe afat-gjata që do t’i shkaktonte Muri i Berlinit, jo vetëm Gjermanisë Lindore por të gjitha Evropës Lindore, do të ishte përpjekja për tjetërsimin e njeriut natyral dhe zëvendësimin apo klonimin e tij me “njeriun e ri artificial” të tipit Lej Fen, tashmë me mentalitet, psikologji, sjellje, reagim dhe bindje “të reja” ndaj “sistemit dhe lidershipit të ri politiko-shoqëror”. Edhe në Shqipëri regjimi diktatorial i kohës do të ndërtonte një “mur” prej telash me gjemba (kloni), të cilin kush tentonte ta kalonte ose guxonte ta kalonte, do të kishte një fund tragjik, përfshirë edhe pushkatimin pa paralajmërim dhe pa gjyq, tek kloni, dhe kjo edhe në vitin ‘90, pasi ishte rrëzuar Muri i Berlinit në Gjermani dhe Evropën Lindore. Por barriera më e madhe që do të ndante Shqipërinë me Perëndimin për 45 vjet do të ishte barriera në mentalitet dhe psikologji, pasi regjimi do të përpiqej jo pa sukses të eksperimentonte shpërlarjen e trurit (brain washing), tipar karakteristik ky i regjimeve diktatoriale. Por çfarë ndodhi realisht në Shqipëri gjatë këtyre 20 viteve të tranzicionit me mentalitetin dhe psikologjinë e trashëgua nga komunizmi, mentalitet dhe psikologji që ndau Shqipërinë dhe shqiptarët nga civilizimi perëndimor për 45 vjet, nga ku e kemi gjenezën dhe vokacionin historik? Natyrisht që me 8 Dhjetor të vitit ‘90 në Shqipëri u rrëzua muri politik, ekonomik, social, kulturor, shoqëror dhe shpirtëror, që na ndante ne nga perëndimi, por nuk u rrëzua muri i mentalitetit dhe psikologjisë që ushqeu reciprokisht komunizmi tek shoqëria dhe anasjelltas shoqëria tek komunizmi për 45 vjet. Po të shikosh sot realitetin politik, e kupton fare lehtë se mentaliteti dhe psikologjia që ushqeu komunizmin për 45 vjet, ka ndryshuar fare pak për të mos thënë aspak. Po të shikosh partitë politike, të cilat në demokraci presupozohet të jenë shkolla politike të demokracisë, parlamentin i cili presupozohet të jetë tempulli i demokracisë, apo edhe qeverisjen si lidership i zhvillimit dhe reformave në vend, e kupton fare mirë se sa pak ka ndryshuar mentaliteti dhe psikologjia që nga rrëzimi i Murit të Berlinit. Partitë politike në Shqipëri sot karakterizohen nga mungesa e demokracisë së brendshme, nga sundimi i kultit të individit dhe nga përqendrimi i pushtetit në mënyrë informate, në fare pak duar siç ndodhte dikur me partitë komuniste. Në partitë tona nuk ka konkurrencë të lirë dhe të ndershme, pasi nuk ka as votime të lira dhe të ndershme. Në partitë tona nuk ka kritere karriere dhe as rregulla loje, gjë që ka sjellë edhe mungesën e elitave dhe të rrotacionit të elitave. Në partitë tona, nga njëra anë sundon fryma e servilzimi dhe e bindjes së verbër nga poshtë-lart, ndërsa nga ana tjetër sundon fryma e arrogancës dhe prepotencës nga lart-poshtë. Në partitë tona ekziston një luftë e ashpër dhe e paprinciptë brenda llojit, e shoqëruar kjo me një luftë kundër të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, formë moderne kjo e luftës së klasave në gjirin e partisë. Çdo ditë e më shumë në partitë tona fatkeqësisht po fitojnë terren injorantët dhe të pa-aftët, në kurriz të intelektualëve dhe të aftëve, antivlerat në kurriz të vlerave, materialistët në kurriz të idealistëve. Politika po dominohet çdo ditë e më shumë nga fryma e prapaskenave, intrigave dhe thashethemeve, modele këto të funksionimit të regjimeve të vjetra primitive. Në komunizëm motivoheshin ata që mbaronin shkollën e partisë, ndërsa sot po motivohen ata që kanë diploma fallco, dhe që nuk kanë mbaruar jo vetëm shkollën e mesme, por shpeshherë as 8-vjeçaren. Psikologët dhe sociologët që kanë studiuar këto deformime në mentalitetin dhe psikologjinë e njeriut, kanë arritur në një konkluzion që koha e deformimit është në përpjestim të drejtë me kohën e rehabilitimit ose me kohën e rikthimit të mentalitetit dhe psikologjisë në gjendje normale. E aplikuar në rastin e Shqipërisë i bie që 45 viteve të deformimit komunist i duhen edhe 45 vite rehabilitimi, 20 kanë kaluar, mbeten edhe 25 të tjera. Lidershipi shqiptar i tranzicionit 20-vjecar, shërbimin më të keq që po i bën shoqërisë tonë dhe sidomos brezit të ri, është se jo vetëm nuk u përpoq për të shkurtuar kohën e rehabilitimit nga sistemi i kaluar, por përkundrazi me modelin totalisht të deformuar që aplikoi gjatë këtyre 20 viteve, po e tejzgjat kohën e rehabilitimit të mentaliteti dhe psikologjisë së modelit komunistë. Që të bësh karrierë sot në Shqipëri duhet të jesh servil dhe zvarranik, nuk ka rëndësi sa i aftë je, rëndësi ka se çfarë mendon lidershipi. Që të pasurohesh brenda nate duhet të futesh në politikë dhe që të futesh në politikë duhet të paguash. Dhe natyrisht ky model i deformuar i të bërit karrierë kërkon pikë së pari që të bësh një shpërlarje truri, duhet të heqësh dorë nga  karakteri dhe dinjiteti, dhe mbi të gjitha duhet të mos mendosh. Siç shihet pra lidershipi shqiptar nuk punoi për të çrrënjosur mentalitetin 45-vjeçar, por duke punuar në të njëjtin drejtim, rrezikon ta çojë kohën e rehabilitimit të mentalitetit dhe psikologjisë në 65 vjet (45 komunizëm dhe 20 tranzicion). Fatkeqësisht edhe sot pas 20 vjetësh nga rënia e Murit të Berlinit, vazhdojnë të jenë “të suksesshëm” modelet politike të tipit Lenka, Pali, Muho, etj. (Ju kërkoj falje personave emrat e të cilëve po i përdor për ilustrim) modele me të cilat talleshim para 20 vitesh dhe i përmbysëm, me shpresën dhe qëllimin për t’i zëvendësuar me modele bashkëkohore perëndimore. Por me sa duket zhvillimi ciklik në Shqipëri e paska kohën e ciklit shumë të shkurtër (në rastin tonë vetëm 20 vjet), gjë që me sa duket kërkon fillimin e një cikli të ri zhvillimi, por tashmë jo më me aktorë të së kaluarës si dhe duke kopjuar apo zbatuar modelet që u krijuan gjatë 45 viteve diktature, por duke pasur aktorë të rinj të cilët të kenë për bazë modelet bashkëkohore dhe arritjet civile të qytetërimit perëndimor. Ky është me sa duket mesazhi më i qartë që na jep sot 20-vjetori i rrëzimit të Murit të Berlinit ne shqiptarëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora