E diele, 28.04.2024, 02:57 PM (GMT+1)

Mendime

Fotaq Andrea: Ne duhet të flasim me gjuhën e shqiptarizmës e të kulturës sonë të lashtë

E diele, 08.11.2009, 07:55 PM


NE DUHET TË FLASIM ME GJUHËN
 E SHQIPTARIZMËS E TË KULTURËS SONË TË LASHTË

Letër drejtuar Zotit Fatmir Minguli


Nga Fotaq Andrea

I dashur Fatmir,

Më vjen keq që nuk u takuam dot së bashku ato ditë të nxehta korriku kur u ndodha në Tiranë, por shpresoj dhe uroj që së shpejti të piqemi në klubin tënd në Durrës, për t’u njohur kështu nga afër me shoqi-shoqin.

Sapo lexova letrën tënde të ngrohtë, dërguar bashkë me atë të Moikomit dhe, duke të falënderuar përzemërsisht, po të shpreh edhe unë nga ana ime gjithë vlerësimin tim pozitiv për mendimet e tua të drejta lidhur me shqiptarinë e sotme, për të cilën kemi aq shumë nevojë.

Letra jote më ngacmoi në mënyrë të veçantë në dy drejtime: rilindja e domosdoshme shpirtërore, kombëtare e kulturore e njerëzve tanë, dhe lufta kundër skepticizmit e mediokritetit. Mendoj se këto janë dy shtylla të fuqishme për të ardhmen dhe zhvillimin demokratik të vendit, mbi një taban të shëndoshë etnik e historik, krahas progresit të domosdoshëm ekonomik, me qëllim që të zëmë vendin tonë të merituar në botën moderne, me anët më pozitive tonat, mjerisht të sfumuara sot nga vesi, makutëria e letrarizmi nihilist i herëpashershëm.

Duke dashur të ndalem në dy aspektet e mësipërme, do dëshiroja të thoja, në radhë të parë e mbi të gjitha, se ne, të tërë, e ndjejmë tanimë të nevojshme të shpalosim edhe një herë vlerat dhe virtytet më të mira të rilindasve tanë të ndritur, që na trashëguan e besuan mëmën Shqipëri, tek bënë flamur në shekuj thirrjen e tyre të shpirtit : “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar!” Është kjo gjuha e kristaltë e shqiptarisë, gjuha e përhershme “e bekimit rilindas” siç e cilëson Gazmend Leka, e patriotizmit të njerëzve të thjeshtë me vlera të vërteta, e intelektualëve të ndershëm, që e duan loken e tyre hallëmadhe e xhubletgrisur.[...]

Ndoca mund të pretendojnë se thirrja e shpirtit e rilindasve tanë është sot e dalë mode, arkaike, egocentrike e narcisike, pa kurrfarë vlere, ngaqë integrimi në familjen evropiane e përjashton gjoja nacionalizmin dhe patriotizmin e dikurshëm. “Lajthitje, o koqe kandari!”, do t’u thosh populli me gjuhën e tij. “Rruga për në Evropë, siç shkruan me të drejtë Ardian Ndreca, kalon në radhë të parë e mbi të gjitha nga dashuria për vendin tënd, dhe jo nga mallkimi e mohimi.” Evropë do të thotë bashkësi popujsh me identitete tradicionale, bashkëjetesë, respekt dhe harmoni e tyre, mozaik etnish, kulturash e traditash të afirmuara fuqishëm. Evropë do të thotë trashëgimi historike dhe kulturore, pa rrafshim, njëjësim e shuarje të vlerave kombëtare.

Ndoca të tjerë nuk kanë munguar të pretendojnë se një parashtrim i tillë i çështjes s’është veçse një interpretim nacionalist a ultranacionalist, artificial e i tepruar, tek i thuren ditirambe së shkuarës, asaj të shkuare që e cilësojnë “kombëtarizëm romantik”, “mitik”, “dogmatik”, “elitar”, “ngushëllues” e “konikutural”, me vlera të shterura a të shterpëta. Sa keq që njerëz të tillë e poshtërojnë veten deri në këtë pikë, deri në mohim të vetvetes, thjesht për t’u shfaqur origjinalë, gjoja intelektualë me një barrë mend, ndryshe nga të tjerët ! Domosdo që nihilizmi i tyre e ka një burim teorik antishkencor, që ushqen pikëpamje të tilla irracionale e antikombëtare se “ne s’kemi histori dhe se historinë e bëjnë të tjerët”, se “jemi popull pa kulturë, pa din e pa iman”, se “jemi mbetje (gati sa s’thonë jashtëqitje!) e rastësishme e historisë së perandorive romake, bizantine a otomane”, se “kot që mburremi me pellazgjinë, me shqipen, me një Skënderbe a një Nënë Terezë (kur edhe origjinën shqiptare ua vënë në dyshim)”! Pikërisht në këto teza, e kërkojnë atëherë zanafillën e realitetit të tyre të bloztë, tek e shohin Shqipërinë krejt të zhbërë, të satanizuar e të kriminalizuar, ferr e shtrat Prokrusti, ku venë dëm kapacitetet e tyre gnoseologjike dhe mallkojnë veten që qenkërkan gjenetikisht shqiptarë. Se ç’janë ata, punë e tyre ! Por edhe ne kemi të drejtë të ndajmë shapin nga sheqeri, të mos ngatërrojmë Shqipërinë e shqiptarët e ndershëm me një kastë mëkatarësh, lubi çezariane, halldupë e hajdutë, bukëshkalë të këtij populli, edhe ne kemi të drejtë të flasim ndryshe nga ta, pa ndotje morale e përdhosje, për të lartësuar shqiptarinë dhe dinjitetin kombëtar, nëpërkëmbur sot keq nga papërgjegjshmëria politike, nga megalomania e mediokriteti, nga mashtrimi e mohimi, nga cmira e urrejtja, thjesht nga antikultura e antivlera, nga dashaligësia e brendshme, por edhe e jashtme. Sepse, doemos, kur shan vetveten, s’ka pse të na kursejnë as qarqe të huaja, që historikisht nuk kanë munguar të na shohin me skepticizëm, paragjykim apo frymë mohimi e agresiviteti.

Ja pse sot, ne duhet të flasim, mbi të gjitha, me gjuhën e vërtetë të shqiptarizmës e të kulturës sonë të lashtë, në duam të hyjmë në Evropë me identitetin tonë të pjekur mijëravjeçar, me atë dinjitet të përhershëm shqiptar të kohës ilire, romake e bizantine, të epokës skënderbejane, të humanizmit dhe rilindjes sonë. Fati i një populli mijëravjeçar si i yni s’është kurrsesi rastësi në histori, as rezultat koniukturash kancelareske. Fati i tij është rrjedhojë logjike e vitalitetit të tij të përhershëm dhe në pyetjen “A do bëhemi edhe ne ndonjë ditë?” duhet parë thjesht kërkesa e njerëzve të ndershëm për ndryshim të shpejtë. Ata nuk duan zvarritje ligaveci të ligaçëve, nuk duan hapa breshke e të mburren me to, ata duan ecje të përshpejtuar demokratike, siç e kërkojnë energjitë e tyre të fuqishme e gjithpërtëritëse.

Ne jemi bërë dhe jemi duke u bërë, si gjithë të tjerët, kush më shpejt e kush më vonë, me të mirat e të këqijat tona, me ferra nëpër këmbë, si ngaherë. E vërteta është që fati ynë ka qenë fati i Sizifit, fati i të mbijetuarit të përvuajtur që mban peshën dërrmuese të historisë së tij mbi kurriz e në zemër. Te Sizifi mund të vërehet edhe i lënguari i kurrizit, por edhe i palëshuari i zemrës. A nuk duhet të shohim pikërisht në mbijetesën tonë shumëshekullore e stoike atë vitalitet të pashembullt të një populli të vogël, kur perandori të tëra janë shuar e firuar? A s’kemi të drejtë më në fund të shuajmë etjen tonë për progres në burimin shpirtëror të shqiptarizmës, për të mos pirë ujin e flamosur të batakut antishqiptar? Historia shqiptare shpejt do gomojë njerëz e kasta të padenja për të, e mjerë kush lë gjurmë për të keq në këtë dynja!

Është i bukur slogani “Koha për ndryshim”, që në thelb do të thotë e duhet të thotë strategji zhvillimi, politika punësimi, ulje varfërie, shtet ligjor, shtet të së drejtës, përparësi të vlerave e virtyteve, dimension të lartë intelektual në mekanizmat e shtetit, diplomaci dinjitoze, meritokraci, ndershmëri, largpamësi, zbardhje dosjesh të zeza, kulturë politike e politikë kulturore, dhe më në fund guxim qytetar për progres.[...] “Koha për ndryshim” është pra koha për t’i “dhënë njeriut atë çka i takon njeriut”, sipas shprehjes së nobelistit Neruda. “Koha për ndryshim” është thjesht koha për të vepruar ndryshe nga sa më sot.  

Edhe një herë, të falënderoj, i dashur Fatmir, për letrën tënde që më dha mundësi të shprehë këto mendime, aq shumë të debatuara sot mes njerëzve tanë, të etur për ndryshimin e vërtetë.

Me respekt,
Fotaq Andrea
Strasburg, 1 gusht 2005.


(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora