E diele, 28.04.2024, 04:01 AM (GMT+1)

Mendime

Agron Tufa: Socrealizmi dhe Genaration “Pepsi-Cola”

E diele, 08.11.2009, 07:32 PM


Socrealizmi dhe Genaration “Pepsi-Cola”

Nga Agron Tufa

Mund të përcaktosh – dhe tashmë e kanë përcaktuar – gjenezën intelektuale të dy prej ideologjemave që kanë përshkuar në këtë shekull pjesën më të madhe të njerëzimit. Megjithatë, ende na kanoset rreziku, a thua se në to, prapëseprapë, paskan gjalluar dofarë idesh të thella e të mëdha, prej të cilave edhe sot, të ketë mbetur ndonjë grimcë e vlefshme. Është fjala për komunizmin dhe nazizmin. Ata nuk meritojnë asnjë nderim e asnjë rehabilitim për t’i fisnikëruar, pasi secili në llojin e vet, ka falsifikuar dhe manipuluar me idenë e së Mirës.

Marksizëm-Leninizmi e shiste veten si trashëgimtar i traditës me zanafillë Heraklitin dhe Demokritin. Ai e nxjerr prejardhjen e vet nga Lukreci, epoka e Iluminizmit, Hegeli dhe gjithë zhvillimi i shkencës së pozitivizmit. Ndryshe me nazizmin, që, sidoqoftë, nuk e ka dhe aq vulgare gjenezën. Nazizmi e konstrukton gjenezën e vet me zanafillë tragjedinë greke, Herderin, Novalisin, Hegelin e interpretuar ndryshe, Niçen dhe, ta pret mendja, e bazonte të drejtën e tij me zhvillimet e shkencave që nga koha e Darvinit.

Ky është një iluzion, i cili sjell një rrezik shtesë: komprometimin e të gjithë emrave që ata përmendin. Do rrezikonim nëse do të fajësonim Hegelin, dhe çdo filozof apo shkencëtar tjetër nga sa përmendëm, për faktin se na kanë lënë të tillë pasardhës.

Megjithatë, janë pikërisht këto manipulime dhe falsifikime, më saktë, monopolizime mbi idenë e së Mirës - shkaku tragjik, që ka përcaktuar fatin e veprës së shumë shkrimtarëve e mendimtarëve, të cilëve u ra të krijojnë brenda këtyre dy sistemeve politike.

Ne kemi përvojën tonë shqiptare, e cila duhet përcaktuar si “e turpshme dhe tragjike”, produkti pesëdhjetëvjeçar i së cilës, kur e sheh të shpërndarë nga bukinistët trotuareve apo brigjeve të Lanës, të trishton jo më pak se muranat e ngritura ndanë rrugëve automobilistike, në përkujtim të të aksidentuarit. Në të dy rastet, asociacioni të shpie në atmosferën e përzishme, mortore. Në sisteme të tilla vlerash, nuk kishte si të ishte ndryshe.

Gjendja shpirtërore e aktivistit të Partisë dallon për nga besnikëria fanatike ndaj sistemit. Direktiva “nga lart” rindërton të gjitha polet e mendjes dhe perceptimit, gjer në periferi. Si rezultat, gjuha shndërrohet, metamorfozon: ajo nuk i shërben më komunikimit apo përshkrimit, sqarimit, por asaj se si mund të krijohet lidhje ndërmjet sistemit dhe realitetit. Kësaj gjuhe i përket një rol magjik: t’ia nënshtrojë realitetin botëkuptimit. Kjo “gjuhë liturgjike”, çdo formulim i së cilës shenjon përkatësinë e folësit ndaj sistemit, kërkon dhe nga bashkëbiseduesi, që edhe ai të përfshihet në të. Fjalët e tij më me rëndësi – janë kanosja dhe simbolet e pushtetit. Kjo më së shumti i shkon përshtat “traditës” së sistemit komunist, që në vendin tonë edhe sot e kësaj dite e ndjejnë veten si peshku në ujë (mjafton t’u hedhësh një sy gazetave dhe liderëve të së majtës, ose  fakturës së ligjërimit gjuhësor të politikanëve).

Nën pushtetin e ideologjisë është e pamundur të mbetesh i mençur apo mendjekthjelltë. Nazizmi ka tunduar disa mendimtarë të mëdhenj: Heidegger-i, për të cilin kam adhurim të pakufijtë, Karl Shmiti etj, janë, megjithatë raste specifike. Ata, është më saktë të thuash se projektuan tek nazizmi idetë e tyre dhe se për nazizmin vetë, këto ide ishin të huaja: antimodernizmi i thellë, antidemokratizmi i thellë, nacionalizmi, kthimi në metafizikë, - të gjitha këto nazizmi sikur i përvetësoi, por i përvetësoi me atë rezervë, për çka ato përbënin vlerë idesh në jetën intelektuale të filozofëve: me rezervën e mendimit, thellësisë, metafizikës. Këta filozofë iu dhanë gjithashtu iluzionit të gjenezës.

Sidoqoftë, marksizëm-leninizmit nuk ia doli t’i qorrollepsë disa nga mendimtarët e mëdhenj të dorës së dytë, si p.sh., Llukaçin, Brehtin, Arragonin anipse edhe këta nuk vonuan ta humbin talentin e tyre, sapo ngjëruan çorbën komuniste.

Partitë komuniste kanë mundur të lavdërohen me zell kapadaiu e karagjozi me figura shkrimtarësh të mëdhenj në radhët e tyre: me Aragonin, Bretonin, Elyarin, Gorkin, Majakovskin, Pikasonë, Lanxhevenin, Nerudën, Hikmetin, porse kujdeseshin gjithnjë që t’i mbanin ata të shtmëngur, anash, duke u lënë veç mundësinë që të përfshiheshin me raste, sipas gjendjes shpirtërore, sipas leverdisë, sipas rrethanave. Sidoqoftë, pa marrë parasysh karakterin sipërfaqësor të partishmërisë së tyre, dhe piktura e Pikasosë (shih. “Lufta në Kore”), dhe poezia e Nerudës, Hikmetit, Majakovskit dhe Aragonit, veçse kanë humbur e degraduar nga kjo gjë.

Për realitetin shqiptar mund të thuhet, si për çdo realitet tjetër komunist, se edhe shkrimtarët tanë, madje me dëme më katastrofale, patën të njëjtin fat, anipse çdocilit sot, nga gjithë krijimtaria në prozë e poezi mund t’u nxjerrësh me rafinerim nga një libërth-fletorkë në përkujtim të grimëçastit kur Shkrimtari hapi gojën të flasë, porse s’arriti të nxjerrë veçse një gogësimë të zgjatur. Natyrisht, çështja e sasisë është e diskutueshme, dhe përjashtime bëjnë një, dy, tek e shumta tre shkrimtarë.

Në diskutime të ndryshme është naivitet e pikëllim njëherësh, të shohësh sesi fryhen si kaposhër shumë nga shkrimtarët tanë, kur thonë se “të gjithë shkrimtarët e mëdhenj kanë qenë të majtë”. Unë them, se mendimtarët e mëdhenj dhe shkrimtarët e talentuar, përcaktohen nga karakteri dhe niveli i neverisë që kanë nga çdo përcaktim ideologjik. Arti mund të mbijetojë vetëmse estetikisht, qoftë dhe brenda regjistrave të provokimit. Mendimtarët e mëdhenj përmbyllen në sisteme ideologjike vetëm përsa i përket rrjedhës së rastësishme të pasioneve, natyra e të cilëve gjendet jashtë ideologjisë. Por, duke iu avitur bërthamës së saj, pasionet ftohen, dhe shpesh mbeten vetëm precipitate derdimenomanie.

E meqë jemi te precipitatet, a mundet vallë, në kulturën tonë të të gjitha sferave të ngjitet kjo tipologji deri te brezi i “Pepsi-Cola-s? Sa herë mundohem t’u shpjegoj studentëve të mi logjikën e gjërave që përbënin ankthin e përditshmërisë komuniste para viteve 1990, ndesh një sforcim për ta rrokur me mend, por e di, se kurrë s’ka për të ndodhur përjetimi as i një historie të vetme dhe as i të gjitha historive, që përbëjnë sfondin psikologjik kolektiv të kësaj epoke. Ata nuk mund ta rrokin me mend aktivitetin psikik dhe pulsimin e ankthit të njeriut në diktaturë, prandaj priren ose t’i totalizojnë skematikisht gjërat në bardhë e zi, ose të jenë krejt indiferentë ndaj realeve që nuk i kanë prekur dhe ndjerë në lëkurën e tyre. E shumta ata që s’e kanë përjetuar epokën e diktaturës dhe mekanizmat e funksionimit të saj, të shohin si një roman jo shumë tërheqës, ose si një tip që po u rrëfen sagën kronikale të një sëmundje, të një lëngate të gjatë, e cila dikë e mori e dikë, falë Zotit, e la për të dëshmuar, më gjysëm gojë, të fiksur, të zymtë e konfuz.

Brezi “Pepsi-Kola” është një civilizim radikalisht i ndryshëm, jeton në koordinata radikalisht të ndryshme kohore, sociale dhe metafizike. Dhe janë këta breza formacioni i recipentit të ri, që kurrën e kurrës nuk do të marrë fare mundimin t’i përjetojë, t’i marrë seriozisht, pa le më të vrasë mendjen për socrealistët. A është mirë kjo? Edhe mirë edhe keq. Gjithsesi e keqja e tyre, pra mosinteresimi për ekzistencën e socrealizmit, ka përsëri një të mirë të madhe. Thjesht ata s’do të kenë punë fare me kompromentimin e kujtesës.

E di se do më kundërshtojnë. Po edhe kundërshtimi që mund të më bëjnë, do t’i ketë rrënjët po nga ajo vetëdije precipitatesh, me nder me thanë, socrealizëm. Sepse nuk është çështje erudicioni, formimi, refleksioni, a ku di unë. Është çështje vetëdijeje tjetër, ndjeshmërie të re. Pamundësia ka të bëjë me faktin, që vetëdija nuk ndryshohet si “Njeriu i ri”. Ajo nuk është më fëmijë që të mund të adoptohet. Socrealizmi është i jeratisun prej Zotit më të pamëshirë, Zotit të Historisë, të linçohet me harrimin më përjashtues nga brezi më i ri që po vjen – generation “Pepsi-Kola. Në asnjë epokë kulturore s’e gjen një përjashtim kaq kategorik sa ky.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora