E diele, 28.04.2024, 11:23 AM (GMT+1)

Mendime

Blerim Çoçaj: Personazhet humoristike të votuesve

E hene, 09.11.2009, 08:16 PM


Personazhet humoristike të votuesve

Nga Blerim Çoçaj

Shumë kandidatë për kryetar të komunave në Kosovë, që konkurrojnë në zgjedhjet e 15 nëntorit të këtij viti, nuk kanë mundur të krijojnë para votuesve, personalitetin e tyre intelektual, politikë dhe publikë. Angazhimi i tyre që gjatë fushatës parazgjedhore, të krijojnë së paku një imazh publikë, fatkeqësisht ka  rezultuar vetëm në krijimin e personazheve humoristikë! Ata, madje i përngjajnë më shumë  dy personazheve; Zylos dhe Demekut, të romanit "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo", të Dritëro Agollit,  se sa  një personaliteti intelektual, politikë dhe publikë. Në vend të krijimit të imazhit, shumë kandidatë të komunave, gjatë fushatës parazgjedhore, nuk kanë treguar   asgjë më shumë se sa pasqyrën e pozitës së mjerë të tyre dhe partive politike, të cilat i përfaqësojnë në këtë garë jo pak të rëndësishme zgjedhore. Në tubimet parazgjedhore të organizuara me votuesit, e sidomos  në debatet publike të mbajtura nëpër mediat elektronike, këta kandidatë janë bërë   shkaktarë  situatash që kanë bërë votuesin të shkulet gazit së qeshuri, gjatë shpalimit të  “programit” të tyre. Me  gafet e tyre të bëra para votuesve, ata më shumë kanë treguar  se nuk janë  figura të kompletuara politike, por më shumë  tragjikomike. Me veprimet e tyre të bëra gjatë fushatës parazgjedhore, këta kandidatë në mungesë të aftësimit për të shpalosur programin e tyre, vetëm sa i kanë bërë që më shumë  të qeshin votuesit. Nuk ka munguar edhe ndjenja e keqardhjes për ta. Në çdo takim elektoral, shumë kandidatë të komunave të Kosovës, nuk kanë treguar se kanë ndonjë vizion dhe program për ta qeverisur  komunën ku kanë konkurruar. Në takimet e hapura me qytetarët, në vend të programit, ata  nga xhepi nxjerrin një letër në të cilën janë të thurura vetëm  premtimet  e ndryshme. Nga gafet që i bëjnë gjatë leximit, votuesit lehtë kanë mundur të kuptojnë se letra e “mbushur me premtime”, as që është shkruar  nga dora e kandidatëve të tyre. Ata  në këto takime parazgjedhore,para votuesve, deri më tash janë paraqitur  vetëm si  prezantues të “programit”  të tekësshkruesit të tyre, ashtu siç paraqiten moderatorët në TV-të e  Kosovës, me shumë gafe, ndonëse tekstet që i lexojnë janë të shkruara dhe redaktuara mirë  nga gazetarët dhe redaktorët. Dallimi i vetëm në mes  prezantuesve të televizioneve, dhe prezantuesve (kandidatëve) për kryetar të komunave, është se këta të fundit e marrinë përsipër autorësinë e shkrimit që e lexojnë para elektoratit të tyre. Ata s’ngurojnë të krenohen as para tekësshkruesit të letrës, për paraqitjen e “mirë” të tyre, ashtu siç paraqiten Zylo dhe Demekë në romanin "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" të Agollit. Këta kandidatë nuk janë asgjë tjetër, përveç figura fatkeqe në të cilën bëhen bashkë  mirësia e qëllimit me padijen, me humbjen e ndjenjës së realitetit, të masës për të vërtetën.  Në këtë kuptim, ata ju shfaqen votuesve sikur personazhi  Zylo në një pamje sa “të rrezikshme”, aq edhe për t'ua qarë hallin. Shpejtojnë t’ia veshin vetes atributet e pamerituara, duke besuar  verbërisht në forcën çudibërëse të tyre.madje, as ngatërrimi i termave Premtim dhe Program, që bëjnë  zakonisht në debatet televizive, aty ku nuk mund të  lexojnë letrën që mbajnë në xhep, nuk  ju lë shumë përshtypje. Premtimi dhe Programi, për ta ka të njëjtin kuptim! I kanë hyrë garës, pa e ditur që programi është tërësia e detyrave dhe punëve të parashikuar për të plotësuar në të ardhmen;plan i gjërë që parashikon një punë a një veprimtari  të ardhshme dhe ecuri për plotësimin e saj, ndërsa premtimi është vetëm fjalë që i jepe dikush ose zotim që merr për të bërë diçka. Termin Premtim, këta kandidatë  të komunave, gjatë fushatës zgjedhore e përdorin vetëm sa për t’ua ngjallë shpresat  votuesve se do të punojnë për një të ardhme  “të ndritur dhe me perspektivë ”. Por, a do të tregohen të ngatërruar votuesit  në përcaktimin  e drejt të kandidatëve me 15 nëntor ? Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit për shumë arsye janë ndër më të rëndësishmet në Kosovë. Prandaj,qytetarët do të duhej të tregohen  shumë  të matur para se të përcaktohen  se kujt  po ia japin votën e tyre. Vendit  nuk i duhen më  kryetarë dhe deputetë të Kuvendit, të cilët niveli i tyre intelektual nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve. Problemet me të cilat po ballafaqohen banorët e qyteteve të Kosovës, janë të shumë të mëdha. Rruga e vetme për t’i zgjidhur këto probleme është vetëm përcaktimi i drejtë i votuesve me 15 nëntor për kandidatin që plotëson të gjitha kriteret për të menaxhuar me vendin. Ato nuk mund të zgjidhen nga kandidatët të cilët  në përpjekje të për të krijuar  imazhin e tyre, janë shndërruar në personazhe humoristike.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora