Kulturë
Vangjush Ziko: Majestik - Një legjendë e kulturës korçare
E hene, 24.08.2009, 06:38 PM
 MAJESTIK - NJE LEGJENDE E KULTURES KORCARE
MAJESTIK - NJE LEGJENDE E KULTURES KORCARENga Vangjush Ziko
Shfletoj fjalorin e gjuhës frënge dhe fletët e kujtesës sime. Fjalori ma përkthen këtë fjalë. Kujtesa ma sjell ndër mend.Përfytyrimi ma rikrijon.
Kinema "Majestik".Kafene "Majestik".Salloni "Majestik".Sheshi "Majestik".
Madhështi.Madhështor.I Madhërishëm!
Nuk bëhet fjalë për titull aristokratik apo për pallat mbretëror.Bëhet fjalë për një ndërtesë në një nga sheshet e qytetit tim,ndërtesë e lartë dykatshe me një sipërfaqe ndërtimi rreth gjashtëqind metra katrore,të lartë katërmbëdhjetë metra,me një faqe ballore të veçantë,ku forma drejkëndore është plot dritare karakteristike të stilit dekorativ,me vitrina anësore të mëdha,plot dritë dhe një ballkon të harkuar.Çatia e saj është e mbuluar me llamarinë,që mban mbi vete shkëlqimin dhe bllanat e kohës.Kjo ndërtesë ka shtatëdhjet e pesë vjete që ka ngulur themelet e veta në truallin korçar dhe bën dritë dhe hije buzë bulevardit "Republika".Dora njerëzore,jo vetëm e ka lyer dhe zbukuruar shumë herë,jo vetëm e ka meremetuar,por edhe ka ndërhyrë duke ia shndërruar fatkeqësisht strukturën e saj të brendshme.Barbare ishte ndërhyrja në vitet gjashtëdhjetë kur salla e kinemasë,e projektuar dhe e ndërtuar në miniaturë sipas modelit të "La Skalas",me plate,llozha dhe ballkon,u kthye në një sallë të rëndomtë kinemaje.
Dekoracioni i mjediseve të brendshme ka ndërruar disa herë për arsye objektive ose subjektive.Kështu,salla e kinemasë u bë dhe sallë teatri dhe koncertesh,u bë sallë mbledhjesh solemne dhe gjyqesh të rëndomtë,ring boksi e tapet mundjesh,bingo...
Kafeneja aristokratike u bë klub i zakonshëm dhe...dyqan mobiljesh.
Salloni i gjerë i katit të dytë,nga sallë dansi,u shndërrua në teatër kukullash dhe bilardoje.
Ndërsa,gjithë ndërtesës iu ndërrua disa herë emri nga "Majestik",në "Morava",bingo "Olimpia","Milienum"...duke kërkuar gjithmonë emra vargmalesh ose malesh perëndish për të mos iu shmangur,për t'iu afruar emrit me të cilin e pagëzuan bashkëpronarët e saj kulturëdashës,që me ndërgjegje të plotë e projektuan si një objekt social-kulturor,si një vatër kulture dhe shlodhjeje për qytetin e tyre.
Por,asnjë emër nuk mundi t'i shkonte më mirë kësaj ndërtese të veçantë se sa emri fillestar,që e ka vulosur vetë koha,MAJESTIK-MADHËSHTOR!
Madhështia e kësaj ndërtese qëndron jo vetëm në pamjen e saj të jashtme masive dhe karakteristike,arkitektonike,por edhe në kujtesën e saj të ngurtësuar në vite,që ka regjistruar shijet,nivelin kulturor,frymën emancipuese të një qyteti të tërë,që ka përjetuar dhe përjeton kohë të ndryshme historike:kohën e Mbretërisë,të Luftës së dytë Botërore dhe pushtimit fashist,të Socializmit dhe të Demokracisë.
Në këto dekada kinemaja është bërë një vitrinë e kulturës,artit,sportit,politikës dhe zakoneve të jetës korçare;atje breza të tërë kanë thithur nektarin apo helmin e kohës,kanë shprehur simpatinë apo antipatinë e tyre,kanë duartrokitur apo kanë përplasur këmbët,kanë dalë të gëzuar apo të hidhëruar,të qeshur apo të përlotur,entusiastë apo pesimistë;me një fjalë të vetme,kanë jetuar.
Në kafenenë "Majestik",ku,bashkë me aromën e kafesë dhe hidhërimin e nikotinës,nëpër tavolina lexohej shtypi i përditshëm,thithej jehona e polikës dhe e kulturës kombëtare dhe asaj botërore.Atje është diskutuar për mbretërinë,për fashizmin dhe komunizmin,për Hitlerin dhe Çurçllin dhe Stalinin,për Fan Nolin dhe Ahmet Zogun,për Mit'hat Frashërin dhe Enver Hoxhën...
Më pas në vite,atje familje të tëra korçare kanë festuar dasmat e tyre ose kanë pirë verën e hidhur të përshoirtjeve.
Në perden e bardhë të kinema "Majestik" është pikëlluar ose lumturuar Greta Garbo dhe Alida Vali,Çaplini i madh dhe Olio me Stenlion;Ladinina dhe Druzhnikovi,Naim Frashëri dhe Pandi Raidhi;ka parakaluar kinematografia botërore dhe ajo kombëtare e tërë atyre dekadave...
Në skenën e saj ka jehuar zëri i magjishëm i Tefa Tashkos dhe është luajtur opereta e parë shqiptare e kompozitorit Kristo Kono;ka kënduar Kori Karakteristik i drejtuar nga Kostaq Osmanlliu dhe Ansambli Artizan i Pavllo Shollës.
Në këtë skenë është luajtur Molieri dhe Ibseni,të inskenuar nga pionieri i regjizurës shqiptare,Sokrat Mio..
Në ringun apo në tapetin e përshtatur në skenë,i madhi Petro Sturgji,kampion bote në mundje,ka zhvilluar ndeshjet e tij emocionuese,kurse veterani i boksit kombëtar,Rafail Dishnica,është ndeshur denjësisht edhe me boksierë të huaj...
Dhe,për ironi,në këtë skenë diktatura do të improvizonte jo vetëm konferencat,por edhe gjyqet famëkeqe të luftës së klasave...
Në sallonin "Majestik" dhe në kujtesën e korçarëve nuk do të shuhen kujtimet tingëlluese të ballove voskopojare me shkëlqimin dhe elegancën e tyre pariziane,bashkë me jehonën e koncerteve vokale-instrumentale të grupit të paharrua "Lyra",të viteve tridhjetë,që i mbyllte shfaqjet e veta,duke kënduar bashkë me publikun korçar të entusiazmuar e të ngritur më këmbë këngën "Natën e mirë...o shpirti im"!
Sheshi "Majestik" është dëshmimtari i nisjes apo pritjes të garave çklistike kombëtare;të prcesioneve gazmore të karnavaleve korçare,të mitingjeve dhe demonstratave të ndryshme...
MAJESTIKU me mjediset e tij të brendshme dhe ato të jashtme,mbetet një dëshmi unikale e arkitekturës,kulturës,artit,sportit dhe të jetës së qytetit tim,pse jo edhe asaj shqiptare të shekullit të njëzetë.
Korça dhe korçarët dëshirojnë që ai të përcjellë denjësisht dhe mijëvjeçarin e ri që porsa ka filluar!
Komentoni
					Artikuj te tjere
						Cikël poetik nga Luan Xhuli
						Halit Bogaj: Bill Klintonit
						Muhamet Rogova: Poezi e dhembjes dhe zhgënjimit
						Nehat Jahiu: Në oborrin e shkollës
						Përparim Hysi: Vargje të shkruara në gusht (XIII)
						Sinan Sadiku: Poezi e përmallimit me rrjedhë të këndshme ritmike
						Fatmir Halimi: Rolan Barti dhe aventura e shenjave
						Mexhid Yvejsi: Muaji i Ramazanit - Muaji i Kur-anit
						Suzana Kuqi: Deti i një të djele korriku
						Arsim Halili: Intervistë me shkrimtaren Këzë (Kozeta) Zylo
						Shefqet Dibrani: Përmasat e poezisë artistike
						Driton Zenku: Poezi nga libri ''Rruga e Rrugëve''
						Mexhid Yvejsi: Ç'është ky muaj - Ramazani?
						Demir Krasniqi: Marketing patriotik
						Përparim Hysi: Xha Gorjoi në shtëpinë time
						Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun
						Fejzulla Arifi:  Në brendësitë e Unit
						Halit Bogaj: Halit Gashi
						Ziko Ll. Kapurani: Mbeta pinjoll i fëshfërimës së blertë (Cikël  poetik)
						Në Galicë të Vushtrrisë,filluan xhirimet e filmit “Trimi i trimave”
					
				
 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










