E diele, 28.04.2024, 11:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Sinan Sadiku: Poezi e përmallimit me rrjedhë të këndshme ritmike

E hene, 24.08.2009, 06:35 PM


POEZI E PËRMALLIMIT ME RRJEDHË TË KËNDSHME RITMIKE

 

Daut Maliqi, “Rrjedhë lumi”, botoi klubi letrar “Nositi”, Dardanë, 2005

 

Nga Sinan Sadiku

 

Libri “Rrjedhë lumi” i autorit Daut Maliqi përfshinë 65 poezi të ndara në katër cikle, si: “Rrjedhë lumi”, “Në majë të lapidarit”, “Shkrepat e malit” dhe “Gurrat e Gollakut”. Numrin më të madh të poezive, i përshkon një stil i veçantë me një ritëm të natyrshëm e të këndshëm, në të cilat shprehet një botë e pasur emocionale pa ndonjë sentimentalizëm të tepruar, por edhe një botë e pjekur intelektuale e sprovuar nga jeta dhe sfidat e saj nëpër të cilat ka kaluar autori dhe në përgjithësi njeriu i kësaj hapësire. Disa nga poezitë e librit janë realizime të bukura poetike, në të cilat është krijuar një harmoni e plotë e gjuhës poetike, e figurave stilistike, e anës semantike e ritmit dhe e ngjyrimit emocional.

            Libri hapet me poezinë “Rrjedhë lumi”, sipas së cilës është emërtuar jo vetëm cikli i parë i përmbledhjes por  i tërë libri. Poezia është shkruar me një mjeshtri të veçantë, me një gjuhë të ngjeshur-eliptike, ku rima dhe figurat e përsëritjes e përcaktojnë rrjedhën ritmike dhe melodike të vargut dhe të  poezisë, e bashkë me anën semantike krijojnë një harmoni të plotë që te lexuesi shkakton kënaqësi estetike, len mbresa dhe nxitë meditime mbi lëvizjen, kalueshmërinë e kohës dhe të jetës e edhe ripërtëritjen, vazhdimin e saj. Duke qenë se poezia është e shkurtë me qëllim që lexuesi  të mund ta lexojë po e japim të plotë më poshtë:

           

                        Eci unë,

                        Ecën lumi,

                        Ndalem unë,

                        Vazhdon lumi.

                        Vdes unë,

                        Rrjedh lumi,

                        Lind Arti,

                        Fluturon pëllumbi,

                        Tërë tradhtinë

                        E marrtë lumi.

           

Në dy vargjet e fundit të poezisë bëhet një kalim i papritur tematik krejt i befasishëm, “Tërë tradhtinë e marrtë lumi”. Kjo është një gjetje e qëlluar që e shton vlerën e saj.

Një pjesë e madhe e krijimeve që i takojnë këtij lloji  të lirikës refleksive edhe pse janë të mëvetësishme e plotësojnë njëra-tjetrën, janë të ndërlidhura dhe e krijojnë një tërësi, që rrezaton mesazhe, imazhe, përvoja, përjetime, brenga, por edhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Kështu del më e plotë një botë e veçantë poetike me një vizion të çartë human. Ta zëmë poezinë “Rrjedhë lumi” e plotësojnë vargjet: “Lumi rrjedh / bart mbeturinat” me të cilat vargje fillon poezia “Ndërgjegjja”. Pra koha i spastron gjërat, mbeten vetëm vlerat.

Në aspektin emocional te këto poezi vjen në shprehje një përmallim, një nostalgji mbase e ndikuar nga mosha  për faktin se jeta po kalon, sepse:

           

Rreth meje bijat e mia,

            Po lëvizë pleqëria

            Po afrohet vdekja

 

shkruan ai në poezinë “Diçka më mban”

Një përmallim i tillë,  si një puhizë e lehtë i freskon edhe një numër të madh të poezive të cikleve tjera, veçmas ato që i kushtohen vendlindjes, fëmijërisë, nënës.  

I ngjan njeriut të vjen një çast kur biseda me ndonjë mik a të afërm, me ndonjë moshatar, ose tingulli i ndonjë kënge të cilën e dëgjojmë në vetmi, ndonjë përvjetor etj. të na kthej në të kaluarën e cila ka mbetur e freskët në mendjen dhe në shpirtin tonë. Shpesh na ngjan t`i kujtojmë pasojat e dhimbshme që i la okupimi, lufta, duke i kujtuar të afërmit tanë, shokët dhe shoqet që ajo na i mori. Këtë çast, këtë përjetim të dhembshëm autori ka arritur ta materializojë në formë poetike në poezinë “Bota shumë vonë na kuptoi” me të cilën poezi fillon cikli i dytë i librit i titulluar “Në majë të lapidarit”:

           

Në dritaren e imagjinatës sime

            I shoh fytyrat e dikurshme

            Të shokëve e shoqeve të mia

            Që kurrë më nuk do të qeshin

 

shkruan autori në këtë poezi.

Krimet që i bëri okupatori mbi popullatën tonë ishin të tmerrshme, ato lanë vragë të pashlyeshme në shpirtin tonë dhe edhe pas kalimit të viteve janë “Ato që ngrijnë lotët e buzëqeshjen”.

 Në poezinë “Cak e kisha lirinë” përshkruhet atmosfera festive, gëzimi që i përshkoi njerëzit e të gjitha trojeve shqiptare kur e morën lajmin se forcat ushtarake e policore serbe së shpejti do të tërhiqen nga Kosova. Autori shkruan:

                       

Aty takova shumë shokë e miq,

            Fërgonin mish e hanin fiq

            Ngadhënjeu liria, më tha shkodrani,

            Kufijtë u hapën, më tha dibrani,

            E ulqinaku në heshtje rri,   

            Është shumë i kënaqur

Që na ka në shtëpi.

           

Për të vazhduar:

 

                        Bjeshkët buçasin, vallja vazhdon,

                        Valët e detit freskojnë, freskojnë.

                       

Në këtë cikël janë të përfshira poezitë patriotike kushtuar atdheut, dëshmorëve të kombit, pasurive natyrore të vendit tonë etj. Sa iu përket vlerave për të mirë dallohen poezitë: “Bota shumë vonë na kuptoi”, “Atdhedashuria” dhe “Cak e kisha lirinë”.

Cikli i tretë i titulluar “Shkrepat e malit” hapet me poezinë “Ti je si rrezja” në të cilën si në asnjë poezi tjetër shpërthejnë: gëzimi, dashuria dhe optimizmi, ndjenja këto që zakonisht vijnë në shprehje kur njeriu, më në fund pas pritjeve të gjata, e ka pranë dikë shumë të dashur, që ia shton bukurinë dhe kuptimësinë jetës, e bënë atë më të lumtur.

E kaluara e njeriut tonë ka qenë e rëndë. Shpesh është përballë me sfida të shumta, disa herë të pakalueshme, të cilat kanë sjellë vuajtje, fatkeqësi, vdekje. Shumë herë nënave tona u janë vrarë dhe masakruar fëmijët, djemtë, vajzat dhe asaj i është dashur të përballet me këto vështirësi dhe të përmbahet, të qëndroj. Ndonjëherë i kanë rrjedhë “dy pika lot” ka lëshuar ndonjë ofshamë, por ka heshtë dhe vuajtjen, brengën e pikëllimin i ka mbajt në vete. Megjithatë edhe pse ajo ka heshtë, “për vuajtjet shekullore / flasin rrudhat e saj” shprehet autori në poezinë “Lotët e lokes”.

Një poezi tjetër e këtij cikli, që dallohet për vlerat poetike është poezia “Në duart e mia”. Përmes metaforave të gjetura me kujdes, përmes një gjuhe të ngjeshur-eliptike, autori ka arritur ta ndërtojë një poezi të bukur dhe interesante:

           

Në duart e mia fle qyteti

            Flenë ëndrrat e mia

            Flenë bukuritë natyrore

            Fle ardhmëria

            Flenë vrazhdësitë shekullore

 

Janë këto vargjet e poezisë në fjalë, përmes të cilave autori ka dashur dhe ka arritur të thotë, se ato që i ka në shpirt, ato që kanë të bëjnë me qytetin, vendlindjen, atdheun, me ëndrrat e tij, me bukuritë natyrore, me vrazhdësitë shekullore, me ardhmërinë, mund t`i qes në sipërfaqe, t`i materializojë vetëm  përmes duarve, përmes penës, përmes poezisë. Një analizë më e thelluar mund të na qojë te përfundimi se kjo, është një poezi programatike, të cilën autori e ka realizuar me përpikëri në këtë libër. 

Njëra ndër poezitë më të bukura të përmbledhjes është poezia “Jeta nuk është poezi”. Përjetimi që shprehet përmes vargjeve më tepër ta zgjon asociacionin e një përkujtimi të dhembshëm për dikë shumë të afërm që nuk është më, e mund të jetë edhe përmallim, dhembje për një kohë, për përjetimet e asaj kohe, e cila ka kaluar dhe nuk kthehet, sepse çastet e lumtura dhe vet jeta janë të përkohshme në këtë botë. Kur veç na ngjan t`i humbim më të dashurit, neve nuk na mbetet tjetër veçse t`i përkujtojmë vetitë më të çmuara të tyre, fjalët më të mira, mençurinë, sinqeritetin, e ndonjëherë të mendojmë se a kemi qenë ne në nivelin e tyre, a kemi bërë ne gjithçka është dashur të bëjmë për ta, a i kemi çmuar sa duhet atëherë, apo vetëm tani kur nuk i kemi? Dhe sado që të kemi bërë për ta, dhembja mbetet, në mos edhe njëfarë ndjenje e lehtë fajësie.

Kjo poezi edhe si ndjenjë, edhe si filozofi jetësore, edhe... përafrohet me poezitë: “Rrjedhë lumi”, “Bredhje”, “Rrjedhat” dhe në shumë aspekte të stilit, anës meditative, ritmit, ngjyrimit emocional etj. e përbëjnë tipin e poezisë së veçantë, mjaft origjinale të autorit duke e përcaktuar edhe vlerën dhe stilin e librit si tërësi, stil ky në të cilin autori i ka dhënë frytet më të pjekura poetike.

Ciklin e katërt të titulluar “Gurrat e Gollakut” autori e fillon me poezinë                “Heshtja e shkrimtarit”, poezi mbi fatin dhe vetminë e krijuesit në provincë dhe në përgjithësi në shoqërinë tonë, por edhe për preokupimet e tij madhore.

 

                        Ku ishim, ku jemi e ku do të jemi

                        I bënte pyetje vetvetes në heshtje

                        Pa kërkuar përgjigje prej askujt

                        Vështronte natyrën qytetin.

 

            Rima dhe figurat e përsëritjes janë mjaft të pranishme në poezitë e librit “Rrjedhë lumi”. Ato e përcaktojnë rrjedhën ritmike dhe harmoninë tingullore – muzikalitetin e vargut dhe të poezisë, duke ushtruar ndikim edhe në mesazhin dhe ndjeshmërinë e saj. Autori është treguar mjaftë i shkathtë në gjetjen dhe në ndërtimin e rimave, të cilat janë të llojllojshme. Në disa poezi rima vjen në shprehje, apo më mirë të themi shtrihet në tërë poezinë, ndërsa në disa të tjera është e pranishme vetëm në pjesë më të vogla ose më të mëdha të saj. Disa nga poezitë më të mira të librit janë poezi me rimë, por autori ka shkruar poezi të mira edhe pa e përdorur rimën. Mund të themi se poezitë më të bukura të librit janë poezi të shkurta, disa nga ato të shkruara me një gjuhë eliptike me ose pa rimë, me një prani të madhe të figurave stilistike të  përsëritjes, po ku vijnë në shprehje edhe figurat e fjalës e veçmas metafora. Kryesisht janë lirika meditative mbi kalueshmërinë e jetës, mbi dhembjen, vetminë, dashurinë, vdekjen dhe fenomene, ngjarje e njerëz me të cilat autori ka jetuar, të cilat kanë lënë mbresa dhe e kanë frymëzuar muzën e tij poetike. Sipas shijes sime, poezitë më të bukura të librit janë: “Jeta nuk është poezi”, “Rrjedhë lumi”, “Në duart e mia”, “Bredhje”, “Ngutia”, “Bota shumë vonë na kuptoi”, “Atdhedashuria”, “Fatin tënd kërkoje”, “Lotët e lokes”, “Ti je si rrezja” etj.

            Karakteristikë e librit përveç rrjedhës së këndshme ritmike, eufonisë, rimave të gjetura me kujdes, pranisë së theksuar të figurave stilistike të përsëritjes, është edhe shpalosja e një ndjenje të sinqertë të mallit, përmallimit, ndjenjë kjo e cila e ka vënë  në veprim imagjinatën krijuese të autorit dhe përjetohet nga lexuesi i cili në shumë nga këto poezi e gjen edhe një pjesë të jetës së vet, një pjesë të vetvetes.

            Ky është libri i parë i autorit përmes të cilit del para lexuesit një poet i talentuar, i veçantë nga anëtarët e tjerë të klubit letrar “Nositi”, dhe mozaikut të larmishëm poetik i shtohet edhe një ngjyrë.

           

                                                                                   



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora