Kulturë
Shefqet Dibrani: Përmasat e poezisë artistike
E diele, 23.08.2009, 06:15 PM
PËRMASAT E POEZISË
ARTISTIKE
Gjekë Marinaj, “Lutje në ditën e tetë të
javës”, poezi,
botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2008, faqe 160.
ISBN 978-9951-06-185-8
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Përmbledhja poetike “Lutje në ditën
e tetë të javës”, e Gjekë Marinajt, është një vepër monumentale. Poezia që
gjejmë aty është një poezi artistike, komplekse, e shkruar në një metodë sinteze
unike, ku shtresimet metaforike i kompletojnë edhe më mirë vlerat e saj
letrare. Është fjala për ato vlera që destinohen nga autori si vizione kredo të shënuara në “pentagrame me më shumë se pesë vija”.
Përmbledhja poetike “Lutje në ditën
e tetë të javës”, është e mbushur me figurshmëri analitike, me ide e vizione
poetike, në të cilat breshërojnë një mori konceptesh filozofike të shoqëruara
nga një risi motivuese për të ndërtuar një poezi të re, moderne dhe me elemente
nismëtare në letërsinë shqipe. Për të parë se sa mund të lejojë gjuha poetike,
ai ka bërë mjaft manovrime artistike në poezinë e tij, por për të konkretizuar këtë
mendim po citojmë tre vargje ndarëse të një poezie më të gjatë: “Natyrshëm, natyrisht, bëmë dashuri në
natyrë/.../ Natyrisht, bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm/.../ Bëmë dashuri në
natyrë, natyrshëm natyrisht”, (faqe
67). Ky sintetizim i stërholluar i fjalës artistike, ky kolorit
ideoartistik i motiveve dhe përjetimeve asociaciojnë kah një vlerë moderne, që
mund ta arrijnë vetëm poetët që kanë një eksperiencë në këtë fushë, dhe nga ata
që në rrethin ku jetojnë ballafaqohen me vlera të njëmendta poetike, dhe
përballen me një konkurrencë të mirëfilltë letrare e artistike në përgjithësi.
Këtë konstatim po e ilustrojmë edhe me disa vargje nga poezia “Purgatori”, ku
në mes tjerash poeti shkruan: “Ajo qe një
lule e freskët/Që priste lejen e
mëngjesit për të çelur/Ai qe i
dashuri i saj/ .../ Pa i lexuar njëri-tjetrit asnjë pjesë nga
tregimi / Rreth Lancelotit dhe
Guiniverës,/ U bënë pjesë e një
dashurie të ndaluar/ .../ Ç’rëndësi
ka se kush i spiunoi të dashuruarit!/ .../
Madje as Dantja/ Nuk hodhi dritë mbi dramën e tyre,/ Nuk e trajtoi atë/ Si një nga kualitetet e romancës tragjike,
(faqe 25).
Me të vërtetë përmbledhja poetike “Lutje
në ditën e tetë të javës” e ka avancuar vlerën e poezisë së sotme shqipe e cila
krijohet në hapësirën shqiptare dhe më gjerë. Ky vëllim kaq i përpunuar na vetëdijeson
se kemi të bëjmë me një krijues me vlera të dallueshme që do t’i japë emër
pozitiv letërsisë shqipe. Individualiteti i tij krijues, impulset krijuese,
aftësia e vrojtimit, imagjinata e edukuar janë vetëm disa nga tiparet që
përbëjnë poezinë e këtij libri, duke kompletuar edhe më tej individualitetin
krijues të Gjekë Marinajt: “Sa për ta/
Dantja më mirë ta linte/ të pabotuar <Komedinë Hyjnore>:/ Ata do ia
shtonin edhe një rreth të ri ‘Purgatorit’/ Qenë aq njerëzorë/ Sa mëkatarët e
vërtetë do të i rënkonin me keqardhje”, (po aty, f. 25).
Poezitë edhe si vlerë letrare, edhe
si vlerë poetike, por edhe si vlerë estetike ndërtojnë korrelacionin poetik sepse
duke i mbrujtur idetë, ai i ka dhënë një lloj zëri specifik poezisë. Dimensionet
dhe qasjet kanë një strukturë integrale mjaftë funksionale duke realizuar në
planin artistik dhe atë estetik idenë për të konceptuar më mirë poezinë në
shërbim të artit dhe letërsisë në përgjithësi: “Marlowe më ka bërë shumë nder me Faustus;/ Tani i njoh mirë vlerat e
shpirtit, kostot e dijes./ E dalloj më pastër vijën e lakuar të ekuatorit/ Dhe
njësimin humano-kafshëror të centaurëve”, (faqe 19).
Poeti Gjekë Marinaj me një pasion
të rrallë, që nuk mund të gjendet aq lehtë diku tjetër, iu ka përkushtuar
letërsisë, e veçmas krijimit të poezisë të cilës me vokacionin e vet i jep
shije artistike, dhe në planin estetik ka realizuar “strategjinë e mësymjes” dhe “sistemin
mbrojtës”, qoftë edhe “ nga forca
shtytëse e gazeve”, (po aty, f. 19).
Në poezinë më të re të këtij poeti
artikulohen më mirë dhe sintetizohen më qartë idetë e motivet që e bëjnë
poezinë e këtij libri më të avancuar, shikuar nga dy librat paraprak: “Nga gjinjtë zebrakë u rrodhi/ shkujdesur
filozofia për gjykimin human”. Kurse elementet e ndikimit ambiental ai i
materializon vetëm si elemente shërbyese, si shkas për t’u futur pastaj thellë
e më thellë në esencën e problemit, në brendësinë e tij për të parë se si
zhvillohet, përse ky apo ai fenomen ndryshon nga çasti në çast. Këto fenomene
ai i vë herë në formë të metaforave e herë në trajtë indikacionesh të thella
filozofike, gjithmonë në shërbim të letërsisë, artit dhe poezisë që krijon.
Laboratori përpunues i këtij autori është i futur aq thellë në ndërdijen e tij
sa rrallë mund të gjendet që nga elementet e thjeshta të nxirret një ide a
mendim kaq i thellë dhe kaq shërbyes: “Do
i laj mëkatet/ Për të gjitha poezitë që i lash të pashkruara,/ dhe për vajzat
që në emër të nderit/ dashurinë për mua e lanë të vdesin”, (faqe 33).
Detajizimi i shumë dukurive dhe refleksioni
i imazhit të jetës urbane tani kundrohet nga brendësia e zhvillimit të procesit
si një dukuri në evulim e sipër duke i dhënë shpesh edhe arsyet dhe domosdoshmërinë
e këtij ndryshimi se: “Jeta na qenka/ më
parë një frymënxjerrje, pastaj një frymëmarrje”, (faqe 35), ose “Pjesa skeptike e telepatisë së fujit,/ Shkruar,
fshirë dhe shkruar përsëri/ në rrënjët e thinjave të parakohshme”, (faqe 137), dëshmojnë se te poezia e Gjekë Marinajt ka evoluar edhe mënyra e
të shkruarit, kurse ndikimet e rrethit a shoqërisë mund të merren vetëm si
refleksione a asociacione të rastit që kanë ndikuar pozitivisht për krijimin e
poezisë estetike.
Tani më, Gjekë Marinaj ka kohë që
jeton i shkëputur nga vendlindja dhe njerëzit e tij. E, nëse në librat e parë
të tij motivet dhe elementet e vendlindjes i gjejmë si mall a kujtim, në librin
e fundit më shumë e ndeshim si motiv, si një mendim i suvatuar me petkun
filozofik, ku autori ka arrit të tejkaloi me sukses mënyrën e përshkrimit si
ndijim, tashti ai merret më shumë me zhvillimin e procesit duke analizuar
faktorët që çojnë deri në shpërthimin motivor të një procesi. Pra edhe këto
elemente që i theksuam janë përdorur me maturi duke e bërë lëndën dhe materien
e librit funksionale, të dobishme dhe shërbyese; elemente këto që i gjejmë me
bollëk te poezitë: “Komshinjtë, në
Brrut”, “Këngëtarja e bjeshkëve” , “Shkodrës”, “Rrëfimi i Rozafës” e ndonjë
tjetër.
Poetin Gjekë Marinaj gjithmonë e ka
shqetësuar fati i njeriut. Preokupimet e tij në shoqëri kanë qenë gjithmonë në
funksion të këtij qëllimi, pasi duket se poeti është “i lodhur nën mbikëqyrjen e paqes vetëm në letër”. Gjekë Marinaj si
poet, si intelektual e si njeri, vazhdimisht e ka preokupuar hapësira dhe
shoqëria, sidomos kur është ndeshur me atë ambientin e shoqërisë së
çrregulluar, streset dhe ngarkesat e shoqërisë, tensionet e përditshmërisë,
ndasitë racore e hapësinore, kufizimet dhe devijimet e shumta të individit a të
shoqërisë në emër të “shkatërrimit të njërit si mundësi e
qetësisë së tjetrit”.
Elemente të tjera që përshkruajnë përmasat e
refleksioneve, ndijimet dhe përjetimet e shumta qoftë nga ikjet e shumta, qoftë
nga kthimet e traumatizuara, janë konfliktet e paevitueshme, përmasat e
theksuara të varfërisë, vobekësisë të cilat janë të mëdha në shoqëritë e sotme
moderne, por qe mundojnë vazhdimisht poetin, s’ka dyshim. Ai vazhdimisht bën
përpjekje që të ndikoi dhe për aq sa mundet, pse jo edhe t’i ndryshoi,
gjithmonë në dobi të njeriut, në shërbim të së ardhmes dhe në shërbim të botës
njerëzore: “Të më falë Militoni, por për
mua do të ishte më mirë/ të jesh shërbëtor në parajsë se sa sundues në ferr”, (faqe 19).
Ana tjetër e kësaj poezie, siç
theksuam edhe diku më lart, është solidarizimi me të shtypurit dhe popujt e
robëruar, zëri i tij poetik e intelektual është kundër shtypjes, racizmit dhe
diskriminimit, kundër luftërave dhe shkatërrimeve me përmasa që shkaktojnë
dhembje, varfëri dhe diskriminim. Ai gjithmonë, edhe si intelektual, është për
investime kulturore, arsimore, sportive, në fushën e turizmit a sektorin
industrial, pra për fusha që i afrojnë njerëzit, jo ato që i ndajnë që
shkatërrojnë dhe që krijojnë hendeqe e kufij të pakalueshëm.
Në poezinë e Gjekë Marinajt gjejmë
nota sentimentale e melankolike, vargje dhembje e mallëngjimi për vende e
popuj, se poeti është “loti më i bukur i
Etiopisë/ gjithmonë qan dhe qesh me te”, por vargjet më elegjiake i dalin kur
shkruan për Shqipërinë e tij: “Sikur të
kisha imunitet shpirtëror në Shqipëri,/ Do mbaja për vete pa turp kripën e
lotëve”, (faqe 116). Po
ashtu të këtij niveli janë poezitë e vargjet që ua kushton intelektualëve e
shkrimtarëve, me veprat e të cilëve është brumosur, siç është poezia “Sot u
lind Frederik Reshpja”, e veçmas dallojnë vargjet elegjiake dhe plot mall kur
shkruan për prindërit, kur kujton vuajtjet e tyre ose mallin e nënës. Poezitë: “Duart e nënës”, “Në ditëlindjen e nënës”,
“Himn për prindërit e mi”, etj, marrin sekuenca më të theksuara përjetimi
si një akt i lartë poetik e njerëzor.
Jeta sociale dhe degradimi moral i
individit, në veçanti dhe i shoqërisë në përgjithësi, shihen në një prizëm
krejt ndryshe, prandaj revolta e tij poetike mund të merret, mbase e arsyeshme
edhe kur shkruan se është “i lodhur nën
mbikëqyrjen e paqes vetëm në letër”. Janë disa nga temat, motivet dhe
ndijimet poetike për të cilat mendojmë se e krijojnë atë anën burimore e
kuptimore të vëllimit poetik “Lutje në ditën e tetë të javës”, dhe me këtë
gjithmonë konstatojmë se Gjekë Marinaj ka ndërtuar personalitetin e tij poetik
mbi një rrafsh, mbi një pllajë ku shtrihet gjerë e gjatë bota e tij kuptimore e
të të gjitha refleksioneve poetike siç i gjejmë te dy poezitë emblematike të
këtij vëllimi poetik: “Lutjet e së dielës”
dhe “Poetët fillojnë nga e para të hënën”.
Kjo pllajë, ky rrafsh jo vetëm hapësinor, por
edhe filozofik, i ka mundësuar këtij poeti që të zgjerojë gamën e tij krijuese,
ku reflektohen e thyhen idetë e shumta dhe prej më të ndryshmeve. Kuptime e
botëkuptime të cilat edhe nëse janë trajtuar më parë, përsëri marrin konotacione
të reja dhe do të kenë një funksionalitet të ri, qoftë si ide apo si veprim. Ta
zëmë: “A ka më shumë/ shpirtra/ apo
zgjedhime/ folja/ jap”, ose tek një poezi tjetër kur shkruan se “Java i ndan poetët në shtatë fletë të holla
drite” dhe “i detyron që të fillojnë
prapë nga e para të hënën”. I cituam jo pa qëllim vetëm dy vargjet e kësaj
poezie për t’i lënë mundësinë lexuesit që të kuptojnë esencën filozofike të
rrotacionit ditor që bëhet brenda javës, i cili më shumë se kushdo tjetër është
zbërthyer nga vetë poeti në 14 vargjet tjera, që krijojnë atë strukturën
organike të poezisë “Poetët fillojnë nga
e para të hënën”. Baza kuptimore që është krijuar, jo vetëm në këtë poezi
të theksuar, është një lëndë e re, një proces në fillimet e tij, ku përmasat e
kontekstit kanë mundësinë e pakufizueshme qoftë me refleksione poetike apo
thjesht me ato poezitë filozofike e meditative që dalin si nëntekste nëpër
shumë poezi të këtij vëllimi.
Poeti, mund të konsiderohet edhe si
një observator i mirë, siç e ndeshim te poezia “Vija ndarëse me Emily Dickinson-in” a ndonjë tjetër, pasi ai në
mënyrë konstante ka regjistruar shumë lëvizje e dukuri (qofshin ato natyrore a filozofike) që shpesh për syrin dhe
mendjen e njeriut janë të pakapshme. Jo rrallë këto ndryshime i kanë nxjerr poetit
imazhe ekspresive, apo në raste të tjera si shprehje revoltuese, që shprehin
drejtpërdrejt raportin e poetit, krijuesit dhe intelektualit me shoqërinë,
përkatësisht me turmën njerëzore e cila edhe pse mund të jetë në ballë të tyre,
gjithmonë është treguar e paaftë të drejtojë ato procese, që pastaj për t’i
kanalizuar e orientuar në shërbim të shoqërisë, në funksion të së ardhmes duhet
së paku ta dimë se: “A ka më shumë/
germa/ a keqkuptime/ koncepti/ L i r i?”. S’ka dyshim që Gjekë Marinaj
është nga poetët e rrallë (ndoshta në
mesin e shqiptarëve më i rralli), që fuqinë e observimit e ka më të
zhvilluarën; ai mbi këtë observim i ndërton refleksionet poetike, mesazhet dhe
metaforat e kreshpëruara që rrjedhin si një ujëvarë (ta zëmë në Ujëvarat e Mirushës, në Kosovën tonë të dashur) apo
shpesh ngjajnë edhe me ajsbergët që, siç ka thënë vetë poeti në vëllimin
paraprak, ta “ngrijnë oqeanin e ëndrrave
kudo midis të sotmes dhe të nesërmes”.
Poezia e Gjekë Marinajt është një
shembull për poezinë e sotme shqipe. Përvoja tij krijuese e sidomos ajo
formuese, si poet e si pedagog, duhet besuar, dhe më shumë e kemi borxh për ta
afirmuar si një shembull i mirë, që besueshëm e besueshmërisht është në
funksion të shumë ndikimeve poetike në krijimet e sotme shqipe. Kur flas kështu,
nuk mendoj që ky autor të kopjohet, sepse më pas do të kemi vetëm një “origjinal” që e pasojnë si ”kopja I”, “kopja II”, “kopja III” e
kështu me radhë, por të mësohet se si ky autor ka zgjedhur simbolin, si e ka
përdorur metaforën, si e ka shtruar idenë, si i ka materializuar shumë fenomene
që poezinë e bëjnë poezi, dhe t’i iket tipit të poezisë revolucionare, të
poezisë realsocialiste, poezisë që himnizon kultin e “trimit” të pa qenë, tipit
të poezisë mekanike që më shumë ngjan me vargëzime për të shprehë mllef e duf,
se sa poezi e përmasave që hasim te poezia e këtij poeti në përgjithësi, e
veçmas te “Lutje në ditën e tetë të javës”.
Origjinaliteti i poezisë së Gjekë
Marinajt është një tipar tjetër që është ndërtuar falë përvojës së tij krijuese,
po më shumë falë përditshmërisë akademike, ku njihet mirë me kahet e poezisë së
përparuar botërore, që tashmë pranohen edhe si avangardë e lëvizjeve më të
fuqishme botërore jo vetëm në fushën e poezisë e të letërsisë, por edhe në
fushat e tjera të artit e muzikës, zhvillimit e emancipimit qytetar. Te poezia
e Gjekë Marinajt, hasim edhe një gjuhë e cila shpreh revoltë, po aq sa është e
drejtpërdrejtë, sa do që herë pas here mbulohet edhe me formën e ironisë: “Si një korb i zi/ tretur në tokë, (ku) humuszohet vdekja”. Tek ky autor edhe
në librin paraprak e kemi ndeshur këtë formë, por jo kaq të avancuar, dhe
kështu duke përdorur revoltën si mënyrë shprehje ai ka shprehur shumë gjëra e
veprime për të cilat pretendon se nuk janë duke vajtur mbarë. Por në revoltën e
Gjekë Marinajt ndeshim një lloj shqetësimi tjetër, jo personal por universal. E
para; për të gjitha çrregullimet brenda etnosit shqiptar, dhe e dyta për të
gjitha çrregullimet me përmasa botërore
në emër të “shkatërrimit të njërit
si mundësi e qetësisë së tjetrit”.
Te kjo e fundit, Gjekën e gjejmë në
krye të misionit, si një misionari në mbrojtje dhe në përkrahje të asaj shtrese
që ka nevojë, që është e diskriminuar, që është e privuar nga jeta qytetare,
nga diskriminimi racial e fetar. Jo vetëm në këtë libër, por gjithkund e
gjithkah poezia e këtij poeti, kur shkruan për këto dukuri, ka revoltë dhe si
përgjigje për fituesit, përkatësisht gjeneratorët e krizave ai thotë se: “për mua do të ishte më mirë/ të jesh
shërbëtor në parajsë se sa sundues në ferr”, (e cituar më lart, f. 19).
Deri sa në poezinë e shumë poetëve
të mërguar, qofshin shqiptar a të huaj, ndjehet shqetësimi i tjetërsimit a tëhuajzimit,
te ky poet sikur manifestohet e kundërta ngase është i vetëdijshëm për misionin
që ka marrë në shërbim të poezisë dhe letërsisë shqipe, karshi kulturave dhe
konkurrencës absolutisht të pa përballueshme. Por poeti s’ka kohë të mendojë, “se mbi fletën e bardhë/ sytë i ka kthyer në
syze” e aq më pak të mbjell defetizëm e të hap dilema te të gjithë bashkëkombësit
e tij që jetojnë dherave të shkapërderdhur, dhe në të njëjtën kohë disa pre
tyre janë edhe autor librash.
Poezia e Gjekë Marinajt kryekëput
ka për motiv jetën, ngadhënjimin dhe lumturimin, dritën dhe triumfin e
përmasave të paparashikueshme. Këtë e shpreh më së miri te poezitë lirike që ia
kushton Dusites, gruas së tij që e quan “poezi”,
personit që e ka shoqëruar në përpjekjet dhe krajatat e jetës duke e bymyer
shpirtërisht që ai ti sfidojë më lehtë të papriturat dhe vështirësitë eventuale
në jetë: “Faleminderit për pjesën tënde
të fytyrës sime, / Trëndafili im i vetëm përherë në çelje, / Epiqendra e
dashurisë time gjithnjë në rritje”, (faqe
53). Gjeka është ndër të
paktët poet që jetën e shikon kështu në sy dhe e din pse duhet gjallëruar. Dhe
këtë gjallërim e ka më shumë në kuptimin filozofik se sa si një gjallërimin sa
për të jetuar si qenie fizike. Kjo gjë atij i ka shërbyer për të krijuar një
bllok të tërë poezish, optimiste që shprehin ngadhënjimin dhe triumfin e poetit,
tamam “me krenarinë e një lapsi/ të
mprehur hollë/ vetëm ecën/derisa mbarohet duke shkruar diçka”, (faqe 126).
Po ashtu,
te poezia e këtij poeti ndjehet e përjetohet prirja për të regjistruar me tepër
të bukurën, progresiven se sa të keqen e të shëmtuarën. Këtë e shohim edhe te poezitë:
“Moment frojdian”, “24 orë dashuri”, “Kjo
është ajo vajza”, “Më ëmbël seç puth vesa bjeshkën” etj. Siç duket, poeti si
në jetë ashtu dhe në poezi merret më shumë me të bukurën, me artistiken, me
pozitiven dhe kjo dukuri i është bërë parim jetësor. Sublimimi i refleksioneve
personale sikur përngjet edhe më shumë me afrimin e poetit me poezinë, sepse
kur refleksionet e tija personale të shprehura në poezi iu shërbejnë edhe të
tjerëve, ose ngjasojnë me ato të tjerëve, mendoj se kjo është arritje specifike
në poezi.
Duhet shtuar se në poezitë e këtij vëllimi,
gjejmë figura të shumta nga mitologjia, referenca që kanë të bëjnë direket me personazhe
të caktuara nga librat e autorëve me ndikim, si dhe krahasime të tjera me vende
a pole tokësore që autori i ka parë e përjetuar. Kjo do të thotë se jo
gjithkush është i aftë ta kapë pa deficite poezinë e këtij vëllimi poetik. Një
vështirësi, kjo, që mund ta hasin kushdo që përpiqet për ta komentuar a
deshifruar në thelb kuptimin dhe simbolizmin e poezisë së Marinajt. Ky fakt i
shton bindje mendimit tim se vëllimi poetik “Lutje në ditën e tetë të javës”, i
Gjekë Marinajt, me sukses do t’i sfidojë kohërat dhe do të mbetet si një perlë
poetike në letërsinë shqipe.
Nice, Francë,
verë 2009.