Kulturë
Këze (Kozeta) Zylo: Vuajtje të pafundme, sikur të kishin gjuajtur Zeusin me gurë
E shtune, 22.08.2009, 07:00 PM
Vuajtje të pafundme, sikur të kishin
gjuajtur Zeusin me gurë
…“Pafajësia
frymzuese e nanës e mirënjohja ime e gjallnueme nga dashuria e saj, u banë dy
krahët e fuqishëm të qindreses s’ndergjegjshme, dy gurët themeltarë të bindjes sime
në kundërshtim pa kushte të shtypjes komuniste dhe çnjerëzimit që ajo solli në
rrethin tonë shqiptar”.
Marrë nga libri “Pika Loti” me autor prof.
Sami Repishtin
Nga
Këze (Kozeta) Zylo
Kopertina gri me kafe të errët, dhe
hijet e zeza që ravijëzojnë një rreth, ku së largu duket një dhomë e zezë burgu
me një dritare të vetme, më rrënqeth të tërën, e mollëzat e gishtave më mpihen,
kur filloj të shfletoj faqet e librit me “Tregime nga burgu”.
Që në fillim provova një ndjesi të çuditshme,
një dridhje të brendshme, të frikshme...
Eshtë
brendia e ngjarjeve me ngjyrat e errta përreth, që ka një përqasje gati-gati të
njëjtë me Ferrin e Dantes…
Duke
hapur librin me kujdes, ndalem në tregimin e parë kushtuar nënës së tij të
shtrenjtë me titull: “Të falem nanë”!
E
kujt më tepër në këte botë i është dhimbsur më shumë se çdo gjë, arratisja e të
birit të saj nga Atdheu, ndarja përgjithmonë, përveçse nënës së tij?
Kësaj nëne shenjtore që kishte
kaluar një fëmijëri të vështirë, ngase kishte ngelur jetime, iu desh që të përballej
me burgimin e djalit, me ndarjen e tij përgjithmonë, por edhe me persekutimin
dhe internimin e saj, pikërisht nga arratisja e djalit.
Vazhdoj
të jem gati-gati në një gjendje midis konshiencës dhe subkonshiencës, dhe duke
lexuar më tej tregimet e burgut, më duket sikur përpara më dalin pjesë të shkëputura
nga libri: “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit, ku shkruhet:
“Të gjithëve ju desha. Nuk ia theva
zemrën askujt. C’më batë mue të mjerës!”
Tolstoi
– Lisa
Djali e adhuron nënën, e ka mbi çdo
gjë, autori e ka kujtimin më të ëmbël, që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës së
tij, ndaj shpeshherë në sytë e tij del portreti i saj.
Ai
e kujton atë duke punuar gjatë darkës vonë me shtiza, çorape, fanella, e duke
marr fijet e ndryshme nga rrobat e shkyeme, për të veshur fëmijët e saj, ndërsa
ata bënin detyrat, kurse nëna e tyre ju hidhte vjedhtas shikimin herë tek
njeri, herë tek tjetri fëmijë.
E
kur fëmijët rreth saj e kapnin këtë shikim, atyre ju dukej sikur ju thoshte:
“Ju
jeni gjithçka për mue!”
Autorit
i dhëmb, i dhëmb shumë vuajtja e nënës së tij, ndaj dhe shkruan:
“E shkreta nanë! Sikur ta kishte ditë se fati i saj do të
kishte qënë ai që është sot, ndoshta do ta kishte shkime njëherë e përgjithmonë
buzëqeshjen që i ndriste fytyrën, që i stoliste buzët e që unë i ruej si kujtimin
ma t’amël të jetës sime”!
Këto
skena të kujtojnë Marien përballë Krishtit, vuajtjet për birin e saj të kryqëzuar…
Edhe
këtu shohim nënë e bir përballë vuajtjeve torturuese të lotëve të nxehtë të nënës
dhe të birit, i cili po arratiset nga dhimbjet e gozhdëve të burgut…!
Në
këtë ndarje tragjike vazhdoj të lexoj më tej:
“ U ngrita menjihere. E mora në krahët e mi. Pa e zbulue fytyrën e pa e ndalue vajin e dënesën,
ajo mbështeti kokën mbi sup e u lëshue krejtësisht, si foshnje e pafuqi mbi
kraharorin tim. E mbajta afër meje e, me
nji afsh që kurrë nuk e jetova përsëri e shtrëngova në gji krijesën ma
t’dashtun për mue…që pak ma vonë do ta braktissha përjetë..”. f.40
Por nuk mjaftoi dhimbja për nënën,
një tjetër dhimbje i shtohet brenda gjoksit të tij ne mërgim duke e qarë për së
gjalli vëllanë e tij.
Është
ngjethëse kur lexon rrëfimin: “Elegji për vllanë” f.143
Autori
dëgjoi në mërgim se i kishte vdekur vëllai i pafajshëm në një kamp internimi
komunist.
Ky
kumt i zi ja ka këputur shpirtin autorit ndaj dhe shkruan një nga elegjitë më
prekëse të librit.
Ai
dhe pse jetonte tashmë në ishullin e begatë, buka i zinte fytin, i ndrydhte
zemrën, kur kujtonte fytyrën e vëllaut që vuante, fytyrë e pafajshme ëngjëllore.
Prof.
Repishti kërkon të kishte frymën e poetit që t’i mblidhte me kujdes fjalët e
fshamjet që nxori për vëllaun, dhe pastaj të shkonte tek argjendari mjeshtër
dhe t’i lutej atij me i gdhendë si petale floriri të lidhun në vargje të gërshetuara
për ta varur në gjoksin e tij si medaljon…
Më vonë autori mori vesh se e gjithë
kjo kishte qenë një shpifje, një metodë e zezë psikologjike që përdorte regjimi
kundër emigracionit politik.
Ai
e qau për së gjalli vëllaun e tij të dashur.
Kjo
torture psikologjike çnjerëzore nuk ka se si të mos ta bëjë autorin të mendojë se
edhe Shenjtnia padyshim duhet të ketë kalue nëpër të njëjtat shtigje të vështira…e
heroizmi i njimendtë!
I shfletojë me radhë faqet e librit
mbushur me tregime të vërteta, të marra nga qielli i zymtë, ku pemët ulin degët
e tyre nga pesha e dhimbjes si në gjysmë shtize për vdekjet që i kanë ndodhur popullit
shqiptar, për varret e harruara…
Profesor
Repishtin nuk e trondit vetëm vdekja e vëllaut te tij, por atij i dhëmb
gjithcka njerëzore, i shpon në kockë dhe vdekja e ish mësuesit të tij të
nderuar,
prof.
Prenkë Kaçinarit, që regjimi e çoi në vetëvrasje.
Profesori i filozofisë kishte
vazhduar studimet në Montepellier të Francës, ku aty u njoh me diktatorin
Hoxha.
Atë
e burgosën sepse ishte në Partinë e Ballit Kombëtar dhe nga terrori psikologjik
që ushtruan karshi tij, ai mori vendimin e vetëvrasjes në varrezat e Tiranës.
Letra
që i kishte lënë familjes përpara aktit të vdekjes, të çon shpirtërisht si
lexuese në një gjendje sa konkrete aq dhe surrealiste.
Vdekja
është dhënë në paralelizëm figurativ me natyrën dhe përshkruhet mjeshtërisht
nga pena e autorit.
Natyrën
me një bukuri të pashoqe nga bardhësia e borës që zbriste me përtesë në qytetin
e rënduar nga mundimet, mund ta shijonin vetëm fëmijët, të cilët hukateshin në
avull të ngrohtë, e shkriheshin duke qeshur me borën e bardhë.
Ndërsa
ai profesori i filozofisë, po ikte nga kjo botë, se nuk mund ta përballonte atë
torturë psikologjike në trurin dhe trupin e tij.
Përpara
kësaj gjendjeje më del përpara skica e Migjenit, “Bukuri qe vret”, ndërsa
Migjenin e trondit vdekja nga mjerimi, prof.Repishtin e trondit vdekja e
njeriut nga njeriu!
Krisma
drejt vehtes, për t’i dhënë fund jetës i detyruar nga rrethanat, është një nga
dramat më tronditëse, sa shpesh të duket sikur ja kanë kaluar dhe dramaturgëve
më të mëdhenj botërore, ndoshta, ndoshta do të vijë një ditë, që drama e
popullit tim të nxjerrë një Shekspir dramaturg, që të trondisë botën, për
barbarizmat që u kryen brenda vendit, aty ku i dha fund jetës, profesori i
filozofisë.
Ja
drama që lexoj në këtë libër:
Profesori
u ndal…dhe natyra heshti dhe në vetminë e një fushe plot kryqe, një krismë e
mbytur tingëlloi e vetme.
Autori
e vajton dhe nderon ish mësuesin e tij, ai e vajton ashtu sic u ka hije
burrave, ndërsa bora vazhdonte të mbulonte trupin e profesorit në varreza…
Ky
tregim, të con në antikitet në një thënie të Antigonës se: “Nuk lindi për t’u ngopur në tryezën
e urrejtjes, por lindi të ushqehet nga dashuria e të gjithëve…”
Rrëfimi
mbyllet me letrën origjinale të viktimës shkruajtur më 3 Shtator 1956, në orën
pesë mbasdreke, duke ju drejtuar kunatit të tij Mark Lezhjen, dhe që është marrë
nga z.Fritz Radovani.
Ja
c’shkruante profesori i filozofisë në letrën e tij:
“I dashtun Mark (Të dashtunit e mi),
…Edhe pse pak çaste më mbetën, kur unë
përfundimisht po shkëputem nga kjo jetë…
Vendosa me krye këtë akt dobësije, do
ta queni, por për mue ky asht akt kurajoz.
Vuejta tepër, e tashma s’po mund të
duroj. Po i nap fund të gjitha vuejtjeve
të mia…
Në vendin ku do të vras vehten, dëshiroj
të varrosem”…
Profesorit të filozofisë nuk iu çua
amaneti në fund, një rit i lashtë, një rit që u përdhos nga vandalët.
Atij
nuk i mungonte "amor sui" - (dashuria e vetvetes), por e detyroi
regjimi gjer në asgjësimin e vehtes.
Autori nuk e dëshironte kurrë këtë mallkim
për mësuesin e tij, as dhe unë si lexuese, por gjatë leximit të letrës, mora
puls dhimbjesh, duke më dhënë çelësin magjik në dorë, për të ndjerë se dhe
varret flasin, veçanërisht në Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur…!
Endrrat
dhe rrëfimi i kujtimeve ngjethëse nëpërmjet lëndës konkrete në këtë libër,
zbulon eingmat dhe misteret e pafundme të sistemit.
Ai
u çjerr maskën “Miteve” që sot dëgjohen si krrokama korbash në honet e thella,
ku mundohen akoma të djegin foletë e argjendta të bilbilave.
Pasi
e përfundoj librin “Pika Loti” të shkruar mjeshtërisht nga një autor që ka qenë
i burgosur, internuar, dëbuar nga vendi i tij, vërej se faqet e librit u lagën
dhe nga pikëzat e lotëve të mi, ndjej se ka çkycur portat e rënda të heshtjes,
dhe si një fërshëllimë suferinë ulëritëse të erës, trondit vdekjen dhe hap
kapakun hermetik të saj duke thyer copat e akullit të heshtjes, jo duke u përmbytur
si titaniku, por duke e nxjerrë titanikun në sipërfaqe nga përmbytja e madhe...
Në
këtë libër prozë poetike, ndjejmë së brendshmi kalvarin e vuajtjes, ku autori
operon suksesshëm dhe sheh nga afër se si mbarë një popull po ngjitej në rrugën
e Golgotës duke e kryqëzuar pa faj.
Ai
pohon se aq shumë ka vuajtur populli shqiptar, sa duket sikur e ka gjuajtur
Zeusin me gurë.