Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Diaspora dhe indiferentizmi
E premte, 21.08.2009, 08:40 PM

(Fatmir Selimi: Me
shqiptarët e Turqisë)
Nga Mehmetali Rexhepi
Sapo të hapësh hyrjen në librin “Me
shqiptarët e Turqisë”, shfaqet qëllimi i autorit të këtij libri: “Të
shfaqim disa nga njohuritë tona për shpërnguljet e popullit shqiptar nga trojet
e veta stërgjyshore. Shpërnguljet filluan më 1878 nga Sangjaku i
Nishit
me djegien e mbi 800 fshatrave shqiptare, plaçkitjen dhe vrasjen e
njerëzve të pafajshëm nga pushtetet serbe. Mbi atë popullatë u bënë masakra
të mëdha, të cilat njeriu normal nuk mund t’i paramendojë…”
Pa iu shmangur qëllimit të paravënë,
Fatmir Selimi, mjek, specialist i Radiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të
Gjilanit, vijoi diskursin e tij të nënvizojë krimet shekullore serbe, që nuk do
ta lënë të qetë asnjë brez shqiptarësh kudo që janë:
“Kur të kihet parasysh se ato vazhduan edhe
në të ardhmen, në vitet 1914 - 1918, 1925
- 1938, 1956 - 1968, etj.,
numri
i shqiptarëve të shpërngulur në Turqi shikohet prej këndeve të ndryshme.
Shteti i Turqisë i jep shënimet për 5 - 6 milion të shpërngulur me origjinë
shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Plava,
Gusia, Sangjaku i Nishit, Novi Pazari, Peshteri, etj.”
Duke krahasuar vitvendosjen, vendvendosjen
dhe vendzhvendosjen, gjithandej në Turqi, nga trevat paraardhëse, autori, aq sa
i jepet mundësia, mëton shtegtimin pas tyre dhe, arrinë në disa përmasa
gjeografike, etnologjike, historike,demografike, gjuhësore e shpirtërore…
Këto përmasa të kësaj kryeteme të
dhimbshme, si udhëpërshkrues, ky autor është i vetëdijshëm se vetëm po i prek
për t’i grishur të tjerët, institucionet e Shqipërisë e të Kosovës, studiuesit
e fushave përkatëse, artistët, shkrimtarët, përfaqësues biznesi, pushtetarët,
etj, që t’i qasen diasporës shqiptare, më të numërtës e më të dhimbshmes në
botë. Ky pohim nuk është shprehje e një euforie të rrëmbyer, as emocion i shpifur…
Progresioni i shtimit natyror dhe i
rritjes në mjedisin të cilit duhej t’i përshtateshin, shtrirja dhe zgjerimi i ngulimeve
shqiptare, lypin “haraçin” që duhej dhënë shtetit të pranuar si të tyrin, si
qytetarë të tij, por pa identitet kombëtar. Mes dy të këqijave: zhbërjes dhe
shporrjes, shqiptarët si të keqen më të vogël morën udhën e shpërnguljes, pranuan
realitetin turk. Për të kaluar nëpër këtë mynxyrë, kishin edhe diçka të
trashëguar nga mentaliteti i dikurshëm, familje shumëanëtarëshe të motivuara
për krah pune, pos tjerash edhe shtytja fetare, edhe se secili i posalindur “ka
ërskin e vet” te Zoti. Andaj, nga disa dhjetra, qindra e mijëra të
shpërngulur brenda shekullit 20, kemi pohimin marramendës për shqiptarët e
shpërngulur në Turqi: “Burimet tona mendojnë se janë shpërngulur
rreth 10 milion shqiptarë!”
Kjo etni i dha shtetit turk gjak të ri.
Plaga më e madhe jo vetëm për shqiptarët
e Turqisë, por për gjithë çështjen shqiptare, e brejtur nga erozioni i
ortodoksisë serbe - greke - ruse, është asimilimi, shkrirja e tyre, sidomos në
shtetin e Turqisë, po edhe në Çamëri nën Greqinë.
* * *
Se çfarë është roli i folklorit, i artit
muzikor përfaqësuar përmes shoqërive kulturore - artistike, me instrumente, qofshin
të thjeshta, melodi, ritme e veshje kombëtare, me këngë e valle autoktone a të
stilizuara, shfaqur nga Ansambli “Gurra” e Gjilanit, “Kastriotët”
e Ferizajit, “Çeshme” e Vushtrrisë, si dhe me një varg valltarësh, solistësh
e instrumentalistësh, koreografësh e veprimtarësh organizativ, kësisoj mëtohet
të kapen ato fije të këputura dhe të lidhen, të forcohen me diasporën shqiptare
të shkapërderdhur… Kënga, tingujt, ritmet, lëvizjet, farfuria e kostumeve
prekin pikërisht aty ku duhet, në fijet e kujtesës së lëbyrur, jo vetëm për t’i
rikthyer pamjet e burimeve, por edhe për të pirë në to ujin e rrënjëve, që
zgjojnë emocione të brezave pararendës.
Duke shpaluar këtë libër me lëndë
heterogjene, pos tekstit edhe me fotografi, autori sjell vullnetin e tij përtej
mundësive e përgjegjësisë, për gjithë ato ecejake të ansambleve muzikore,
personelit të tyre vullnetmirë, mbetur në përkujdesjen e ndonjë donatori të
pasionuar, pa mbështetje të fortë të institucioneve. Megjithatë, edhe pa ato
arrihet të reflektohet jehona e ndërsjellë tek “vëllazëritë” shqiptare, të
emërtuara kryesisht si “vëllazëri shqiptare - turke”, te
ansamble gjysmë të asimiluara, si “Zafer” nga Bursa, “Rumeli”
nga Stambolli, etj.
Libri “Me shqiptarët e Turqisë”
mëtoi të rrokte një shumësi aspektesh të diasporës shqiptare në Turqi, përmes
një dokumentariteti të përzier, të papërqëndruar dhe, vetëm aq sa ofron natyra
e udhëpërshkrimit të dokeve, gjendjes shpirtërore e shoqërore të shqiptarëve
gjysmë të asimiluar.
Ngjyrat e këngëve, të tingujve me
dridhje të dhimbshme,dhimbja është zotëruese mbi ngazëllimin, valvitjet
simbolike të veshjes së valltarëve e valltareve, kumbimet e tupanit si oshëtima
kushtrimesh, përmbajtjet e vargjeve, të melodive të përshkuara me porosi,
arritën të futen aty dhe atje në qindra - mijëra zemra, që kishin ndjeshmëri
për hapje dhe shtonin ritmin e rrahjes ku dallgëzohej përmallimi.
Aty dhe atje ku u fut ky lloj shqiptimi
ndjenjatrazues, nuk ke si futesh dot me asnjë dokument identifikimi, nuk futet
dot as politika e diplomacia.
Mendoj se ky tipar është sipari i librit
të Fatmir Selimit. Ai është veprimtar të cilit nuk i pritet përderisa të
gjendet profesionisti përkatës, gjithsesi ai ndihmën e parë e jep në mënyrën e
vet. Edhe kështu mund të shihet sipari i drejtpërdrejtshmërisë në këtë libër.
Në këtë pamje: janë mbresëlënëse dhe
emocionale takimet, shpurpushjet e prushit të akëcilit vis e brez, përshkrimet
e mjediseve të qyteteve e katundeve të ngulimeve shqiptare, përjetimet e
ansambleve të muziktarëve, valltarëve, veprimtarëve kulturorë me qytetarë të
prejardhjes nga e tërë gjeografia etnike shqiptare e Ballkanit, përkatësisht
Ilirikumit, pritjet nga pushtetarë, legjislatorë e afaristë të gjenit shqiptar,
etj.
* * *
Në mozaikun e pashkrirë të këtyre
dëshmive të këtij vëllimi libror, është pasqyrimi i medieve të shkrimit shqip,
por mungon ana tjetër e shkrimit në turqisht, për të provokuar kureshtjen tonë
për festivalet në Turqi dhe ndërsjelltas, pastaj të diasporës në Kosovë e
gjetiu në trevat shqiptare. Shtypi shqip pasqyroi shkëlqimin dhe ngazëllimin e
ndjenjave të diasporës në akëcilin festival, në akëcilat qytete ose në ngulimet
më të mëdha, ku vlon dhe shuhet gjaku shqiptar.
Strumbullar i këtij libri është diaspora
tejet e shtrirë shqiptare, “më e numërt në botë”, ndërsa
lidhjevënësi, tërheqësi i fijeve kompozicionale rreth këtij boshti është vetë
autori.
Lënda heterogjene e këtij libri e vë
Fatmir Selimin në pozicione dhe role të shumëfishta, pothuajse të pasprovuara.
Në fund të librit nuk shohim të ketë pasë ndonjë burim të ngjajshëm për ta
udhëzuar për këtë natyrë jo të pandërlikuar shkrimdëshmie. Në rolin e autorit,
ai është i drejtpërdrejtë: i radhitë pamjet, ngjarjet, dukuritë dhe veçantinë e
tyre e të personaliteteve ashtu si i sheh e si u rrjedhin fjalët e bëmat.
Ai në të shumtën e tekstit e të dëshmive
faktike nuk fshehet pas vetes së dytë si rrëfimtarët imagjinativ. Subjektin e
tij të pashkrirë e të pafshehur, ia ekspozoi lexuesit, duke u identifikuar me
vetën e tretë. Pra, në këtë pikëshikim, pa ndonjë paragjykim, tekstin e fut në
anarki, pa e përfillë rendin e ndërtimit kompozicional të paraqitjes së
përshkrimit me anë të dëshmive, për ngjarje e përjetime në mjedise të panjohura
për ne, meqenëse ka shkëputje të temave,dalje në periferi të tyre…Pa
rrumbullakuar të parën sjell ca të dhëna për një tjetër…Gjuha dhe të shprehurit
me anë të saj të lënë për të dëshiruar…
Është e qartë kjo shpërputhje e rendit
kompozicional, pa elokuencë stilistike për këtë lëndë të nduarnduarshme, sepse
autori nuk e ka vokacion bukurshkrimin.
Mund të na duket e pa peshë, por
shpalosja e kulturës muzikore dhe fjalës që tingëllon shqip në mjedise të
caktuara, shpërfaq një mision të qartë: fisnik e kombëtar.
Misioni i kësaj veprimtarie, i artit,
ndonjëherë përbuzës, është lidhja dhe zbulimi i vatrave ende të pashuara të një
diaspore tejet numerike, ndaj ngritja e urave vëllazërore, forcimi i tyre
përmes këmbimeve të ndërsjella jo vetëm kulturore dhe, ruatja nga shkëputja e
tyre, të sapo ngriturave… Do të duhej të ishin në agjendën e ndërgjegjes, të dikujt,por
të kujt?!
Ato ura, nga dëshmitë e rizbulimit
kulturor të Fatmir Selimit, atje ku pothuajse ishte kryer asimilimi, nuk mbanin
dot as peshën më të lehtë të identifikimit, prandaj brishtësia e tyre nuk e
përçonte komunikimin dy palësh, sidomos në qendra urbane, atje ku diaspora nuk
ishte e përqëndruar, asimilimi tërësisht e kishte gllabëruar.
* * *
Padyshim, kjo diasporë kaq e numërt dhe,
në disa aspekte me ndikim, luajti dhe po luan rolin e vet për çështjen e
Kosovës, për mëvetësinë e saj, por potencialet e diasporës shqiptare në Turqi
janë ende më të mëdha dhe të pa shfrytëzuara.
Fatmir Selimi përmes këtyre shënimeve,
mëtoi të gjente nervin dhe barin për të injektuar sëmundjen e asimilimit nga
indiferentizmi…
Për këtë gjithsesi do përgëzuar!