E diele, 04.05.2025, 03:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Ziko Ll. Kapurani: Mbeta pinjoll i fëshfërimës së blertë (Cikël poetik)

E diele, 23.08.2009, 01:15 PM


Ziko Ll. Kapurani u lind nga prindër vllehë në zonën e Sarandës në Janar të vitit 1951. Pas dy klasave të para në shkollat fillore të minoritetit grek, vazhdoi mësimet në shqip. Mbaroi shkollën e mesme të përgjithëshme në qytetin e Korçës. Shëmbëlloret e tij nuk e ndihmuan dot të ngjitë shkallët e universitetit për arsye se rrethi i tij familjar ishte kundërshtar i vendosur politik i diktaturës së kuqe në Shqipëri me të burgosur, të arratisur, të dëbuar politikë. Përpjekjet për të botuar në vitet ’70 librin “Poezi të blerta,” u kthyen në ëndra, të cilat u realizuan mbasi theu qafën diktatura e vdekjes. Mbas viteve ’90 ka botuar përmbledhjet poetike: “Një degëzë ahishte,” “Dashuritë e mia,” “Një tango e vjetër,” “I kthyer në re.” Në prozë ka botuar përmbledhjen me tregime “Të ndaluarit” dhe romanin “Të gdhirë në bunker.” Ka kontribuar në shkronjat greke me vëllimin poetik “Pemë në dëborë,” (“?????? ??? ??????”)  dhe me përmbledhjen me tregime “Valixhia e rëndë” (“? ????? ???????.”) Aktualisht është sekretar i Lidhjes së Krijuesve të Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë veriore e më gjërë me qëndër në Selanik “Dega e Blertë.” Krijimet e tij i boton në tre gazetat prestigjioze në shqip, që botohen në Greqi: “Gazeta e Athinës,” “Albania press” dhe “Tribuna.”  Prej vitit 1991 jeton familisht në Selanik.

Ziko  Ll.  Kapurani

MBETA  PINJOLL  I  FESHFERIMES  SE  BLERTE

Cikël  poetik

Një degëzë ahishte

I merrni qytetet me reklama,
Me tym, kurvicka, kthim shpine,
I merrni plastiket nëpër kangjella,
Veç më lini një degëzë ahishte.

Një degë ahishte nga pylli thellë,
Ku dua të ulem dhe nurin t’i pi,
T’i vjedh erën, puthjen e blertë,
Me fëshfërimën e gjethes të rri.

Pak e nga pak, kështu pa u ndjerë,
Të kthehem në një tundje ahishte.
Një thëllëzë gjumi s’do ta zerë,
Po s’erdhi nën mua të mblidhet.

Ballkonet selanikase

Ca nënoke atje ndehin rudhat e mundin
Me tesha erë sapuni që presin pakëz diell,
Nëpër filxhanë kafesh rrezet  t’ia rrufin,
Ta nisin pastaj më të bardhë nëpër qiell.

Si gjokse grash ballkonet këndshëm dalin
Ku shkojnë etshëm e mbushen sytë tanë,
Herë me copra qielli, që në qiell të marrin,
Herë me magji, që zbardhin nën fustanë...

Brazda  fushe

Jetën time le pas një brazdë në fushë,
Nga djersa, nga lodhja lyer, stolisur.
Atje si laraskë, që sqepin të mbushë,
Hidhet plis më plis shpirti im i uritur.

Një brazdë të hapur le pas këtë jetë
Lidhur trup e endra nëpër grimca
Shkrirë nën pika shiu nga retë,
Ngrohur nën një diell me dy cica.

Selanikut

Nën hije ullinjsh çlodh ti të dielën,
Mbi divanë dallgësh ulesh fshaçe...
E kam dhe unë një degë të blertë,
Një fshat me diellin zog në bahçe.

Mos më shih ka të lidhur në hu,
Të mbllaçit ciklën e vapës tënde!
Streha ime nën qerpik ka qiell blu,
Mbi gjoks, të çkopsitur iso kënge.

E kam një odë nën dy dega bredhi,
Mbi dy tufa çaji mbirë majë gurit,
Që mallin fsheh me thëllëza ledhi,
Pa çka se e ka tej dritës së syrit..

Nuk di ajo lajka që botën të grishë,
Dhe vonë e ndrojtjur më merr këngë.
Selaniku im, ti nuk je sa një pishë
Që veri për mua fsheh nën mëngë!

Borigës sime

Të mbuluan beftë cullufet e borës,
Çfryrjet e jugut u ronitën ballit tënd,
U rreshke, moj boriga ime e kodrës,
T’u zbraz gjoksi, s’të rrjedh më lëng.

Të ra pakëz nuri, s’ke më fëshfërimë,
Thinjët era t’i shpalos nën trishtim.
Veç unë ndajnatë të vij një cicërimë,
Të të thërmohem si misër mbi gjinj.

Shi dhe diell

Shi me diell anës lumit bie sot,
“Martohen jevgat” thotë fshati.
Sa shumë dashkan qiellin, o zot!
Sa shumë i dashka qielli e fati!    

Ziliqar diellit i ze syrin një re,
Për jevgën me muzgje në naze,
Përdridhjet fine për llëre ia ze
Dallgët e hopa-ve në një valle.

Por mbetet veç pika mbi tundje
Mbi gërsheta pika e mbi gjinjtë.
Dhe dielli hap rrugën me bryle,
Shaminë t’i rrëmbejë e të ikë.

Dashuri

Nga hapja e çajit më dole aromë,
Dhe mbi tufa hyra thumb i bletës.
Çele në degët e ahishtes së njomë
Të mbetem pinjoll i së blertës.

Me shiun e imtë u vare mbi gjethe,
Mbi barin e zemrës më vesove maj,
Në buzë m’u ngjite kur kisha etje
Dhe me ujin që pi në gotë të mbaj.

Asaj që dua

Duaje, të lutem, hënën që na rriti,
Mos ma quaj shterpë për thertore
Se ç’vodhi përmbi ne e spërnditi
Dhe mbeti blegërimë mbi bregore.

Duaje grindjen e erës nëpër gjethe,
Fijet e barit mbetur thonjëve të mi
Se dhe gurët me të cilët më theve,
Janë prej hënës së kodrës përbri.

Një bukurosheje në rrugë

Një natë të vetme e desha me ty,
Të humbas mes cicave kryeneçe,
Të lag grykën me syrin tënd blu,
Dhe buzët të të cimbis për meze.

Dredhitë ndër gishta të t’i marr,
Të më shkasin e prapë t’i ndjek,       
T’i ze për cepi, t’i hedh në zjarr,
E zjarrin, po t’i preku, ta djeg.

Do të të rrëmbej kështu, harbuçe,
Do të të hedh i dehur në një cep,
Do të të nxjerr lakuriq ballë syve,
Di unë pastaj ç’kostum të të qep.

Aty ndaj të gdhirë, në një mëngë
Pupël në të marrin një tufë resh,
Ti do çfaqesh, do humbësh si Hënë,
Do rendësh nëpër qiell të më gjesh.  

Do më gjeni

Në doni të dini për poetin,
Që grazhdin e lopës bën lirikë,
Ca lajthishte ma dinë sekretin
Dhe keckat që më lëpijnë për kripë.

Pyesni ca dëllinja, një plep,
Zogjtë e fshehur nën shkurre.
Ata zemrën më mbajnë në sqep
Fije bari për foletë e tyre.

Do më gjeni çezmë në një lug,
Të rrjedh në një govatë të drunjtë,
T’ju kthej nga rruga e t’ju puth,
T’ju lag me pak vesë nga sytë.

Në doni të dini më shumë,
Pyesni një kalivë nën bregore,
Atje krahët do m’i gjeni shtrungë
Dhe shpirtin gjuhëzë këmbore.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx