E marte, 30.04.2024, 04:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Vjeshtori i kohërave...

E diele, 23.08.2009, 12:15 PM


ME KRIJUESIT TANË

Vjeshtori i kohërave...

Nga Tefik Selimi

Poetët janë më të “çuditurit” në jetë. Ata jetojnë me artin e bukur. Arti i madhëron. Pse jo? E kanë “fuqinë” magjike. I magjeps. Dhe, arti i tyre është një dhunti e natyrës. Janë krijues me dhunti të rralla arti. Ata në vehte e posedojnë një botë interesante. Dhe, janë interesantë. Kanë “unin” e “etjes” së jetës. Po në këtë rrugë kaherë është nisur i riu nga Zhegra e Karadakut, Sabit Rrustemi, krijues. Pse jo? Sabiti e ka datëlindjen diku në kurrzirmal të Kurexhajve. Aty e ka rrënjen apo gjenealogjinë e familjes së vet. Ky vend gjendet afër kufirit Kosove-Serbi. Dhe, shpeshherë Sabiti e ka rrëfyer këtë vend me ato tregime e poezi të nënshkruajë me pseudonimin Kurt Rexha. Sepse, familja e tyre ishte e ardhur nga të parët etij, Kurti dhe Rexha – Kurexhaj. Si shkollar i gjimnazit, ai qe nxënës shumë i dalluar në mësime. Sidomos, në letërsi. Ishte i tëri poet arti. Ishte edhe atë kohë me interesime të shumta. E ndihmonte autorin e këtyre radhëve në botimin e revistës “Gjimnazisti” të Gjimnazit “Zenej Hajdini” të Gjilanit. E filloi vjerëshërimin në atë revistë bashkë me Agim Ramadanin, Mehmetali Rexhepin, Shefik Shkodrën e me disa tjerë gjilanas. Si kreu gjimnazin, ai vazhdoi studimet në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Këtu hyri në botën e artit që aq shumë e deshi. E filloi krijimtarinë e vet në revistën “Jeta e re”, mandej “Bota e re” të studentëve, “Flaka e vëllazërimit”, “Rilindja”, “Fjala” e në disa gazeta tona në Kosovë e Maqedoni. Ishin kohë të rënda. Të rënda, për faktin se, çdo gjë përcillej e përgjohej nga regjimi i asaj kohe serb. Sabit Rrustemi shkruante pa u ndalë. Filloi të shkruajë dhe në revistën për art e kulturë “Fjala” Dhe, në numrin 1 prill të vitit 1981 ai botoi tregimin me titull “Nën maskat e mysafirëve”. Tregimi që e tronditi vendin. Dhe, thonë, po sa doli gazeta në fjalë, ajo u konfiskua menjëherë. Nuk u la asnjë numër në shitje. Autori i këtyre radhëve e pati marrë po atë ditë. E lexova gazetën në fjalë. Sabiti ishte në qendër të vëmendjes. Një tregim shumë aktual për atë kohë. Thashë vetit, “ky njeri sot e ka vështirë. Do ta pësojë nga kjo”. Po këto ditë, edhe Adem Salihaj, nga Ferizaji, koleg të studimeve, botoi në gazetën e studentëve “Bota e re” tregimin me titull: “Edhe unë do të çohem”,. Një tregim që e ftoi popullin në kryengritje. Është me motiv vietnamez, por është aktualieti ynë kosovar i Pranverave të Mëdha. Personazhet janë shumë interesante: Ti-Ju (Tito i Jugosllavisë) Shë-Li) Shqipëria e Lirë dhe Ko-Ro), Kosova e Robëruar. Mendova: ja arti çka bën?! E ka fuqinë e vet më shumë se arma! Armë e një kohe. E, Sabit Rrustemi, ish nxënës imi, një poet i hajthëm, i zbehtë, me pak veçanti të jashtme dhe, nga brenda, sikur ka një botë të pashterrshme arti. Sabiti e ka një botë të thellë poetike. Një karakteristikë e tij është se, kur flet, sikur ato fjalë “rrëfejnë” ndonjë ngjarje pa u ndalë... Dalin nga goja e tij ato fjalë të lehta, të buta, por edhe shumë me domethnënie e të këndshme. Dhe, ai ka krijuar vargje në kohën kur ishte “kohë” e  ndalur. Ai nuk e ka ndalë atë hov e tij krijues edhe atëherë kur ishte gjendje e jashtëzaonshme. Botonte nëpër gazeta, revista tona, të cilat ia patën droen sëmirzinjtë. Pse jo? Krijoi edhe prozë. Emri i tij lidhej me trollin e të parëve. Kur e shihte se është mjaft kohë e nder, ai krijonte edhe për konkurse letrare. Botoi krijime letrare me pseudonimin Kurt Rexha e me ndonjë emër tjetër. Poezia e tij është një pjesë “tjetër” e letërsisë. Edhe redaktorët i ka mahnitur për artin e tij të thellë. Në një kohë jo aq të largët, Hasan Mekuli, gjer sa ishte duke na pyetur në provim, tash i ndjerë, e kërkoi para studentëve Sabit Rrustemin, poet. Pyeti: “A e njeh dikush Sabit Rrustemin? Ky njeri më duhet. Dua ta njoh. E çmoj”. Kur e njohu, atëherë i pati thënë: “Ta kemi kursyer poezinë e botuar në revistën “Jeta e re”, se ajo ishte e tillë si ishte dhe, nuk guxuam ta botonim si të tërë. Puno e krijo!!! Puna të qoftë mbarë!” E, Sabit Rrustemi vazhdoi të krijojë vargje për kohën, vendin, njerëzit, për të rinjtë, fshatarin, vendlindjen, dëshmorët e për të gjithtë nga pak. Ky njeri pati një fuqi të madhe poetike. E nisi vargun heret, në moshën e re. Erdhën kohët “tjera”. Sabitin e gjeti kjo kohë në vlugun e krijimtarisë. Nuk bënte vargje sa për të thënë, por shkruante vargje që dridhnin shpirtin e njeriut. I merrte ngjarjet atje kah Karadaku i Idriz Seferit, por këto i sjellte në aktualiet ynë kosovarë, siç ka shtuar A. Salihaj, “Koro Ro (Kosova e Robëruar). Sabiti e përgjoi kohën, Ishte kohë e vendimeve të mëdha. Ky nuk del atje të bërtas për Kosovën Republikë, por brenda, në letër shkruan tregimin “Nën maksat e mysafirëve” Ky tregim u botua në revistën “Fjala” 1 prilit 1981. Sabit Rustemi është i lindur më 3 Prill 1959 në Terzijaj, fshat në afërsi të Zhegrës, komuna e Gjilanit.  Shkollimin fillor e kryen në Zhegër, atë të mesëm në Gjilan, ndërsa studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Prishtinë. Në vitin 1977 botoi poezinë e parë në revistën "Zëri i rinisë" të Prishtinë. Në vitin 1981, është shkrimtari i vetëm i Kosovës që burgoset për shkak të botimit të  tregimit  « Nën maskën e mysafirëve », të botuar në revistën « Fjala » më 1 prill të atij viti, ditën kur demonstratat shqiptare për Kosovën Republikë e mbushën Prishtinën.  Dënohet me katër vjet burg nga regjimi i Jugosllavisë titiste, me ç’rast i ndalohet edhe botimi i krijimtarisë letrare. Tek  në vitin 1990 boton permbledhjen e parë të poezive «Ku i la lisat era »  të dorëzuar që në vitin 1981, redaktuar nga poeti i mirënjohur Ali Podrimja.  Më pas boton edhe "Besoj në një diell" (Fjala 1992,)  « Variacione për lirinë », Rilindja 1997 dhe  « Ëndrra që puthet », Rozafa  2001, që të gjitha poezi si dhe dy përmbledhje tregimesh, "Pika e Zezë », Flaka e vëllazërimit, Shkup 1993 dhe "Maska e Mysafirëve" , Buzuku, Prishtine ,1997. Në vitin 1994 ka botuar prozën dokumentare "Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës " nga shtëpia botuese « Plejada » nën drejtimin e shkrimtarit tashmë të ndjerë Beqir Musliu si dhe një album poetik "Natyrë me vaj" po nga kjo shtëpi dhe me parathënie të Beqir Musliut. Sabit Rrustemi, një mandat ishte edhe deputet në Kuvendin e Kosovës dhe përpos krijimeve letrare e publicistike, merret edhe me veprimtari politike. Është laureat i një sërë shpërblimesh letrare ne poezi e prozë mes viteve 1979 -2005. Është i martuar, baba i pesë fëmijëve. Jeton në Gjilan. Momentalisht në përgatitje ka një libër me poezi.


(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora