Kulturë
Suzana Kuqi: Deti i një të djele korriku
E diele, 23.08.2009, 07:44 PM

Deti i një të djele korriku
Ishte i trazuar atë mëngjes të diele. Pak të thuash i trazuar. Dallgët nuk më kishin frikësuar deri atëhere, e kam fjalën... për dallgët e detit. Ndjeva forcën e ujit tek përplasej me forcë pas trupit tim sa më shkaktonte dhëmbje. Të luftosh me dallgët... Pranë bregut kanë më forcë e mendova të notoja në thellësi ndërsa ato më shtynin me kryeneçësi pas. E unë po kokëfortë nuk doja të hiqja dorë. Përparova disi. Befas, një dallgë u ngrit para syve të mi aq sa nuk kisha parë kurrë një të tillë. U zhyta në të për të evituar forcën përplasëse. Më përpiu, më rrotulloi e më tërhoqi poshtë. Ndjeva krahërorin të haste rërën e fundit të detit e frymën të më mungonte. Në një pjesëz të sekondës m'u kujtua se ç'kisha lexuar për dallgët. Masë e ujit që rrotullohet në vend... spjegonte pse kisha takuar fundin. Kjo nuk më qetësoi pasi kthyer në sipërfaqe një dallgë më e madhe u hodh mbi mua. Mezi arrita të mbushesha me frymë dhe e lashë veten të lirë në vorbullën përpirëse. Tek krahërori im preku sërish tabanin, para syve më kaloi imazhi i një trupi që përthithej me shpejtësi diku në të djathtën time. Fragmenti i fundit, refleksi i verdhë i flokëve ashtu siç i kanë fëmijët. U zhyta në atë drejtim por nuk e pashë më. Me vështirësi dhe aq shpejt sa mund të më lejonin dallgët ju afrova bregut duke kontrolluar përreth se mos pikasja atë refleks mes shkumës së bardhë e ujit në ngjyrë të turbulluar rëre e kripe të përhimtë. Vetëm plazhistë që u tregonin gjoksin e shpinën dallgëve, që herë i sulmonin deri mbi kokë e pastaj zbrisnin duke u lëpirë gjunjët me gjuhë të panumërta shkume. Askund nuk u duk trupi i vogël dhe ai refleks i artë. Ndenja nje copë herë deri sa arrita t'i mbushja mendjen vetes se kish qenë veç një vegim, një aluçinacion apo kushedi se çfarë nga ato lojëra që të bën truri kur i mungon oksigjeni. Megjithatë...
Deti... ishte inatçor atë ditë dhe një parandjenjë e keqe kish futur thellë kthetrat në humorin tim të ditës. Ishte e para herë që deti që e kam dashur që në vogëli më përcillte ndjesinë e diçkaje të kobshme. Gjithsesi në mbrëmje pothuaj e kisha harruar...
Por deti atë të djelë korriku... ndoshta kish dashur vërtet të thosh diçka, të paralajmëronte. Dikë që të mund ta kuptonte ashtu siç duhej e të kishte atë kujdes që duhej. E ky dikush nuk e kish kuptuar. Ndryshe nuk kish se si, mëngjesin në vazhdim, në faqen e parë të gazetës buzëqeshte vajza e vogël e mbytur pasditen e një dite më parë. Refleksi i flokëve, i artë dhe i bukur, ashtu siç e kanë fëmijët edhe kur lagen... si fragmenti i fundit i imazhit të hidhur në fundin me rërë të trazuar të një deti të tërbuar të një paraditeje të djelë korriku...
Komentoni
Artikuj te tjere
Arsim Halili: Intervistë me shkrimtaren Këzë (Kozeta) Zylo
Shefqet Dibrani: Përmasat e poezisë artistike
Driton Zenku: Poezi nga libri ''Rruga e Rrugëve''
Mexhid Yvejsi: Ç'është ky muaj - Ramazani?
Demir Krasniqi: Marketing patriotik
Përparim Hysi: Xha Gorjoi në shtëpinë time
Xhafer Durmishi: Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe Bacalokun
Fejzulla Arifi: Në brendësitë e Unit
Halit Bogaj: Halit Gashi
Ziko Ll. Kapurani: Mbeta pinjoll i fëshfërimës së blertë (Cikël poetik)
Në Galicë të Vushtrrisë,filluan xhirimet e filmit “Trimi i trimave”
Alain Vidon: Hapet vellua
Tefik Selimi: Vjeshtori i kohërave...
Fejzulla Arifi: Në brendësinë e Unit
Këze (Kozeta) Zylo: Vuajtje të pafundme, sikur të kishin gjuajtur Zeusin me gurë
Sabit Rrustemi: Zjarrmi e kthjelltë (cikël poezish)
Përparim Hysi: Vargje të shkruara në gusht (XII)
Mazllum Saneja: Poezia moderne polake - Jan Michal Stuchly (VI)
Vikena Kamenica: Sekreti im në Austri
Halit Bogaj: Samuraji i fundit